Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur bëhet natë në mes të ditës

Kur bëhet natë në mes të ditës

Kur bëhet natë në mes të ditës

NGA SHKRIMTARËT E ZGJOHUNI! NË ANGOLË DHE NË ZAMBIE

‘NATË në mes të ditës? E pamundur!’, mund të thonë disa. Jo vetëm që kjo gjë nuk është e pamundur, por ndodh disa herë çdo dhjetëvjeçar​—sa herë që ndodh një eklips i plotë i diellit. Nga se shkaktohet eklipsi i diellit dhe përse është një pamje kaq madhështore? Përgjigjja fillon duke shqyrtuar së pari hënën.

A e dini se në ç’mënyrë ndryshon pamje hëna ndërsa rrotullohet rreth tokës? Kur hëna dhe dielli janë në skajet e kundërta të qiellit, shohim atë që quhet hënë e plotë e cila shfaqet në lindje, ndërkohë që dielli po fshihet në perëndim. Ndërkohë që ditët kalojnë, hëna del më vonë çdo natë, duke lëvizur gradualisht mespërmes qiellit drejt diellit që ngrihet. Pjesa e ndriçuar e hënës bëhet gjithnjë e më e vogël, duke u bërë së fundi thjesht si drapër. Kur hëna ndodhet në qiell gjatë ditës bashkë me diellin, edhe drapri zhduket dhe, me anën e saj të errët përballë tokës, hëna është pothuajse e padukshme. Kjo quhet hëna e re. Pastaj procesi përsëritet nga e kundërta, hëna largohet nga dielli dhe në fund bëhet përsëri e plotë. Ky cikël përsëritet afërsisht çdo 28 ditë.

Shkaku kryesor i eklipsit të diellit është hëna e re. Zakonisht ajo kalon pranë diellit gjatë ditës pa e vënë re ne, sepse orbitat e tyre nuk janë në të njëjtin plan. Disa herë, megjithatë, dielli, hëna dhe toka rreshtohen saktësisht sipas një vije të drejtë. Pastaj hija e hënës bie mbi sipërfaqen e tokës, duke shkaktuar eklipsin.

Eklipset diellore ndodhin si pasojë e një marrëdhënieje unike që ekziston midis diellit, hënës dhe tokës. Dielli ka përmasa të jashtëzakonshme, diametri i tij është rreth 400 herë më i madh se diametri i hënës. Megjithatë është për t’u vërejtur se dielli ndodhet rreth 400 herë më larg nga ne sesa hëna. Si rrjedhim, nga këndvështrimi ynë dielli dhe hëna duken sikur kanë pothuajse të njëjtën madhësi. Prandaj ndonjëherë hëna mund të duket sikur e mbulon plotësisht diellin.

Që të ndodhë një eklips i plotë i diellit, dielli, hëna dhe toka jo vetëm që duhet të jenë saktësisht në vijë të drejtë, por gjithashtu kjo ndodh atëherë kur hëna është në atë pikë të orbitës që është më afër tokës. * Në këto raste, fundi i hijes në trajtë konike i hënës shkakton errësirë mbi një brez të ngushtë të sipërfaqes së tokës.

Në rastin e eklipsit të plotë të 21 qershorit 2001, hija ishte e gjerë rreth 200 kilometra. Errësira duhej të fillonte në kohën e lindjes së diellit në bregun lindor të Amerikës së Jugut dhe të kalonte nëpër Oqeanin Atlantik Jugor, ku do të arrinte kohëzgjatjen maksimale prej gati pesë minutash. Pasi të përshkonte Angolën, Zambien, Zimbabvenë dhe Mozambikun, do të përfundonte në kohën e perëndimit të diellit në bregun lindor të Madagaskarit. Le të shohim se si u vërejt kjo shfaqje qiellore nga vëzhguesit në Angolë dhe në Zambie.

