Çfarë të keqe ka bixhozi?
Çfarë të keqe ka bixhozi?
«Rreth 290.000 australianë kanë problemin e bixhozit dhe janë përgjegjës për më shumë se 3 miliardë e 500 mijë eurot që humbasin çdo vit. Kjo gjë është rrënuese jo vetëm për këta, por edhe për 1,5 milionë njerëzit që llogaritet se ndikohen drejtpërdrejt si pasojë e falimentimit, e divorcit, e vetëvrasjes dhe e humbjes së kohës në punë.»—Xh. Hauërd, kryeministër i Australisë, 1999.
XHONIT, që u përmend në artikullin e mëparshëm, iu bë një problem bixhozi. * Ai u transferua në Australi, ku u martua me Lindën. Edhe ajo luante bixhoz. Xhoni filloi të jepej edhe më shumë pas kësaj loje. Ai thotë: «Nga blerja e biletave të lotarisë kalova në vënien e basteve për garat me kuaj dhe fillova të luaj bixhoz nëpër kazino. Përfundova duke luajtur bixhoz gati çdo ditë. Ndonjëherë lija në bixhoz gjithë pagën, kështu që s’më mbetej më asgjë për të paguar hipotekën ose për të ushqyer familjen. Edhe kur fitoja shumë para vazhdoja të luaja. Ishte emocioni i fortë që provoja kur fitoja që më tërhiqte vazhdimisht.»
Individë si Xhoni i gjen kudo. E gjithë shoqëria duket se është pushtuar nga ethet e bixhozit. Revista USA Today thoshte se në periudhën nga viti 1976 deri në vitin 1997, në Shtetet e Bashkuara pati një rritje të mahnitshme me 3.200 për qind të shumës së përdorur për baste në bixhozin e ligjshëm.
«Më përpara bixhozi quhej një e keqe morale dhe shoqërore. Sot është një zbavitje e pranuar nga shoqëria»,—pohon gazeta kanadeze The Globe and Mail. Duke identifikuar një nga arsyet e këtij ndryshimi në qëndrimin e publikut, gazeta thotë: «Ky ndryshim qëndrimi ndaj bixhozit është drejtpërdrejt pasojë e asaj që mund të jetë fushata reklamuese më e kushtueshme dhe më e gjatë në historinë e Kanadasë, e mbështetur nga fondet qeveritare.» Çfarë ndikimi kanë pasur te disa vende përpjekjet për të nxitur bixhozin?
Epidemia e problemit të bixhozit
Sipas një llogaritjeje të bërë nga një degë e Shkollës së Mjekësisë të Harvardit, në vitin 1996 «7,5 milionë amerikanë të rritur kishin problemin e bixhozit ose ishin bixhozçinj maniakë» e përveç tyre edhe «7,9 milionë adoleshentë amerikanë i përkitnin po kësaj kategorie». Këto shifra u përfshinë në një raport të hartuar nga Komisioni Kombëtar për Studimin e Ndikimit të Bixhozit, i cili iu paraqit Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Raporti pohonte se numri i njerëzve me problemin e bixhozit në Amerikë, në të vërtetë mund të jetë shumë më i madh se ai që është regjistruar.
Për shkak të humbjes së punës, rënies së shëndetit fizik, dhënies së ndihmës financiare të të papunëve dhe shpenzimeve për programet e trajtimit të atyre me problemin e bixhozit, është llogaritur se ky problem i kushton shoqërisë së Shteteve të Bashkuara miliarda dollarë çdo vit. Megjithatë kjo shifër nuk e paraqet aspak vuajtjen që shkakton problemi i bixhozit, pra, atë që u kushton ai familjeve, miqve dhe kolegëve të punës, si pasojë e vjedhjes, e përvetësimit të paligjshëm,
e vetëvrasjes, e dhunës brenda familjes dhe e keqtrajtimit të fëmijëve. Një studim australian zbuloi se deri në 10 njerëz mund të ndikohen drejtpërdrejt nga çdo individ që ka problemin e bixhozit. Në një raport të Këshillit Kombëtar të Studimeve në Shtetet e Bashkuara thuhet se deri «50 për qind e bashkëshortëve dhe 10 për qind e fëmijëve keqtrajtohen fizikisht nga burrat që janë bixhozçinj maniakë».Një zakon ngjitës
Ngjashëm disa sëmundjeve, zakoni i bixhozit duket se kalon nga prindi te fëmija. «Fëmijët e bixhozçinjve maniakë, ka më shumë të ngjarë të përfshihen në sjellje të gabuara, si pirja e duhanit, përdorimi i pijeve alkoolike dhe përdorimi i drogave. Veç kësaj, rreziku që edhe këta të zhvillojnë problemin e bixhozit ose që të bëhen bixhozçinj maniakë është më i madh»,—pohon raporti i këtij komisioni kombëtar. Ky raport paralajmëron edhe se «në krahasim me të rriturit, ka më shumë të ngjarë që adoleshentëve që luajnë bixhoz t’u bëhet problem bixhozi ose të bëhen bixhozçinj maniakë».
