Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund të jem më tërheqës?

Si mund të jem më tërheqës?

Të rinjtë pyesin . . .

Si mund të jem më tërheqës?

«As nuk e kisha të lehtë, as nuk ndihesha i lirshëm kur bisedoja me vajzat. Nuk e kisha idenë se çfarë mendonin, si ndiheshin ose si i shihnin gjërat.»​—Tajlëri.

CILAT janë cilësitë që vajzat pëlqejnë më shumë te djemtë? «Siguria te vetja»,​—thotë një adoleshente me emrin Emili. Robina, një adoleshente tjetër, radhit në krye të listës të qenët argëtues. Po djemtë, çfarë vlerësojnë më shumë te vajzat? S’është për t’u habitur që nga një anketë doli se pamja tërheqëse ishte në krye të listës. Pasja e interesave dhe e vlerave të përbashkëta u radhit në vend të gjashtë.

Në revistat për të rinjtë, jepen shpesh artikuj dhe anketa që flasin për marrëdhëniet djalë-vajzë. Është e qartë se shumë të rinj mendojnë tepër, e ndoshta shqetësohen, se si shihen nga ata të seksit tjetër. Mbase edhe ti ndonjëherë shqetësohesh për këtë, por jo ngaqë je gati për t’u martuar së shpejti. Arsyeja është se të gjithë dëshirojmë të jemi tërheqës ose të pëlqyeshëm për të tjerët. Tajlëri vëren: «Kur je adoleshent dëshiron të jesh tërheqës për të gjithë. Dëshiron që shokët, meshkuj ose femra, të të pranojnë.» Gjithashtu, mund të mendosh se një ditë do të dëshirosh të gjesh një bashkëshorte ose bashkëshort të përshtatshëm. Por kur të vijë ajo kohë, natyrisht do që të jesh në gjendje ta tërheqësh atë njeri.

Megjithatë, si një i ri i krishterë, mund të mos kesh pasur shumë përvojë me ata të seksit tjetër. Kjo vështirësohet edhe nga presioni që mund të kesh prej moshatarëve për të qenë tërheqës nga ana fizike. Duke parë se sa shumë shfaqen në televizor dhe në revista fotomodelet e famshme e aktorët me trup muskuloz, nuk është për t’u habitur që mund të ndihesh i pasigurt dhe jo në lartësinë e duhur. Atëherë çfarë kërkohet që, në mënyrë të ekuilibruar e pozitive, të jesh tërheqës për të tjerët, përfshirë edhe ata të seksit tjetër?

Dëshira për një trup «të përsosur» është marrëzi

Psikologu Uilliam Pollëk vëren se nën ndikimin e industrisë së zbavitjes, shumë të rinj «po kalojnë orë të tëra duke mbajtur dietë, duke ngritur pesha dhe duke bërë ushtrime aerobike, të gjitha këto në përpjekje për të ndryshuar përmasat dhe formën e trupit». Për të arritur që të kenë trup «të përsosur», disa shkojnë madje deri në ekstreme të rrezikshme, si për shembull, rrinë pothuajse fare pa ngrënë. Megjithatë, Qendra Kërkimore e Çështjeve Shoqërore thotë: «Standardin e bukurisë për femra, të cilin mediat e paraqesin sot si idealin, mund ta arrijë më pak se 5 për qind e femrave. E kjo përqindje është vetëm për peshën dhe përmasat. Kurse formën ideale të trupit, fytyrën ideale, etj., ka të ngjarë që ta arrijë afërsisht vetëm 1 për qind e tyre.»

Prandaj, këshilla e Biblës te Romakëve 12:2 është praktike: «Mos e lini botën përreth jush t’ju modelojë sipas kallëpit të saj.» (Phillips) Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se nuk duhet t’i kushtosh kujdes pamjes së jashtme. Është më se e arsyeshme që të kujdesesh për trupin duke bërë disa ushtrime e duke mbajtur një dietë të ekuilibruar. (Romakëve 12:1; 1 Timoteut 4:8) Edhe pushimi e gjumi i duhur mund të të ndihmojnë që të dukesh dhe të ndihesh sa më mirë që të jetë e mundur. Në të njëjtën kohë, trego kujdes për higjienën dhe mënyrën se si e mban veten. Një i ri nga Britania, që quhet Dejvid, thotë: «Njoh një vajzë që është shumë tërheqëse, por vjen erë e pakëndshme. Njerëzit i shmangen pikërisht për këtë.» Prandaj lahu shpesh. Duart, flokët dhe thonjtë e pastër mund të përmirësojnë pamjen.

