Ku shkon uji?
Ku shkon uji?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI
PANIK! Ky ishte reagimi im i parë. Një lëng ngjyrë gri që dilte nga tubacioni i dyshemesë së banjës, rrezikonte ta kthente apartamentin tim në një moçal me erë të keqe. Menjëherë, i telefonova për ndihmë hidraulikut. Ndërsa prisja i dëshpëruar, me gojën të tharë nga nervozizmi dhe ndërkohë që uji më futej ngadalë në çorape, pyesja veten: «Nga doli gjithë ky ujë?»
Ndërkohë që ishte shumë i zënë, pasi punonte me durim për të zhbllokuar tubacionin, hidrauliku shpjegoi: «Një banor i zakonshëm i qytetit harxhon 200 deri në 400 litra ujë në ditë. Çdo burrë, grua dhe fëmijë së bashku derdhin në tubacion rreth 100.000 litra në vit.» Unë e pyeta: «Si është e mundur të harxhoj kaq shumë ujë? Patjetër që nuk e pi!» «Jo,—m’u përgjigj ai,—por çdo ditë ju bëni dush ose banjë, shpëlani banjën dhe ndoshta përdorni makinën larëse për rrobat ose për enët. Në këto mënyra dhe në të tjera, stili modern i jetës bën që ne të harxhojmë dyfishin e sasisë së ujit që harxhonin gjyshërit tanë.» Papritur, në mendje më lindi pyetja: «Ku shkon i gjithë ky ujë?»
Zbulova se mënyrat e trajtimit të ujit që ne derdhim çdo ditë ndryshojnë shumë në varësi të vendit, madje dhe të qytetit ku jetojmë. Në disa vende tani kjo është një çështje për jetë a vdekje. (Shih kutitë në faqen 27.) Ejani me mua të vizitojmë sistemin vendas të trajtimit të ujërave që derdhim dhe të zbuloni vetë se ku shkon i gjithë uji dhe përse ia vlen të mendoheni mirë përpara se të hidhni gjëra në tubin e shkarkimit të ujërave të zeza ose në wc, pavarësisht nga vendi ku jetoni.
Në brendësi të sistemit
E di që ju po mendoni se sistemi i trajtimit të ujërave të zeza nuk është një vend tërheqës për t’u vizituar. Kështu mendoj edhe unë. Megjithatë, shumica prej nesh varet nga ky sistem, i cili nuk lejon që qyteti ynë të mbulohet nga mbeturinat, dhe ne të gjithë bëjmë pjesën tonë për ta ndihmuar atë të funksionojë siç duhet. Vendmbërritja jonë është sistemi kryesor i trajtimit në Malabar, pikërisht në jug të portit të famshëm të Sidneit. Ç’rrugë ndjek uji që del nga banja ime për t’u futur në sistem?
Kur shkarkoj wc-në, zbraz lavamanin ose bëj një dush, uji niset për në sistemin e trajtimit. Pasi bën një udhëtim prej 50 kilometrash, ky ujë bashkohet me 480 milionë litra që vërshojnë çdo ditë në sistem.
Duke shpjeguar arsyen përse ky sistem nuk është i pakëndshëm për sytë apo për të nuhaturit, Rosi, nëpunësi i sistemit për lidhjet me komunitetin, më tha: «Një pjesë e madhe e sistemit ndodhet nën tokë. Kjo gjë bën të mundur që ne t’i bllokojmë gazrat dhe t’i drejtojmë në filtrat e ajrit (një varg oxhakësh gjigantë në formën e kazanëve) që eliminojnë erërat e këqija. Pastaj, ajri i pastruar lëshohet në atmosferë. Megjithëse mijëra shtëpi ndodhen rreth sistemit gjatë një viti marr vetëm nja dhjetë telefonata ankimi
për problemet e erërave të këqija.» Në mënyrë të pashmangshme, vendi tjetër në të cilin po na çon Rosi është burimi i këtyre «problemeve të erërave të këqija».Çfarë janë ujërat e pista?
