Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Gënjejnë për të gjetur punë
«Një në katër njerëz gënjejnë kur plotësojnë formularët për punë»,—raportohet në gazetën e Londrës Financial Times. Gjatë një periudhe 12-mujore, shoqëria e sigurimeve Control Risks Group kontrolloi 10.435 kandidatë për shërbimet financiare e për teknologjinë kompjuterike dhe «gjeti falsifikime në të gjitha rangjet,—pohohet në gazetë.—Afro 34 për qind e formularëve kishin mospërputhje në lidhje me punët e së kaluarës, kurse 32 për qind e kandidatëve i zmadhonin ose i falsifikonin kualifikimet akademike. Gjithsej 19 për qind e tyre përpiqeshin të fshihnin gjendjen e keqe financiare ose falimentimet dhe 11 për qind e tyre nuk i vinin disa hollësi identifikuese». Ata që kishin jetuar jashtë shtetit kishte më shumë të ngjarë të mashtronin për gjendjen financiare, pasi, me sa duket, mendonin se nuk do të kapeshin. Gjithashtu, burrat ishin «shumë më tepër të prirur për të falsifikuar, se gratë». Tim Nikolsoni, i Konfederatës së Regjistrimit dhe të Punësimit, vërteton përfundimet e studimit dhe shton: «Nëse ata që bëjnë regjistrimet e marrin si të vërtetë çfarë është shkruar në një copë letër, atëherë nuk e kanë bërë siç duhet punën e tyre.»
Elefantët—dashurues të naftës
Elefantët në Digboi të Indisë Verilindore magjepsen nga nafta. «Elefantët vijnë vërdallë lirisht nëpër fushat naftëmbajtëse dhe shpesh hapin valvulat kryesore të tubacioneve që lidhin puset e naftës me rafinerinë,—thotë Ramen Çokrovorti, një nga inxhinierët kryesorë në Oil India Limited.—Duket se elefantëve u pëlqen shumë zhurma që bëhet kur hapet një valvul, sidomos nëse është një valvul që rregullon avullin, duke mos lejuar që nafta e papërpunuar të kthehet në parafinë.» Elefantëve jo vetëm që u pëlqen shumë «vërshëllima» e naftës që vërshon jashtë, por duket edhe se i tërheqin puset e naftës «për baltën dhe ujin që del bashkë me naftën.—raportohet në gazetën Indian Express.—Uji është i kripur dhe elefantët e kanë qejf atë». Është interesante që ishte një elefant që, pa dashje, çoi në zbulimin e naftës në atë vend. Kafsha ishte kthyer sërish në vendfushim pasi kishte bartur shinat për linjën e parë hekurudhore në atë zonë, kur oficerët britanikë vunë re një lëndë si vaj në këmbët e elefantit dhe ndoqën gjurmët e tij deri në një burim nga gurgullonte nafta. Kjo çoi në hapjen e pusit të parë të naftës në Azi në vitin 1889.
Ngarja e makinës dhe lodhja
«Lodhja, sidomos kur shoqërohet me pijet alkoolike, përbën një rrezik jashtëzakonisht të madh për përplasjet me makinë, duke shkaktuar vdekje ose plagosje të rënda»,—raportohet në revistën British Medical Journal. Kërkuesit në Bordo të Francës zbuluan se lodhja e shoferëve ishte shkaktare e deri 20 për qind të aksidenteve në autostradë. Madje, edhe në kushte të mira për të ngarë makinën, 10 për qind e përplasjeve të rënda të një automjeti të vetëm kishin lidhje me lodhjen. Sipas profesorit Xhim Horni, drejtor i Qendrës Kërkimore për Gjumin pranë Universitetit të Lafborout, Angli, një nga kohët më të rrezikshme për shoferët është pasditja. «Jemi bërë në mënyrë të tillë që të ndiejmë nevojën për gjumë gjatë dy periudhave,—thotë ai,—natën dhe pasdite, rreth orës 14.00 deri 16.00.» Ç’duhet të bëjë një shofer kur ndihet i përgjumur? Të bëjë një pushim të shkurtër. «Duke hapur dritaren ose duke ndezur radion do të lehtësohet vetëm përkohësisht,—thotë Horni.—Gjëja më e mirë për të bërë është të gjesh diku një vend të sigurt për të parkuar dhe të marrësh një sy gjumë për 15-20 minuta.» Problemi është që shumë shoferë vazhdojnë të ngasin makinën duke qenë të vetëdijshëm se janë të përgjumur. Gazeta Sunday Times e Londrës thotë: «Herën tjetër që e shihni se po ju hapet goja, ju rëndohen qepallat ose nuk përqendroheni mirë teksa ngitni makinën, kujtoni se kjo është një thirrje paralajmëruese, shpërfillja e së cilës mund të jetë vdekjeprurëse.»