Ndonëse Bibla nuk nxit përqendrimin e tepërt te veshja, i këshillon të krishterët që «të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë». (1 Timoteut 2:9) Vish rroba që të përmirësojnë pamjen, por që nuk janë ekstravagante ose jomodeste. * Duke treguar kujdes të arsyeshëm për pamjen tënde mund të rritësh besimin te vetja. Një i ri që quhet Pol e shpreh këtë: «Mund të mos jesh më i bukuri, por mund ta përmirësosh pamjen që ke.»

Cilësitë e brendshme

Edhe pse një fytyrë e këndshme dhe një trup i hijshëm mund të tërheqin vëmendjen, me kalimin e kohës «bukuria është një flluskë». (Fjalët e urta 31:30, Byington) Pamja e bukur është e prirur të jetë jetëshkurtër dhe, pa dyshim, nuk mund të zëvendësojë cilësitë personale tërheqëse. (Fjalët e urta 11:22) Mos harro edhe se «njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën». (1 Samuelit 16:7) Prandaj në vend që ta përqendrosh të gjithë vëmendjen te linja ose muskujt, puno për të stolisur veten me ‘njeriun e fshehtë të zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë’. (1 Pjetrit 3:3, 4; Efesianëve 4:24) Vërtet, në botën e sotme është vështirë të gjesh shumë të rinj që i vlerësojnë cilësitë e admirueshme të personalitetit​—e aq më pak cilësitë frymore. * Por, njerëzit që kanë cilësi hyjnore, i vlerësojnë ato dhe për ta janë tërheqëse.

Pra, mënyra më e mirë që të jesh tërheqës për burrat e gratë me mendje frymore, është që të jesh edhe vetë i tillë. Kultivo gjendjen frymore me anë të lutjes, studimit personal të Biblës dhe pjesëmarrjes në mbledhjet e krishtere. (Psalmi 1:1-3) Por mund të zhvillosh edhe aftësi e cilësi të tjera të dobishme. Për t’i kultivuar ato, nuk ka nevojë që të shoqërohesh rregullisht me dikë të seksit tjetër ose të hysh në një marrëdhënie romantike. Në vend të kësaj, mund t’i shfaqësh ato në marrëdhëniet e përditshme me të tjerët.

Për shembull, a je në siklet dhe i turpshëm në prani të atyre të seksit tjetër? Një i ri i quajtur Pol pranon: «Ndonjëherë nuk ndihem i lirshëm, sepse ato janë vajza dhe nuk i kuptoj ashtu si djemtë e s’dua të bëhem me turp.» Si mund të fitosh sigurinë dhe ekuilibrin në mënyrë që të tjerët të ndihen të lirshëm me ty? Një mënyrë është duke përfituar nga shoqëria e larmishme në kongregacionin e krishterë. Në mbledhje trego interes për të gjithë, pra, jo vetëm për moshatarët e seksit tjetër, por edhe për fëmijët, të rriturit dhe të moshuarit. (Filipianëve 2:4) Do të zhvillosh sigurinë te vetja duke mësuar të sillesh siç duhet me shumë njerëz të ndryshëm.

Por, ki kujdes. Vetë Jezui tha: «Duhet ta duash të afërmin tënd si vetveten.» (Mateu 19:19) Nëse ke vlerësim për veten ka më pak të ngjarë të jesh i plogët dhe në siklet në prani të të tjerëve. * Megjithatë, edhe pse është e nevojshme të kesh njëfarë respekti për veten, mos i kalo kufijtë. «I them gjithsecilit prej jush,​—tha apostulli Pavël,​—të mos mendojë për veten më shumë sesa duhet të mendojë.»​—Romakëve 12:3.

