Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një prind i vetëm, por jo i vetmuar

Një prind i vetëm, por jo i vetmuar

Një prind i vetëm, por jo i vetmuar

«Kur fëmijët vijnë në shtëpi, më përqafojnë dhe më thonë që më duan, kjo është pjesa më e bukur e të qenët nënë.»​DORIS, NJË NËNË E VETME ME DY FËMIJË.

PRINDËRIT e vetëm mund të gjejnë siguri në deklaratën e Biblës: «Fëmijët janë një bekim dhe një dhuratë nga ZOTI.» (Psalmi 127:3, Contemporary English Version) Fëmijët që rriten në një familje me një prind nuk janë më pak të çmuar në sytë e Perëndisë. Krijuesi ynë dëshiron t’i shohë familjet me një prind që të kenë sukses. Bibla thotë për të: «Ndihmon jetimin dhe gruan e ve.» (Psalmi 146:9) Prindërit e vetëm mund të jenë të sigurt që Perëndia është gati për t’i ndihmuar.

Një fëmijë ka të drejtë të rritet në një ambient me dashuri, të sigurt dhe të mbrojtur, që do ta lejojë të zhvillohet fizikisht, emocionalisht dhe frymësisht. Është detyrë dhe privilegj i çdo prindi të përdoret nga Perëndia për të stërvitur një fëmijë.

Shumë prindër të vetëm kanë zbuluar se për të qenë i suksesshëm duhen lutje këmbëngulëse, zbatim i vazhdueshëm i parimeve biblike dhe një mbështetje e plotë tek Jehovai. Kjo është në harmoni me Psalmin 55:22, i cili na nxit: «Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë.»

Nganjëherë, gjyshërit, pleqtë e kongregacionit dhe prindërit me përvojë në kongregacionin e krishterë mund të tregohen të gatshëm që të ndihmojnë një familje me një prind për t’ia dalë mbanë në situata sprovuese. Vërtet, pjesëtarët e familjes dhe bashkadhuruesit mund të jenë një ndihmë e madhe ndaj përpjekjeve të prindërve të vetëm, por në fund të fundit, përgjegjësia e dhënë nga Perëndia u mbetet prindërve. *

Lumturisht, shumë prindër të vetëm ia kanë dalë mbanë me sukses të përballojnë sfidat e pashoqe të situatës në të cilën gjenden dhe të rritin fëmijë të përgjegjshëm, të sjellshëm dhe me frikë Perëndie. Zgjohuni! foli me disa prej tyre. Ja disa nga gjërat që këta prindër i kanë të përbashkëta.

Drejtim i mirë i shtëpisë. Prindërit e vetëm të suksesshëm përpiqen të jenë të organizuar mirë dhe punojnë shumë për të bashkërenduar programet. Planifikimi i duhur dhe organizimi janë të domosdoshëm. Bibla thotë: «Planet e atij që ngulmon bëhen me siguri për përfitim.»​—Fjalët e urta 21:5, BR.

Angazhim. Prindërit e vetëm të suksesshëm e bëjnë jetën familjare një prej gjërave që kanë më shumë përparësi. Ata përqendrohen në vënien e interesave të fëmijëve përpara interesave të tyre.​—1 Timoteut 5:8.

Një trajtim i ekuilibruar. Prindërit e vetëm të suksesshëm as nuk i zvogëlojnë dhe as nuk i zmadhojnë problemet, ata kërkojnë zgjidhjet. Ata i pranojnë vështirësitë dhe përpiqen t’i përballojnë ato pa u vetëmëshiruar dhe pa hidhërim.

Komunikim i mirë. Prindërit e vetëm të suksesshëm nxitin komunikimin. Ata inkurajojnë shprehjen e qartë dhe të hapur të mendimeve dhe të ndjenjave në familje. Një baba i vetëm thotë për fëmijët e tij: «Flas me ta në çdo rast. Ne kemi ‘çaste ngrohtësie familjare’ kur përgatitim drekën. Pikërisht në ato momente ata më flasin me mirëbesim.»

Kujdesi për veten. Pavarësisht nga përgjegjësitë që marrin kohën e tyre, prindërit e vetëm të suksesshëm e pranojnë se kujdesi për nevojat e veta frymore, emocionale dhe fizike është i rëndësishëm. Ethela, një nënë e vetme e divorcuar, me dy fëmijë, shpjegoi: «Përpiqem të rezervoj ca kohë për veten. Për shembull, kam një orë për t’ia kushtuar vetes, kur një shoqe iu jep fëmijëve mësime muzike. Ulem dhe televizorin e mbaj të fikur.»

