Sfidat e shumta të prindërve të vetëm
Sfidat e shumta të prindërve të vetëm
«Përjetoj lloj-lloj ndjenjash. Kaloj net duke qarë në banjë. E kam shumë të vështirë.»—XHANET, NJË NËNË E VETME ME TRE FËMIJË.
SHKAQET të cilat bëjnë që dikush të jetë prind i vetëm janë të shumta. Disa familje kanë mbetur vetëm me njërin prind për shkak të luftës, ndonjë fatkeqësie natyrore ose sëmundjes.
Prindërit e disa fëmijëve vendosin të mos martohen me njëri-tjetrin. Për shembull, në Suedi pothuajse gjysma e fëmijëve janë të lindur jashtë martese. Gjithashtu, divorci sjell familje me një prind. Studimet tregojnë se mbi 50 për qind e fëmijëve amerikanë, gjatë një periudhe të fëmijërisë së tyre, do të jetojnë në familje me një prind.
Të kuptojmë sfidat
Nënat që kanë mbetur të veja nga pak kohë kanë një barrë veçanërisht të rëndë për të mbajtur. Ato duhet të mbajnë mbi supe përgjegjësinë për familjet e tyre, ndërkohë që vuajnë për humbjen e shokut të jetës. Për t’iu përshtatur këtij roli mund të duhen muaj, madje edhe vite, ndërkohë që u duhet të përballojnë sfidat ekonomike dhe përgjegjësinë e ngushëllimit të fëmijëve. Nënat e veja mund ta kenë tepër të vështirë të mbajnë mbi supe këto përgjegjësi që u janë shtuar. Kjo mund të bëjë që një fëmijë të lihet pa kujdesin e duhur prindëror, në një kohë kur atij i nevojitet kaq shumë vëmendje dhe siguri.
Nënat e vetme që nuk janë martuar me baballarët e fëmijëve të tyre, shpesh janë tepër të reja dhe pa përvojë. Ato mund të mos kenë pasur mundësi për të përfunduar arsimimin e detyruar. Duke mos pasur kualifikimet e mjaftueshme për punë, ka më shumë të ngjarë që ato të jenë të varfra dhe të punësohen në vende pune me paga të ulëta. Pa ndihmën e të afërmve, siç mund të jenë prindërit e tyre, këto nëna kanë edhe përgjegjësinë për të siguruar kujdesin e duhur për fëmijët gjatë ditës. Nënat e pamartuara mund të jenë duke luftuar gjithashtu me probleme emocionale, siç mund të jenë ndjenjat e turpit dhe të vetmisë. Disa mund të kenë frikë se fakti që kanë një fëmijë nuk do t’i lejojë kurrë që të gjejnë një partner të përshtatshëm. Ndërsa fëmijët e këtyre familjeve rriten, edhe ata mund të vuajnë për shkak të pyetjeve pa përgjigje rreth së shkuarës dhe nga nevoja për t’u njohur nga prindi që mungon.
Në mënyrë të ngjashme, prindërit që kanë përjetuar divorcin gjenden nën një stres shumë të madh. Disa prindër mund të ndihen shumë të zemëruar për shkak të divorcit. Ndjenjat e respektit të paktë për veten dhe një ndjenjë e thellë e të qenët i refuzuar mund të bëjnë që disa prindër të mos jenë në gjendje t’u kushtojnë vëmendje nevojave emocionale të fëmijëve të tyre. Nënat, të cilave u duhet të hyjnë për herë të parë në tregun e punës, mund ta kenë të vështirë të përmbushin përgjegjësinë e administrimit të shtëpisë. Ato mund të ndihen sikur nuk kanë as kohën dhe as fuqinë për nevojat e veçanta
të fëmijëve, të cilët nga ana e tyre duhet të përballojnë ndryshimet dramatike pas divorcit të prindërve.Sfidat unike të prindërve të divorcuar
Prindërit e vetëm e kuptojnë se nevojat individuale të fëmijëve të tyre janë të ndryshme dhe ndryshojnë vazhdimisht. Për prindërit e vetëm të divorcuar, gjetja e mënyrave të arsyeshme për drejtimin frymor mund të paraqesë sfida të veçanta.
