Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Imagjinoni një ujëvarë
Pagjumësia kronike, një problem i përhapur në gjithë botën, prek 1 në çdo 10 veta, raporton revista New Scientist. Shkencëtarët përllogaritin se, vetëm në SHBA, ajo i kushton ekonomisë 35 miliardë dollarë në vit për shkak të ditëve me raport dhe aksidenteve. Çfarë mund të bëjnë ata që vuajnë nga pagjumësia? Disa studiues në Universitetin e Oksfordit i kërkuan një grupi njerëzish që vuanin nga pagjumësia të përfytyronin një pamje çlodhëse dhe të këndshme, siç është një ujëvarë ose një vend pushimi i preferuar. Një grupi të dytë iu kërkua të numëronin dele imagjinare, që në disa vende këshillohet si një mënyrë për të të zënë gjumi, kurse ata të grupit të tretë i lanë të lirë ta zgjidhnin vetë mënyrën. Personat e grupit të dytë dhe të tretë i zuri gjumi pak më vonë se zakonisht, por ata të grupit të parë, i zuri gjumi mesatarisht mbi 20 minuta më shpejt se zakonisht. Alison Harvei, pjesëtare e ekipit të studiuesve, tha që numërimi i deleve nuk sjell dobi, se «është thjesht diçka fare pa interes, dhe si i tillë nuk mund të ketë efekt për largimin e shqetësimeve».
Pyjet që mjelin retë
Pyjet e lagështa tropikale të shiut, që rriten në lartësinë më shumë se 900 metra, mund t’u marrin «reve deri në 40 për qind ujë më tepër sesa sasia e matur në formën e reshjeve të shiut»,—thonë shkencëtarët australianë dr. Pol Redel dhe dr. Dejvid Mekxhanet. Sipas organizatës Commonwealth Scientific and Industrial Research, «retë e ulta, avujt dhe mjegulla qarkullojnë vazhdimisht nëpër pyll duke u kondensuar mbi pemë e prej aty rrjedhin ose pikojnë në tokë», duke u shtuar kështu miliona litra ujë lumenjve tropikalë. Megjithatë, «kur pyjet priten, sasia e lagështirës që arrin në tokë ulet ndjeshëm».
Konsum i pabarabartë
Njëzet për qind e popullsisë së botës tani konsumon 86 për qind të së mirave dhe të shërbimeve të botës, raporton The State of World Population 2001. Raporti i bërë nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, informon për «një ‘pabarazi konsumi’ të madhe «midis atyre që jetojnë në vendet e industrializuara dhe atyre që jetojnë në vendet në zhvillim. Për shembull, «sot, një fëmijë i lindur në një vend të industrializuar, gjatë jetës do të konsumojë gjëra dhe do të shkaktojë ndotje më shumë se 30 deri në 50 fëmijë të lindur në vendet në zhvillim. Aktualisht, një e pesta e njerëzve që jetojnë në vendet e industrializuara, prodhon më shumë se gjysmën e dyoksidit të karbonit që lëshohet në atmosferë, ndërkohë që një e pesta e atyre që jetojnë në vendet më të varfra prodhon vetëm 3 për qind»,—thotë raporti. Për më tepër, sipërfaqja e tokës prodhuese ose e detit, që nevojitet për të mbështetur stilin e jetës së një personi në vendet e pasura është pothuajse katër herë më e madhe se ajo e personit që jeton në vendet në zhvillim.
Brumbuj të zgjuar
Kohët e fundit, kërkuesit kanë zbuluar se si brumbujt e gjinisë Stenocara e sigurojnë ujin e pijshëm në shkretëtirën e Namibit, në jugperëndim të Afrikës. Për të mbijetuar në shkretëtirën ku zakonisht bie rreth një centimetër shi në vit, brumbujt e mbledhin ujin e pijshëm nga mjegulla e dendur që vjen në brendësi të vendit nga Oqeani Atlantik. Por, si arrijnë ta bëjnë këtë? Sipas revistës Natural History, «kurrizi i brumbujve është i mbuluar me gunga të vockla», të cilat në mikroskop «i ngjajnë një peizazhi me maja dhe lëndina». Majat e tërheqin ujin, kurse lëndinat e veshura me dyll e shtyjnë atë. «Duke u kthyer drejt erës, brumbujt e ngrenë pjesën e fundit të trupit ndërkohë që lagështira e mjegullës mblidhet mbi gungat. Pasi një pikë uji e mbledhur bëhet e rëndë sa duhet, ajo rrokulliset në gojën e insektit»,—thotë revista.
Shenjat e para të anoreksisë
«Prindërit mund t’i diktojnë fazat e para të anoreksisë ose të bulemisë tek fëmijët e tyre nga zakonet e tyre të ngrënies»,—raporton The Times e Londrës. Shoqata për Çrregullimet e të Ngrënit (EDA) ka botuar një udhëzues që i ndihmon prindërit dhe personat që kujdesen për dikë tjetër t’i dallojnë problemet e të ngrënit, përpara se të bëhen tepër serioze. Shenjat e para paralajmëruese mund të përfshijnë maninë për ta copëtuar ushqimin në copa tepër të vogla ose ndërprerjet prej pesë minutash nga njëra kafshatë në tjetrën. Disa nga ata me çrregullime në të ngrënë përdorin dredhi të tilla, si veshja e rrobave tepër të gjera për të fshehur ushqimin që nuk kanë ngrënë. Gjithashtu mund të kërkojnë që fotografitë ku ata duken të shëndetshëm dhe kanë pasur një peshë normale të mbahen fshehur. Udhëzuesi i EDA-s i këshillon prindërit të mos i shpërfillin këto shenja dhe të flasin hapur për ato që kanë vënë re.