Përgatitjet për rastin

Me shpresa të mëdha, kërkues profesionistë, astronomë amatorë dhe shumë të tjerë u dyndën në Afrikë me rastin e këtij eklipsi të plotë, i pari për mijëvjeçarin e ri. Meqë Lusaka në Zambie ishte i vetmi kryeqytet në brezin e errësirës, shumë vizitorë u drejtuan atje për ta vëzhguar.

Ndoshta në këtë rast Zambia kishte tërhequr më shumë turistë se kurrë më parë. Vetëm pak ditë para eklipsit, Lusaka u mbush me mijëra vizitorë. Përgatitjet për rastin ishin bërë disa muaj më parë. Hotelet, bujtinat, kampet dhe shtëpitë private ishin të gjitha të rezervuara, për të strehuar turmat me vizitorë.

Një nga vendet publike ku mund të bëhej vëzhgimi ishte aeroporti i Lusakës, ku vizitorët kishin mundësi të arrinin në mëngjes, të vëzhgonin eklipsin dhe pastaj të niseshin në mbrëmje. Prej shumë javësh në stacionet e televizionit e të radios u njoftua për pamjen madhështore që do të vërehej, duke paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet që mund të vinin nëse do të shikohej dielli drejtpërdrejt. Shitjet e syzeve të veçanta diellore i kaluan parashikimet dhe shumë dyqane shitën gjithçka që kishin.

Gjithsesi, eklipsi duhej të prekte kontinentin afrikan në fillim në Angolë, në qytetin bregdetar të Sumbes. Pikërisht në këtë vend vëzhguesit do të shihnin një eklips të plotë për katër minuta e gjysmë, kohëzgjatja më e madhe në tokë të thatë.

Shumë muaj përpara eklipsit, në kryeqytetin e Angolës, Luandë, dhe në qytetet e tjera kryesore u vendosën stenda që njoftonin për eklipsin dhe paralajmëronin për rreziqet e tij. Hija e hënës duhej të kalonte në mes të vendit, si rrjedhim e gjithë Angola do të shihte të paktën një eklips të pjesshëm të errët. Luanda do të shihte 96 për qind të diskut diellor të mbuluar. Qeveria, në bashkëpunim me shoqëritë private, mori masa për të importuar miliona syze të veçanta diellore për t’i shpërndarë. Shumë prej tyre iu dhanë falas të varfërve.

Në Angolë, qendra e veprimtarive për eklipsin ishte Sumbe, e cila ndodhej mbi një rrafshinë të ngushtë e të bukur bregdetare ndërmjet Atlantikut Jugor dhe rrafshnaltës qendrore të Angolës. Zona e Sumbes ka shpëtuar nga konfliktet më të këqija që e kanë shkretuar Angolën, kështu që vizitorët u gjendën në një qytet të paprekur me afërsisht 25.000 banorë të dashur, miqësorë dhe të shoqërueshëm. Për të mirëpritur të gjithë vizitorët, u morën masa shtesë për strehimin dhe ushqimin dhe u bënë përmirësime në sistemin elektrik. Për shkencëtarët, ministrat dhe punonjësit e ndihmave humanitare nga Angola dhe nga vendet e tjera u organizua një program i veçantë mësimor për eklipsin. Në plazh u ngrit një platformë e madhe për një program zbavitjeje aq madhështor saqë kurrë nuk ishte parë në Sumbe.

Vjen dita e shumëpritur

Një nga dobitë e vëzhgimit të eklipsit në Angolë ishte se në qershor koha është shumë e thatë. Por përfytyroni frikën që u shkaktua kur një ditë para eklipsit zona e Sumbes u mbulua nga retë! Gjatë gjithë mbrëmjes dhe të nesërmen në mëngjes, qyteti u mbështoll me një shtresë të trashë resh. A do të zhgënjeheshin të gjitha shpresat për të qenë dëshmitarë të eklipsit? Nga mesi i mëngjesit retë filluan të largoheshin dhe në fund të mëngjesit qielli ishte blu dhe pa re. Çfarë lehtësimi! Në Zambie patën të njëjtin shqetësim pasi drita e agimit zbuloi një qiell të mjegullt dhe me re. Por edhe atje pamja u pastrua pikërisht në kohën e duhur. Dëgjoni se si e përshkruajnë zhvillimin e ngjarjeve dëshmitarët okularë.

