A më nevojitet një telefon celular?
Të rinjtë pyesin . . .
A më nevojitet një telefon celular?
«Ndihem shumë e pasigurt dhe e acaruar nëse nuk kam me vete një telefon celular.»—Akiko. *
NË SHUMË vende, telefonat celularë po përhapen gjithnjë e më tepër. Ata janë praktikë. Në çdo kohë dhe në çdo vend, shokët dhe prindërit mund të komunikojnë me ty dhe po kështu edhe ti me ta. Disa modele bëjnë të mundur që ti të shkëmbesh tekste të shkurtra në formë mesazhesh, dhe kjo «është mënyra më moderne që të rinjtë plotësojnë dëshirën e fortë për të komunikuar», — shkruan The Times e Londrës. Madje, ekzistojnë telefona celularë që mund të të lidhin me Internetin duke lejuar të hyni në site Web të ndryshme dhe në postën elektronike.
Ndoshta, ti ke tashmë një celular ose po planifikon ta kesh atë. Në secilin rast, mund të marrësh parasysh edhe anën tjetër të medaljes. Një telefon celular mund të sjellë fare mirë disa dobi. Megjithatë, ndoshta dëshiron të shqyrtosh edhe faqen tjetër të medaljes, kështu që, nëse vendos të blesh një celular, do
të jesh plotësisht i vetëdijshëm për anët negative që mund të ketë. Kjo gjë do të të ndihmojë për ta përdorur me mençuri atë.«Llogarit shpenzimet»
Jezui tha parimin e mençur sipas të cilit dikush duhet ‘të llogaritë shpenzimet’ para se të marrë përsipër një punë të rëndësishme. (Luka14:28) A mund të zbatohet ky parim dhe për telefonat celularë? Sigurisht. Ndoshta vërtet mund ta gjesh telefonin me një çmim shumë të ulët ose madje edhe pa para. Megjithatë, siç zbuloi dhe Hena 17-vjeçare, «papritur, shpenzimet mund të ngrihen shumë». Gjithashtu, mund të ekzistojë një presion i vazhdueshëm për të qenë në të njëjtin hap me shërbimet më të reja që ofrojnë celularët dhe për të blerë modele më të kushtueshme. Kështu, Hiroshi thotë: «Kam një punë gjysmëditore dhe kursej para për të blerë çdo vit një model më të ri.» Shumë të rinj bëjnë të njëjtën gjë. *
Edhe në qoftë se prindërit janë dakord të paguajnë shpenzimet e celularit për ty, gjithsesi, është e rëndësishme të marrësh parasysh koston. Një shërbëtor udhëtues i krishterë në Japoni vëren: «Disa nëna bëjnë një punë të dytë me orar të kufizuar vetëm për t’u paguar fëmijëve shpenzimet e celularit, i cili madje mund të mos ketë qenë i nevojshëm që kur e blenë.» Sigurisht, ti nuk do të doje t’u vije prindërve një barrë të tillë.
«Një vjedhës i kohës»
Shumë persona, që në fillim e përdorin celularin në mënyrë të përkorë, shpejt shohin se ai po u merr më shumë kohë nga ç’mendonin dhe se po lënë pas dore gjëra më të rëndësishme. Mika e kishte zakon të kalonte shumë kohë me familjen gjatë ngrënies së drekës. «Tani,—thotë ajo,—pasi kemi ngrënë, secili kthehet në dhomën e tij për t’u marrë me [celularin] e vet.»
«Një e treta e të rinjve të moshës nga 16 deri në 20 vjeç preferojnë dërgimin e mesazheve të shkruara më shumë se çdo mënyrë tjetër komunikimi me anë të shkrimit»,—thotë The Guardian e Londrës. Dërgimi i mesazheve mund të të kushtojë më pak para sesa telefonatat, por shkrimi i mesazhit të kushton më shumë kohë. Mieko pohon: «Po qe se dikush më shkruan ‘natën e mirë’, edhe unë i përgjigjem ‘natën e mirë’. Pas kësaj, mesazhet fillojnë të ikin e të vijnë duke vazhduar kështu për një orë. Janë thjesht biseda të kota.»