Helm nga termometrat
«Mërkuri që gjendet në një termometër të vetëm mund të ndotë një liqen me sipërfaqe afro 4,4 hektarë, kurse termometrat e thyer i shtojnë çdo vit rreth 17 tonë mërkur sasisë së mbeturinave në Shtetet e Bashkuara»,—shkruan revista National Geographic. Peshqit e thithin mërkurin dhe si pasojë njerëzit që i hanë këta peshq e përvetësojnë këtë metal, i cili mund të shkaktojë dëme në sistemin nervor. Tashmë termometrat me mërkur janë ndaluar në shumë qytete, duke përfshirë Bostonin, në disa dyqane të të cilit ata do të zëvendësohen me termometrat dixhitalë dhe me aparate më pak të rrezikshme.
Ushtrime fizike në mënyrë të përkorë
«Është diçka e dobishme të praktikosh një ushtrim fizik rezistence (vrapim i lehtë, çiklizëm ose not) tri herë në javë për 30 minuta ose një orë»,—shkruan revista informative franceze L’Express. Por nëse doni të shmangni probleme të rënda shëndetësore, nuk duhet ta teproni me ushtrimet. Aktivitetet e tepërta sportive mund të shkaktojnë dobësim të kyçeve, dërrmim të kërceve, zgjatje të disqeve ndërvertebrore, thyerje të lehta të kockës nga presionet, tension të lartë, probleme të tretjes, një humbje të parakohshme të masës së kockave, madje edhe infarkt. «Çdo vit në Francë, ushtrimet e rënda fizike shkaktojnë vdekjen e papritur të 1.500 njerëzve me shëndet shumë të mirë që merren me sport»,—shkruan L’Express. Dr. Stefani Kaskua, një specialiste e mjekësisë sportive në spitalin Pitié-Salpêtrière në Paris, iu jep këtë këshillë shumë «njerëzve që merren me sport gjatë fundjavës» dhe që përfundojnë në spital për t’u rimëkëmbur: Ushtrohuni rregullisht, por vetëm deri në rreth 75 për qind të kapacitetit tuaj maksimal kardiovaskular.
Kërpudhat, pemët dhe potorot
Tani mendohet se potorot—marsupialë të rrallë që u ngjajnë minjve—në mënyrë të tërthortë janë përgjegjës për ekzistencën e disa prej pyjeve më mbresëlënëse të eukaliptëve në Australi, raporton revista informative The Bulletin e Sidneit. Potorot jetojnë mes pyjeve tepër të larta të rajonit të Gipslandit në Viktoria. Të paktën 90 për qind të dietës së tyre e zënë zhardhokët e kërpudhave vendëse, që rriten nën tokë. Kërpudhat që prodhojnë zhardhokët bashkëpunojnë me pemët përreth, duke formuar membrana rreth rrënjëve të pemëve dhe duke shtrirë një rrjetë të dendur fijesh të holla brenda në tokë për të mbledhur ujin dhe lëndët ushqyese. Nga ana e tyre, pemët iu sigurojnë kërpudhave sheqernat e prodhuara nga fotosinteza. Por, ç’rol luajnë potorot? Pasi gllabërojnë kërpudhat që kanë erë të fortë, këto kafshë me anë të jashtëqitjeve i shpërndajnë sporet e patretshme të kërpudhave në pyll. Kështu, kërpudhat, pemët dhe potorot vazhdojnë të shtohen.
Rreziku i deteve të zhurmshme
«Ekziston një frikë në rritje sipas së cilës, për balenat, delfinët dhe gjitarët e tjerë të detit oqeanet janë bërë një vend pështjellues, me kumbime e gumëzhitje»,—raporton gazeta e Londrës The Independent. Duke kërkuar shkaqet e ngordhjes së gjashtë balenave dhe të një delfini që kishin ngecur në bregun e Bahamas, kërkuesit zbuluan se ata kishin ngordhur për shkak të hemorragjisë së rëndë në tru, e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga transmetimi i ultratingujve të anijeve të flotës që ndodheshin afër. Anijet tregtare dhe të pasagjerëve, ndërtimet pranë bregut, motobarkat dhe motoçikletat e ujit janë faktorë të tjerë që ndikojnë në këtë gjendje të rëndë që iu është shkaktuar gjitarëve të detit, të cilët janë të ndjeshëm ndaj një game më të gjerë tingujsh, sesa njerëzit. «Kur balenat dhe delfinët zhyten, ajri i mushkërive ngjeshet në zgavrat e trupit,—shpjegon artikulli.—Këto flluska ajri mund t’i përforcojnë valët e tingujve deri në 25 herë. Kjo shkakton . . . një dëmtim tepër të madh të indeve, ndërkohë që tingujt mund të jenë shumë më të ulët dhe mund të ndikojnë në një zonë detare më të gjerë nga sa mendohej.» Gjithashtu, zhurma e oqeanit «zvogëlon largësinë e komunikimit dhe kjo nënkupton që balenave dhe delfinëve iu duhet të bërtasin me zë më të lartë,—thotë kërkuesi Dag Nouëçek.—Zhurma mund t’i pengonte të takoheshin dhe të çiftoheshin dhe nëse ata nuk mund të dëgjojnë më, nuk mund të orientohen.»