Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Imitues të kërcënuar

Imitues të kërcënuar

Imitues të kërcënuar

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Britani

Papagajtë janë «mes zogjve më të kërcënuar të botës»,​—vëren dr. Timoti Raiti i Universitetit të Merilendit, në SHBA. Puplat e tyre me ngjyra të ndezura dhe aftësia magjepsëse për të imituar zërin e njeriut mjerisht kanë ndikuar në rrezikun e zhdukjes.

Është interesante që një mjek grek i shekullit të pestë p.e.s. shkroi historinë më të hershme të dokumentuar rreth një papagalli shtëpiak trupvogël. Ai u mrekullua kur zogu filloi të thoshte fjalë greke, përveç disa fjalëve në një gjuhë të vendit të tij, Indisë.

Sot aftësia imituese tërheqëse ua rrit papagajve famën si shpendë shtëpiakë dhe shton tregtinë e paligjshme të këtyre zogjve. Studimet gjatë 20 viteve të kaluara tregojnë se në 21 lloje papagajsh në 14 vende, gjuetarët kundërvajtës kanë shkatërruar 30 për qind të çerdheve dhe për 4 lloje papagajsh shifra arrinte 70 për qind. Ritmi i ulët i riprodhimit të këtij shpendi, që në përgjithësi çel zogj njëherë në vit, dhe shkatërrimi i habitatit të tij të zakonshëm kanë bërë të ngrihet çmimi i tyre. Sa më i rrallë papagalli, aq më i lartë çmimi i tij.

Se sa i rëndë është ky kërcënim drejt zhdukjes bëhet e dukshme nga raportet për numrin e ulët të disa llojeve. Është përllogaritur se në Brazil ka më pak se 200 zogj të papagallit gjigant të Lirit. Papagallit të Porto-Rikos po i shkon edhe më keq, pasi ka më pak se 50 të tillë që jetojnë në natyrë. Ruajtja e papagallit gjigant të Spiksit, i cili mendohet se është zhdukur në natyrë, varet nga përpjekjet për rritjen e zogjve në kushte artificiale.

Për aq kohë sa vazhdojnë të jenë, këta zogj me bukuri marramendëse dëshmojnë për një Krijues, i cili duket qartë se gjen ëndje në pamjen mbresëlënëse dhe në aftësitë e tyre të jashtëzakonshme. A do t’i çojë papagajtë drejt zhdukjes lakmia njerëzore? Koha do ta tregojë. Ndërkohë, këta imitues mbeten të kërcënuar.

[Figurat në faqen 31]

Papagajtë e Porto-Rikos

Papagajtë gjigantë të Spiksit

Papagalli gjigant i Lirit

[Burimet]

Papagajtë e Porto-Rikos: U.S. Geological Survey/Foto nga James W. Wiley; Papagajtë gjigantë të Lirit: © Kjell B. Sandved/Visuals Unlimited; Papagajtë gjigantë të Spiksit: Progenies of and courtesy of Birds International, Inc.