Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një orkide e rrallë shpëton nga zhdukja

Për 50 vjet orkideja e vetme që kishte mbetur në Britani, e quajtur «pantofla e zonjës» (Cypripedium calceolus), e cila rritej në gjendje të egër, u mbajt nën ruajtje 24 orë në ditë për të parandaluar zhdukjen e saj. Orkideja e bukur me ngjyrë kafe dhe të verdhë vlerësohej kaq shumë nga njerëzit që jetonin nën mbretërimin e Mbretëreshës Viktoria të Anglisë dhe nga brezat që pasuan, saqë rreth viteve 50 të shekullit të 20-të, «po shfarosej» dhe kishte mbetur vetëm një bimë. Botanistët u përpoqën të prodhonin fidanë nga kjo bimë e Jorkshirit të Veriut, por lulëzimi i saj i rrallë e bëri të pamundur pllenimin natyror. Megjithatë, në fillim të viteve 90 të shekullit të 20-të, shkencëtarët e kopshteve Botanike në Kju të Londrës zbuluan një metodë të quajtur mikroshumëzim, e cila u dha mundësinë të kultivonin bimë të reja me farat e siguruara nga pllenimi me dorë i luleve. Këto bimë, më pas, u transferuan në banesat e tyre natyrore në gur gëlqeror dhe si pasojë, 200 deri 300 orkide «pantofla e zonjës» rriten tani në veri të Anglisë. Një parcelë mund të shihet nga publiku, por pjesa tjetër mbahet e fshehur për të siguruar ruajtjen e tyre, kurse «shkencëtarët vazhdojnë të punojnë që t’i bëjnë mjaft të qëndrueshme për t’u bërë ballë insekteve të dëmshme dhe kërpudhave»,​—raporton The Independent e Londrës.

Alergji ndaj njerëzve

«Shumë kafshë janë alergjike ndaj njerëzve»,​—thotë gazeta gjermane Leipziger Volkszeitung. Siç raportohet atje, Shoqata Gjermane për Alergjinë dhe Astmën (DAAB), kohët e fundit njoftoi se «shoqërimi me njerëzit shkakton te 1 ndër 20 kafshë shtëpiake simptoma tipike alergjie, të tilla, si: njolla në lëkurë ose teshtitje të vazhdueshme». Shkaqet, në më të shumtën e rasteve, thuhet se janë rëniet e pllakëzave të lëkurës së njerëzve dhe sekrecionet e parazitëve të pluhurit që ushqehen në këto pllakëza. Në rast se një kafshë shtëpiake, në mënyrë të vazhdueshme kruhet, lëpihet ose shkul qimet kur nuk ka pleshta, i zoti mund të kuptojë që kafsha është alergjike ndaj njerëzve. Dhe nëse, kur ndryshon mjedis ose nuk rri më me të zotin, shihen përmirësime, atëherë kjo është një dëshmi e mëtejshme. Thuhet, gjithashtu, që ushqimi dhe poleni shkaktojnë alergji te kafshët. DAAB-i vërente, për shembull, se vitet e fundit kishte një rritje të numrit të kuajve me rrufën e barit.

Çfarë të bën «burrë të vërtetë»?

«Djemtë . . . besojnë ende se duke qenë të aftë në sport, duke veshur rroba të firmave të njohura dhe duke shmangur miqësitë e ngushta po japin shenja se janë ‘burra të vërtetë’, kurse të punosh shumë nuk është ‘burrërore’,​—raporton gazeta Independent e Londrës.​—Djemtë i respektojnë shokët e klasës që janë mbizotërues, komandues dhe që shajnë shumë. Adoleshentët që nuk i përshtaten këtij stereotipi rrezikojnë të ngacmohen ose të quhen homoseksualë.» Studimi i bërë nga Kolegji Birkbek i Universitetit të Londrës me djemtë e moshës 11 deri 14-vjeçare, në 12 shkolla të Londrës, tregoi se djemtë «pranuan që ‘sjellja burrërore’ e tyre i bënte shpesh të ndiheshin të izoluar dhe të frikësuar për të shprehur vetveten»,​—thotë gazeta. Profesori Stivën Frosh, i cili e drejtoi këtë studim, tha: «Djemtë kanë nevojë për mesazhe pozitive që për të qenë burrë nuk do të thotë të jesh i ashpër dhe të ndrydhësh ndjenjat e tua.»

Kritikohet Kryqi i Kuq

Pak kohë pas sulmeve të 11 shtatorit, Kryqi i Kuq amerikan filloi të vepronte duke kërkuar që të dhuronin para dhe gjak. U dhuruan në para në dorë rreth 850 milionë dollarë amerikanë dhe u grumbulluan 400.000 njësi gjaku. Ndërsa grumbullimi ishte i shpejtë, shpërndarja jo. Kryqi i Kuq amerikan ishte i ngadaltë për t’ua shpërndarë fondet e ndihmës familjarëve të prekur nga sulmet,​—thotë The Washington Times.​—Fondet e ndihmës po përdoreshin për programe që nuk kishin lidhje me 11 shtatorin», dhe një pjesë e madhe u caktua «për nevoja afatgjata, si: programi për ngrirjen e gjakut, për këshillimin dhe për sulme të ardhshme». Me nevojat e pakta që ka për gjakun e grumbulluar dhe kur përfundon periudha e tij 42-ditore për t’u ruajtur, ai «është i papërdorshëm dhe duhet djegur»,​—thotë artikulli. Mjetet e informimit raportuan se këshilli drejtues i Kryqit të Kuq, i mbytur nga kritikat e shumta, pushoi presidenten e tij dhe njoftoi në fund të janarit 2002 se 90 për qind e fondeve të grumbulluara do t’u shpërndahen viktimave të katastrofës së 11 shtatorit 2001.