Ndërsa zbresim më në thellësi të sistemit, udhërrëfyesi ynë na tregon: «Ujërat e pista përbëhen 99,9 për qind nga uji përveç jashtëqitjeve njerëzore, lëndëve kimike dhe gjërave të vogla të përziera. Ujërat e pista që vijnë nga shtëpitë dhe objektet industriale të një zone me sipërfaqe 55.000 hektarë, pasi përshkojnë një gjatësi prej 20.000 kilometrash tuba, futen në sistemin që ndodhet dy metra nën nivelin e detit. Këtu ato kalojnë nëpër një varg shoshësh që largojnë leckat, gurët, letrat dhe mbeturinat
plastike. Më tej, në ndarjet e zhavorrit, pjesa organike qëndron pezull në ujë me anë të flluskave të ajrit, kurse pjesët e ngurta më të rënda bien në fund. Të gjitha këto mbeturina inorganike mblidhen dhe çohen në një gropë plehrash. Pjesa që mbetet pompohet në lartësinë 15 metra në rezervuarët e sedimentimit.»Këta rezervuarë zënë një sipërfaqe afërsisht sa një fushë futbolli dhe pikërisht këtu në këtë vend mund të kuptojmë se sa shumë do të ankoheshin fqinjët nëse sistemi i pastrimit të ajrit nuk do të ishte aq i efektshëm sa duhet. Ndërkohë që uji rrjedh ngadalë nëpër rezervuarë, vaji dhe yndyra rrinë pezull në sipërfaqe dhe hiqen. Pjesët e imëta të ngurta, ose llumi, bien në fund dhe fletë të mëdha mekanike të pajisura me teh e largojnë llumin drejt vendit ku pompohet për një trajtim të mëtejshëm.
Ujërat e zeza të përpunuara derdhen në det nëpërmjet një tuneli shkarkimi të nëndheshëm tre kilometra të gjatë. Prej aty uji ngrihet në fundin e oqeanit dhe shpërndahet në det, 60 deri në 80 kilometra nën sipërfaqen e ujit. Rrymat e forta bregdetare i shpërndajnë ujërat e zeza dhe aftësia natyrore dezinfektuese e ujit të kripur përfundon procesin e trajtimit. Llumi që mbetet në sistemin e trajtimit pompohet për në rezervuarë të mëdhenj, të quajtur tretës anaerobë, ku mikroorganizmat e shpërbëjnë lëndën organike në gaz metan dhe në material më të qëndrueshëm.
Nga llumë në dhè
Duke psherëtirë i lehtësuar i shkoj pas Rosit ndërsa kthehemi në ajrin e freskët dhe së bashku ngjitemi në majën e njërit prej rezervuarëve hermetikë të llumit. Ai vazhdon: «Metani i prodhuar nga mikroorganizmat përdoret si burim energjie për gjeneratorët elektrikë dhe siguron mbi 60 për qind të energjisë për sistemin. Materiali i qëndrueshëm dezinfektohet dhe i shtohet gëlqere, duke e kthyer kështu në një përbërje të dobishme, të pasur me lëndë ushqyese për bimët, që quhet biosolid. Vetëm sistemi i trajtimit të ujërave të zeza në Malabar prodhon çdo vit 40.000 tonë biosolidë. Dhjetë vjet më parë, llumi i papërpunuar bëhej hi ose derdhej në oqean, kurse tani ai përdoret në mënyrë më dobiprurëse.»
Rosi më jep një broshurë që shpjegon: «Pyjet e [Uellsit të Ri Jugor] tregojnë për një rritje nga 20 deri në 35 për qind pas përdorimit të biosolidëve.» Gjithashtu ajo pohon se ‘prodhimi i grurit në tokat ku janë përdorur biosolidët është rritur deri në 70 për qind’. Vërej se përzierjet e biosolidëve tani janë të padëmshme dhe mund t’i përdor për të plehëruar lulet e kopshtit tim.
Larg syve, larg mendjes?