Shumë nga ata që përdorin celularin mund të mbeten mjaft të habitur nëse do të uleshin dhe do të llogaritnin të gjithë kohën e harxhuar në celular gjatë një muaji. Një vajzë 19-vjeçare, Teja, pranon: «Shumë njerëzve, celulari në vend që t’ua kursejë kohën, ua vjedh atë.» Edhe nëse ke një arsye të vlefshme për të mbajtur një celular për rrethanat në të cilat ndodhesh, është e rëndësishme të jesh i vetëdijshëm për kohën që kalon me të.
Një e re e krishterë që quhet Marja thotë: «Gjatë asambleve të krishtere, shumë të rinj i dërgojnë vazhdimisht njëri-tjetrit mesazhe pa rëndësi. Është një gjë shumë e zakonshme.» Një sjellje e ngjashme është vënë re midis të rinjve gjatë kohës kur janë në shërbimin e krishterë. Bibla i këshillon të krishterët që të blejnë kohë për aktivitetet frymore. (Efesianëve 5:16) Është për të ardhur keq kur kjo kohë e çmuar harxhohet me biseda në telefon!
Komunikimi i fshehtë
Maria komenton për një grackë tjetër: «Meqenëse telefonatat vijnë drejtpërdrejt te personi dhe jo në familje, ekziston rreziku që prindërit të mos jenë në dijeni për personat me të cilët flasin fëmijët, madje të mos e dinë fare nëse fëmijët po flasin në telefon apo jo.» Kështu disa të rinj i përdorin celularët për të mbajtur një lidhje të fshehtë me persona të seksit tjetër. Disa e kanë ulur vigjilencën duke i shpërfillur normat që zakonisht do t’i respektonin gjatë komunikimit me të tjerët. Në ç’mënyrë?
«Dërgimi i mesazheve të shkruara nënkupton që askush nuk mund të mbikëqyrë atë që po bëjnë [të rinjtë]»,—thotë The Daily Telegraph e Londrës. Fakti që nuk e dëgjon ose nuk e sheh personin tjetër mund të ndikojë tek ty. «Disa mendojnë se një mesazh i shkruar është një mënyrë komunikimi në të cilën je më pak i përfshirë personalisht,—vëren Timo.—Në një mesazh, disa mund të shkruajnë gjëra që mund të mos kishin guxim t’i thoshin po të ishin ballë për ballë».
Kur filloi të përdorte një telefon celular, Keikoja, një e krishterë 17-vjeçare, ua dha numrin shumë shokëve. Shpejt ajo filloi të shkëmbente mesazhe çdo ditë me një djalë të kongregacionit. Keikoja thotë: «Në fillim flitnim thjesht për gjëra të përditshme, por më pas filluam të tregonim edhe shqetësimet tona. Me anë të celularëve, ne krijuam botën tonë të vogël.»
Lumturisht, prindërit dhe pleqtë e krishterë e ndihmuan atë përpara se gjërat të bëheshin tepër *
serioze. Tani ajo pohon: «Megjithëse para se të më jepnin një celular, prindërit më kishin paralajmëruar kaq shumë për shkëmbimin e mesazheve me persona të seksit tjetër, unë i shkruaja atij çdo ditë. Nuk ishte mënyra më e mirë për të përdorur celularin.»Bibla na këshillon të ‘mbajmë një ndërgjegje të mirë’. (1 Pjetrit 3:16) Ndjekja e kësaj këshille nënkupton që kur të përdorësh një celular, duhet të sigurohesh që, ashtu siç thotë edhe Koiki, «të mos keni pse t’ju vijë turp për asgjë», edhe në rast se dikush do t’i lexonte mesazhet tuaja ose do t’i kapte veshi bisedën tuaj. Mbaj mend gjithmonë se nuk ka asgjë të fshehur për Atin tonë qiellor. Bibla shpjegon: «Nuk ka krijesë që të mos jetë e dukshme përpara [Perëndisë], por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit kemi për t’i dhënë llogari.» (Hebrenjve 4:13) Atëherë, përse të përpiqesh të mbash një lidhje të fshehtë?
