Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Zinxhiri i jetës Jam 11 vjeç dhe i dua vërtet kafshët. Kur mora revistën me titull «Kush do ta mbrojë zinxhirin e jetës?» (dhjetor 2001) mezi pritja ta lexoja. Më erdhi shumë keq për albatrosin endacak që paraqitej në faqen 7. Sa e trishtueshme është që shumë mbyten sepse ngecin rastësisht në grepat e peshkimit. Më pëlqeu edhe fotografia e peshkut-sharrë të ujërave të ëmbla në fund të kësaj faqeje. Ju lutem vazhdoni të botoni artikuj si këta!
S. V., Shtetet e Bashkuara
Burgjet Fjalët nuk mund ta shprehin plotësisht atë që ndjeva kur lexova artikullin «Përvoja besimi nga një burg historik». (dhjetor 2001) Kam një djalë që është në burg për grabitje banke. Është hera e dytë që burgoset. Do t’ia dërgoj këtë artikull. Lutem që t’i preket zemra dhe të nxitet të pranojë dashurinë që ka Jehovai për të gjithë ne. Faleminderit për ngushëllimin që na jepni!
C. M., Shtetet e Bashkuara
Vetëvrasja Faleminderit shumë për serinë e artikujve «Jeta ia vlen të jetohet». (22 tetor 2001, anglisht) Kur isha në shkollën tetëvjeçare, ndihesha shumë e stresuar. Jehovai më jepte vërtet mbështetje nëpërmjet Biblës dhe shoqërisë së krishterë, por përsëri ndihesha e pavlefshme. Kur lexova kutinë me titull «‘A do të më falë Perëndia ngaqë ndihem kështu?’» m’u duk sikur Jehovai po fliste drejtpërdrejt me mua. Ndihesh kaq e gëzuar kur mëson se Jehovai nuk i harron njerëz si unë!
S. H., Japoni
Dua t’ju tregoj për gëzimin që provova kur lexova këtë seri artikujsh. Sa e lumtur u ndjeva kur vura re se ata nuk u ngjanin leksioneve, siç mendova në fillim kur lexova titullin e revistës! Kutia me titull « ‘A do të më falë Perëndia ngaqë ndihem kështu?’ » më preku shumë. Falë këtij artikulli, arrita të flitja me një motër të krishterë për vështirësitë që po kaloj. Faleminderit që trajtoni tema të tilla delikate.
A. F., Francë
Këta artikuj i lexova tetë herë. Kur isha në shkollën tetëvjeçare mendoja për vetëvrasjen. Vdekja më dukej diçka tërheqëse. Artikujt më ndihmuan të kuptoja se ndonëse në përgjithësi ditët e jetës sime mund të jenë të zymta, prapëseprapë jeta ia vlen të jetohet. Nuk jam Dëshmitare e Jehovait, por kam ca kohë që po lexoj revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Ju jeni vërtet njerëz të mrekullueshëm!
S. M., Japoni
Gratë e keqtrajtuara Faleminderit për revistën «Ndihmë për gratë e keqtrajtuara». (nëntor 2001) Titulli në faqen tre «Mbase kësaj radhe ai ndryshon» shpreh po atë shpresë që kam pasur edhe unë për vite me radhë. Mund të përforcoj vërtetësinë e asaj që pohohet në faqen 4 se shumë shpesh i tregohet mirëkuptim atij që shkakton dhunën, në vend që ti tregohet viktimës.
S. M., Gjermani
Këta artikuj ta ngrohnin kaq shumë zemrën. Ashtu si dhe shumë gra mund të kenë bërë, edhe unë qava me ngashërim që kur lexova faqet e para, sepse m’u kujtuan vështirësitë dhe dhembja që kam kaluar kohë më parë. E vlerësoj shumë mendimin që Jehovai e çmon secilin nga ne. Si një ungjillëzuese në kohë të plotë, kam vënë re, se njerëzit në zonën ku predikoj janë kaq të etur për t’i lexuar këta artikuj, saqë më është dashur të kërkoj kopje të tjera. Shumë faleminderit që siguroni informacione kaq të vlefshme.
K. J., Australi
[Burimi i figurës në faqen 30]
Flutura: Butterfly House, Mittagong, Australia