Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të bëj operacion plastik?

A duhet të bëj operacion plastik?

Të rinjtë pyesin . . .

A duhet të bëj operacion plastik?

«Para operacionit në hundë vuaja shumë për shkak të talljeve. Nuk doja të kisha hundë të veçantë, vetëm të kisha një që më shkonte. Jam shumë e lumtur me rezultatet e operacionit dhe po të kthehesha pas do të bëja përsëri të njëjtën gjë.»​—Eleni. *

«Pse duhet t’u nënshtrohem ideve standarde për pamjen tërheqëse? Po të ndryshoja disa pjesë të trupit me anë të kirurgjisë, do të më dukej vetja si para e falsifikuar. Jo i vërtetë.»​—Matiasi.

«Gjithsecili duhet të vendosë për vete. Është shumë e vështirë që dikush tjetër të gjykojë.»​—Manuela.

«KUSHDO që është më e bukur se unë, pa dyshim që bën makijazh.» Në Gjermani kjo thënie humoristike ka shërbyer për shumë kohë si një mbrojtje për ata njerëz të cilët shqetësohen se pamja e tyre nuk është e përsosur. Gjithsesi, në ditët e sotme në disa vende thënia mund të përshtatej shumë mirë kështu: «Kushdo që është më e bukur se unë, pa dyshim që ka hyrë në thikë.» * Me të vërtetë operacioni plastik po bëhet i zakonshëm.

«Iku koha kur operacioni plastik ishte vetëm për të pasurit»,​—raporton gazeta zviceriane Neue Zürcher Zeitung dhe shton: «Dy prirje janë shfaqur: gjithnjë e më shumë burra po u drejtohen specialistëve të kirurgjisë plastike... dhe klientet femra sa vjen e janë më të reja.» Sipas një ankete të bërë në Gjermani, pothuajse 20 për qind e të anketuarve ndërmjet moshës 14 deri 29 vjeç ose kishin bërë tashmë një operacion plastik, ose kishin planifikuar ta bënin, ose të paktën kishin menduar për të. * Ndoshta disa nga miqtë e tu, shokët e shkollës ose të afërmit ia kanë besuar pamjen një kirurgu.

Ç’të themi për ty? A të ka kaluar ndonjëherë në mend ideja të përmirësosh paraqitjen e jashtme me anë të një operacioni? A të duket se i ke veshët si llapushë, se gjoksi yt është shumë i madh ose shumë i vogël, se barkun a kofshët i ke të fryra ose se hundën e ke të shëmtuar? Nëse po, nuk je njeriu i vetëm që vuan nga ndjenja të tilla. Një grup vajzash të shkollës së mesme shkruajtën një artikull në një gazetë gjermane, në të cilin pohonin: «Vështirë se ka një vajzë të moshës sonë që nuk ka pasur periudha gjatë të cilave ka qenë e pakënaqur me trupin e vet.» Dëshira që të jesh tërheqëse dhe e pëlqyer nga të tjerët është e natyrshme. Por, a është zgjidhja operacioni?

A është zgjidhja e problemit tënd?

Mendo pak për të rinjtë që njeh. A do të habiteshe po të merrje vesh se shumë prej tyre​—ndoshta edhe disa që të duken të bukur​—janë të pakënaqur me pamjen që kanë? Por, ka shumë të ngjarë që të jetë tamam kështu. Çështja është: a mendon se të gjithë ata duhet të bëjnë operacione për të ndrequr pamjen e tyre? Apo mendon se pjesa më e madhe e tyre do të ishin më mirë po të mësonin si të ndihen më të kënaqur me veçoritë tërheqëse të paraqitjes së tyre? A mund të zbatohet i njëjti parim pikërisht në rastin tënd?

Siç tregojnë fjalët e Elenit, operacioni plastik në disa raste mund t’u vërë fre talljeve dhe ngacmimeve. Nga ana tjetër, operacioni plastik nuk është zgjidhja e të gjitha problemeve. Sigurisht ai nuk mund të zëvendësojë një mënyrë të shëndetshme jetese, e cila ndikon shumë në paraqitjen e jashtme të individit. Ndonëse një kirurg mund të jetë në gjendje të ndryshojë pamjen tënde, ai nuk mund të ndryshojë dot personalitetin tënd, as mund të heqë ankthet e tua ose të shtojë respektin që ke për veten.

