Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fetë në Asizi në kërkim të paqes

Fetë në Asizi në kërkim të paqes

Fetë në Asizi në kërkim të paqes

«Kurrë më dhunë! Kurrë më luftë! Kurrë më terrorizëm! Në emër të Perëndisë, çdo fe sjelltë mbi tokë drejtësi dhe paqe, falje dhe jetë, dashuri!»​—Papa Gjon Pali II.

ASIZI, ITALI, 24 janar 2002​—Përfaqësues të organizatave fetare të botës u mblodhën për t’u lutur për paqen, një paqe që kërcënohet nga terrorizmi, intoleranca dhe padrejtësia. Takimi ishte njoftuar nga papa rreth dy muaj pas rrëzimit të Kullave Binjake në qytetin e Nju-Jorkut. Shumë krerë fetarë e pranuan me entuziazëm ftesën e Vatikanit.

Në dy raste të tjera të mëparshme, njëri në vitin 1986 dhe tjetri në 1993, në të njëjtin qytet italian, papa i kishte thirrur në një ditë kushtuar lutjeve. * Më shumë se një mijë gazetarë nga e gjithë bota erdhën për të ndjekur mbledhjen e vitit 2002. Përfaqësuesit e shumë feve bënë lutje për paqe​—fetë e të ashtuquajturit krishterim (feja katolike, luterane, anglikane, ortodokse, metodiste, baptiste, pentekostale, menonite, kuakere dhe të tjera), islamizmi, hinduizmi, konfucianizmi, sikizmi, jainizmi, tenrikjo, budizmi, judaizmi, fetë tradicionale afrikane, shintoizmi dhe zoroastrianizmi. Gjithashtu ishin të pranishëm delegatë nga fe të tjera, si dhe përfaqësues të Këshillit Botëror të Kishave.

Deklarata në mbrojtje të paqes

Dita e lutjes filloi në mëngjes, në orën 8.40, «kur treni i paqes» u nis nga stacioni i vogël i Vatikanit. Trenin që përbëhej nga shtatë vagonë mjaft të rehatshëm, e shoqëronin për ta mbrojtur dy helikopterë. Papa dhe krerë të tjerë fetarë bënë një udhëtim dyorësh për në Asizi. Ishin marrë masa të larta sigurie. Afro një mijë policë qëndronin në gatishmëri.

Krerët fetarë u mblodhën në një shesh të lashtë, të mbuluar nga një tendë shumë e madhe. Brenda, përfaqësuesit fetarë zinin vend në një platformë të madhe e të kuqe në formë V-je, në qendrën e së cilës do të ulej papa. Anash platformës ishte një pemë ulliri, simbol i paqes. Përballë platformës ndodhej një auditor i përbërë nga më shumë se 2.000 të ftuar të zgjedhur me kujdes. Radhën e parë e kishin zënë disa zyrtarë të rangjeve më të larta të Italisë. Ndërmjet fjalimeve, kore madhështore i kënduan himne paqes. Në pjesë të tjera të qytetit, mijëra njerëz, kryesisht të rinj, shpalosën në disa gjuhë parrulla kundër luftës dhe kënduan këngë për paqen. Shumë mbanin degë ulliri.

Pasi zuri vend në platformë, papa u uroi mirëseardhjen pjesëtarëve të delegacioneve të feve të ndryshme. Pastaj, pasi kënduan në latinisht një himn të bazuar në Isainë 2:4, që profetizon për një kohë kur «një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër», shumë delegatë, secili me veshjen fetare karakteristike, bënë deklarata solemne në mbrojtje të paqes. Më poshtë janë paraqitur disa prej tyre.

«Në këtë moment historik, njerëzimi ka nevojë të shohë veprime në mbështetje të paqes dhe të dëgjojë fjalë shpresëdhënëse.»​—Kardinali Fransua-Ksavier-Ngujen van Tuan.

Perëndia «nuk është një Perëndi i luftës dhe i konfliktit, por një Perëndi i paqes».​—Patriarku ekumenikal Bartolomeu I.

«Ndryshimet fetare nuk duhet t’i bëjnë [njerëzit] që të shpërfillin ose madje të urrejnë të tjerët që janë të ndryshëm nga ata.»​—Dr. Setri Niomi, Aleanca Botërore e Kishave të Reformuara.

«Drejtësia dhe dashuria vëllazërore janë dy shtyllat e domosdoshme për paqen e vërtetë midis njerëzve.»​—Kreu fetar Amadu Gaseto, përfaqësues i feve tradicionale afrikane.

«Vetëm paqja është e shenjtë, lufta nuk është kurrë e shenjtë!»​—Andrea Rikardi, Kisha Katolike.

