Si i lexojnë buzët?
Si i lexojnë buzët?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI
DY PERSONA, që dyshohej se ishin terroristë dhe që po bisedonin në një park publik, ishin regjistruar në video. Askush nuk mundi të dëgjonte se ç’thanë, megjithatë, policia i arrestoi dhe më pas u dënuan me shumë vjet burg. Biseda e tyre e filmuar u arrit të kuptohej nga një lexuese e lëvizjeve të buzëve që njihet zyrtarisht në Britani si një dëshmitare eksperte dhe përshkruhet si një «armë e fuqishme e fshehtë» e policisë britanike.
Për të mësuar më tepër rreth artit të leximit të lëvizjeve të buzëve, shkova të takoja Majkun dhe Kristinën. Kristina ka mbetur e shurdhër që nga mosha trevjeçare. Më pas, ajo ndoqi një shkollë për të shurdhrit, ku mësoi të lexonte lëvizjen e buzëve. Majku e ka mësuar vetë këtë aftësi pas martesës me Kristinën.
A është e vështirë të lexosh buzët? «Duhet të përqendrohesh në formën dhe në lëvizjen e buzëve, gjuhës dhe nofullës së poshtme»,—thotë Majku. Kristina shton: «Duhet ta shohësh me vëmendje personin që po flet me ty dhe duke u rritur aftësia jote për të lexuar lëvizjet e buzëve, ti gjithashtu, arrin të vëresh edhe shprehjet e fytyrës dhe gjestet».
Kam mësuar se një nga gabimet më të mëdha që mund të bëjë një person që flet është të bërtasë ose t’i lëvizë buzët në mënyrë të tepruar. Këto shtrembërime mund të të ngatërrojnë ose e bëjnë të pamundur të kuptosh atë që thuhet. Pasi ta zotërosh mirë aftësinë për të lexuar buzët, mund të përcaktosh madje edhe theksin e krahinave të ndryshme. Por natyrisht, e gjithë kjo gjë nuk është e lehtë. Kujdesi për Dëgjimin, një organizatë që i specializon njerëzit për t’u mësuar të tjerëve të lexojnë buzët, thotë hapur: «Leximi i buzëve kërkon praktikë, praktikë dhe përsëri më shumë praktikë.»
Kristina pohon se ka raste, kur ajo ndihet në siklet kur gjendet «duke dëgjuar» pa dashje një bisedë në autobus ose në tren. Gjithçka që ajo mund të bëjë është që menjëherë t’i largojë sytë prej andej. Por aftësia e saj mund të jetë një mbrojtje. Kristina nuk sheh më ndeshje futbolli në televizor, sepse ajo shpesh ka ndier neveri për shkak të fjalëve që disa prej lojtarëve thoshin, fjalë që mund t’i kuptonte duke i parë.
Pak njerëz do të arrijnë ta zotërojnë ndonjëherë mjeshtërinë e «armës së fshehtë» të policisë britanike. Por edhe të lexuarit e thjeshtë të buzëve mund të jetë një art i vlefshëm për t’u mësuar, pas një humbjeje të rëndë të dëgjimit.
[Figura në faqen 31]
Kristina
[Figura në faqen 31]
Majku