Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Ëmbëlsira» për zogjtë

‘Për të rritur mundësinë e pjalmimit të saj, një bimë braziliane përdor një strategji të panjohur deri tani’,​—raporton revista gjermane GEO. Në vend të pijes prej nektari të lëngët, bima me gjethe heshtore (Combretum lanceolatum) u ofron «ëmbëlsira» vizitorëve të saj. Gjatë natës, lulet e kësaj kaçubeje prodhojnë rruzuj të vegjël xhelatine të ëmbël, të cilët ngurtësohen e kthehen në toptha me një diametër rreth 6 milimetra. Glukoza dhe fruktoza e ëmbëlsojnë xhelatinën, për të cilën studiuesit thonë se ka një shije «disi të ngjashme me xhelatinën që përdoret për fëmijët», një lloj ëmbëlsire që është në shitje. Artikulli shpjegon se «me lindjen e diellit, kur lulet i hapin petalet e tyre, ëmbëlsirat e shndritshme të tejdukshme shfaqen si në një tabaka, tashmë të bëra gati». Ky produkt i ëmbël dhe xhelatinoz i luleve tërheq të paktën «28 lloje zogjsh nga tetë familje të ndryshme». Ndërkohë që kërkojnë ushqim nga kaçubja në kaçube, zogjtë marrin me vete edhe mjaft pluhur poleni, duke bërë kështu që bima të përhapet me shpejtësi.

Fëmijët e lumtur italianë

«Fëmijët italianë janë fëmijët më të lumtur në Evropë»,​—thotë e përditshmja e Romës La Repubblica, tek raporton për një studim të bërë nga Qendra Kombëtare Italiane e Dokumentimit dhe e Analizimit të Fëmijërisë e të Adoleshencës. Studiuesit vërejtën se 96 për qind e fëmijëve italianë rriten në familje me të dy prindërit. Kjo përqindje është më e lartë se në vendet e tjera të Evropës ku ndarja dhe divorci janë më të zakonshme. Veç kësaj, më shumë se gjysma kanë edhe gjyshër që jetojnë në të njëjtën shtëpi me ta ose aty afër. Kështu, «8 në 10» gjyshër i shohin nipërit e tyre «më shumë se një herë në javë». Raporti thotë se kjo gjë ndihmon që fëmija të ketë «ndjenjën se i përket dikujt» dhe që ta ndiejë më pak vetminë. Një psikologe, Alesandra Graciotini, thotë: «Lumturia e një fëmije, sikurse dhe ajo e një të rrituri, nuk varet as nga pasuria e as nga rrobat e shtrenjta, por nga dashuria që i jepet.»

Fluturim i shëndetshëm

Për një fluturim më të këndshëm gazeta e qytetit Meksiko El Universal jep këto sugjerime: (1) Meqenëse ajri në avion mund të jetë shumë i thatë, pini sa më shumë lëngje. (2) Ajri i thatë mund t’i acarojë sytë, prandaj mbani syze në vend të lenteve të kontaktit. (3) Bëni ushtrime të thjeshta në ndenjëse për të çlodhur muskujt dhe për të nxitur qarkullimin e gjakut në pjesën e këmbëve. (4) Lëvizni herë pas here në hapësirën ndërmjet rreshtave. (5) Mbani këpucë me të cilat mund të ecni rehat dhe përdorni ndonjë mbështetëse për këmbët, ndoshta çantën me gjërat më të domosdoshme që mbani me vete. (6) Përdorni veshje të rehatshme që nuk rrudhosen, jo sintetike, që të mos pengohet kalimi i ajrit në poret e lëkurës. (7) Pini me masë ose mos pini fare pije alkoolike, pasi lartësia e shton efektin e alkoolit. (8) Rregullojeni ajrin e kondicionuar në mënyrë të tillë që të mos ju bjerë drejtpërdrejt mbi qafë ose mbi shpinë. (9) Përpiquni të flini, duke përdorur më mirë një maskë për sytë. (10) Përtypni ndonjë gjë gjatë ngritjes dhe uljes së avionit për të rregulluar presionin që ushtron ajri te veshët. Foshnjave mund t’u jepet të mbajnë biberon.

