Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i bëni ballë një shoqërie që hedh çdo gjë?

Si t’i bëni ballë një shoqërie që hedh çdo gjë?

Si t’i bëni ballë një shoqërie që hedh çdo gjë?

«NË NATYRË . . . nuk ekziston çuarja dëm e gjërave.» Sipas revistës Time, ky është opinioni i një eksperti të respektuar në riciklimin e mbeturinave. Ai e kishte fjalën për mënyrën e jashtëzakonshme me anë të së cilës lëndët pa jetë ose të panevojshme të një pjese të ekosistemit përdoren gjithnjë për dobinë e pjesëve të tjera. Me sa thuhet po ky ekspert mendon se «njerëzimi mund të imitojë mënyrat e natyrës për eliminimin e plehrave, por kjo do të kërkonte një teknologji të përparuar dhe një ndryshim të madh në qëndrimin e njerëzve».

Shumica prej nesh ndoshta mund të bëjmë pak gjë për të zhvilluar ndonjë teknologji të re të përparuar. Por mund të kontrollojmë qëndrimet tona. Qëndrimi i drejtë ndaj disa parimeve kryesore të sjelljes së mirë do të na ndihmojë t’i bëjmë ballë më mirë problemeve kur jetojmë në një shoqëri që hedh çdo gjë.

Mos i çoni dëm gjërat

Një në çdo pesë veta mbi tokë shkon në shtrat i uritur. Duke e ditur këtë gjë duhet të na ngulitet nevoja që të çmojmë ushqimin dhe të mos e çojmë dëm atë. Një çift të cilët u kthyen në Evropë pasi kishin qenë 28 vjet në një vepër misionare në Afrikë thanë se një nga problemet më të mëdha që hasën në vendin e tyre ishte që t’i bënin ballë «mënyrës se si njerëzit e çonin dëm ushqimin duke e hedhur».

Prindërit e mençur i mësojnë fëmijët që të hedhin në pjatë vetëm aq ushqim sa mund të hanë. Duke vepruar në këtë mënyrë bëjnë më pak plehra dhe çojnë më pak ushqim dëm. Është më mirë që në fillim të marrin një racion të vogël para se të kërkojnë një tjetër. Natyrisht që prindërit duhet të lënë shembullin. Jezui na la një shembull për të gjithë duke treguar çmueshmëri të vërtetë për ushqimin nga Perëndia, si atë të mirëfilltë, ashtu edhe atë frymor. Bibla tregon se Jezui duke treguar kujdes nuk e çoi dëm ushqimin​—edhe pse ishte siguruar me bollëk me anë të një mrekullie!​—Gjoni 6:11-13.

Parimi që të mos i çojmë dëm gjërat mund të zbatohet edhe për rrobat, mobiliet dhe makinat. Kur i mbajmë gjërat në gjendje të mirë me anë të riparimeve dhe kur i përdorim për një kohë sa më të gjatë që është e përshtatshme tregojmë se i vlerësojmë gjërat që kemi. Nuk duhet të biem viktima të botës së reklamave e cila përpiqet të na bëjë të ndihemi të pakënaqur me gjërat që kemi duke na ofruar diçka më të madhe, më të mirë, më të shpejtë, më të fortë. Sigurisht që kemi çdo të drejtë për t’i zëvendësuar gjërat që janë ende të përdorshme. Por përpara se ta bëjmë këtë, do të ishte mirë që t’u bënim një shqyrtim qëndrimeve dhe arsyeve tona.

Të shmangim lakminë

Kur po udhëtonin përmes shkretëtirës gjatë rrugës për në Tokën e Premtuar, izraelitëve iu dha ushqimi në trajtën e manës. Sipas asaj që tregon Bibla, mana u dha në sasi të mjaftueshme. Megjithatë, izraelitët u paralajmëruan që të mos bëheshin lakmitarë; duhej të merrnin vetëm aq sa për nevojat e tyre të çastit. Ata që nuk u bindën zbuluan se lakmia nuk u solli dobi, pasi mana e mbetur zuri krimba dhe filloi të vinte erë e qelbur. (Eksodi 16:16-20) Me terma të qartë Bibla dënon me forcë dhe në mënyrë të përsëritur lakminë.​—Efesianëve 5:3.

