Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Aksidentet automobilistike: A jeni të mbrojtur nga ato?

Aksidentet automobilistike: A jeni të mbrojtur nga ato?

Aksidentet automobilistike: A jeni të mbrojtur nga ato?

«Unë kam përvojë në ngarjen e makinës, prandaj nuk ka pse të shqetësohem se mos më ndodh ndonjë aksident automobilistik.» «Aksidentet u ndodhin vetëm shoferëve të rinj e të pakujdesshëm.» Shumë veta mendojnë se atyre nuk do t’u ndodhë kurrë ndonjë aksident automobilistik. A mendoni edhe ju kështu? A jeni të paprekshëm nga aksidentet automobilistike?

STATISTIKAT tregojnë se nëse jetoni në një vend të zhvilluar, ka shumë të ngjarë që të plagoseni në një aksident rrugor të paktën një herë gjatë jetës suaj. Për shumë veta këto aksidente janë vdekjeprurëse. Çdo vit në mbarë botën më shumë se gjysmë million njerëz bëhen viktima aksidentesh rrugore. Ndoshta shumë prej tyre që u vranë vitin e kaluar mendonin se kjo nuk do t’u ndodhte kurrë atyre. Çfarë mund të bëni për të pakësuar rreziqet? Çelësi është që t’i parandalojmë. Le të shqyrtojmë se si mund t’i parandaloni aksidentet që shkaktohen nga përgjumësia dhe nga pasojat e plakjes.

Shoferi i përgjumur

Disa ekspertë thonë se një shofer i përgjumur mund të jetë po aq i rrezikshëm sa një shofer i dehur. Raportet tregojnë se përgjumësia shkakton një numër gjithnjë e më të madh aksidentesh. Në revistën Fleet Maintenance & Safety Report kohët e fundit pohohej se vetëm gjatë një viti, 1 në çdo 12 shoferë në Norvegji raportuan t’i ketë zënë gjumi ndërsa po ngitnin makinën. Sipas gazetës The Star të Johanesburgut në Afrikën e Jugut, lodhja e tepërt e shoferit është shkaku i deri një të tretës së të gjitha përplasjeve në këtë vend. Raportet nga vendet e tjera zbulojnë se kudo te shoferët po ndikon lodhja e tepërt. Përse ka kaq shumë shoferë të përgjumur?

Një nga faktorët e këtij problemi është mënyra e sotme e ethshme e jetesës. Në revistën Newsweek kohët e fundit raportohej se ndoshta amerikanët «çdo natë flenë të paktën një orë e gjysmë më pak sesa flinin në fillim të shekullit të 20-të​—dhe problemi ka të ngjarë të keqësohet». Përse? Në revistë citohej eksperti në fushën e gjumit Teri Jang që thoshte: «Njerëzit e kanë parë gjumin si një të mirë nga e cila mund të heqin dorë. Kur një individ është në gjendje të flejë shumë pak kjo shihet si një shenjë se po punon shumë dhe ka mundësi që të ngrihet në përgjegjësi.»

Thuhet se një njeri mesatar ka nevojë për gjashtë orë e gjysmë deri në nëntë orë gjumë çdo natë. Kur nuk e bëjnë këtë gjë, njerëzit krijojnë «një borxh gjumi». Në një raport të shpërndarë nga Fondacioni AAA për Sigurinë në Rrugë pohohet: «Gjatë një jave normale pune edhe sikur të flesh çdo natë 30 ose 40 minuta më pak sesa duhet, në fund të javës kjo mund të çojë në një borxh gjumi prej 3 deri 4 orësh, sasi e mjaftueshme për të rritur së tepërmi nivelin e përgjumësisë gjatë ditës.»

Ndonjëherë mund të mos arrini të pushoni mirë natën. Pagjumësia, kujdesja për një fëmijë të sëmurë ose faktorë të tjerë jashtë kontrollit tuaj mund t’jua heqin gjumin. Ditën tjetër ka shumë mundësi që të jeni të përgjumur ndërsa po ngitni makinën. Nëse ndodh kjo, çfarë duhet të bëni?

Mënyrat e njohura si: të pini lëngje me kafeinë, të hapni dritaren, të përtypni çamçakëz ose të hani diçka pikante mundet që të mos ju mbajnë zgjuar. Asnjë prej këtyre të ashtuquajturave zgjidhje nuk e ndreqin problemin e vërtetë. Ajo për të cilën keni nevojë është gjumi. Prandaj pse të mos përpiqeni të dremitni pak? Në gazetën The New York Times jepej ky sugjerim: «Dremitja përtëritëse gjatë ditës së punës nuk duhet të jetë më e gjatë se 30 minuta; po të flini më shumë trupi bie në një gjumë të thellë, nga i cili është vështirë të zgjohesh.» Dremitja mund të bëjë që të arrini më vonë në vendmbërritjen tuaj, por ajo mund t’jua zgjatë jetën.