Gjithashtu, ji realist kur shqyrton zakonet dhe marrëdhëniet që ke në shoqëri. Një vajzë britanike që quhet Lidia vëren: «Në shkollën time është një djalë që shumë vajza e kanë qejf. Por pasi e njohin, nuk e pëlqejnë më sepse është i pasjellshëm dhe pa takt.» Njerëzit ndihen të tërhequr ndaj dikujt që përdor një të folur të sjellshëm, me takt dhe që tregon konsideratë për të tjerët. (Efesianëve 4:29, 32; 5:3, 4) «Mënyrat e këndshme të sjelljes janë si një çelës, i cili të jep mundësinë që të jesh i lirshëm dhe i pranueshëm për njerëzit»,​—vëren dr. T. Berri Breizëltoni. Sjellja e mirë «është thelbësore për t’u pranuar nga të tjerët».

Zakonet dhe normat e etikës ndryshojnë përreth botës. Prandaj ndoshta duhet të vëresh se si e trajtojnë njëri-tjetrin të krishterët e pjekur, si burrat edhe gratë. Për shembull, a është zakon në vendin tënd që një burrë t’i hapë derën një gruaje në shenjë respekti? Nëse po, duke mësuar të shfaqësh këtë mirësjellje, do t’i bësh vend vetes si një njeri i ekuilibruar e i sjellshëm.

Së fundi, mund të jetë e dobishme që të kultivosh një ndjenjë të ekuilibruar humori. Bibla thotë se ka «një kohë për të qeshur» dhe ai që ka një ndjenjë humori shpesh zë miq me lehtësi.​—Predikuesi 3:1, 4.

Të jesh miqësor, jo flirtues

Një i ashtuquajtur «manual për të pasur sukses në shoqërimin me seksin tjetër» këshillonte se sekreti për të tërhequr dikë të seksit tjetër është të flirtosh. Në këtë manual lexuesve u thuhej që të buzëqeshnin, të praktikonin shikimin sy më sy e të përsosnin ‘fjalët e para të një bisede’. Një këshillë e tillë është në kundërshtim me frymën e këshillës që Pavli i dha Timoteut për t’i trajtuar ata të seksit tjetër «me plot dëlirësi».​—1 Timoteut 5:2.

Edhe pse flirtimi mund ta bëjë dikë që të ndihet më i rëndësishëm, është i pasinqertë dhe i pandershëm. Për të bërë një bashkëbisedim interesant nuk ke nevojë që të flirtosh ose të sillesh në mënyrë joshëse. As nuk ke nevojë të bësh pyetje që zënë ngushtë ose janë të papërshtatshme për të mësuar se si ndihen dhe mendojnë ata të seksit tjetër. Ji i vendosur të flasësh për gjëra që janë ‘të vërteta, të dëlira dhe të dashura’, e do të tregosh se je duke u bërë vërtet një burrë i pjekur ose grua e pjekur me mendje frymore. (Filipianëve 4:8) Bindja ndaj parimeve hyjnore do të të bëjë tërheqës jo vetëm për ata të seksit tjetër, por për vetë Perëndinë. *​—Fjalët e urta 1:7-9.

[Shënimet]

^ par. 10 Shih «Lloji i rrobave që veshim​—A ka me të vërtetë rëndësi?» në revistën Zgjohuni! shkurt 1999.

^ par. 12 Sipas një kërkueseje, studimet tregojnë se të rinjtë e zgjuar shpesh vihen në lojë për shkak të aftësive që kanë. Prandaj disa të rinj reagojnë duke e fshehur zgjuarsinë e tyre.

^ par. 15 Kapitulli 12 i librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, jep disa sugjerime praktike se si mund të fitojmë respekt për veten.

^ par. 21 Nëse je tepër i ri për t’u martuar, është e mençur të gëzosh shoqërinë me personat e seksit tjetër në një grup të përzier njerëzish. Shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Pse prindërit mendojnë që jam tepër i ri për t’u shoqëruar me seksin tjetër?» në revistën Zgjohuni! të shkurtit 2001.

[Figurat në faqen 15]

Në vend që të përqendrohesh te pamja, puno për të kultivuar cilësi frymore

[Figura në faqen 15]

Mëso të ndihesh mirë në praninë e njerëzve të ndryshëm