Rritet shitja e armëve në SHBA
«Shitja e armëve dhe e municioneve në mbarë vendin është rritur ndjeshëm që nga 11 shtatori. Kjo sepse gjithnjë e më shumë amerikanë po bëjnë atë që mjaft veta e quajnë një përçapje tepër individuale për t’u ndier më të sigurt, pra, të armatosen. Ka pasur një mori të pafund blerësish të zellshëm që blejnë për herë të parë»,—pohohet në The New York Times. Disa prodhues armësh kanë përfituar nga kriza duke përdorur energjikisht parulla dhe fotografi patriotike për të tërhequr blerës të rinj. Megjithatë, shumë zyrtarëve u duket shqetësuese përhapja e shpejtë e armëve vdekjeprurëse. «Na shqetëson vazhdimisht numri i përgjithshëm i armëve që gjenden hapur kudo në vend, dhe kjo gjë po bën që gjendja të mos kontrollohet dot nga forcat e rendit»,—thotë shefi i policisë së Plazhit të Majamit Verior, Uilliam B. Bergeri. Statistikat tregojnë se armët e blera nga shtetas që i binden ligjit ndonjëherë përfundojnë në duart e kriminelëve. Organizatat për kufizimin e përdorimit të armëve u bëjnë thirrje njerëzve të mendohen para se t’i blejnë ato.
Kostoja «tronditëse» e sëmundjeve mendore
«Në mbarë botën kostoja e sëmundjeve mendore dhe e çrregullimeve nervore po rritet në mënyrë tronditëse»,—pohon dr. Gro Harlem Bruntlandi, drejtoreshë e përgjithshme e OBSH-së. Kohët e fundit një raport i OBSH-së zbulon se çrregullimet mendore janë «mes shkaqeve kryesore të shëndetit të keq dhe të paaftësive fizike e mendore në mbarë botën». Sipas raportit, rreth 450 milionë njerëz në botë tani vuajnë nga çrregullime mendore ose nervore. Ndërkohë që shumica e çrregullimeve nervore mund të kurohen, afro dy të tretat e njerëzve që vuajnë nga ndonjë sëmundje e njohur nervore nuk kërkojnë kurrë ndihmë profesionale për shkak të diskriminimit, të turpit, të të ardhurave të pakta ose të kujdesit shëndetësor të papërshtatshëm.
Lia e dhenve shkakton vdekje te të rriturit
«Lia e dhenve, një nga sëmundjet infektive më të zakonshme të fëmijëve, po vret gjithnjë e më shumë të rritur»,—thuhet në gazetën e Londrës The Independent. Shifrat e botuara në revistën British Medical Journal tregojnë se në fillim të viteve 70 të shekullit të 20-të, 48 për qind të vdekjeve nga lia e dhenve ndodhnin te të rriturit, kurse deri në vitin 2001 shifra ishte rritur në 81 për qind. Profesori Norman Noah, i Shkollës së Higjienës dhe të Mjekësisë Tropikale në Londër, paralajmëron: «Ky studim provon se lia e dhenve shkakton një vdekshmëri të lartë te të rriturit . . . Shifra jonë prej 25 vdekjesh në vit [në Angli dhe në Uells] ndoshta është më e ulët se shifra reale. . . . Nëse të rriturit marrin linë e dhenve duhet ta kuptojnë se është e ndryshme nga sëmundja e fëmijëve. Për ata ka më shumë rrezik dhe duhet të shkojnë sa më shpejt te mjeku.» Meshkujt e moshës 15 deri 44 vjeç janë më tepër në rrezik.