Fëmijët e llastuar në Gjermani

Te prindërit është vërejtur «zakoni i ri që t’u hapin rrugë» fëmijëve, thotë Udo Bekmeni, kryetar i një sindikate të mësuesve gjermanë. Sipas gazetës Südwest Presse, Bekmeni thoshte se gjithnjë e më shumë fëmijë po llastohen tepër nga prindërit dhe, si pasojë, nuk janë të gatshëm t’u shtrohen mësimeve. «Ai pohonte se tashmë është bërë shumë e zakonshme që prindërit të mendojnë se detyrat e shkollës ‘i lodhin shumë’ fëmijët dhe se ‘nuk është e arsyeshme’ t’u kërkosh që të mësojnë për të marrë nota të mira.» Veç kësaj artikulli thoshte se kur prindërit vazhdimisht u hapin rrugë fëmijëve të tyre, me qëllim që të shmangin konfliktet, nuk u japin atyre «mundësinë ta jetojnë jetën me një ndjenjë përgjegjësie». Bekmeni thotë se fëmijët e llastuar kur rriten bëhen «të rritur egoistë» që duan të kenë çdo gjë, por që nuk janë të gatshëm të punojnë për këtë.

Përse zogjtë fluturojnë në formë V-je?

Sot studiuesit kanë dëshmi të bazuara te vëzhgimet dhe eksperimentet e bëra që disa zogj, si patat dhe pelikanët, «fluturojnë në formë V-je për të çarë më me lehtësi ajrin dhe për të shpenzuar më pak energji kur mërgojnë në vende të largëta». Kështu thotë The Daily Telegraph e Londrës, teksa trajton një artikull të marrë nga revista Nature. Studiuesit nga Qendra Kombëtare e Studimeve Shkencore në Vijër ën Bua, Francë, numëruan rrahjet e zemrës të tetë pelikanëve që fluturonin të vendosur në formë V-je dhe i krahasuan këta numra me «rrahjet e krahëve dhe format e fluturimit» të tyre. Studiuesit vërejtën se kur zogjtë fluturonin të vendosur në formë V-je, numri i rrahjeve të zemrës së tyre zvogëlohej. Gjithashtu, krahët i rrihnin më rrallë sesa kur fluturonin vetëm, edhe pse shpejtësia e fluturimit ishte pak a shumë e njëjtë. «Kur zogjtë fluturojnë në formë V-je,​—thotë Nature,​—çdo krah lëviz në një fushë ku ajri pritet nga lart, e cila krijohet nga krahët e zogjve të tjerë të vendosur në formacion.» Kjo strategji u jep mundësi pelikanëve të mëdhenj me ngjyrë të bardhë që të shpenzojnë 20 për qind më pak energji, sesa kur fluturojnë vetëm.

Leximi i Biblës në Francë

Sipas një ankete të botuar në gazetën katolike La Croix, ndonëse 42 për qind e francezëve që u pyetën e kanë një Bibël, vetëm rreth 2 për qind thonë se e lexojnë atë gati çdo ditë. Shtatëdhjetë e dy për qind thonë se «nuk e lexojnë kurrë Biblën». Pesëdhjetë e katër për qind e atyre që u pyetën, e shihnin Biblën si «një libër jo të kohës» që nuk ishte «në harmoni me botën e sotme». Artikulli shpjegon se «së pari, francezët e shohin Biblën nga një këndvështrim intelektual», duke kërkuar në të ndonjë shpjegim për «origjinën e judaizmit dhe të krishterimit». La Croix pohon se «në Francë, shiten çdo vit rreth 250.000 Bibla dhe 30.000 Dhiata të Reja».