Angolë: «Vendosëm ta vëzhgonim eklipsin nga një vend i ngritur me pamjen nga deti. Ndërsa afrohej ora, turmat e njerëzve u mblodhën në plazhin e qytetit dhe në zonat e vëzhgimit të rezervuara për të parë eklipsin. Në mesditë, kur eklipsi po afrohej, shumë veta vunë syzet mbrojtëse dhe filluan të prisnin mbulimin fillestar të diellit nga hëna. Pak pas mesditës filloi eklipsi. Me anë të dylbive ose të teleskopëve, dukeshin disa njolla diellore​—njolla mbi sipërfaqen e diellit. Vëzhguesit panë se si këto njolla mbuloheshin një nga një nga hija. Ndërsa eklipsi bëhej më i plotë, temperatura ra ndjeshëm dhe drita filloi të merrte një ngjyrë të çuditshme. Kur pjesa e diellit në formë drapri u mbulua nga hija që lëvizte përpara, së fundi u bë errësirë.»

Zambie: «Zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Zambie, e cila ndodhet në Makeni të Lusakës ishte një vend i shkëlqyer për të vëzhguar eklipsin e plotë të diellit. Në orën 15.07, hëna filloi të errësonte diellin. Brezat e hijes përpinë muret e ndërtesave, duke krijuar valëzimet e dritës. Era u fashit dhe zogjtë nuk këndonin më. Kafshët e egra filluan të përgatiteshin për gjumin e natës. Në orën 15.09, pak sekonda para fazës së plotë, disku i diellit që po zhdukej u shndërrua në disa njolla të ndritshme që vezullonin, pastaj në një njollë të vetme. Këto dukuri njihen secila si rruazat e Bejlit dhe unaza me diamant. * Më pas, u duk kromosfera, një spektër drite me ngjyrë të kuqe të çelët, e cila u pasua nga faza e plotë dhe nga errësira.»

Angolë: «Efekti i mahnitshëm i unazës me diamant bëri që vëzhguesit të shtangeshin dhe të lëshonin britma. Pastaj, në orën 13.48 sipas orës lokale, filloi faza e plotë. Reagimet ishin nga më të ndryshmet. Disa ishin zhytur pas bërjes së fotografive. Të tjerë filluan të bërtitnin njëzëri: ‘I plotë!’ I plotë! I plotë!’ Kurse disa të tjerë filluan të fishkëllenin dhe të bërtitnin me habi, ndërsa bëhej natë në mes të ditës. Nga atmosfera diellore me temperaturë miliona gradë, nga të gjitha drejtimet u panë të dilnin zgjatimet të cilat formojnë kurorën e diellit. Mundëm të shihnim harqe prej gazi flakërues përreth perimetrit të errët të hënës. Papritur, sikur koha të kishte ecur me një hov përpara, faza e plotë mbaroi dhe nga ana tjetër e hijes u ndez një rreze dielli.

Kur disku diellor filloi të dilte, pamë njollat diellore, të mbuluara më parë, që dilnin një nga një prej errësirës, teksa dielli dalëngadalë mori përsëri formën e zakonshme rrethore.»

