Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbrojtja e policisë: Shpresë dhe frikë

Mbrojtja e policisë: Shpresë dhe frikë

Mbrojtja e policisë: Shpresë dhe frikë

NË FILLIM të shekullit të 19-të shumë njerëz në Angli i kundërshtuan propozimet për një polici të përbërë nga profesionistë me uniformë. Ata kishin frikë se një forcë e armatosur në duart e qeverisjes qendrore mund të kërcënonte lirinë e tyre. Disa kishin frikë se kjo polici do të shndërrohej në një sistem agjentësh spiunazhi të ngjashëm me spiunazhin francez të drejtuar nga Zhozef Fusheja. Sidoqoftë, ata ishin të detyruar të pyetnin veten: «Ç’do të bënim pa policinë?»

Londra ishte bërë qyteti më i madh dhe më i pasur në botë; krimet po shtoheshin dhe po kërcënonin veprimtaritë tregtare. As rojet vullnetare të natës, as profesionistët që merreshin me kapjen e hajdutëve, pra policët e rrugës Bou që paguheshin nga fondet private, nuk ishin në lartësinë e detyrës që të mbronin njerëzit dhe pronën e tyre. Klaiv Emsli në librin e tij The English Police: A Political and Social History (Policia angleze: Histori politike dhe shoqërore), thotë: «Gjithnjë e më shumë, krimet dhe çrregullimet shiheshin si gjëra që nuk duhej të ekzistonin në një shoqëri të qytetëruar.» Prandaj, banorët e Londrës shpresuan për më mirë dhe vendosën të krijonin një polici profesionale nën drejtimin e sër Robert Pilit. * Në shtator të vitit 1829, policët me uniformë të Policisë Metropolitane filluan të patrullonin zonat e tyre.

Që në fillim të historisë së tyre të ditëve të sotme, çështjet lidhur me policinë kanë ngjallur shpresë dhe frikë​—shpresë se ajo do të ruajë sigurinë dhe frikë se ajo mund të shpërdorojë pushtetin.

Krijohet policia amerikane

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nju-Jorku ishte qyteti i parë që kishte polici profesionale. Ndërsa pasuria e qytetit po shtohej, njësoj po ndodhte edhe me krimin. Rreth viteve 30 të shekullit të 19-të, çdo familje mund të lexonte histori rrëqethëse krimesh, të cilat shtypeshin në gazetat e sapobotuara me çmim të lirë, gazeta që kushtonin një cent. Protestat e njerëzve u rritën dhe Nju-Jorku u bë me polici në vitin 1845. Që nga ajo kohë, policia e Nju-Jorkut dhe ajo e Londrës i kanë bërë për vete qytetarët e tyre.

Amerikanët patën të njëjtën frikë si anglezët nga një forcë e armatosur në duart e qeverisë. Por të dyja kombet paraqitën zgjidhje të ndryshme. Anglezët vendosën për një polici me policë të sjellshëm me kapele në formë cilindrike dhe uniforma blu të errëta. Ata ishin të armatosur vetëm me një shkop të shkurtër të fshehur. Madje ende sot «bobat» britanikë nuk mbajnë armë përveçse në rast nevoje. Megjithatë, në një raport thuhet: «Ka një ndjenjë në rritje se do të jetë e pashmangshme . . . që në një të ardhme policia britanike të bëhet një forcë plotësisht e armatosur.»

Sidoqoftë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës frika se mund të abuzohej me pushtetin qeveritar çoi në miratimin e Amendamentit të Dytë të kushtetutës së SHBA-së, i cili garanton «të drejtën e personave për të mbajtur dhe për t’u pajisur me armë». Si rrjedhim, policët donin armë. Me kohë, përdorimi i tyre nga ana e policisë çoi në shkëmbime zjarri në rrugë që u bënë tipike midis policëve amerikanë dhe grabitësve, të paktën në përfytyrimet popullore. Një arsye tjetër pse amerikanët donin të mbanin armë ishte se policia e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lindi në një shoqëri krejt të ndryshme nga ajo e Londrës. Nju-Jorku ishte bërë i rrëmujshëm, ndërsa popullsia e tij shtohej me të shpejtë. Dyndja e afro-amerikanëve dhe e mijëra imigrantëve, kryesisht nga Evropa, pas fillimit të Luftës Civile të viteve 1861-1865 çoi në dhunë racore. Policët mendonin se duheshin përvetësuar metoda më të rrepta.