Bibla nuk është e vetmja që paraqet këtë pikëpamje. Për shembull Seneka, një filozof dhe dramaturg romak i shekullit të parë, pranoi se një individ lakmitar nuk ngopet kurrë. Ai vërejti: «Për lakminë e gjithë natyra do të ishte tepër e vogël.» Erik From, filozof i shekullit të 20-të, arriti në të njëjtin përfundim: «Lakmia është një pus pa fund, e cila e sfilit individin në një përpjekje të pafund për të kënaqur nevojat pa arritur kurrë kënaqësi.» Shumë njerëz, përveçse t’i shmangen lakmisë dhe të mos çojnë gjërat dëm, kanë zgjedhur të bëjnë disa hapa pozitivë.

Të mësojmë të ndajmë me të tjerët

Para se të hidhni gjëra që janë ende në gjendje të mirë, mendoni se kush mund të jetë i lumtur po t’i ketë ato. Për shembull, kur fëmijëve nuk u vijnë më rrobat, a mundet që t’i përdorin ende fëmijë të tjerë edhe pse janë të përdorura? A mund të bëni të njëjtën gjë me gjërat që zotëroni të cilat janë ende me vlerë, por që nuk i përdorni më po aq sa dikur? Ndani gëzimin që keni provuar nga një send, duke ia dhënë atë një tjetri. Autori dhe humoristi amerikan Mark Tuejni një herë shkroi: «Për të arritur vlerën e plotë të gëzimit duhet të keni dikë me të cilin ta ndani.» Ndoshta e keni provuar se kur e ndani gëzimin ai ju dyfishohet. Veç kësaj, kur veproni në këtë mënyrë, u kundërpërgjigjeni ndikimeve negative të një mentaliteti «hidhe se s’prish punë».

Të ndash me të tjerët është një virtyt që Bibla e rekomandon shumë. (Luka 3:11; Romakëve 12:13; 2 Korintasve 8:14, 15; 1 Timoteut 6:18) Vërtet, bota do të ishte shumë më e mirë sikur të gjithë njerëzit në të të ishin të gatshëm për të ndarë!

Të kënaqemi me gjërat më të nevojshme

Ai që kënaqet me atë që ka është njeri i lumtur. Kjo është një e vërtetë universale. Një fjalë e urtë greke thotë: «Asgjë nuk do ta kënaqë atë që nuk kënaqet me pak.» Ndërsa japonezët thonë: «I varfër është ai që nuk ndihet i kënaqur.» Për këtë gjë flitet shumë mirë edhe në Bibël. Aty lexojmë: «Sigurisht, devocioni hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi është një mjet për fitim të madh. Sepse asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj. Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.»​—1 Timoteut 6:6-8; Filipianëve 4:11.

Natyrisht, që të kënaqemi me atë që kemi mund të kërkohet ‘një ndryshim i madh në qëndrimin e njerëzve’. Kohët e fundit, një grua e re me emrin Suzana kuptoi se duhej të bënte një ndryshim të tillë. Ajo tha: «Vendosa se meqë nuk mund të kisha gjithçka që dëshiroja, duhej të mësohesha të kënaqesha me atë që kisha. Tani jam e lumtur dhe e kënaqur.»

Të kënaqemi me gjërat që kemi sjell vërtet lumturi. Profesori Argir Hadjihristevi, një ekspert bullgar për plakjen, thotë: «Para së gjithash, e keqja kryesore është kur një njeri nuk kënaqet me atë pak që ka.» Duke folur për dobitë e shëndetit kur kënaqemi me atë që kemi, ai shton: «Njeriu që nuk përpiqet të jetojë më mirë sesa i afërmi i tij, që nuk përpiqet gjithmonë për të pasur sa më shumë, jeton pa ndjenjën e konkurrencës dhe si rrjedhim pa stres. Dhe kjo bën mirë për nervat.»

Po, një shoqëri që hedh çdo gjë nuk mund të sjellë kurrë lumturi të vërtetë. Aq më shumë nuk mund të sjellë një mentalitet «hidhe se s’prish punë»! Duket se gjithnjë e më shumë njerëz po fillojnë ta kuptojnë këtë. Po ju?

[Figura në faqen 9]

Fëmijët duhen mësuar se si të mos e çojnë dëm ushqimin

[Figura në faqen 9]

Jezui la një shembull të shkëlqyer për të mos i çuar dëm gjërat

[Figura në faqen 10]

Gjërat që nuk i përdorni, në vend që t’i hidhni, përse të mos ua jepni të tjerëve