Zambie: «Perioda e eklipsit të plotë këtu zgjati 3 minuta e 14 sekonda, prandaj kishte kohë për ta shijuar plotësisht këtë ngjarje madhështore. Ishte errësirë, por në horizont ishte rrëzëllima e muzgut. Edhe pse qielli ishte ende blu, u dukën planetët që zakonisht nuk dalloheshin për shkak të diellit, për shembull Jupiteri dhe Saturni që shiheshin qartë si njolla të ndritshme. Ndoshta veçoria më madhështore e eklipsit ishte kurora e diellit. Ajo dukej si rrëzëllimë ngjyrë rozë e hapur përqark një disku të zi. Të mbetur si të hipnotizuar, vëzhguesit e përshkruan atë si ‘thjesht mahnitëse, madhështore’. Pak nga pak disku i hënës u largua, duke zbuluar gjithnjë e më shumë sipërfaqen e diellit dhe duke i lejuar rrezet e diellit të arrinin në tokë pa pengesë. Në orën 16.28, eklipsi përfundoi.»

Mësime nga eklipsi

Pas kësaj, shumë veta komentuan për emocionet drithëruese që provuan nga kjo përvojë. Në Angolë një grua tha se gati sa s’po qante. Një tjetër meditoi për këtë dhuratë të bukur që kishte siguruar Perëndia. Po ashtu, një tjetër vërejti se vetëm një Krijues i dashur do të siguronte një shfaqje të tillë madhështore në mënyrë që njerëzit të mund të çmonin bukurinë e pabesueshme të diellit, burimit të energjisë së tokës.

Ishte e dukshme se shumë njerëz në Afrikë kanë respekt të thellë për Krijuesin dhe për Biblën. Kur Dëshmitarët e Jehovait në qytetin e Sumbes u folën të tjerëve për eklipsin dhe u thanë se ky ishte vetëm një prej veprave të mrekullueshme të Jehovait, Krijuesit tonë, banorët treguan vërtet interes për të diskutuar për këtë çështje. Shumë veta pranuan me entuziazëm kopje të një numri të kohëve të fundit të revistës Kulla e Rojës, e cila trajtonte këto vepra të mrekullueshme.

Kjo ngjarje nga qielli ndihmoi që për pak minuta miliona njerëz të harronin problemet dhe të përqendroheshin mbi diçka që frymëzonte dhe nxiste nderim të thellë. Pasi kishin parë veçori madhështore të diellit të cilat zakonisht nuk shihen, disa menduan për lavdinë e padukshme, por më të mrekullueshme të Krijuesit të tij, Perëndisë Jehova.

[Shënimet]

^ par. 7 Meqenëse orbitat e hënës dhe të tokës janë në trajtë elipsi, përmasat në dukje të diellit e të hënës ndryshojnë pak në varësi të faktit se ku gjenden në orbitat e tyre. Kur hëna ndodhet në pikën më të largët të orbitës nga toka, pjesa më e errët e hijes së hënës mund të mos arrijë fare në sipërfaqen e tokës. Kur kjo ndodh, vrojtuesit në tokë, të cilët gjenden në të njëjtën vijë me këtë hije, shohin një eklips në formë unaze, gjatë të cilit dielli duket si një unazë e shndritshme përreth një hijeje të errët.

^ par. 19 Efekti i njohur si rruazat e Bejlit shkaktohet nga kalimi i dritës së diellit nëpër luginat e hënës pak përpara fazës së plotë. Shprehja «unazë me diamant» përshkruan pamjen e diellit pak përpara fazës së plotë, kur duket ende një pjesë shumë e vogël e diellit, e cila ka pamjen e një unaze të bardhë me një gurë të shndritshëm, e ngjashme me atë të një unaze me diamant.

[Diagrami në faqen 21]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

→ →

Dielli → Hëna ⇨ Zona e errët ⇨ Toka

→ →

[Burimi]

© 1998 Visual Language

[Figurat në faqen 23]

Rruazat e Bejlit

Faza e plotë

Unaza me diamant

[Burimi]

Me mirësjelljen e Juan Carlos Casado, ww.skylook.net

[Figura në faqen 23]

Vëzhgues të eklipsit në Lusakë, Zambie