Disa delegatë pranuan që fetë mbajnë një përgjegjësi serioze për nxitjen e intolerancës dhe të luftës. Përfaqësuesi i Federatës Botërore Luterane pohoi se bota ishte «tronditur nga mizoria e urrejtjeve të nxitura nga fondamentalizmi fetar». Një përfaqësues i judaizmit tha: «Fetë kanë ndihmuar në shpërthimin e shumë luftërave të tmerrshme dhe të përgjakshme.» Një delegate hinduiste deklaroi: «Historia vazhdimisht zbulon shembuj ku shpëtimtarë të vetëshpallur të fesë e kanë përdorur atë për qëllime pushteti dhe në shërbim të forcave përçarëse.»

Pasi e dënuan solemnisht terrorizmin dhe luftën, të gjithë delegatët u ulën sërish në vendin e caktuar për t’iu lutur hyjnive të tyre për paqe.

Lutjet për paqe

Përfaqësuesit e feve të të ashtuquajturit krishterim u lutën së bashku në bazilikën e poshtme të shën Frensisit, pranë varrit emrin e të cilit mban kjo kishë. Ceremonia filloi me një «lutje drejtuar Perëndisë Trinitet» që e bënë papa dhe tre delegatë të tjerë. Në intervalet midis lutjeve këndoheshin himne dhe thuheshin formula të përshpirtshme që lartësonin paqen, si dhe lexoheshin shkrime nga Bibla që flasin për këtë temë. Në një lutje u bë një kërkesë për formimin e një «besimi të përbashkët». Për të mbyllur ceremoninë, pjesëmarrësit kënduan në latinisht «Ati ynë», të bazuar në ungjillin sipas Mateut, kapitulli 6, vargjet 9 deri në 13.

Në të njëjtën kohë, delegatë të grupeve të tjera fetare luteshin në ambiente të tjera. Në një sallë të drejtuar për nga Meka, myslimanët të gjunjëzuar mbi qilima i luteshin Allahut. Zoroastrianët, të cilët luteshin pranë jainistëve dhe konfucianistëve, ndezën një zjarr të shenjtë. Delegatët që përfaqësonin fetë tradicionale afrikane u drejtoheshin në lutje shpirtrave të të parëve. Hinduistët u kërkonin paqe perëndive të tyre. Të gjithë u përgjëroheshin hyjnive të tyre sipas riteve të veta.

Një zotim i përbashkët për paqe

Delegatët u mblodhën sërish nën tendë për përfundimin e ceremonive. Në mënyrë solemne, murgjit u shpërndanë delegatëve një kandil të ndezur që simbolizonte shpresën për paqe. Pamja ishte tërheqëse. Pastaj pjesëtarë të ndryshëm të delegacioneve lexuan një zotim të përbashkët për paqe, duke bërë secili nga një deklaratë të ndryshme.

«Vendosja e paqes kërkon të duash të afërmin tënd.»​—Patriarku ekumenikal Bartolomeu I.

«Dhuna dhe terrorizmi janë të papajtueshme me vetë thelbin e fesë.»​—Dr. Konrat Raizer, delegat i Këshillit Botëror të Kishave.

«Ne zotohemi personalisht t’u mësojmë njerëzve respektin dhe vlerësimin reciprok.»​—Bai-Saibji-Mohinder Singh, përfaqësues i fesë sikiste.

«Paqja pa drejtësinë nuk është paqe e vërtetë.»​—Peshkopi ortodoks Vasilios.

Në fund, papa lexoi fjalët që gjenden në hyrjen e këtij artikulli. Ky takim midis besimeve të ndryshme u mbyll me delegatët që përqafonin njëri-tjetrin në simbol të paqes. Fjalët e thëna bukur dhe të përgatitura me kujdes u shoqëruan nga shfaqje pompoze dhe ceremoni. Por, megjithatë, cili ishte reagimi ndaj këtij rasti mbresëlënës?

‘Nëse fjalët do të shoqëroheshin nga veprat’

Gazetat dhe televizioni e pritën me duartrokitje iniciativën e papës. Disa madje e quajtën papën «zëdhënësin e gjithë fesë kristiane». Gazeta e Vatikanit L’Osservatore Romano e përkufizoi ngjarjen në Asizi si një «moment historik në udhën e ndërtimit të një qytetërimi në paqe». Kryeartikulli i gazetës Corriere dell’Umbria titullohej «Asizi i jep dritë paqes».

Por jo të gjithë vëzhguesit ishin kaq entuziastë. Disa shfaqën mosbesim, sepse pavarësisht nga ditët e mëparshme të lutjes për paqe në vitin 1986 dhe 1993, luftërat në emër të fesë vazhdojnë t’i hapin plagë njerëzimit. Urrejtja fetare ka nxitur masakra të përgjakshme në Uganda, në ish-Jugosllavi, Indonezi, Pakistan, në Lindjen e Mesme dhe në Irlandën e Veriut.

