Familjet me një prind po shtohen
Familjet me një prind po shtohen
«Shumë net i lutesha Perëndisë me lot dhe i thosha: ‘Nuk e di se ç’të bëj nesër.’»—GLORIA, NJË NËNË E VETME QË KA TRE FËMIJË.
SOT në shumë shoqëri, familjet me një prind janë bërë një veçori e dukshme dhe e vazhdueshme. * Ndërkohë që struktura tradicionale, e përbërë nga burri, gruaja dhe fëmijët, po zëvendësohet nga forma të tjera të jetës familjare, demografë dhe sociologë në shumë vende të botës përpiqen të gjejnë shkakun.
Profesori i sociologjisë Sajmon Danken dhe profesoresha Rozalinda Eduards komentojnë se «ndryshime afatgjata po ndodhin në strukturën e familjes dhe në marrëdhëniet midis sekseve». Por, përse ndodh kështu? Disa vëzhgues thonë se kjo është pasojë e zgjedhjeve që bëjnë njerëzit lidhur me mënyrën se si e jetojnë jetën brenda një ambienti ndryshimesh ekonomike, kulturore dhe shoqërore.
Le të shqyrtojmë disa prej këtyre ndryshimeve si dhe zgjedhjet që njerëzit bëjnë. Presionet e jetës ushtrojnë një ndikim të fuqishëm në jetën e njerëzve. Ajo që ndodh jashtë mureve të shtëpisë së tyre, ndikon tek ata në çdo orë të ditës. Koha që më parë përdorej për aktivitetet e familjes, tani kalohet duke kërkuar në Internet, përpara televizorit, në telefon, në makinë, duke rendur sa në një aktivitet në tjetrin.
Gjithashtu, presionet ekonomike ushtrojnë një ndikim të fuqishëm. Komoditetet e botës moderne e kanë një çmim, kështu që numri i prindërve që iu duhet të punojnë po rritet. Jeta në një shoqëri ku është e mundur të ndryshosh punën ose vendbanimin ka bërë që shumë njerëz të jetojnë e të punojnë *
larg mbështetjes së rrethit familjar, dhe madje në disa raste edhe larg bashkëshortes. Në shumë vende muzika, filmat dhe zbavitjet e përhapura po i keqësojnë edhe më shumë gjërat, pasi ato përqendrohen në uljen e vlerave të institucioneve që sjellin një ndjenjë qëndrueshmërie, siç janë martesa dhe familja.Nëna e vetme e ditëve tona
Modeli i vjetër i nënave adoleshente të pamartuara, që në vendet e zhvilluara jetonin me përkrahje sociale, nuk u përshtatet medoemos nënave të vetme të kohës sonë. Të jesh nënë e pamartuar, tani nuk është diçka dhe aq e turpshme, madje paraqitet si diçka tërheqëse nga njerëzit e famshëm që imitohen nga të tjerët. Përveç kësaj, shumë gra janë më tepër të arsimuara dhe më të afta për të mbajtur veten, kështu që martesa nuk përbën më një kusht ekonomik për të qenë nënë.
Disa nëna të vetme, sidomos ato që janë rritur nga prindër të divorcuar, qëndrojnë të pamartuara, sepse nuk duan që t’i bëjnë fëmijët e tyre të provojnë dhimbjen që ndien, kur sheh njërin prind të braktisë familjen. Disa gra të tjera bëhen nëna të vetme për shkak se i braktisin, jo sepse zgjedhin të jenë të tilla. «Të jesh prind i vetëm zakonisht nuk është çështje e një zgjedhjeje egoiste apo të vullnetshme,—pohon Fondacioni Britanik Xhozef Rauntri,—dhe fëmijët në familjet me një prind nuk janë të lënë pas dore dhe të padisiplinuar.»
Megjithatë, përhapja e madhe e familjeve me një prind përbën shqetësim, sepse prindërit e vetëm dhe fëmijët e tyre mund të vuajnë nga stresi emocional, problemet ekonomike dhe një gjendje shoqërore e pafavorshme. Disa mund të pyesin veten nëse është e mundur që një prind i vetëm t’i rritë fëmijët me sukses. Cilat janë disa nga sfidat e veçanta që hasin familjet me një prind? Si mundet një e krishterë që është prind i vetëm ta përballojë me sukses detyrën e vështirë të rritjes së fëmijëve?
