Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta në një shoqëri që hedh çdo gjë

Jeta në një shoqëri që hedh çdo gjë

Jeta në një shoqëri që hedh çdo gjë

NJERËZIT në vendet e zhvilluara hedhin male me plehra. Të shqyrtojmë për shembull sasinë vjetore të plehrave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është thënë se «e njëjta sasi me ujë mund të mbushte 68.000 pishina me përmasa sa ato të lojërave olimpike». Disa vite më parë u llogarit se çdo vit vetëm banorët e Nju-Jorkut hidhnin aq plehra sa ta mbulonin parkun e madh, Central Park, të qytetit me një trashësi me mbeturina prej 4 metrash! *

Nuk çuditemi që Shtetet e Bashkuara janë quajtur «shembull paralajmërues për pjesën tjetër të botës», sepse janë «një shoqëri konsumi dhe që hedh çdo gjë». Por ky nuk është i vetmi vend. Llogaritet se në Gjermani plehrat që hidhen çdo vit mund të mbushim fort mirë një tren mallrash të gjatë nga kryeqyteti, Berlini, e deri në bregun e Afrikës, një largësi rreth 1.800 kilometra. Po ashtu, në Britani njëherë u llogarit se një familje mesatare prej katër vetash hedh çdo vit sasi letrash që janë të barazvlefshme me gjashtë pemë.

Vendet në zhvillim nuk janë të paprekshëm nga grumbullimi i tepërt i plehrave. Në një revistë të njohur informative raportohet: «Lajmi më i keq është se pjesa më e madhe e 6 miliardë njerëzve të planetit vetëm sa kanë filluar të prodhojnë sasi të mëdha plehrash, ashtu si SHBA-ja dhe pjesa tjetër e botës së industrializuar.» Po, na pëlqen apo jo, shumica prej nesh sot bëjmë pjesë në një shoqëri që hedh çdo gjë.

Natyrisht që njerëzit gjithmonë kanë pasur gjëra për të hedhur. Por ushqimet dhe sendet e konservuara e të paketuara tani janë më shumë në dispozicion, sesa ishin vite më parë, kështu që ambalazhet e hedhura gjenden kudo. Është rritur jashtëzakonisht edhe sasia e gazetave, e revistave, e fletushkave të reklamave dhe e materialeve të tjera të shtypura.

Edhe bota shkencore dhe tepër e industrializuar ka krijuar lloje të reja plehrash. Në gazetën gjermane Die Welt pohohet se «çdo vit në Bashkimin Evropian dalin jashtë përdorimit afërsisht nëntë milion makina». Eliminimi i tyre nuk është një detyrë e lehtë. Ende më problematike është pyetja: Si të eliminohen në mënyrë të sigurt mbetjet radioaktive apo kimike? Në vitin 1991, Shtetet e Bashkuara thuhej se kishin «sasi të mëdha me mbetje radioaktive, por nuk kishin një vend të qëndrueshëm ku t’i linin». Thuhej se një milion fuçi me lëndë vdekjeprurëse ruheshin në depo të përkohshme ku ekzistonte gjithnjë «rreziku i humbjes, i vjedhjes dhe i dëmtimit të mjedisit nga keqadministrimi i tyre». Në Shtetet e Bashkuara, vetëm në vitin 1999, nga rreth 20.000 burime prodhoheshin më shumë se 40 milionë tonë mbetje të rrezikshme.

Një faktor tjetër është popullsia botërore, e cila është shtuar me shpejtësi të jashtëzakonshme gjatë shekullit të kaluar. Sa më shumë njerëz të ketë, aq më shumë plehra ka! Dhe shumica e popullsisë është tejet e dhënë pas blerjes së të mirave materiale. Instituti Worldwatch kohët e fundit arriti në këtë përfundim: «Që nga viti 1950, kemi përdorur më shumë të mira dhe shërbime sesa gjatë gjithë pjesës tjetër të historisë njerëzore.»

Është e vërtetë se pak prej atyre që jetojnë në vendet e zhvilluara do të dëshironin të mos i kishin këto «të mira dhe shërbime». Për shembull, vetëm mendoni se sa e volitshme është që të shkosh në dyqan e të marrësh ushqime që janë tashmë të paketuara dhe t’i sjellësh në shtëpi në qese letre ose plastike që jua japin në dyqan. Nëse papritur njerëzve do t’u hiqeshin këto ambalazhime moderne, ndoshta do ta kuptonin shpejt se sa shumë vareshin prej tyre. E deri kur janë më higjienike, këto ambalazhime ndihmojnë, të paktën tërthorazi, që të kemi një shëndet më të mirë.

Sidoqoftë, veç këtyre dobive, a duhet të shqetësohemi se mos shoqëria e sotme që hedh çdo gjë mund ta ketë kaluar masën? Në të vërtetë po, sepse zgjidhjet e ndryshme që janë paraqitur për të trajtuar grumbullimin e tepërt të plehrave pothuajse nuk i kanë pakësuar aspak malet me mbeturina të njerëzimit. Ç’është më e keqja, qëndrimet që fshihen nën shoqërinë e sotme që hedh çdo gjë kanë pasoja edhe më shqetësuese.

[Shënimi]

^ par. 2 Parku zë një sipërfaqe prej 341 hektarësh ose rreth 6 për qind të sipërfaqes së lagjes së Manhatanit.

[Figura në faqen 4]

Eliminimi në mënyrë të sigurt i mbetjeve të rrezikshme paraqet probleme serioze