Vendos kufij
Nëse po mendon të kesh një celular, fillimisht, pse të mos e vlerësosh me kujdes situatën tënde për të kuptuar a të nevojitet vërtet? Diskutoje këtë çështje me prindërit. Disa ndihen si një e re me emrin Jena, e cila thotë: «Një celular është një përgjegjësi tepër e madhe për shumë të rinj.»
Edhe në qoftë se vendos të kesh një celular, është e rëndësishme ta mbash atë nën kontroll. Si? Vendos kufij të arsyeshëm. Për shembull, kufizo numrin e shërbimeve që përdor ose sasinë e kohës dhe të parave që shpenzon për celularin. Meqë shumica e firmave të celularëve të siguron një raport të hollësishëm për përdorimin që i ke bërë atij, herë pas here mund të dëshirosh t’i analizosh shpenzimet me prindërit. Disa kanë parë se përdorimi i një lloji që parapaguhet është një mënyrë praktike për të kufizuar përdorimin e celularit.
Gjithashtu, kushtoji kujdes kohës se kur u përgjigjesh dhe mënyrës si do t’u përgjigjesh telefonatave dhe mesazheve. Krijo për veten tënde rregulla të arsyeshme. Shinji shpjegon: «E hap postën e mesazheve vetëm një herë në ditë dhe zakonisht, i përgjigjem atyre vetëm kur janë të rëndësishme. Për pasojë, shokët nuk më dërgojnë më mesazhe të kota. Sido që të jetë, nëse ka ndonjë problem vërtet të ngutshëm, ata do të më telefonojnë.» Diçka edhe më e rëndësishme është të jesh përzgjedhës në lidhje me njerëzit që komunikon. Ji i kujdesshëm kur u jep të tjerëve numrin tënd. Zbato po ato standarte që ndjek gjithmonë në lidhje me shoqëritë e mira.—1 Korintasve 15:33.
Bibla thotë: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, . . . një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur.» (Predikuesi 3:1, 7, BR) Është e qartë se edhe për celularët ka një kohë «për të heshtur». Mbledhjet tona të krishtere dhe shërbimi janë «koha e caktuar» për të adhuruar Perëndinë dhe jo për të përdorur telefonin. Shpesh, administratorët e restoranteve dhe të teatrove kërkojnë që klientët e tyre të mos i përdorin celularët. Ne me respekt u përmbahemi kërkesave të tilla. Sigurisht që Sovrani i universit nuk meriton më pak respekt!
Kur janë të zënë me veprimtari të rëndësishme, nëse nuk presin ndonjë telefonatë urgjente, shumë persona vendosin ta fikin celularin ose e vënë në gjendjen pa zë. Disa e lënë në gjendjen ku nuk presin telefonata. Në fund të fundit, a nuk mund të presin për më vonë shumica e mesazheve?
Nëse zgjedh të kesh një celular, ji i vendosur që ti ta mbash nën kontroll atë dhe të mos lejosh që ai të të kontrollojë ty. Qartë, nevojitet që të jesh syçelë dhe të mbash përparësitë në vendin e duhur. Bibla na inkurajon: «Arsyetueshmëria juaj le të bëhet e njohur ndër të gjithë njerëzit.» (Filipianëve 4:5) Nëse vendos të kesh një telefon celular, sigurohu që me çdo kusht të tregosh arsyetueshmëri për mënyrën si e përdor.
[Shënimet]
^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.
^ par. 7 Për një trajtim në lidhje me punën pas shkollës, ju lutemi shihni artikullin «Të rinjtë pyesin: Ç’të keqe ka të fitosh para?» në Zgjohuni! 22 shtator 1997 (anglisht).
^ par. 18 Bisedat e rregullta në telefon ose shkëmbimi i rregullt i mesazheve telefonike me një person të seksit tjetër, mund të jetë një shoqërim për t’u njohur. Ju lutemi, shihni artikullin «Të rinjtë pyesin: Ç’të keqe ka të bisedojmë me njëri-tjetrin?» në numrin e Zgjohuni! 22 gusht 1992 (anglisht).
[Figurat në faqen 20]
Disa të rinj mbajnë marrëdhënie të fshehta nëpërmjet telefonit celular