Shkatërrime natyrore vdekjeprurëse

«Shkatërrimet natyrore shkaktuan të paktën 25.000 vdekje në të gjithë botën në vitin 2001, që janë më shumë se dyfishi i vitit para tij»,​—thotë një raport i Reuters. Sipas Mynih Re, kompanisë më të madhe të risigurimeve, humbjet ekonomike arritën në 36 miliardë dollarë amerikanë​—shumë më tepër sesa ato që erdhën si pasojë e sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Dy të tretat e 700 shkatërrimeve më të mëdha përfshinin stuhitë dhe përmbytjet. Kushtet ekstreme të motit janë fajësuar për ndryshimin e vazhdueshëm të klimës në shkallë botërore. «Zjarret e pyjeve në Australi, përmbytjet në Brazil dhe në Turqi, reshjet e mëdha të dëborës në Evropën Qendrore dhe Jugore dhe një tajfun në Singapor, i cili metereologjikisht u mendua si i pamundur, janë që të gjithë tregues për një lidhje që ekziston midis ndryshimeve në klimë dhe një rritjeje të katastrofave të motit»,​—thoshte kompania. Ajo vërente se viti 2001 ishte viti i dytë më i nxehtë qëkurse filluan të mbaheshin të dhënat, 160 vjet më parë. Tërmetet shkaktuan vdekjet më të shumta​—më shumë se 14.000 prej tyre vetëm në janar, që ndodhën si pasojë e një tërmeti që ra në Indi. Gjithsej gjatë vitit u numëruan 80 tërmete të mëdha.

Rripat e sigurimit të prapmë shpëtojnë jetë

«Pasagjerët që nuk vendosin rripin e sigurimit në pjesën e prapme të makinave, bëjnë që udhëtarët e përparmë, të cilët i kanë vënë rripat e sigurimit, të jenë në një rrezik pesë herë më të madh për të vdekur në një përplasje»,​—raporton The Guardian e Londrës. Në një studim të bërë duke u bazuar në të dhënat e më shumë se 100.000 aksidenteve me makinë gjatë një periudhe pesëvjeçare në Japoni, kërkuesit në Universitetin e Tokios zbuluan se afro 80 për qind e vdekjeve të pasagjerëve të ulur në pjesën e përparme e që e kishin vënë rripin e sigurimit mund të ishin shmangur në qoftë se pasagjerët e prapmë do të kishin përdorur rripat e sigurimit. Në një përplasje, pasagjerët e palidhur shkojnë përpara me një forcë të tillë, saqë personat e ulur përpara vihen në një rrezik shumë më të madh për t’u plagosur seriozisht ose madje për të vdekur. Ndonëse që nga viti 1991 rripat e sigurimit në pjesën e prapme të makinave kanë qenë diçka e detyrueshme në Britani, studimet tregojnë se rreth 40 për qind e të rriturve atje ende nuk i përdorin.

Rreziku i ndotjes së ajrit në Azi

«Në Indi, më shumë se 40.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të ndotjes së ajrit»,​—thotë revista e mjedisit Down to Earth. Kërkimi i drejtuar nga Banka Botërore dhe nga Instituti i Mjedisit në Stokholm, tregoi se ndotja e ajrit në Azi ia kalon tej mase asaj të Evropës dhe të Amerikës të marra së bashku dhe është përgjegjëse për mijëra vdekje në Seul, Pekin, Bankok, Xhakartë dhe Manilë. Në Manilë, për shembull, vdesin çdo vit më shumë se 4.000 njerëz si pasojë e sëmundjeve të frymëmarrjes, ndërsa 90.000 vuajnë nga bronkiti i rëndë kronik. Shkalla e vdekshmërisë është edhe më e lartë në Pekin dhe Xhakartë. Problemi i vjen nga «përdorimi i karburantit me cilësi të ulët, metodave të paefektshme të prodhimit të energjisë, përdorimit të automjeteve në gjendje të prishur dhe trafikut të dendur»,​—thotë revista.

Përfitime nga kalimi në euro

Me kalimin në monedhën euro Kisha Katolike italiane ka «përfituar nga rasti që lira ka dalë nga qarkullimi, për të përballuar mungesën e kontributeve, duke rrumbullakosur çmimet e saj»,​—thotë Corriere della Sera. Selia e Romës u dërgoi një qarkore të gjitha famullive të saj për të «rregulluar ‘listën e çmimeve’. Oferta për të kryer një meshë, e cila më parë ishte vetëm 15.000 lira, rritet në 10 euro (19.363 lira). Oferta maksimale për një martesë, e cila më parë ishte 450.000 lira, rritet në 270 euro (523.000 lira)». Qarkorja specifikon, megjithatë, që «kjo shifër u referohet martesave të ‘atyre që s’janë anëtarë të famullisë’, kurse anëtarëve të famullisë u lihet dorë e lirë për sasinë e ofertës, siç bëhet për pagëzimet dhe për funeralet». Megjithatë priftërinjtë e famullive në Romë ndeshen ende me problemin që i gjejnë kutitë e grumbullimit të parave në mënyrë të dëshpërueshme bosh, ndoshta si pasojë e «njëfarë kurnacërie midis anëtarëve të kishës, bashkë me një rënie të numrit të të pranishmëve»,​—thotë gazeta.