Dr. Hauërd Xh. Shafëri, drejtori i degës që studion problemin e varësisë në Shkollën Mjekësore
të Harvardit, thotë: «Një numër gjithnjë e më i madh dëshmish tregon se bixhozi i paligjshëm ndërmjet të rinjve po rritet në të njëjtën masë e madje edhe më shumë se bixhozi i ligjshëm.» Për sa i përket mundësisë që bixhozçinjtë maniakë të shpërdorojnë teknologjinë e internetit, ai thotë: «Pirja si cigare e kokainës krak ndryshoi ndjenjën që provonin ata që merrnin kokainë. Mendoj se e njëjta gjë po ndodh edhe me ata që luajnë bixhoz me anë të mjeteve elektronike.»Biznesi i bixhozit shpesh paraqitet si një burim dëfrimi që s’është aspak i dëmshëm. Por për adoleshentët, bixhozi mund të jetë po aq skllavërues sa ndonjë drogë e paligjshme dhe mund të çojë në sjellje kriminale. Një anketë në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se ndërmjet adoleshentëve që luanin bixhoz, «46 për qind vidhnin familjen e tyre» që të siguronin paratë për këtë zakon.
Me gjithë faktet e mësipërme, një shoqëri e fuqishme bixhozi e justifikon nxitjen që i bën bixhozit duke thënë: «Pjesa më e madhe e amerikanëve që kanë qejf të luajnë bixhoz nuk kanë asnjë lloj problemi.» Edhe nëse mendoni që bixhozi nuk ndikon në dëm të të ardhurave tuaja ose të shëndetit tuaj fizik, çfarë ndikimi mendoni se ka ai në shëndetin tuaj frymor? A ka arsye të vlefshme se përse duhet ta shmangni bixhozin? Artikulli vijues do të shqyrtojë këto pyetje.
[Shënimi]
^ par. 3 Shih kutinë «A është bërë problem për mua bixhozi?» në faqet 4 dhe 5.
[Kutia dhe figurat në faqet 4, 5]
A është një problem për mua bixhozi?
Sipas Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, kriteret që tregohen në faqen 5 mund të ndihmojnë për diagnostikimin e bixhozit patologjik (të quajtur disa herë mania për bixhoz). Pjesa më e madhe e autoriteteve në këtë fushë mendojnë se nëse shfaqni disa prej sjelljeve të mëposhtme, atëherë bixhozi është bërë një problem për ju. Në qoftë se shfaqni vetëm një prej këtyre sjelljeve, atëherë ka rrezik që bixhozi të bëhet një problem për ju.
E ke mendjen aty Mendjen e ke te bixhozi. Dëshiron t’i rijetosh përvojat e së kaluarës me bixhozin. Bën plane për një aventurë tjetër bixhozi ose mendon për mënyrat si të gjesh para që të luash bixhoz.
Nuk mjaftohesh me aq E ndien të nevojshme të luash me shuma gjithnjë e më të mëdha parash për të pasur atë emocion të fortë që dëshiron.
Pasojat e lënies Bëhesh nervoz ose acarohesh kur përpiqesh të luash më pak bixhoz ose të heqësh dorë prej tij.
Shmangia Luan bixhoz duke e parë si një mënyrë për t’iu shmangur problemeve ose për t’u çliruar nga ndjenja se je i pashpresë, nga ndjenja e fajit, nga ankthi ose dëshpërimi.
Ndjekja Pasi ke humbur para në bixhoz, shpesh kthehesh një ditë tjetër me synimin për t’i fituar sërish ato që humbe. Kjo sjellje njihet si ndjekja e asaj që humbet.
