Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Adoleshentë të përgjumur​—Një çështje për t’u shqetësuar?

Adoleshentë të përgjumur​—Një çështje për t’u shqetësuar?

Adoleshentë të përgjumur​—Një çështje për t’u shqetësuar?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KANADA

KUR NUK plotësohen nevojat për gjumë, aftësitë mendore dhe kujtesa dobësohen. Nxënësit adoleshentë janë ndër personat më në rrezik për t’u dëmtuar, sipas gazetës Globe and Mail të Kanadasë. «Mungesa e gjumit te fëmijët dhe adoleshentët lidhet edhe me problemet në mënyrën e sjelljes, me acarimin dhe me të qenët tepër aktivë.» Shkencëtarët studiuan zakonet e gjumit të gati 2.200 nxënësve në shkollë të mesme dhe vunë re se rreth 47 për qind e tyre flinin më pak se tetë orët që këshillohet të flihet çdo natë.

Ndonëse stili i jetesës shpesh i pengon të rinjtë të flenë aq sa kanë nevojë, «disa prej tyre mund edhe të vuajnë nga probleme mjekësore të padiagnostikuara»,​—thotë gazeta Globe. «Ndërprerja e përkohshme e frymëmarrjes gjatë gjumit u ndodh gati 4 për qind të fëmijëve, nga mosha 4 deri 18 vjeç.» Gjatë gjumit, rrugët e kalimit të ajrit në pjesën e poshtme të grykës mbyllen pjesërisht ose plotësisht, duke kufizuar kalimin e oksigjenit. Kështu që truri nuk çlodhet plotësisht dhe fëmijët zgjohen të lodhur e të acaruar.

Disa shenja që tregojnë se mund të ketë pasur ndonjë çrregullim janë: gërhitja ose frymëmarrja e rëndë gjatë gjumit, dhembjet e shpeshta të kokës në mëngjes, vështirësitë për të kujtuar gjërat dhe për t’u përqendruar, si edhe përgjumja e vazhdueshme e tejet e madhe gjatë ditës. Prindërit inkurajohen t’i dëgjojnë herë pas here fëmijët kur janë në gjumë të thellë. Dr. Robert Bruijet, një specialist pediatër për gjumin në Spitalin e Fëmijëve, në Monreal, thotë se fëmija me ndonjë çrregullim të gjumit mund të ketë ndërprerje të frymëmarrjes teksa fle, ndonëse kraharori mund të vazhdojë t’i ulet e t’i ngrihet. «Kjo ndërprerje e frymëmarrjes përfundon kur fëmija zgjohet plotësisht ose pjesërisht [dhe] merr disa herë frymë përpara se ta zërë gjumi përsëri.» Këto incidente mund të ndodhin qindra herë gjatë natës dhe bëjnë që një fëmijë të ndihet i rraskapitur kur zgjohet.

Shoqata Amerikane e Çrregullimeve të Gjumit këshillon një dhomë gjumi të freskët, të errët, pa gjëra që shpërqendrojnë, si televizori ose kompjuteri. Gjithashtu, mbajtja e një programi të rregullt për të shkuar në shtrat dhe për t’u zgjuar do t’i ndihmojë fëmijët dhe adoleshentët që të bëjnë një gjumë të mirë gjatë natës. Disa që kanë ndërprerje të frymëmarrjes gjatë gjumit kanë përdorur një lloj pajisjeje që fryn lehtësisht ajër në vrimat e hundës dhe në gojë për ta mbajtur të hapur pjesën e poshtme të grykës gjatë gjumit. Kjo pajisje siguron një presion ajri konstant në rrugët e frymëmarrjes. Një pediatre pohoi: «Gjumi është më i rëndësishëm se ushqimi që hamë. Është më i rëndësishëm se ushtrimet. Gjumi mban nën kontroll hormonet, emocionet dhe sistemin tonë mbrojtës.»