Në fund të udhëtimit tonë, drejtuesi më kujton se derdhja e bojrave, e pesticideve, e ilaçeve ose e vajrave në tubin e shkarkimit mund të sjellë si pasojë ngordhjen e mikroorganizmave në sistemin e trajtimit. Kjo gjë, nga ana e saj mund të shkaktonte një shkëputje në procesin e riciklimit. Ai thekson se ‘vajrat dhe yndyrat dalëngadalë bllokojnë arteriet e sistemeve hidraulike njësoj siç bllokojnë edhe arteriet e trupit tonë. Gjithashtu, pelenat, rrobat dhe gjërat plastike që hidhen në wc nuk largohen, por përkundrazi bllokojnë tubat’. Nga sa mësova, kuptova se hedhurinat mund t’i flakim larg syve tanë, por kur uji kthehet dhe del nga tubat, ato na vijnë menjëherë në mend. Kështu që, herën tjetër që do të bëni dush, do të shkarkoni wc-në ose do të zbrazni lavamanin, mendoni për rrugën ku do të kalojë uji.
[Kutia dhe figura në faqen 25]
Nga ujëra të pista në ujë të pijshëm
Miliona banorë të qarkut Orange—një zonë me reshje të pakta, në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara—nxjerrin dobi nga një zgjidhje e përparuar e problemit të ujërave të pista. Në vend të miliona litrave të ujërave të pista që derdheshin çdo ditë në oqean, tani shumica e tyre kthehet në rezerva uji. Për shumë vite, kjo gjë është bërë me anë të sistemit të trajtimit të ujërave të pista që derdhim. Pas trajtimit bazë, këtyre ujërave u bëhet një trajtim i dytë dhe më pas një i tretë. Ky proces përfshin pastrimin e ujit derisa ai të bëhet po aq i pastër, sa dhe uji i pijshëm i zakonshëm. Më pas, ai përzihet me ujin e thellësive dhe shkon në pellgjet ujore të nëndheshme. Atje, ai i mbush pellgjet dhe gjithashtu, pengon që uji i kripur të futet dhe të prishë rezervuarin e nëndheshëm. Deri në 75 për qind të nevojave të përgjithshme për ujë të këtij rajoni, plotësohen nga kjo rezervë nëntokësore.
[Kutia në faqen 27]
Pesë mënyra për të kursyer ujin
▪ Zëvendësojini guarnicionet që pikojnë—një rubinet që pikon mund të çojë dëm 7.000 litra ujë në vit.
▪ Sigurohuni që wc-ja juaj nuk pikon—mund të shpërdorohen 16.000 litra në vit.
▪ Instalojini dushit një kokë që nuk e shpërdoron ujin. Një kokë dushi e zakonshme derdh 18 litra në minutë, kurse nga një kokë me rrjedhje të vogël derdhen 9 litra në minutë. Një familje me katër veta do të kursente deri në 80.000 litra në vit.
▪ Nëse keni një banjë me një kasetë uji dyshe, kur është e mundur shtypni butonin e shkarkimit për gjysmë—kjo do të kursente më shumë se 36.000 litra në vit për një familje me katër veta.
▪ Instaloni në rubineta një aparat për gazimin e lëngjeve—ata janë relativisht të lirë dhe e çojnë pothuajse në gjysmë rrjedhjen e ujit, pa zvogëluar dobinë praktike të tij.
[Kutia në faqen 27]
Kriza botërore e ujërave të zeza
«Më shumë se 1,2 miliardë njerëz vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm të pastër, kurse 2,9 miliardë të tjerëve u mungojnë kushtet e duhura higjienike, duke sjellë si pasojë vdekjen e 5 milionë personave në vit, kryesisht fëmijë, nga sëmundjet që vijnë nga uji i ndotur.»—Forumi i Dytë Botëror i Ujit i mbajtur në Hagë, Hollandë.
[Diagrami dhe figurat në faqen 26]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Procesi i trajtimit të ujërave të pista në Malabar (Pamje e thjeshtuar)
1. Ujërat që derdhim futen në sistem
2. Shoshitja
3. Ndarjet e zhavorrit
4. Për në gropën e plehrave
5. Rezervuarët e sedimentimit
6. Për në oqean
7. Tretësit anaerobë
8. Gjeneratorët elektrikë
9. Rezervuar i biosolidëve
[Figurat]
Në rezervuarët e tretësve anaerobë llumi kthehet në pleh të dobishëm dhe në gaz metan
Gazi metan digjet për të përftuar elektricitet