Gjithashtu, mbaj në mend se disa klinika ose disa mjekë bëjnë deklarata që nuk janë në gjendje t’i përmbushin. Mund të duken sikur me gjithë mend të premtojnë lumturi. Megjithatë, në të vërtetë, atyre ndoshta u interesojnë më shumë paratë e tua, sesa lumturia jote. Mjerisht ka disa kirurgë të paskrupuj, të cilët do të merrnin përsipër një operacion që është i panevojshëm, që ka pak mundësi të dalë me sukses ose që është i rrezikshëm, mjaft që dikush të paguajë faturën.

Ka edhe disa gjëra për të cilat duhet të mendosh me largpamësi. Për shembull, ajo gjë që të duket e tmerrshme kur je 16 vjeçe mund të të duket krejt ndryshe kur të jesh 21 vjeçe. Specialisti i kirurgjisë plastike, dr. Urs Bëshi, thotë: «Si rregull i përgjithshëm, operacioni plastik nuk duhet bërë te adoleshentët. Forma e trupit të një adoleshenti dhe vetëdija e tij për trupin e vet ndryshojnë në këtë moshë.» Përveç kësaj, për të rinjtë ka më tepër të ngjarë që të nevojiten operacione të tjera pas të parit. Dhe, teksa trupi yt rritet, mund të rriten edhe vragat e operacionit.

Llogarit koston

Bibla na këshillon të llogaritim koston para se të nisim një projekt të rëndësishëm. (Luka 14:28) Për shumë të rinj operacioni plastik është jashtë çdo mundësie, sepse kushton tepër nga ana financiare. Dhe në pagesë mund të mos përfshihen kontrollet e mëpasshme ose ndreqjet që mund të nevojiten.

Shumë njerëz i kanë paguar operacionet jo vetëm me para, por edhe me shëndetin e tyre. Sipas Shoqatës Amerikane për Kirurgjinë Plastike Estetike, rreziqet e shëndetit përfshijnë: ënjtje të përkohshme, vraga të përhershme, të humbasësh ndijimin dhe aftësinë për t’i dhënë gji foshnjës, e madje të humbasësh shumë gjak. Për shembull, Ana për pak vdiq gjatë operacionit për heqjen e dhjamrave. Ajo ankohet: «Tani kam vraga të tmerrshme dhe një të futur në bark.» Në lidhje me operacionet për heqjen e dhjamrave, një gazetë gjermane vëren: «Raportet për ndërlikime të rënda, madje dhe për vdekje, po bëhen pirg.» Mos harro se «operacioni mbetet operacion, pra një procedurë e rrezikshme», siç shprehet buletini mjekësor Apotheken Umschau. Prandaj peshoji me kujdes rreziqet, para se të vendosësh të bësh ndonjë operacion, sidomos nëse nuk është i nevojshëm nga ana mjekësore.

Gjithashtu, mund të pyetësh veten: «Ç’përshtypje do t’u lija të tjerëve? A do t’u lija përshtypjen se paraqitja fizike është gjëja më e rëndësishme për mua? Si do të ndikonte zgjedhja ime te bashkëmoshatarët dhe te vëllezërit më të vegjël e motrat më të vogla?» *

Motivet e tua

Edhe motivet e tua meritojnë shqyrtim të vëmendshëm. Dhe mund të mos jetë e lehtë t’i shquash ato. Për shembull, mund të pyetësh veten: «A dua t’u vë fre talljeve të vazhdueshme për një tipar të çrregullt? Apo këtu ka të bëjë dëshira për t’u dukur? A ndikohet dëshira ime për të ndryshuar pamjen nga presioni i bashkëmoshatarëve, reklamat që të mbushin mendjen apo nga ndonjë yll i botës së zbavitjes? A po përpiqem të arrij standardin për bukurinë e përsosur që reklamohet me të madhe në mediat e sotme?»