Më shumë besimtarë në Sllovaki?
Regjistrimi i vitit 2001 në Sllovaki tregoi që rreth 84 për qind e sllovakëve tani pohojnë se i përkasin një feje. Sipas sociologut Jan Bunçaku, kjo është kryesisht shprehje e një «konformizmi të theksuar shoqëror». Ndonëse feja ishte e ndaluar gjatë komunizmit, tani t’i përkasësh një feje shihet si «e përshtatshme» dhe «normale». Sidoqoftë, «shumë prej tyre nuk besojnë fare te Perëndia»,—thotë Bunçaku. Duke folur për gjendjen e përgjithshme në Evropë, ai shton: «Shumica dërrmuese e njerëzve pohojnë se kanë një fe. . . . Njerëzit e thonë me fjalë, por në të njëjtën kohë nuk duan që feja të ndërhyjë shumë në jetën e tyre.»
Katër miliardë të uritur më 2050
Rritja e popullsisë në vendet në zhvillim pritet ta shtojë popullsinë e botës në 9,3 miliardë deri në vitin 2050, sipas raportit vjetor të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë. Nga këta, është përllogaritur se 4,2 miliardë do të jetojnë në vende në të cilat nuk mund të plotësohen nevojat themelore për ushqim dhe ujë. Ky është dyfishi i numrit të njerëzve, të cilëve u mungon tashmë ushqimi i mjaftueshëm. «Raporti tregon se varfëria dhe rritja e shpejtë e popullsisë janë një gërshetim vdekjeprurës»,—shpjegoi Thoraja Obeidi, drejtoreshë ekzekutive e Fondit. «Njerëzit e varfër varen drejtpërdrejt nga burimet natyrore të tilla, si toka, pyjet dhe uji që mund të përdorin dhe prandaj ata vuajnë më shumë nga shkatërrimi i mjedisit. . . . Ndërsa disa nga ne shpërdorojmë burimet natyrore, të tjerë nuk mund të përdorin mjaftueshëm për të jetuar.»
Pse burrat vdesin më të rinj?
«Jeta e një burri—një jetë e mjerë: burrat sëmuren më shpejt dhe vdesin më shpejt.» Kjo tablo e zymtë u përshkrua nga organizatorët e Kongresit të Parë Botëror për Shëndetin e Burrave, të mbajtur në Vjenë të Austrisë. Siç raportohet në gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, ata ishin shumë të shqetësuar, ngaqë mesatarisht burrat vdesin pesë vjet më parë se gratë. Pse burrat vdesin më të rinj? Një arsye është se janë më të prirur të pinë duhan ose ta teprojnë me pijet. Faktorë të tjerë kryesorë të rrezikut janë mbingrënia dhe mungesa e ushtrimeve. Thuhet se 70 për qind e burrave në moshë të mesme janë mbipeshë. Për më tepër, shumë burra vuajnë nga stresi në përpjekje për të baraspeshuar punën me familjen. Dhe burrat janë më pak të prirur të shkojnë te mjeku, kur janë të sëmurë ose të kërkojnë kujdes shëndetësor parandalues. Për ta përmbledhur çështjen, Zigfrid Merini, një nga organizatorët e kongresit, tha: «Nga ana mjekësore, burrat janë vërtet në një gjendje më të keqe.»