Të festojmë një «luau» të Havait
Të festojmë një «luau» të Havait
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË HAVAI
KURORAT me lule, kërcimi hula dhe palmat që lëkunden. Nëse do t’ju përmendnin Havain, do t’ju vinin në mendje gjëra të tilla. Miliona vizitorë nga e gjithë bota vijnë në Havai për të parë këto gjëra si dhe për të marrë pjesë në festën tonë me famë botërore, luau ose festa e Havait. *
Në një mbrëmje të ngrohtë e të butë, teksa fryn flladi i freskët i oqeanit, dielli gjigant i Havait zhytet dalëngadalë në oqeanin Paqësor. Ejani dhe bëhuni mysafirët tanë në një nga hotelet ku organizohet rregullisht festa tipike luau e Havait. Po shoh se tashmë jeni gati për të marrë pjesë, pasi ju burrat keni veshur këmishat karakteristike me ngjyra, aloha, dhe ju gratë fustanet e këndshme, mumu. Jemi pak herët, prandaj le të shkojmë e të shohim se si po e përgatitin ushqimin tonë.
Kur hyjmë në sheshin e luaut, na mirëpret një vajzë me fundin e saj me gjethe zambaku fletëgjerë. Pastaj ajo na dhuron secilit një kurorë me lule dhe një pije tropikale për të freskuar fytin tonë të tharë—kjo pije është gjithmonë e mirë pas një dite të gjatë me vizita turistike ose me banjo dielli në plazhet me rërë. Përpara nesh janë shtruar mbi tryeza ushqime aq të shijshme të tilla, si: poi, patate të ëmbla, peshk salmon lomilomi dhe ushqime të tjera të njohura të ishullit.
Vëmendjen tonë e tërheq një pirg me dhé nga i cili del avull e që ndodhet larg nga vendi i ngrënies. Vëzhgojmë disa burra të fuqishëm që kanë vënë një copë rreth këllqeve, të cilët po heqin me kujdes dheun dhe shtresat e gjetheve duke i vënë anash pirgut. Shumë shpejt shohim një derr të tërë të pjekur që e nxjerrin nga toka. Ai do të jetë ushqimi kryesor i banketit tonë luau. Ndoshta po pyetni veten: ‘Do ta hamë këtë? Aroma e tij të kënaq, por pamja e tij nuk duket sikur të hap oreksin ose higjienike.’ Sidoqoftë, përpara se të mendoni që të largoheni nga banketi, më lejoni t’ju shpjegoj se si përgatitet ky ushqim dhe do të shihni se ai nuk është aspak johigjienik. E di se do ta provoni këtë ushqim të shijshëm të kuzhinës së lashtë të Havait, pasi ta keni kuptuar metodën e pazakontë të gatimit.
Çfarë është një imu?
Imuja përdorej nga banorët e lashtë të Havait për të gatuar lloje të shumta të ushqimeve të tyre. E thënë thjesht fare, është një furrë e nëndheshme. Përveç derrave, në imu gatuanin edhe peshk, pula dhe zogj më të vegjël si edhe patate të ëmbla, rrënjë taroje, fruta të drurit të bukës dhe ëmbëlsira. Gjatë gatimit përdoreshin edhe gjethet e patates së ëmbël dhe të taros.
Ushqimet më të vogla ndoshta mbështilleshin me gjethe zambaku fletëgjerë dhe piqeshin me avull. Kjo metodë gatimi quhet laulau. I gjithë procesi në imu quhet «kalua», që fjalë për fjalë do të thotë «gropa». Prandaj ushqimi ynë kryesor njihet si derri kalua. Siç do ta shohim, kjo metodë gatimi është në të vërtetë një kombinim i pjekjes së thjeshtë me gatimin me avull.
Banorët e lashtë të Havait gërmonin një gropë aq të madhe, sa për të vendosur të gjitha gjërat që do të gatuheshin. Puna fillonte zakonisht herët në mëngjes, në mënyrë që ushqimi të ishte gati për darkën. Drutë e zjarrit vendoseshin në fund të gropës, siç vihen kur bëni një zjarr të madh jashtë. Vendoseshin ashklat dhe shkarpat dhe shtohej me kujdes një stivë me dru aq e madhe sa të digjej për tri ose katër orë.
