Shkenca dhe feja: Konflikti ndërmjet tyre
Shkenca dhe feja: Konflikti ndërmjet tyre
«A nuk konceptohet feja kryesisht si një sëmundje infektive e mendjes?»—Biologu Riçard Dokins.
NDONJËHERË mendohet se feja dhe shkenca janë armike të betuara të njëra-tjetrës. Për disa ato janë vetëm në një luftë të vazhdueshme, luftë kjo e përmasave të tilla ku duket se njëra do të triumfojë vetëm kur të vdesë tjetra.
Në njërën anë qëndrojnë disa shkencëtarë, si kimisti Piter Atkins, të cilët mendojnë se pajtimi i fesë me shkencën është «i pamundur». Atkinsi thotë se të besosh «që Perëndia është shpjegimi për ekzistencën (e diçkaje, aq më pak, të gjithçkaje) është e përbuzshme nga ana intelektuale».
Në anën tjetër qëndrojnë njerëzit fetarë që fajësojnë shkencën për rrënimin e besimit te feja. Këta individë besojnë se shkenca, me mënyrën se si zbatohet sot, është një mashtrim; faktet e saj mund të jenë të vërteta, por keqinterpretimi i këtyre fakteve i minon bindjet e besimtarëve. Për shembull, biologu Uiliam Provain thotë se darvinizmi nuk nënkupton «themelin bazë të etikës; as se cila është në thelb domethënia e jetës».
Megjithatë, deri në njëfarë mase konflikti është zhvilluar për shkak të pohimeve të rreme ose të pavërtetuara të bëra nga të dyja palët. Udhëheqësit fetarë kanë mësuar për shekuj me radhë legjenda të trilluara dhe dogma të gabuara, që bien ndesh me zbulimet shkencore të kohës së sotme dhe që nuk bazohen te Shkrimet e frymëzuara. Për shembull, Kisha Katolike e Romës e dënoi Galileon për shkak të përfundimit të saktë që nxori se toka rrotullohet rreth diellit. Pikëpamja e Galileos nuk ishte aspak kundër Biblës, por ishte kundër asaj që mësonte kisha në atë kohë. Nga ana tjetër, shkencëtarët ngarkohen me faj kur e mësojnë si fakt teorinë e pavërtetuar se jeta evoluoi nga materia e pajetë, pa ndërhyrjen e Perëndisë. Ata tallen me besimin fetar duke e quajtur joshkencor.
Pra, a mund të pajtohet shkenca me fenë? Po. Në fakt, shkenca e vërtetuar dhe feja e vërtetë e plotësojnë e nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën.
[Figura në faqet 2, 3]
Galileo mësoi të vërtetën shkencore dhe për këtë u dënua nga kisha