Për shembull, disa prindër të divorcuar që janë Dëshmitarë të Jehovait mund të mos e kenë kujdestarinë mbi fëmijët e tyre. Ata kanë kërkuar t’i kenë takimet me fëmijët e tyre, në kohën kur mund të ndjekin edhe një mbledhje të krishterë. Ky rregullim i takimeve do t’i krijonte fëmijës një kontakt të rregullt me kongregacionin e krishterë, i cili është mjaft dobiprurës për fëmijët e prindërve të divorcuar.
Është e nevojshme që prindërit e divorcuar, me më pak mundësi për takime të rregullta me fëmijët e tyre, të gjejnë mënyra për t’i siguruar fëmijët për dashurinë dhe përzemërsinë e tyre. Për të qenë i suksesshëm, prindi duhet të jetë i ndjeshëm ndaj nevojave emocionale të fëmijës, të cilat janë në ndryshim. Kjo është e nevojshme, sidomos kur fëmija hyn në adoleshencë dhe fillon të interesohet më shumë për aktivitetet shoqërore dhe shokët.
Gjithashtu, prindi i suksesshëm i kupton aftësitë e fëmijës, personalitetin dhe mënyrën e tij të të menduarit. (Zanafilla 33:13) Prindi dhe fëmija gëzojnë një shoqëri dhe bashkëbisedim të ngrohtë, të hapur e të afërt me njëri-tjetrin. Rrugët e komunikimit janë të hapura. Fëmija merr pjesë në jetën e prindit dhe prindi merr pjesë në jetën e fëmijës.
Nevoja për arsyetueshmëri
Pas një divorci, fëmijët nxjerrin dobi nga takimet e rregullta me të dy prindërit. Ta zëmë se prindërit kanë besime të ndryshme fetare, njëri është Dëshmitar i Jehovait, kurse tjetri jo. Komunikimi i rregullt dhe i hapur ndihmon për shmangien e konflikteve të panevojshme. Apostulli Pavël shkroi që «të kemi një reputacion si të arsyeshëm». (Filipianëve 4:5, Filips) Fëmijët duhen mësuar të respektojnë të drejtën që kanë që të dy prindërit, për të praktikuar fenë e tyre.
Prindi që nuk është Dëshmitar mund të këmbëngulë që fëmija të ndjekë shërbimet fetare në kishën e tij. Çfarë mund të bëjë nëna që është Dëshmitare e Jehovait? Edhe ajo mund të flasë me fëmijën për bindjet e veta fetare. Me kalimin e kohës, fëmija mund të marrë vendimin e tij lidhur me besimin, ashtu si Timoteu i vogël, të cilit nëna dhe gjyshja ka të ngjarë t’i kenë mësuar parimet biblike. (2 Timoteut 3:14,15) Nëse për fëmijën ndjekja e shërbesave fetare të një feje tjetër përbën një shqetësim, ndoshta ai mund të konsiderojë personazhin biblik Naamanin. Pasi u bë një adhurues i vërtetë, ai vazhdoi të plotësonte detyrat e tij duke shoqëruar mbretin, i cili adhuronte në tempullin e Rimonit. Ky tregim mund ta përforcojë sigurinë e fëmijës se Jehovai e do dhe e kupton, pavarësisht nga prania e tij në ceremoni fetare në të cilat nuk ndihet rehat.—2 Mbretërve 5:17-19.
Prindi i suksesshëm është në gjendje për të modeluar mënyrën e të menduarit të fëmijës ose të fëmijëve dhe t’i kuptojë ndjenjat e tyre. (Ligji i përtërirë 6:7) Është e vërtetë që prindërit që nuk kanë qenë kurrë të martuar mund të ndihen në siklet për mënyrën e tyre të mëparshme të jetesës. Megjithatë, këta prindër duhet të kujtojnë që fëmijët kanë dy prindër natyrorë. Fëmijët duan të dinë rreth të dy prindërve dhe kanë nevojë të ndihen se janë të dëshiruar dhe që nuk janë thjesht një gabim i rastit. Duke folur me respekt për prindin që mungon dhe duke dhënë përgjigje që ai në moshën e tij mund t’i kuptojë ose ka nevojë t’i dijë, prindi mund t’i japë fëmijës sigurinë që e duan.
Prindërit duhet të kujtojnë që përshtypja e parë e fëmijës për dashurinë, autoritetin dhe për pushtetin ndikohet nga marrëdhënia që ai ka me prindin e tij. Duke e ushtruar me dashuri autoritetin dhe pushtetin e tij, prindi i krishterë mund të bëjë shumë në përgatitjen e fëmijës për të pasur një marrëdhënie të dashur me Jehovain dhe për të pasur respekt për rregullimet në kongregacion.—Zanafilla 18:19.