Gazeta italiane La Repubblica shkruante se disa kritikë nuk i dhanë shumë rëndësi takimit, duke e quajtur atë «thjesht një shfaqje». Një anëtar i Parlamentit Evropian tha se për të mbështetur paqen, njerëzit fetarë duhet «ta vënë në praktikë Ungjillin», që nënkupton zbatimin e fjalëve «të duash armiqtë e tu, t’i kthesh faqen tjetër». Sipas tij, kjo është diçka që «nuk po e bën asnjë».

Presidenti i Komuniteteve Judaike në Itali tha se «do të jetë interesante të shohim se çfarë do të ndodhë tani, pra, nëse fjalët do të pasohen nga veprime konkrete dhe ndryshim të vërtetë». Përfaqësuesja e Budistëve Italianë u shpreh në mënyrë të ngjashme, duke thënë se duhet që «lutjet e zjarrta për paqe të mos mbeten vetëm synime të mira». Një gazetar që shkruante në revistën italiane L’Espresso sugjeroi se për fetë e krishterimit të përfaqësuara në Asizi takimi shërbeu për një qëllim tjetër. Ai e quajti këtë takim «një koalicion rezistence kundër apatisë fetare, mungesës së rregullit dhe të besimit», si dhe një përpjekje për të luftuar «procesin me hapa të shpejtë të shekullarizimit», i cili e ka mbërthyer Evropën pavarësisht nga «historia e saj e krishterë».

Midis kritikëve më të ashpër të ngjarjes ishin tradicionalistët katolikë, të cilët i frikësohen zbutjes së doktrinave të kishës së tyre. Gjatë një interviste në televizion, Vitorio Mesori, një shkrimtar mjaft i njohur katolik foli për rrezikun që ngjarja në Asizi të errësojë ndryshimet midis feve. Pa dyshim, autoritetet fetare kishin marrë masa për të parandaluar krijimin e përshtypjes për një përzierje të feve. Vetë papa bëri një deklaratë për t’i hedhur poshtë këto akuza. Megjithatë, për shumë veta, vetë natyra e ngjarjes dukej se sugjeronte që fetë e ndryshme përfaqësojnë thjesht mënyra të ndryshme për t’iu afruar të njëjtës fuqi më të lartë.

Feja dhe paqja

Megjithatë, çfarë mund të bëjnë organizatat fetare për të sjellë paqen? Për disa njerëz vetë kjo pyetje është ironike, sepse duket se fetë kanë ndihmuar më tepër për shkaktimin e luftërave, sesa për t’i penguar ato. Historianët kanë shkruar për mënyrën se si autoritetet shekullare e kanë përdorur fenë për të nxitur luftën. Megjithatë ngrihet pyetja: Pse fetë kanë lejuar që t’i përdorin?

Fetë e të ashtuquajturit krishterim, të paktën, kanë në dispozicion një parim të shenjtë që mund t’i kishte ndihmuar të shmangnin fajin e përfshirjes në luftë. Jezui tha se ithtarët e tij nuk do të ishin «pjesë e botës». (Gjoni 15:19; 17:16) Nëse fetë e të ashtuquajturit krishterim do të kishin vepruar sipas këtyre fjalëve, atëherë ato nuk do të ishin bashkuar me fuqitë politike, duke miratuar e duke bekuar ushtritë dhe luftën.

Po, për të qenë në lartësinë e fjalëve të mira të thëna në Asizi, udhëheqësit fetarë duhet të qëndronin të ndarë nga fuqitë politike. Për më tepër, ata duhet t’u kishin mësuar ithtarëve të tyre udhët e paqes. Megjithatë, historianët vërejnë se shumë nga ata që shkaktojnë dhunën në botë besojnë në Perëndi, ose të paktën kështu thonë. Një kryeartikull i kohëve të fundit në një gazetë shkruante: «Jo shumë kohë pas 11 shtatorit, dikush kishte shkruar mbi një mur në Uashington D.C. këto fjalë drithëruese që të vënë në mendime: ‘Perëndi i dashur, na shpëto nga njerëzit që besojnë tek ti.’»

E gjithë buja dhe ceremonia në Asizi lanë pa përgjigje disa pyetje të vështira. Por ndoshta asnjë pyetje nuk është më e rëndësishme ose më shqetësuese për njerëzit fetarë, sesa kjo: pse, me sa duket, Perëndia deri tani ka refuzuar t’u përgjigjet lutjeve për paqe të drejtuara nga fetë e botës?

[Shënimi]

^ par. 4 Për të mësuar më tepër rreth ditës së lutjes për paqe në vitin 1986, ju lutemi shihni Zgjohuni!, 8 qershor 1987, anglisht.

[Figura në faqen 7]

Delegatë duke mbajtur nga një kandil të ndezur​—simbol i shpresës për paqe

[Burimi]

AP Foto/Pier Paolo Cito

[Burimi i figurës në faqen 5]

AP Foto/Pier Paolo Cito