Kërcunjtë sistemoheshin përqark një shkopi të vendosur pingul. Më vonë shkopi hiqej dhe në gropë hidhej hi me prush për të ndezur zjarrin. Zjarret ndizeshin duke fërkuar dy shkopinj me njëri-tjetrin. Pastaj në majë të druve vendoseshin gurë të lëmuar bazalti. Përdorej bazalti, sepse ai mund të nxehej pa plasur. Gurët mund të ishin të mëdhenj sa një grusht e deri sa një top birrilash. Duheshin shumë gurë, meqë ata dhe thëngjijtë e mbetur ishin burimi i nxehtësisë për gjithë procesin e gatimit. Gurët nxeheshin derisa bëheshin të kuq flakë. Pastaj hiqej çdo dru që nuk ishte djegur.
Pasi gurëve u fshihej hiri, disa prej tyre viheshin në zgavrat e barkut dhe të gjoksit të derrit tashmë të kripur për t’u siguruar që të piqej i tëri. Gjithashtu, në zgavrat e pulave mund të futeshin gurë më të vegjël me formë konike. Pastaj gurët dhe thëngjijtë e mbetur shpërndaheshin në mënyrë të njëtrajtshme në fundin e gropës dhe anash saj dhe mbuloheshin me shtresa bari dhe gjethe zambaku ose bananeje. Edhe druri i bananes mund të copëtohej dhe të hidhej sipër gurëve. Kjo gjë nuk do të lejonte që nxehtësia shumë e madhe të digjte ose të përcëllonte ushqimin. Gjithashtu, kjo do t’i siguronte lagështirën, kështu që si rrjedhim ushqimi edhe do të piqej, edhe do të zbutej njëkohësisht nga avulli.
Pasi ishin vënë brenda mjaft gjethe, derri bashkë me pjesën tjetër të ushqimit vendosej mbi gjethet. Gjithçka mbulohej përsëri me një tjetër shtresë të bollshme gjethesh. Pastaj mbi gjethet vihej një shtrojë e bërë nga lëvorja e manit të letrës ose rrogozë të thurur me lauhala, në mënyrë që në ushqim të mos binte asnjë papastërti. E gjithë stiva mbulohej pastaj me një shtresë të trashë dheu, për të mos e lejuar avullin që të dilte nga imuja. Nganjëherë dheu spërkatej me ujë që të mbetej i lagësht. Me raste, kur kuzhinieri e shihte të nevojshme për të shtuar më shumë ujë, brenda stivës futej një shkop i zbrazët bambuje.
Koha e gatimit varej nga disa faktorë si për shembull, nga sasia dhe lloji i ushqimit të vënë në imu dhe nga numri i gurëve që përdoreshin. Në varësi të madhësisë së derrit, ndoshta duheshin
disa orë që ai të bëhej plotësisht. Kur mendohej se kishte kaluar mjaft kohë, hiqej me kujdes dheu e më pas rrogozat dhe gjethet që të zbulohej ushqimi i gatuar. Ushqimi vendosej në enë, lihej që të ftohej dhe pastaj shërbehej i ftohtë. Mishi i pabërë hiqej dhe gatuhej në një tjetër çast ose në një tjetër mënyrë, si për shembull në skarë ose i zier.Meqenëse banorët e lashtë nuk kishin enë zjarrduruese, ushqimi që do të zihej vendosej në një tas druri me ujë dhe brenda tij hidheshin gurë të skuqur nga nxehtësia. Gjithashtu, mishi i papjekur mund të kripej, e kështu mund të ruhej për ta përdorur më vonë. Meqenëse gatimi ishte punë e lodhshme dhe e rëndë, ushqimin e gatuanin burrat. Siç mund të kuptohet, imuja përdorej vazhdimisht. Shpesh ajo gjendej nën ndonjë lloj strehe, e cila formonte një kuzhinë të përhershme për t’u përdorur kur ishte kohë e keqe.
