Policia: Përse është e nevojshme?
Policia: Përse është e nevojshme?
SI DO të ishte jeta pa policinë? E pra, çfarë ndodhi në vitin 1997 kur 18.000 policë në qytetin brazilian Recife u hodhën në grevë, duke i lënë pa polici më shumë se një milion banorët e tij?
«Në këtë qytet të madh bregdetar, brenda pesë ditëve plot kaos përqindja ditore e vrasjeve është trefishuar»,—raportonte gazeta The Washington Post. «Janë grabitur tetë banka. Bandat janë sjellë si të çmendura në një supermarket dhe kanë ngarë si të tërbuara makinat duke shtënë me armë nëpër lagjet e të pasurve. Dhe askush nuk po u bindet rregullave të trafikut. . . . Vala e krimeve ka vënë në sprovë kapacitetin e morgut dhe ka tejmbushur spitalin më të madh shtetëror, ku viktimat nga të shtënat me armë ose nga goditjet me thikë janë të shtrira mbi dyshemetë e korridoreve.» Sipas një raporti Ministri i Drejtësisë tha: «Kjo lloj paligjshmërie nuk është parë ndonjëherë këtu.»
Kudo që të jetojmë, ligësia gjendet nën lustrën e qytetërimit. Kemi nevojë për mbrojtjen e policisë. Natyrisht që pjesa më e madhe prej nesh kanë dëgjuar për vrazhdësinë, korrupsionin, shpërfilljen dhe shpërdorimin e pushtetit nga ana e disa policëve. Këto ngjarje të njohura janë të shkallëve të ndryshme nga një vend në tjetrin. Por, si do t’ia bënim pa policinë? A nuk është e vërtetë që shpesh policia na siguron shërbime të vlefshme? Një korrespondent i Zgjohuni! pyeti disa policë në vende të ndryshme të botës se përse zgjodhën këtë karrierë.
Një shërbim ndaj bashkësisë dhe ndaj shoqërisë
«Më pëlqen të ndihmoj njerëzit,—thotë Ivani, një polic britanik.—Më tërhoqi larmia e punës. Në përgjithësi nuk
mendohet se krimet përbëjnë vetëm 20 deri 30 për qind të punës së policisë. Kjo punë është më shumë një shërbim ndaj bashkësisë dhe ndaj shoqërisë. Gjatë një dite të zakonshme patrullimi, mund të merrem me një vdekje të papritur, një aksident rrugor, një krim dhe me një të moshuar të çorientuar, i cili ka nevojë për ndihmë. Veçanërisht provoj kënaqësi kur kthej në shtëpi një fëmijë që kishte humbur ose kur ndihmoj dikë që ka pësuar një krim të përballojë tronditjen emocionale.»Stivëni, një ish-polic në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Një polic ka mjetet, aftësitë, si dhe kohën për të dhënë ndihmën më të mirë kur njerëzit me çiltërsi drejtohen për ndihmë te ai. Kjo gjë më tërhoqi te puna. Doja t’ju gjendesha pranë njerëzve dhe të mbaja barrën e tyre. Mendoj se, të paktën deri në një farë mase, i ndihmova njerëzit që të mbroheshin nga krimet. Brenda pesë vjetëve arrestova më shumë se 1.000 veta. Por të gjeja fëmijët e humbur, të ndihmoja të sëmurët me sëmundjen e Alcajmerit që endeshin të pështjelluar dhe të gjeja automjetet e vjedhura, e gjithë kjo më sillte kënaqësi. Pastaj ishte edhe emocioni i ndjekjes dhe i kapjes së të dyshuarve.»
«Unë doja të ndihmoja njerëzit që ishin në nevojë,—thotë Robertoja, një polic në Bolivi.—Kur isha fëmijë, i admiroja policët, sepse ata mbronin njerëzit nga rreziqet. Në fillim të karrierës sime isha në detyrën e patrullave këmbësore në qendër të qytetit, aty ku gjenden zyrat qeveritare. Gati çdo ditë kishim të bënim me demonstrata politike. Puna ime ishte të mos lejoja që demonstratat të bëheshin të dhunshme. Kuptova se po të isha miqësor dhe i arsyeshëm me udhëheqësit e demonstratave, mund të shmangia trazirat, nga të cilat mund të ishin dëmtuar shumë njerëz. Kjo gjë më jepte kënaqësi.»
Policia siguron shërbime të ndryshme në shumë fusha. Ajo merret, për shembull, me shpëtimin e një maceje lart në pemë, por edhe me shpëtimin e pengjeve nga terroristët dhe me përballimin e grabitësve të bankave. Megjithatë, që nga koha kur u formua, policia e ditëve të sotme ka qenë vatra e shpresës dhe e frikës. Artikulli tjetër shqyrton arsyen.
[Figurat në faqet 2, 3]
Faqet 2 dhe 3: Duke drejtuar trafikun në Çendu, Kinë; policia greke e ndërhyrjes së shpejtë; policë në Afrikën e Jugut
[Burimi]
Fotografia nga Linda Enger/Index Stock
[Figura në faqen 3]
Dyqan i plaçkitur gjatë një greve të policëve në Salvador, Brazil, korrik 2001
[Burimi]
Manu Dias/Agência A Tarde
[Figura në faqen 4]
Stivëni, SHBA
[Figura në faqen 4]
Robertoja, Bolivi