[Shënimet]
^ par. 3 Sociologët vënë në dukje se numri i nënave të vetme ‘e tejkalon shumë atë të baballarëve të vetëm’. Për këtë arsye, këta artikuj flasin kryesisht për familje me nëna të vetme. Megjithatë, parimet e trajtuara zbatohen njësoj edhe për baballarët e vetëm.
^ par. 6 Për një shqyrtim të hollësishëm të sfidave kryesore që hasin nënat, shih «Të jesh nënë: A kërkon aftësi mbinjerëzore», në numrin e Zgjohuni! prill 2002.
[Kutia në faqen 4]
Disa përkufizime
Përreth botës, për nënat që i rritin fëmijët të vetme përdoren terma të ndryshëm. Në disa vende, termi «nënë e pamartuar» u referohet nënave që nuk janë martuar kurrë, kurse në vende të tjera termi «nënë e vetme» përfshin një grup të tërë nënash që po i rritin fëmijët pa një partner në shtëpitë e tyre. Këto nëna mund të jenë të divorcuara, të ndara, vejusha ose që nuk kanë qenë kurrë të martuara.
Në këtë seri artikujsh, termat «prind i vetëm» dhe «nënë e vetme» u referohen prindërve që i rritin fëmijët pa pasur një bashkëshort.
[Kutia dhe harta në faqet 4, 5]
PRINDËRIT E VETËM—NJË PRIRJE NË SHUMË VENDE
Shtetet e Bashkuara: «Gjatë periudhës së viteve 1970-2000, numri i nënave të vetme u rrit nga 3 milionë në 10 milionë, ndërsa ai i baballarëve të vetëm u rrit nga 393.000 në 2 milionë.»—Zyra e Regjistrimeve në Shtetet e Bashkuara.
Meksikë: Sipas gazetës La Jornada, nënat adoleshente zënë rreth 27 për qind të numrit të përgjithshëm të shtatzënive në vend.
Irlandë: Përqindja e familjeve me një prind u rrit nga 5,7 që ishte në vitin 1981 në 7,9 në vitin 1991. «Prishja e martesës mbetet një faktor i rëndësishëm që sjell si pasojë familjet me nëna të vetme.»—Libri Single Mothers in an International Context (Nënat e vetme në një kontekst ndërkombëtar), 1997.
Britani: «Numri i familjeve që drejtohen nga një prind i vetëm, për herë të parë e ka tejkaluar shifrën 25 për qind. Kjo gjë pasqyron një rritje të jashtëzakonshme të numrit të nënave që nuk janë martuar kurrë dhe një rritje domethënëse të përqindjes së divorceve gjatë 30 viteve të kaluara.»—Gazeta The Times e Londrës, 2 mars 2000.
Francë: «Që nga fundi i viteve 70, numri i familjeve me një prind është rritur më shumë se 50 për qind.»—Single Mothers in an International Context, 1997.
Gjermani: «Numri i prindërve të vetëm është dyfishuar gjatë dy dekadave të kaluara. Pothuajse të gjitha familjet me një prind . . . kanë vetëm nënën.»—Single Mothers in an International Context, 1997.
Greqi: «Që nga viti 1980, numri i nënave të pamartuara në [Greqi] është rritur rreth 29,8 për qind. Sipas të dhënave të marra nga Bashkimi Evropian, në vitin 1997 përqindja e fëmijëve të lindur jashtë martesës ishte 3,3, kurse në vitin 1980 ajo ishte vetëm 1,1 për qind.»—Gazeta Ta Nea e Athinës, 4 shtator 1998.
Japoni: ‘Familjet me nënë të vetme janë shtuar që nga vitet 70.’ Në vitin 1997, 17 për qind e të gjitha familjeve kishin vetëm nënën.—Single Mothers in an International Context, 1997; The World’s Women 2000: Trends and Statistics.
Australi: Pothuajse një në katër fëmijë jetojnë vetëm me njërin nga prindërit natyrorë. Zakonisht kjo është pasojë e prishjes së martesave të prindërve. Është përllogaritur se numri i familjeve me një prind do të rritet 30 deri në 66 për qind gjatë një periudhe 25-vjeçare.—Zyra Australiane e Statistikave.