Gënjeshtra Gënjen pjesëtarët e familjes, terapistët ose të tjerët për të fshehur deri në ç’masë je përfshirë në bixhoz.
Humbja e kontrollit Ke bërë përpjekje të përsëritura që të heqësh dorë, ta mbash nën kontroll ose që të luash më pak bixhoz, por pa sukses.
Veprime të paligjshme Ke bërë veprime të paligjshme, si: mashtrimi, vjedhja ose përvetësimi i paligjshëm për të siguruar paratë për bixhozin.
Vihen në rrezik marrëdhënie të rëndësishme Për shkak të bixhozit ke rrezikuar ose ke humbur një marrëdhënie të rëndësishme, një mundësi për t’u arsimuar a për të bërë karrierë ose një punë.
Kërkon që të të nxjerrin nga halli Mbështetesh te të tjerët për të siguruar paratë që të dalësh nga një gjendje financiare e pashpresë e shkaktuar nga bixhozi.
[Burimi]
Burimi: Qendra Kombëtare e Studimit të Mendimit në Universitetin e Çikagos, Studimi Gemini dhe Grupi Luin.
[Kutia dhe figura në faqen 7]
Mesazhi i vërtetë në reklamimet e lotarisë
«Nxitja e lotarive . . . mund të shihet si një arsimim në lidhje me vlerat, duke mësuar se bixhozi është diçka dobiprurëse e madje e virtytshme»,—thonë studiuesit në Universitetin Dukë, në Shtetet të Bashkuara, në një raport paraqitur Komisionit Kombëtar të Studimit të Ndikimit të Bixhozit. Si ndikon në të vërtetë në shoqëri reklamimi i lotarisë? Në raport thuhet: «Ndoshta nuk e teprojmë të themi se mesazhi që përcjell një reklamë lotarie është minues për shoqërinë, domethënë, suksesi varet nga zgjedhja e numrit të duhur. Kjo strategji e mbrapshtë ‘arsimimi’, e përhapur nga agjencitë e lotarive mund të ketë një ndikim të padëshirueshëm, që çon në fund të fundit në një pakësim të të ardhurave qeveritare, duke zvogëluar rritjen ekonomike. Në mënyrë të veçantë, në rast se nxitja e lotarisë pengon prirjet e natyrshme për të punuar, për të kursyer dhe për të përdorur para që të arsimohemi e të stërvitemi, atëherë kjo nxitje, herët a vonë, do të çojë në një rënie të rritjes së prodhimtarisë, veçanërisht në industri. Sidoqoftë, shpresa që të ndodhë një mrekulli, nuk është formula për suksesin që u mësojmë zakonisht fëmijëve tanë.»
[Kutia dhe figura në faqen 8]
Çdo shtëpi një kazino
Me një pjesë të shpenzimeve që përdoren për të ndërtuar qendra të reja bixhozi, ata që merren me organizimin e bixhozit ndërtojnë tani vendndodhje në rrjet që mund ta kthejnë çdo shtëpi ku ka një kompjuter të lidhur me internetin në një kazino të vërtetë. Aty nga mesi i viteve 90 të shekullit të kaluar kishte afërsisht 25 vendndodhje në internet për bixhozin. Në vitin 2001 kishte më shumë se 1.200 vendndodhje dhe të ardhurat nga bixhozi në internet janë dyfishuar çdo vit. Në vitin 1997, nga vendndodhjet në internet për bixhozin pati 300 milionë dollarë fitim. Në vitin 1998, u fituan edhe 650 milionë dollarë më shumë. Në vitin 2000, vendndodhjet në internet për bixhozin siguruan një fitim prej 2,2 miliardë dollarësh dhe aty nga viti 2003 kjo shifër «pritet të rritet në 6,4 miliardë dollarë»,—thuhet në një raport të agjencisë së lajmeve Rojter.
[Figura në faqen 6]
Kostoja njerëzore e problemit të bixhozit përfshin familje që nuk kanë para për ushqim
[Figura në faqen 7]
Bixhozi ndërmjet të rinjve po rritet me një shpejtësi alarmuese
[Figura në faqen 8]
Fëmijët e bixhozçinjve maniakë janë më në rrezik që të zhvillojnë problemin e bixhozit