Si rrjedhim, shpesh policia shihej si një e keqe e nevojshme. Njerëzit ishin të gatshëm të duronin sjelljet ndonjëherë të tepruara me shpresë se do të arrinin një farë rendi dhe sigurie. Megjithatë, në disa anë të botës po krijohej një lloj tjetër policie.

Policia e frikshme

Në fillim të shekullit të 19-të, kur policia e ditëve të sotme po fillonte të zhvillohej, shumica e njerëzimit kishte jetuar nën sundimin e perandorive evropiane. Në përgjithësi, policia evropiane u organizua për të mbrojtur sundimtarët dhe jo popullin. Edhe britanikët, të cilëve nuk u pëlqente ideja e një policie të armatosur e llojit ushtarak në vendin e tyre, dukej se nuk i brente shumë ndërgjegjja që të përdornin policinë ushtarake për t’i mbajtur të nënshtruara kolonitë. Në librin e tij Policing Across the World (Ruajtja e rendit nëpër botë), Rob Mobi thotë: «Ngjarjet e sjelljes së vrazhdë, të korrupsionit, dhunës, vrasjeve dhe shpërdorimit të pushtetit karakterizuan pothuaj çdo dhjetëvjeçar të historisë së policisë koloniale.» Pasi vuri në dukje se ruajtja e rendit nëpërmjet policisë perandorake sillte edhe disa dobi, i njëjti libër shton se kjo gjë shkaktoi «ngulitjen e përshtypjes së përgjithshme se policia ishte një forcë e qeverisë dhe jo një shërbim publik».

Qeveritë diktatoriale nga frika e revolucioneve kanë përdorur pothuajse gjithmonë një polici sekrete për të spiunuar qytetarët e tyre. Kjo polici i nxjerr informatat me anë të torturave dhe individët që mendohet se bëjnë veprimtari armiqësore i eliminon duke i vrarë ose duke i arrestuar pa prova. Nazistët kishin Gestapon, Bashkimi Sovjetik KGB-në dhe Gjermania Lindore Stasin. Çuditërisht, Stasi punësoi 100.000 agjentë dhe ndoshta gjysmë milion informatorë për të kontrolluar një popullsi me rreth 16 milion banorë. Agjentët dëgjonin bisedat telefonike 24 orë rresht dhe mbanin dosje për një të tretën e krejt popullsisë. «Agjentët e Stasit nuk njihnin kufij dhe nuk kishin aspak turp,​—thotë Xhon Koelëri në librin e tij «Stasi».​—Klerikët, përfshirë edhe funksionarë të lartë nga të dy besimet protestant dhe katolik, u rekrutuan në masë si informatorë sekret. Zyrat e klerikëve dhe dhomëzat e rrëfimit u mbushën me pajisje përgjimi.»

Megjithatë, një polici e frikshme nuk gjendet vetëm në sferat e qeverive diktatoriale. Në një vend tjetër forcat e rendit të qyteteve të mëdha janë akuzuar se kanë shkaktuar terror kur kanë përvetësuar metoda tepër të ashpra të zbatimit të ligjit, veçanërisht kur këto janë drejtuar ndaj pakicave. Duke komentuar për një skandal të njohur gjerësisht në Los Anxhelos, një revistë informative raportonte se ky skandal «e kishte çuar sjelljen e keqe të policisë drejt një niveli të ri të paligjshmërisë dhe kishte vënë në përdorim një fjalë të re: polici gangster».

Prandaj, autoritetet qeveritare kanë ngritur pyetjen: Çfarë mund të bëjnë repartet e policisë për të bërë një emër më të mirë? Në përpjekje për të theksuar rolin e tyre si shërbim publik, në disa vende policia është orvatur të vërë në dukje aspektet e punës së saj që janë të dobishme për bashkësinë.

Shpresa për ruajtjen e rendit të bashkësisë

Metoda tipike japoneze e ruajtjes së rendit nëpër lagje ka tërhequr interesin e vendeve të tjera. Tradicionalisht, puna e policisë japoneze në rajonet e rretheve të vogla kryhej nga ndoshta 12 policë të organizuar në turne. Britaniku Frenk Lajshmën, pedagog i kriminologjisë dhe banues për një kohë të gjatë në Japoni, thotë: «Fusha e veprimtarisë së shërbimeve miqësore që sigurohen nga policët e kobaneve (zyra të vogla policie) është me famë. Ata japin informata për adresat e shumë rrugëve pa emër në Japoni; u japin hua çadra të gjetura, që nuk janë tërhequr nga të zotët, banorëve të ardhur nga periferia që i kanë zënë rrebeshet e shiut; sigurohen që sararimenët (punonjës zyrash biznesi) e dehur të hipin në trenin e fundit; dhe diskutojnë për ‘hallet e qytetarëve’.» Policia e ndarë sipas lagjeve është shkaku që i ka dhënë Japonisë famën për të cilën e kanë zili, se në rrugët e saj ecën i sigurt.