Mënyra juaj e jetesës mund t’ju bëjë më të prirur të bëheni një shofer i përgjumur. A harxhoni orë të tëra me Internetin ose a rrini zgjuar deri natën vonë duke parë televizor? A shkoni në grumbullime shoqërore që zgjatin deri në orët e para të mëngjesit? Mos lejoni që këto gjëra t’ju lënë pa gjumë. Njëherë mbreti i mençur Solomon theksoi se sa vlerë ka madje edhe «një grusht me pushim».​—Predikuesi 4:6.

Me përvojë, por të moshuar

Shoferët e moshuar shpesh janë ata më me përvojë në rrugë. Për më tepër, rrezikojnë më pak dhe i dinë kufizimet e tyre. Megjithatë, shoferët e moshuar nuk janë të paprekshëm nga rreziku i përplasjeve të automjeteve. Në të vërtetë, ata mund të jenë më të prekshëm nga aksidente të tilla ndërsa bëhen më të moshuar. Në revistën amerikane Car & Travel raportohej: «Njerëzit mbi 70 vjeç përbëjnë 9 për qind të popullsisë, por 13 për qind të viktimave të trafikut.» Mjerisht, numri i përplasjeve që përfshijnë shoferë të moshuar është duke u rritur.

Le të shqyrtojmë vërejtjet e Mërtëllit, e cila është 80 vjeçe. * Ajo filloi të ngasë makinën më shumë se 60 vjet më parë dhe nuk ka pësuar asnjë aksident. Por, ashtu si shumë të tjerë, po i ndjen pasojat e plakjes​—pasoja që mund ta rritin mundësinë për të pësuar një aksident. Kohët e fundit ajo tha për revistën Zgjohuni!: «Kur plakesh, gjithçka në jetë [përfshirë edhe ngarjen e makinës] bëhet një sfidë.»

Çfarë ka bërë ajo për të pakësuar rrezikun që të pësojë ndonjë aksident automobilistik? «Gjatë viteve kam bërë rregullime për t’u përshtatur me moshën»,​—thotë Mërtëlli. Për shembull, ka pakësuar sasinë e kohës që kalon duke ngarë makinën, veçanërisht gjatë natës. Ky ndryshim i vogël po e ndihmon që të vazhdojë të ngasë makinën për një kohë të gjatë pa pësuar aksidente.

Sado e vështirë të jetë për t’u pranuar, procesi i plakjes ndikon për keq te çdo njeri. (Predikuesi 12:1-7) Dalin probleme të ndryshme shëndeti, reagimet janë paksa më të ngadalta dhe shikimi keqësohet​—secili nga këta mund ta bëjë të vështirë ta ngasësh makinën. Sidoqoftë, mosha e thyer në vetvete nuk e skualifikon shoferin. Ajo që ka rëndësi është si ngitet makina. Duke pranuar ndryshimet në aftësitë tona fizike dhe duke bërë rregullimet e përshtatshme në rutinën tonë mund të përmirësojmë mënyrën se si e ngasim makinën.

Ndoshta nuk e vini re, por shikimi juaj ndryshon. Ndërsa bëheni më të moshuar, fushëpamja ngushtohet dhe retina ka nevojë për më shumë dritë. Në një broshurë të titulluar The Older and Wiser Driver (Shoferi më i moshuar, por më i zgjuar) pohohet: «Një shofer i moshës 60 vjeç ka nevojë për tri herë më shumë dritë për të parë, sesa një adoleshent dhe do t’i duhet dy herë më shumë kohë për t’iu përshtatur ndryshimit nga drita në errësirë.» Këto ndryshime te sytë tanë mund ta bëjnë të vështirë të ngasim makinën natën.

Henri është 72 vjeç dhe e ka ngarë makinën për më shumë se 50 vjet pa pësuar asnjë dëm. Ndërsa vitet kalonin, ai filloi të vërente se dritat verbuese të makinave gjatë natës ia bënin të vështirë të ngiste makinën. Pasi bëri një kontroll të syve, mësoi se kishte nevojë për syze të reja që ishin bërë për të zbehur dritat verbuese të makinave gjatë natës. «Tani nuk e kam më të vështirë që të ngas makinën natën»,​—thotë Henri. Për të ky rregullim i vogël solli një ndryshim të madh në ngarjen e makinës. Për individë të tjerë, të tillë si Mërtëlli, zgjidhja mund të jetë që të mos e ngasin më fare makinën natën.

Plakja ndikon edhe në shpejtësinë e reagimit të një individi. Të moshuarit mund të jenë më të mençur dhe më të matur se të rinjtë. Megjithatë, sa më i moshuar bëhet një person, aq më shumë kohë i duhet për të përpunuar informacionet dhe për të reaguar. Kjo e bën edhe më të vështirë të ngasësh makinën, pasi gjendja e trafikut dhe e rrugëve ndryshon vazhdimisht. Këto ndryshime duhen vlerësuar shpejt në mënyrë që të ndërmerren në kohë veprime të përshtatshme.