Disa mendojnë se duke përmirësuar tiparet fizike mund të shtohen mundësitë për të gjetur një bashkëshort ose punë të mirë. Megjithatë, sinqerisht, a është tërheqës fizikisht çdo njeri i martuar që njeh? A është i tillë edhe çdo njeri që ka një punë? Jo, këto arritje nuk varen tërësisht nga pamja e individit. Veç kësaj, a do t’ia vlenin vërtet kostoja dhe rreziku i operacionit për një bashkëshort ose punëdhënës të mundshëm që i jep më shumë rëndësi pamjes sate, se cilësive të tua të brendshme?

Teksa shqyrton me kujdes motivet e tua, fol me prindërit ose me një mik të pjekur për ndjenjat e tua. Në qoftë se mendon që një pjesë e trupit tënd është vërtet problem kërkoju mendimin e tyre të sinqertë. Mos i beso vetëm pasqyrës. Në lidhje me mënyrën si i shohim mangësitë tona fizike, Nana thotë: «Ti i merr ato më seriozisht se të tjerët thjesht sepse ti e sheh veten me një sy tjetër.» Kërkuesit në Universitetin e Landaut në Gjermani shpjeguan se në shumë raste njerëzit mendojnë të bëjnë operacion plastik «jo se një pjesë e trupit është vërtet e shfytyruar, por më tepër sepse i duket e shfytyruar atij që e ka».

Mos vendos nën shtytjen e çastit, por peshoji me kujdes të gjithë faktorët. Shihe çfarëdo operacioni si të pakthyeshëm. Sido që të jetë, ka të ngjarë që do të të duhet të jetosh me pasojat e tij për ca kohë.

Bukuria që vlen më shumë

Lumturia nuk vjen nga pamja jote. Edhe pse pamja ka mundësi ose ta shtojë, ose ta pakësojë respektin për veten, çka vlen vërtet është personaliteti dhe qëndrimi yt. Pas asaj përvoje që i vuri jetën në rrezik, Ana arriti në përfundimin: «Bukuria, siç e mësova dhe vetë, nuk ka të bëjë aspak me paraqitjen tonë të jashtme.»

Ndërkohë që Bibla flet pozitivisht për bukurinë fizike, ajo tregon se në krahasim me bukurinë frymore bukuria fizike është diçka e dorës së dytë: «Nuri mund të jetë i rremë dhe e kotë mund të jetë bukuria; por gruaja që ka frikë Jehovain do t’i sjellë lëvdim vetes.» (Fjalët e urta 31:30, BR; 1 Samuelit 16:7) Përvetësimi i një pikëpamjeje të tillë mund të të ndihmojë të gjesh paqe të brendshme, ndonëse i ke inat disa tipare fizike.

Çfarëdo që të vendosësh mbaj në mend se pamja e përsosur dhe lumturia e përsosur tani për tani thjesht janë të paarritshme. Në një mënyrë ose në një tjetër të gjithë janë të papërsosur. (Romakëve 3:23) Këtë fakt nuk mund ta ndryshosh. Mund të ndryshosh vetëm njeriun e brendshëm​—atë që Bibla e quan «njeriu i fshehtë i zemrës». (1 Pjetrit 3:3, 4) Përmirëso tipin tënd, duke zhvilluar cilësi që janë të bukura në sytë e Perëndisë. Kjo nuk përfshin asnjë rrezik e asnjë kosto nga ana financiare dhe shpërblimet janë pa masë.

[Shënimet]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 6 Megjithëse në këtë artikull kemi përdorur gjininë femërore, parimet zbatohen si për burrat, ashtu edhe për gratë.

^ par. 7 Ky operacion, që quhet edhe kozmetik (ose estetik), bëhet në pjesë të shëndetshme të trupit për të përmirësuar paraqitjen e tyre. Kurse operacioni plastik rindërtues ndihmon për të ndrequr pjesët e trupit që janë të shfytyruara për shkak të dëmtimeve, sëmundjeve ose të shformimeve të lindura. Që të dy janë lloje të operacionit plastik.

^ par. 17 Shih edhe kapitullin: «Sa e rëndësishme është pamja e jashtme?» në librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje Praktike, botuar nga Dëshmitarët Jehovait.

[Diçitura në faqen 19]

A është tipari yt «problematik» një problem real apo ke nevojë të ndreqësh pikëpamjen që ke për veten?