A mund të jetë frytdhënëse kjo metodë në ndonjë vend tjetër? Disa studiues të krimeve filluan të mësonin diçka nga ajo. Përparimet e sotme në fushën e komunikacionit kanë pasur prirjen që ta largojnë policinë nga njerëzit, të cilëve ajo u shërben. Sot në shumë qytete shpesh duket sikur policia punon kryesisht për t’iu përgjigjur rasteve urgjente. Ndonjëherë duket, sikur ka humbur qëllimi fillestar për t’i vënë theksin parandalimit të krimeve. Për t‘iu kundërpërgjigjur kësaj prirjeje është bërë përsëri e njohur ruajtja e rendit me anë të rojave të lagjeve.

Rojat e lagjeve

«Këto kanë me të vërtetë sukses, ato pakësojnë krimet,​—thotë një polic në lidhje me punën e tij në Uells.​—Rojat e lagjeve janë persona që caktohen për të ruajtur sigurinë e njëri-tjetrit. Ne organizojmë mbledhje në mënyrë që fqinjët të mund të njohin njëri-tjetrin, të shkëmbejnë emrat dhe numrat e telefonit dhe të dëgjojnë se si të parandalojnë krimet. Mua më pëlqen ky projekt, sepse ai vendos përsëri ndjenjën e bashkësisë te fqinjët. Shpesh njerëzit nuk dinë as edhe kush janë fqinjët e tyre. Kjo metodë ka sukses, sepse e rrit vetëdijen e njerëzve.» Po ashtu, përmirëson marrëdhëniet midis policisë dhe popullit.

Një tjetër nismë ka qenë t’i nxitin policët që të jenë më të dhembshur ndaj viktimave. Viktimologu i shquar holandez Jan van Dejku shkroi: «Policët duhen mësuar se sjellja e tyre në tavolinën e pyetjes është e rëndësishme për viktimat, po aq sa është sjellja e doktorëve në shtratin e pacientëve.» Në shumë vende policia nuk e trajton ende dhunën shtëpiake dhe përdhunimin si krime të mirëfillta. Por, Rob Mobi thotë: «Mënyra se si e trajton policia dhunën shtëpiake dhe përdhunimin është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit. Megjithatë, ende ka vend për më shumë përmirësime.» Një fushë tjetër ku pothuaj çdo polici duhet të përmirësohet është shpërdorimi i pushtetit nga ana e saj.

Frika nga korrupsioni brenda policisë

Ndonjëherë, duket si një besim naiv të mendosh se policia të mbron, veçanërisht kur qarkullojnë lajme për korrupsion brenda policisë. Raporte të tilla kanë ekzistuar që në fillim të historisë së policisë. Duke iu referuar vitit 1855, libri NYPD​—A City and Its Police (DPNJ​Një qytet dhe policia e tij) përshkruante «përshtypjen e shumë qytetarëve të Nju-Jorkut se po bëhej e vështirë që të dallohen banditët dhe policët nga njëri-tjetri». Libri Faces of Latin America (Aspekte të Amerikës Latine), nga Dankën Grini, raporton se ‘besohet gjerësisht që forcat e policisë gëlojnë nga korrupsioni, janë të paafta dhe janë shpërdoruese të të drejtave të njeriut’. Shefi i kuadrit i një policie latino-amerikane prej 14.000 vetash tha: «Çfarë mund të presësh kur një polic fiton më pak se 14.000 lekë në muaj? Nëse i ofrohet një ryshfet, çfarë do të bëjë ai?»

Sa i madh është problemi i korrupsionit? Përgjigjja varet se cilin pyetni. Një polic nga Amerika Veriore, i cili për disa vjet ka patrulluar në një qytet me popullsi prej 100.000 banorësh, përgjigjet: «Natyrisht që atje jashtë ka një përqindje policësh të pandershëm, por pjesa më e madhe e tyre janë të ndershëm. Kjo është pa dyshim ajo që kam parë unë.» Nga ana tjetër, një hetues krimesh në një vend tjetër me një përvojë 26-vjeçare përgjigjet: «Mendoj se korrupsioni ekziston pothuajse kudo. Ndershmëria në polici është shumë e rrallë. Nëse një polic kontrollon një shtëpi të grabitur dhe gjen para, ka mundësi që t’i marrë ato. Nëse gjen sende të vjedhura me vlerë, një pjesë të tyre do t’i mbajë për vete.» Përse disa policë bëhen të korruptuar?

