Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Një monument kushtuar vetë Djallit»

«Një monument kushtuar vetë Djallit»

«Një monument kushtuar vetë Djallit»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

NË QYTETIN e Madridit, në Spanjë, gjendet një statujë e jashtëzakonshme. Pamja dhe titulli i saj​—«Engjëlli mëkatar»​mund të mos i habisë ata që i hedhin një vështrim të shpejtë statujës. Por po ta shikosh më me vëmendje zbulon se në të vërtetë është një monument kushtuar vetë Satana Djallit!

Për dikë që viziton Spanjën, një vend katolik brez pas brezi, është normale të shohë statuja engjëjsh ose «shenjtorësh», por jo një statujë kushtuar sundimtarit të demonëve. Megjithatë, Rikardo Belveri, një skulptor spanjoll i shekullit të 19-të, vendosi ta thyejë këtë traditë. Ai e njihte mirë poemën epike të Xhon Miltonit, Parajsa e humbur, e cila përshkruan si u dëbua Satanai nga qielli për shkak të krenarisë dhe të rebelimit të tij. Në vitin 1874, Belveri përfundoi një statujë, e cila paraqiste këtë dëbim dramatik.

Belveri nuk e përshkroi Djallin si një krijesë me brirë, ngjashëm një bishe, sipas mënyrës tradicionale të paraqitjes së Satanait. Përkundrazi, ai e përfytyroi sundimtarin e demonëve si një engjëll të bukur, por të korruptuar në kohën kur u dëbua nga qielli. (Zbulesa 12:9) Ky portretizim përputhet më shumë me atë që vetë Bibla thotë. *

Çfarë mendonin banorët e Madridit për këtë statujë? Sipas një historianeje arti, disa u tronditën nga ideja e ngritjes së një statuje kushtuar Satanait. Megjithatë, qeveria spanjolle financoi për të dhe statuja fitoi dy çmime për vlerat e saj artistike, një në Madrid dhe një tjetër në Ekspozitën Ndërkombëtare në Paris, në vitin 1878. Arti ngadhënjeu mbi traditën dhe aty nga viti 1879 statuja mbresëlënëse prej bronxi u vendos në parkun Retiro.

Statuja kushtuar Satanait nuk e shqetëson shumë shoqërinë e këtij shekulli. «Qyteti i Madridit duhet të ndihet krenar që është i vetmi qytet në botë që i ka kushtuar një monument vetë Djallit»,​—pohon Maria-Izabel Gea në veprën e saj Curiosidades y Anécdotas de Madrid (Kuriozitete dhe Anekdota nga Madridi). Sidoqoftë, vetëm pak nga ata mijëra njerëz që vërshojnë çdo të diel në parkun Retiro i kushtojnë vëmendje statujës.

Në mënyrë të ngjashme, sot pak njerëz e kuptojnë që Satanai është burimi i padukshëm i shumë problemeve botërore. (Zbulesa 12:12) Por duke pasur parasysh se sa qartë flitet për të në Shkrime, studentët e Biblës nuk vënë në dyshim as ekzistencën e as ndikimin e tij. Jezui u bëri ballë tundimeve të hapura të Satanait. Gjithashtu, ai e përshkroi këtë krijesë të ligë frymore si ‘gënjeshtar dhe atë të gënjeshtrës’ dhe si ‘vrasës që nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën’.​—Gjoni 8:44; Mateu 4:1-11.

Në një kohë kur në tokë ka mjerim si kurrë ndonjëherë, është jetësore t’i bëjmë ballë ndikimit të këtij engjëlli të zemëruar mëkatar. * (Jakovit 4:7) Ndërkohë, ata që e duan të vërtetën dhe drejtësinë mund të ngushëllohen duke mësuar se dëbimi i Satanait nga qielli është diçka që i paraprin shpartallimit të tij të afërt kur Krishti ‘të zhbëjë veprat e Djallit’.​—1 Gjonit 3:8.

[Shënimet]

^ par. 5 Gjarpëri i mbështjellë rreth trupit të Satanait, një veçori tjetër e statujës, nuk ka origjinë biblike. Me sa duket, Belveri ishte frymëzuar nga statuja e Laokoontit që kishte parë në Romë, një princ legjendar trojan që mendohet të jetë vrarë bashkë me bijtë e tij nga dy gjarpërinj.

^ par. 9 Për më tepër informacion se si t’i bëjmë ballë ndikimit të Satanait, shih librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.