Bashkëpunimi i fëmijëve është i domosdoshëm
Gjithashtu është e nevojshme që fëmijët, të cilët jetojnë në familje me një prind të kuptojnë që bashkëpunimi i tyre është i domosdoshëm për suksesin e familjes. (Efesianëve 6:1-3) Bindja ndaj autoritetit prindëror tregon dashurinë për prindin dhe respektin për përpjekjet akoma më të mëdha që prindit i duhet të bëjë, për të mbajtur një familje të sigurt dhe të lumtur. Meqenëse komunikimi është si një rrugë me dy drejtime, fëmijët në familjet me një prind duhet të mbajnë parasysh se ata duhet të jenë të gatshëm të mbështetin përpjekjet që bën prindi për të mbajtur një komunikim të mirë në familje.—Fjalët e urta 1:8; 4:1-4.
Këtyre fëmijëve shpesh u duhet të mbajnë mbi supe përgjegjësi, më herët sesa ata që jetojnë në familje me dy prindër. Me anë të udhëzimeve të dashura e të dhëna me durim, vajzat dhe djemtë do të krijojnë një ndjenjë besimi dhe vlerësimi për veten, ndërkohë që fitojnë aftësi të nevojshme për jetën që në moshë të re. Gjithashtu, disa punë shtëpie mund t’u caktohen fëmijëve, kështu që edhe ata mund të ndihmojnë në mbarështimin e rregullt të shtëpisë.
Kjo nuk nënkupton se qëllimi i prindit të vetëm është që t’i kthejë fëmijët në të rritur të vegjël që i dalin zot vetes dhe që nuk kanë nevojë për drejtimin prindëror. Pa dyshim, është një gjë shumë e pamençur të lësh një fëmijë të vogël vetëm ose pa mbikëqyrje.
Shpesh, prindërit e vetëm gabimisht mendojnë se duhet të jenë me fëmijët e tyre si shokë që flasin për gjithçka. Edhe pse një lidhje e ngushtë është e nevojshme, këta prindër duhet të mbajnë parasysh që fëmijët kanë nevojë për një prind dhe që një fëmijë nuk është mjaft i pjekur emocionalisht për të zënë vendin e një shoku të besuar ose të një miku. Fëmijët tuaj kanë nevojë që ju të silleni si një prind.
Kur prindërit e vetëm dhe fëmijët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për një marrëdhënie të dashur, ata mund të ndihmojnë për një familje të suksesshme. Meqenëse gjithnjë e më shumë fëmijë po rriten në familje me një prind, çdokush duhet të jetë i vetëdijshëm për sfidat e veçanta që hasin prindërit e vetëm dhe fëmijët e tyre, si dhe të jetë i gatshëm për t’u dhënë inkurajim të përzemërt dhe mbështetje.
[Kutia dhe figura në faqen 9]
Pasojat mbi fëmijët
Në përgjithësi, një prind i vetëm mund të ketë më pak kohë për secilin nga fëmijët sesa do të kishin të dy prindërit. Ndonjëherë, një prind i vetëm jeton me një partner që nuk është bashkëshorti ose bashkëshortja. Megjithatë, marrëdhëniet në bashkëjetesë janë më pak të qëndrueshme, sesa martesa. Fëmijët që jetojnë në këto familje ka më shumë të ngjarë të rriten me një grup të ndryshueshëm të rriturish gjatë jetës së tyre.
Sipas disa studimeve, «zakonisht, fëmijët e familjeve me një prind kanë më shumë të ngjarë të kenë një jetë më pak të shëndetshme nga ana emocionale dhe morale, sesa fëmijët e familjeve të pandara». Megjithatë, një shqyrtim më nga afër i këtyre studimeve tregon se mungesa e të ardhurave mund të jetë «faktori më i rëndësishëm, përgjegjës për ndryshimet midis fëmijëve që vijnë nga forma të ndryshme familjesh». Natyrisht, kjo nuk do të thotë që fëmijët e familjeve me një prind janë të dënuar për të qenë të dështuar. Me anë të drejtimit dhe stërvitjes së duhur, ata mund t’i kapërcejnë pasojat negative.