Disa fillojnë me parime të larta, por pastaj u nënshtrohen ndikimit të kolegëve të korruptuar dhe normave të ulëta të botës së kriminelëve me të cilën janë të përfshirë. Në librin What Cops Know (Ajo që dinë policët) citohet një polic zone në Çikago që thotë: «Midis policëve dhe përvojës së tyre me të keqen nuk ka ndërmjetës. Ata janë të rrethuar nga e keqja. E prekin atë . . . e shijojnë . . . e nuhasin . . . e dëgjojnë . . . duhet të merren me të.» Marrëdhënia me gjëra të tilla të korruptuara mund të ndikojë në mënyrë negative.

Ndonëse policia siguron një shërbim të vlefshëm, ky nuk është i përsosur. A mund të shpresojmë për diçka më të mirë?

[Shënimi]

^ par. 3 Policët britanikë u bënë të njohur me emrin «bobat» që bazohej në emrin e themeluesit të tyre sër Robert (Bobi) Pil.

[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]

«A nuk janë ‘bobat’ britanikë të mrekullueshëm?»

Britanikët ishin midis të parëve që mundën t’ia lejonin vetes luksin e një policie profesionale. Ata donin që shoqëria e tyre të ishte e organizuar mirë​—ashtu si sistemi i tyre i efektshëm postar me karroca, i cili ecte me përpikëri. Në vitin 1829 ministri i brendshëm, sër Robert (Bobi) Pil, e bindi parlamentin që të miratonte Policinë Metropolitane të Londrës, me seli në Skotlënd Jard. «Bobat», të cilët në fillim nuk u pritën mirë, sepse merrnin masa të rrepta ndaj dehjes dhe bixhozit në rrugë, me kalimin e kohës u bënë njerëzit më të pëlqyer nga populli.

Në vitin 1851, Londra me krenari ftoi botën që të vinte në panairin e Ekspozitës së Madhe dhe të admironte arritjet e industrisë britanike. Mysafirët u çuditën nga rrugët me rregull e nga mungesa e pijanecëve, prostitutave dhe endacakëve. Policë të aftë drejtonin turmat, ndihmonin vizitorët që të mbanin valixhet, ndihmonin njerëzit që të kalonin nga ana tjetër e rrugës, madje i çonin zonjat e moshuara te taksitë. Nuk ishte për t’u çuditur që nga britanikët dhe nga vizitorët e huaj të dëgjoje të thoshin: «A nuk janë ‘bobat’ britanikë të mrekullueshëm?»

Ata dukeshin aq të aftë në parandalimin e krimeve, saqë shefi i policisë në Çester në vitin 1873 përfytyronte një kohë kur krimet profesionale pothuajse do të zhdukeshin! Gjithashtu, policia filloi të organizonte shërbime të ndihmës së shpejtë dhe të mbrojtjes nga zjarri. Organizonte veprimtari bamirëse që u siguronin të varfërve këpucë dhe veshmbathje. Disa organizonin klube për të rinjtë, ekskursione dhe shtëpi pushimi.

Natyrisht, policia e re kishte edhe probleme lidhur me disiplinimin e policëve të korruptuar e të vrazhdë. Por në përgjithësi krenohej për ruajtjen e rendit me forca në minimum. Në vitin 1853, policisë në Uigën, Lankashir, iu desh të përballonte një trazirë gjatë grevës së minatorëve. Rreshteri i guximshëm që kishte në detyrë vetëm dhjetë burra me këmbëngulje nuk pranoi që të përdorte armët e zjarrit të pronarit të minierës. Fryma që u shfaq përshkruhet në një letër të marrë nga Hektor Mekloudi në vitin 1886, kur ai ndërmori profesionin e policit ashtu si i ati. Siç citohet në librin The English Police (Policia angleze), aty thuhet: «Kur je i ashpër, e humbet simpatinë e popullit . . . Unë vendos në vend të parë popullin, sepse polici në atë çast është një shërbëtor i njerëzve për të cilët është caktuar dhe është detyra e tij të kënaqë si ata ashtu edhe shefin.»