Në revistën Car & Travel raportohet se «shkaku më i zakonshëm për përplasjet vdekjeprurëse në radhët e shoferëve të moshuar është se shoferi i moshuar po e ngiste makinën me ndihmën e një pajisjeje për kontrollimin e trafikut». Përse? Në të njëjtën revistë thuhet: «Problemi . . . duket se lidhet me rrethanat gjatë të cilave një shofer i moshuar duhet të kontrollojë sinjalet e ndryshme nga ana e djathtë dhe e majtë para se të hyjë në një kryqëzim.»

Çfarë mund të bëni kur reagoni ngadalë? Tregoni kujdes kur u afroheni kryqëzimeve. Bëjeni zakon që të kontrolloni dy herë trafikun përpara se të vazhdoni. Kini veçanërisht kujdes kur merrni kthesën. Të merrni kthesën në kryqëzime mund të jetë vdekjeprurëse, veçanërisht nëse duhet të kaloni përmes korsive plot trafik të drejtuar te ju.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 40 për qind e aksidenteve vdekjeprurëse në kryqëzime ndaj shoferëve mbi 75 vjeç ndodhin kur marrin kthesën majtas. Fondacioni AAA për Sigurinë e Trafikut u jep këtë sugjerim shoferëve në atë vend: «Ndonjëherë mund të merrni tri kthesa djathtas në mënyrë që të mos merrni një kthesë majtas.» Mund të arrini ta përshtatni këtë parim me rrethanat ku jetoni. Me pak planifikim para kohe, mund të arrini të shmangni kryqëzimet e rrezikshme dhe të vështira.

Një vendim për t’u marrë në shqyrtim

Çfarë mund t’ju ndihmojë që të vlerësoni aftësitë tuaja për të ngarë makinën? Ndoshta mund t’i kërkoni një miku që e respektoni ose një pjesëtari të familjes që të udhëtojë me ju dhe të vlerësojë aftësitë tuaja. Pastaj dëgjoni me kujdes çdo vërejtje që mund të ketë. Mund të vendosni edhe të ndiqni një kurs për të ngarë makinën në mënyrë të sigurt. Shumë shoqata për ngarjen e makinave ofrojnë kurse të organizuara veçanërisht për shoferët e moshuar. Nëse dy ose më shumë herë keni qenë gati për të bërë një aksident të rrezikshëm, kjo mund të jetë një shenjë paralajmëruese se aftësitë tuaja për të ngarë makinën nuk janë po aq të mira sa ishin dikur.

Në të vërtetë, në një farë pike do të ishte në interesin tuaj më të mirë që të mos e ngitni më makinën. Ky mund të jetë një vendim i dhimbshëm për t’u marrë. Mërtëlli e përmendur më parë e di se së shpejti një ditë do t’i duhet që të mos e ngasë më makinën. Ndërsa ajo ditë afrohet, ajo tashmë po udhëton më shpesh me të tjerët. Si ndihet ajo për faktin që lë dikë tjetër për të ngarë makinën? «Është e këndshme të gëzosh udhëtimin pa pasur stresin për të ngarë makinën»,​—thotë ajo.

Pasi ta keni shqyrtuar këtë çështje me kujdes, mund të mendoni të njëjtën gjë. Të bëni pazarin, të kryeni ndonjë punë dhe të udhëtoni për të shkuar në takime dhe në mbledhje mund të jetë më e këndshme nëse shoqëroheni nga një mik. Ndoshta një mik mund t’ju shoqërojë me makinën tuaj. Një udhëtim i tillë mund të jetë më i sigurt dhe më i këndshëm sesa të shkonit vetëm. Një zgjidhje tjetër praktike mund të jetë të përdorni transportin publik aty ku ekziston. Kujtoni se vlera juaj nuk varet nga aftësia për të ngarë makinën. Cilësitë tuaja të shkëlqyera janë ato që ju bëjnë vërtet të vlefshëm për familjen dhe miqtë​—si dhe për Perëndinë.​—Fjalët e urta 12:2; Romakëve 14:18.

Pavarësisht nëse jeni një i moshuar apo më i ri, një shofer me përvojë apo një fillestar, nuk jeni i paprekshëm nga rreziqet e aksidenteve automobilistike. Jini të vetëdijshëm se të ngasësh makinën është një përgjegjësi serioze. Merrni masa parandaluese që të pakësoni mundësitë për t’u përplasur. Duke vepruar kështu, mund të mbroni veten dhe të tjerët gjatë shumë udhëtimeve të ardhshme.

[Shënimi]

^ par. 13 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

[Figura në faqen 12]

Sigurohuni se trupi juaj është «furnizuar» me një natë të mirë me gjumë

[Figura në faqen 13]

Një dremitje e shkurtër mund të shkaktojë një vonesë të vogël, por ajo mund të shpëtojë jetë

[Figura në faqen 13]

Shoferët e moshuar kanë më shumë përvojë, por ata hasin vështirësi të veçanta

[Figura në faqen 14]

Ka disa dobi kur udhëtoni me një shok