Imuja sot
Sot në festat tona luau do të vëreni se në të vërtetë gjërat nuk kanë ndryshuar shumë për sa i përket përdorimit të furrës imu. Për nxjerrjen e derrit si një i tërë nga gropa mund të përdoret një rrjetë teli, pasi metoda e gatimit kalua bën, në të vërtetë, që të ndahet mishi nga kockat. Thasët prej kërpi kanë zëvendësuar rrogozat e thurur ose shtrojat. Por përveç këtyre gjërave të reja të vogla, imuja ka mbetur e paprekur pavarësisht nga ndryshimet e tjera të shumta në kulturën e Havait.
Pasi mishit i hiqen të gjitha kockat, mund të shtohet më shumë kripë sipas shijes. Atëherë derri kalua është gati për t’u ngrënë. Le të fillojë festa luau! Mund të zgjidhni të uleni këtu mbi këtë rrogoz përdhe e të hani në një tryezë të ulët ose të uleni rreth një tryeze më të zakonshme perëndimore në karrige. Në cilindo rast, e dimë se do të mbeteni të kënaqur që qëndruat në festën tonë.
[Shënimi]
^ par. 3 Edhe pse luau në fillim mund të ketë pasur ndonjë lidhje me praktikat e feve të rreme, tani kjo fjalë ka të bëjë thjesht me një banket të Havait. Prandaj shumë të krishterëve mund t’ua lejojë ndërgjegjja që të marrin pjesë.
[Kutia në faqen 27]
Nuk ju duhet të gërmoni një gropë
Nëse ju pëlqen që ta provoni këtë gatim të shijshëm të Havait, ka shumë të ngjarë që t’ju duhet të vini në Havai për një luau origjinale. Por, nëse kënaqeni me një imitim mjaft të mirë, mund të jeni në gjendje që ta gatuani derrin tuaj kalua edhe në kuzhinën tuaj.
Edhe këtu në Havai nuk kemi të gjithë kohë që të përdorim një imu sa herë që duam të hamë një derr kalua. Prandaj kemi bërë ndryshime me qëllim që të kursejmë kohë dhe mundim. Në vend të një derri të tërë, ju mund të kënaqeni me një kofshë derri ose me një rosto. Si mish me më pak dhjamë, mund të përdorni edhe pulë ose gjeldeti. Sido që të jetë, lyejeni krejt roston me një lugë gjelle me tym të lëngët (një lloj arome) për çdo gjysmë kilogram mish. Ky do t’i japë mishit tuaj një aromë dhe shije tymi.
Nëse mund të gjeni gjethe të gjelbërta zambaku fletëgjerë, mbështilleni mishin me to. Vendoseni në një sobë me gatim të ngadaltë, pasi kjo ngjan më shumë me nxehtësinë e lagësht të furrës imu. Nëse nuk keni një pajisje të tillë, do të bëhet siç duhet edhe në furrën e sobës tuaj të zakonshme. Për ta mbajtur mishin sa më të njomur që të jetë e mundur, pasi ta keni mbledhur me gjethe zambaku, mbulojeni atë me letër alumini. Mbajeni temperaturën e furrës në 160 gradë Celsius dhe lëreni mishin derisa të bëhet mirë, pra, derisa të ndahet lehtësisht nga kockat. Priteni mishin në copa dhe për ta njomur shtoni pak nga lëngu që ka pikuar nga mishi i pjekur. Tani derri juaj kalua i bërë në shtëpi është gati për banketin tuaj luau.
Pasi ta keni provuar këtë ushqim të kuzhinës së Havait, ndoshta do të nxiteni që të vini këtu dhe të shijoni origjinalin.
[Figura në faqen 25]
Hibisk i kuq
[Figura në faqen 25]
Në ushqimet e njohura të ishullit përfshihen poi, patate të ëmbla dhe peshk salmon lomilomi
[Figura në faqen 25]
Kërcimi hula
[Burimi]
Ron Dahlquist/SuperStock
[Figura në faqen 25]
Një mirëseardhje tipike me kurora lulesh
[Figura në faqen 26]
Duke hequr derrin ‘kalua’ nga «imuja»