Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pikëpamja e Biblës

A duhet t’u predikojnë të krishterët të tjerëve?

A duhet t’u predikojnë të krishterët të tjerëve?

NDOSHTA mënyra se si jeni rritur ose kultura juaj kërkon që të mos flitet për fenë jashtë familjes ose kishës. Si rrjedhim, mund të acaroheni nëse dikush vjen pa njoftuar në shtëpinë tuaj me një Bibël në dorë. Disa e kanë formuar këtë pikëpamje nga veprat e dhunshme që ka bërë feja gjatë historisë me pretekstin e shpëtimit të shpirtit.

Historia e shumë kombeve flet për kthime në masë në besim, të nxitura jo nga dashuria për Krishtin, por nga tehu i mprehtë i shpatës. Shumë njerëz u fshehën, lanë shtëpitë, vendin e madje humbën dhe jetën​—disa duke u djegur në shtyllë—​vetëm që të mos ktheheshin në fenë e përndjekësve të tyre.

Shkrimet e frymëzuara të Biblës nuk e mbështetin këtë kthim me detyrim në besim. Atëherë, a do të thotë kjo se nuk duhet të flasim për bindjet tona fetare me të tjerët? Vetë Bibla na përgjigjet për këtë.

Mësoi me autoritet

Së pari, të shqyrtojmë shembullin që la Jezu Krishti. Ai ishte një mësues i aftë dhe ajo që tha pati ndikim në jetën e dëgjuesve të tij. (Gjoni 13:13, 15) Në Predikimin në Mal mësimi i tij ishte i thjeshtë, por i fuqishëm. Ai pati efekt te dëgjuesit e tij, të cilët ‘u mahnitën nga mënyra se si mësonte ai, sepse i mësonte si një që ka autoritet dhe jo si skribët e tyre’. (Mateu 7:28, 29) Rreth 2.000 vjet më vonë, mësimet e tij ende ndikojnë në jetën e atyre që i shqyrtojnë ato. Duke e përforcuar këtë pikëpamje, profesori Hans Ditër Bets vërejti se «ndikimi që ka ushtruar Predikimi në Mal në përgjithësi është shumë më i madh se ndikimi që ka ushtruar judaizmi, krishterimi ose dhe vetë kultura perëndimore».

Pak para ngjitjes në qiell, Jezui dha një urdhër, i cili siguroi se pas vdekjes së tij vepra e mësimdhënies që ai vetë filloi do të vazhdonte e madje do të lulëzonte. (Gjoni 14:12) Ai i urdhëroi dishepujt e tij që të shkonin te njerëzit e çdo kombi ‘duke u mësuar që të zbatonin të gjitha gjërat’ që u kishte urdhëruar. Qëllimin fillestar të këtij caktimi Jezui e bëri të qartë kur në të njëjtin pohim tha: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj.»​Mateu 28:19, 20; Veprat 1:8.

Le të shqyrtojmë edhe shembullin e apostullit Pavël. Pasi u bë i krishterë, nuk ngurroi të fliste me të tjerët për besimin e tij të ri. (Veprat 9:17-19, 22) Pavli e kishte zakon të fliste nëpër sinagoga dhe të provonte «me fragmente të cituara se Krishti duhej të vuante e të ngrihej nga të vdekurit». Me aftësi «arsyetoi me ta nga Shkrimet», me qëllim që ‘t’i bindte judenjtë dhe grekët’. Sipas një vepre me referime, fjala greke që përdoret për «bind» do të thotë «të shkaktosh ndryshimin e mendjes nëpërmjet ndikimit të arsyes ose duke peshuar normat morale». Përfundimi i arsyetimit bindës të Pavlit ishte se ‘ia mbushi mendjen një turme mjaft të madhe njerëzish . . . e ua ktheu mendjen’.​—Veprat 15:3; 17:1-4, 17; 18:4; 19:26.

Detyrim ose bindje​—Cila nga këto?

Në kohët e sotme, termi «prozelitizëm» është përdorur për të nënkuptuar kthimin e detyruar në një besim tjetër. Bibla nuk e mbështet këtë praktikë. Përkundrazi, ajo mëson se njerëzit u krijuan me vullnetin e lirë, me mundësinë dhe përgjegjësinë për të zgjedhur se si do ta përdorin jetën. Kjo përfshin edhe vendimin se si ta adhurojnë Perëndinë.​—Ligji i përtërirë 30:19, 20; Josiu 24:15.

Jezui e respektoi këtë të drejtë të dhënë nga Perëndia duke mos e përdorur kurrë fuqinë dhe autoritetin e tij të jashtëzakonshëm për ta detyruar ose shtrënguar dikë që të pranonte thëniet e tij. (Gjoni 6:66-69) Ai i motivoi dëgjuesit e tij duke përdorur arsyetim të shëndoshë, ilustrime dhe pyetje për të kuptuar pikëpamjen e tjetrit, të gjitha këto me qëllimin që të prekte zemrën e tyre. (Mateu 13:34; 22:41-46; Luka 10:36) Jezui i mësoi dishepujt e tij që të tregonin po këtë respekt ndaj të tjerëve.​—Mat. 10:14.

Duket se Pavli e përdori Jezuin si një model në shërbimin e tij. Ngjashëm, teksa i bindte dëgjuesit e tij me arsyetime të shëndosha duke përdorur shkrimet, Pavli respektonte ndjenjat dhe pikëpamjet e të tjerëve. (Veprat17:22, 23, 32) Ai e kuptonte që duhet të jetë dashuria për Perëndinë dhe për Krishtin ajo që na nxit t’i shërbejmë aktivisht Krijuesit tonë. (Gjoni 3:16; 21:15-17) Pra, vendimi që marrim është një vendim personal.

Vendim personal

Njerëzit e arsyeshëm nuk veprojnë si t’u teket kur janë përballë vendimeve kryesore në jetë, si: çfarë shtëpie të blejnë, ku të punojnë dhe si t’i rritin fëmijët. Ata mund të kërkojnë mundësi të ndryshme, të meditojnë lidhur me atë që kanë gjetur dhe, ndoshta, të kërkojnë këshillë. Vetëm pasi të kenë marrë në shqyrtim këto gjëra do të marrin një vendim.

Vendimi për mënyrën se si duhet ta adhurojmë Perëndinë meriton më shumë kohë dhe përpjekje se çdo vendim tjetër në jetë. Do të ndikojë në mënyrën se si e përdorim jetën tani dhe, ajo që është më e rëndësishmja, në mundësinë tonë për një jetë të përhershme në të ardhmen. Kjo u kuptua qartë nga të krishterët e shekullit të parë në Berea. Edhe pse apostulli Pavël ua shtjelloi lajmin e mirë, ata prapëseprapë i shqyrtonin me kujdes shkrimet çdo ditë për t’u siguruar se ajo që po mësonin ishte e vërtetë. Si përfundim, «shumë prej tyre u bënë besimtarë».​—Veprat 17:11, 12.

Sot, Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë veprën e mësimdhënies e atë të bërjes së dishepujve që u fillua nga Jezui. (Mateu 24:14) Ata e respektojnë të drejtën e të tjerëve për të pasur fenë e tyre. Por, kur është fjala për të ndarë me të tjerët bindjet e tyre fetare, ndjekin shembullin që jepet në Bibël. Po, ata arsyetojnë me ndershmëri në bazë të shkrimeve ndërsa kryejnë veprën e predikimit që për ta është një vepër jetëshpëtuese.​—Gjoni 17:3; 1 Timoteut 4:16.