Hejdëni, një inspektor policie në pension i Policisë Metropolitane, thotë: «Na mësohej të vepronim gjithmonë me vetëpërmbajtje, sepse që të ruash rendin me sukses ke nevojë për mbështetjen e bashkësisë. Shkopi i shkurtër i drunjtë ishte mjeti i fundit fare, të cilin shumica e policëve nuk e përdorën gjatë gjithë karrierës së tyre.» Gjithashtu, për emrin e mirë të «bobit» britanik ndikoi edhe një film shumë i njohur me seri që zgjati 21 vjet, Dixon of Dock Green. Ky film fliste për një polic të ndershëm që njihte këdo në zonën e tij. Ka të ngjarë që filmi t’u ketë dhënë zemër policëve që të jetonin në lartësinë e atij emri, por një gjë është e sigurt, ai nxiti admirimin e Britanisë për policinë.

Në vitin 1960 në Britani njerëzit ndryshuan qëndrimin ndaj policisë dhe ndjenja e krenarisë kombëtare u zëvendësua nga ndjenja e mosbesimit ndaj autoritetit. Raportet për korrupsion dhe racizëm në radhët e policëve ia njollosën emrin policisë në vitet 70 të shekullit të 20-të, edhe pse ata bënin përpjekje për të fituar mbështetjen e njerëzve me anë të projektit të rojave të lagjeve. Kohët e fundit, pas disa akuzave për racizëm dhe sajim të provave për të dënuar njerëzit, policia ka bërë përpjekje të mëtejshme të vërteta për t’u përmirësuar.

[Burimi]

Fotografia sipër: http://ww.constabulary.com

[Kutia dhe figura në faqen 10]

Një mrekulli në Nju-Jork?

Kur policia bën përpjekje të veçanta, rezultatet mund të jenë të jashtëzakonshme. Për një kohë të gjatë Nju-Jorku mendohej të ishte një prej qyteteve më të rrezikshëm në botë dhe në fund të viteve 80 të shekullit të 20-të, dukej se forcat e demoralizuara të policisë e kishin humbur kontrollin. Presionet ekonomike e detyruan bashkinë e qytetit që të bllokonte pagat dhe të pakësonte kuadrot. Shpërndarësit e drogës filluan të ndiheshin më shumë dhe kjo gjë shkaktoi një valë të frikshme dhune. Ata që banonin brenda në qytet binin në shtrat me të shtënat e armëve. Në vitin 1991 pati trazira të mëdha raciale e madje edhe vetë policia nisi një protestë të bujshme për të shprehur ankesat e saj.

Megjithatë, një shef i ri policie u interesua që t’i motivonte policët, duke bërë rregullisht mbledhje me ta në çdo rajon për të analizuar strategjitë e punës. Xhejms Lardneri dhe Tomas Rëpetou shpjegojnë në librin e tyre NYPD: «Shefi i hetuesisë së Nju-Jorkut dhe kreu i njësisë së narkotikëve ishin individë për të cilët komandantët e rajoneve të policisë lexonin nëpër gazeta, por që rrallë i takonin. Tani ata po uleshin të gjithë së bashku për orë të tëra.» Shifrat e krimeve filluan të uleshin ndjeshëm. Sipas raporteve, numri i vrasjeve ra në mënyrë të vazhdueshme nga rreth 2.000 në vitin 1993 në 633 në vitin 1998​—shifra më e ulët gjatë 35 vjetëve. Qytetarët e Nju-Jorkut kishin filluar ta quanin një mrekulli. Gjatë tetë viteve të kaluara ka pasur një rënie të krimeve të raportuara me 64 për qind.

Si u arrit një përmirësim i tillë? Në gazetën The New York Times të 1 janarit 2002 sugjerohej se një arsye e këtij suksesi ishte Compstat-i, «një sistem gjurmues i krimeve, i cili përfshin shqyrtimin e statistikave rajon për rajon çdo javë për të kapur problemet dhe për t’iu përgjigjur atyre sapo shfaqen.» Ish-komisari i policisë Bernard Kerëk tha: «Ne vëzhgonim se ku ndodhnin krimet, përse ndodhnin dhe pastaj i vendosnim përsëri trupat dhe mjetet për t’u siguruar se atyre zonave u ishte kushtuar më shumë vëmendje. Ja se si pakësohen krimet.»

[Figura në faqen 7]

Një rajon policie tipik në Japoni

[Figura në faqen 7]

Polic trafiku në Hong-Kong

[Figura në faqet 8, 9]

Mbikëqyrja e turmës gjatë një ndeshjeje futbolli në Angli

[Figura në faqen 9]

Midis detyrave të policisë përfshihen dhënia e ndihmës viktimave të aksidenteve rrugore