Miratohet zyrtarisht shkolla e astrologjisë

Një shkollë në Shtetet e Bashkuara «ku studentët mësojnë të shkruajnë horoskopë dhe të japin këshilla për të ardhmen . . . ka fituar miratimin zyrtar nga një organizatë që njihet prej qeverisë federale. Mendohet që një gjë e tillë bëhet për herë të parë për një shkollë astrologjie»,​—thotë The New York Times. Sipas themelueses së këtij instituti «pozicioni i yjeve ishte i favorshëm» muajin që u fitua miratimi. Në këtë institut të emërtuar si Instituti Astrologjik, ka kurse që përfshijnë «një orë mësimi për perëndeshat asteroide, e cila zhvillohet me një ekspert të njohur» dhe një orë në të cilën mësohet «si të shkruhet një seri artikujsh rreth astrologjisë për një revistë ose gazetë». Shumica e të diplomuarve «krijojnë veprimtarinë e tyre private. Megjithatë, disa prej tyre merren me pagesë nga qendrat e burimeve termale, nga anijet e mëdha turistike dhe nga qendrat e shërimit ku bëhet një trajtim tërësor i sëmundjes, që përfshin jo vetëm gjendjen fizike, por edhe atë mendore e shoqërore të individit». Gazeta Times pohonte se «instituti e fitoi miratimin zyrtar . . . pasi kishe treguar që mësuesit e tij ishin të kualifikuar dhe se mund të gjendej punë për ata që diplomoheshin në të». Por, sipas kryetares së Këshillit për Miratimin Zyrtar të Arsimimit të Lartë, «miratimi zyrtar nuk mbështeti vërtetësinë e astrologjisë, por pranoi vetëm faktin që shkolla i plotëson premtimet që u ka bërë studentëve».

Pastrimi i malit Everest

Zakonisht Everesti, mali më i lartë i tokës (8.850 metra), ka një bukuri të virgjër dhe madhështore. Megjithatë, një artikull në revistën e Nju-Delhit Down to Earth zbulon se mali Everest është kthyer në një vend të stërmadh plehrash. Ata qindra alpinistë që janë ngjitur shpateve të Everestit gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, kanë lënë pas me të vërtetë tonelata mbeturina, mes të cilave edhe «cilindra oksigjeni të boshatisur, shkallë të vjetra ose shufra e kallama plastikë». Artikulli thotë se kampi më i ndotur është «kampi në qafën jugore të malit, prej nga shumica e alpinistëve fillojnë ngjitjen përfundimtare drejt majës». Bhumi Lal Lama, një nëpunës i Shoqatës së Alpinizmit në Nepal, tha se «po mendojmë t’u paguajmë [sherpasve] 15 euro për çdo kilogramë plehra që mbledhin». Sherpasit «veprojnë zakonisht si udhërrëfyes dhe furnizues për njerëzit» që i ngjiten Everestit, thotë ky artikull.

Efekti i kundërt i «yshtjes»

«Një ganez u vra nga një bashkëfshatar i tij, teksa ky i fundit po provonte një yshtje që kishte si qëllim ta bënte këtë burrë të papërshkueshëm nga plumbat»,​—raporton shërbimi i informacionit Rojter. Disa fshatarë në verilindje të Ganës i kishin kërkuar një magjistari që t’i bënte të paprekshëm nga plumbat. «Pasi e leu çdo ditë trupin me një përzierje barërash, për dy javë me radhë,​—thotë artikulli,​—viktima kërkoi vetë që të qëllohet për të parë nëse yshtja kishte vepruar.» Viktima vdiq në vend me një të shtënë të vetme. Pas kësaj, fqinjët e inatosur e kapën magjistarin dhe e rrahën keq, ngaqë yshtja e tij kishte dështuar. Kur kërkojnë të mbrohen nga fiset rivale, njerëzit që jetojnë thellë në veri të Ganës, shpesh këshillohen me magjistarë.