Një qëndrim pozitiv. Prindërit e vetëm të suksesshëm mbajnë një pikëpamje pozitive për përgjegjësinë e të qenët prind dhe për jetën në përgjithësi. Ata shohin anë pozitive edhe në situatat stresuese. Një nënë e vetme thotë: «Kam arritur të kuptoj se të jesh një prind i vetëm nuk është krejtësisht negative.»

Përvoja të suksesshme

A janë të efektshme këto parime? Po, siç mund të vërehet nga përvoja të shumta të suksesshme të prindërve të vetëm. Gloria, një nënë e vetme në Angli, e divorcuar dhe që punon, e cila u përmend në artikullin e parë, rriti dy djem dhe një vajzë. Që të tre u bënë shërbëtorë të krishterë në kohë të plotë duke ia kushtuar jetën çuarjes përpara të arsimimit biblik. Kur e pyetën se si ia doli mbanë, Gloria shpjegoi: «Sfida e parë ishte të ngulmoja në mbajtjen e një studimi biblik familjar të rregullt e interesant. Doja që fëmijët të ishin të lumtur, të kishin paqe mendore, të ishin të kënaqur dhe të mbrojtur nga grackat. Gjeta një punë ku duhet të punoja natën. Qëllimi im ishte t’i kisha fëmijët pranë vetes kurdo që ishte e mundur. Përpara se të shkoja në punë, bënim një lutje si familje dhe i vija të flinin. Tezja ime qëndronte në shtëpi, kur unë isha në punë.»

Si arriti Gloria t’i ndihmonte fëmijët e saj që të vendosnin përparësitë e duhura? Ajo vazhdon: «Qëllimi im kryesor ishte të vendosnim gjërat frymore në vendin e parë. Ne nuk kishim shumë para dhe për këtë flisja hapur me fëmijët. Çfarëdo gjëje që iu kërkoja të bënin e bëja edhe vetë, dhe ata që të gjithë bashkëpunonin.» Duke sjellë ndër mend se si mbajti një familje të lidhur ngushtë, Gloria thotë: «Çelësi i suksesit ishte t’i bënim gjërat bashkë. Askush nuk mbyllej në dhomën e tij ose të saj. Ne gatuanim, pastronim dhe zbukuronim shtëpinë së bashku. I ekuilibronim aktivitetet tona. Gjithmonë sigurohesha që të kishim edhe kohë për zbavitje.»

Karolina, një nënë e vetme e një djali me emrin Xhozef, është e kënaqur me mënyrën se si po rritet ai. Cili është sekreti i saj? «Ne lexojmë Biblën së bashku kur shkojmë për të fjetur,​—thotë ajo,​—dhe pastaj e pyes rreth asaj që ka mësuar. Përveç kësaj, ne shqyrtojmë disa paragrafë të zgjedhur nga botime të bazuara në Bibël dhe shohim si mund t’i zbatojmë personalisht. Kjo e ndihmon Xhozefin kur përballet me probleme, siç janë ngacmimet nga ana e bashkëmoshatarëve.» Karolina pranon se jeta e saj, pa dyshim, nuk është e lehtë, por ajo nuk ndihet e vetmuar. Ajo pohon: «Është një betejë e vazhdueshme, por e ndiej që Jehovai më ka ndihmuar vërtet. Gjithashtu, marr shumë inkurajim nga kongregacioni i krishterë.»

Përvojat e suksesshme të mijëra prindërve të vetëm, si Gloria dhe Karolina, tregojnë se sot, për të rritur fëmijë të mbarë dhe të fortë frymësisht prindërit mund të mbështeten në parimet biblike të provuara nga koha. (Fjalët e urta 22:6) T’ia dalësh mbanë me sukses është diçka e mundur! Të jesh prind i vetëm paraqet shumë sfida që të japin mundësi për t’u pjekur dhe për të dhënë. Duke u mbështetur plotësisht te Perëndia dhe duke qenë të bindur se ai do të na ndihmojë, është mënyra më e mirë për t’u bërë ballë presioneve të të qenët prind i vetëm.​—Psalmi 121:1-3.

[Shënimi]

^ par. 6 Për informacion të mëtejshëm se si familjet me një prind mund t’ia dalin mbanë, shih Sekreti i lumturisë familjare, kapitulli 9, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqen 11]

Studimi familjar i Biblës i ka ndihmuar tre fëmijët e Glorias të bëhen shërbëtorë të krishterë në kohë të plotë. Këtu, ata po lexojnë një letër dhe po shohin një fotografi të dërguar nga djali më i madh, i cili tani shërben si misionar

[Figurat në faqen 12]

Karolina dhe djali i saj, Xhozefi