Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ja tek po vijnë pinguinët e vegjël në paradë!

Ja tek po vijnë pinguinët e vegjël në paradë!

Ja tek po vijnë pinguinët e vegjël në paradë!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

TURMA e heshtur rri në pritje. Me sytë katër, njerëzit shohin me kureshtje në largësi, kur do të dalë i pari prej yjeve të shfaqjes. Vendi i ndriçuar me prozhektorë merr jetë kur një siluetë e vockël ia beh papritur buzë ujit. Një pëshpëritje ngazëllimi përshkon turmën, kur një siluetë tjetër e pastaj edhe një tjetër bashkohet me të parën. Shfaqja e përnatshme filloi. Ja tek vijnë në paradë pinguinët e vegjël të ishullit Filip! *

Për herë të parë, pinguinët u shfaqën në skenën botërore në shekullin e 16-të, kur eksploruesit e famshëm Vasko de Gama dhe Ferdinand Magelani lundruan në oqeanet e mëdhenj të hemisferës jugore. Në fillim njerëzit vritnin mendjen ku ta klasifikonin pinguinin. Ai kishte pendë si shpendët, notonte si një peshk dhe ecte mbi tokë si kafshët e tokës. Por në fund, ishte prania e pendëve ajo që i dha zgjidhje problemit. Meqenëse vetëm shpendët kanë pendë, si përfundim ai duhet të ishte një shpend. Kjo familje shpendësh që nuk fluturojnë përbëhet nga 18 lloje, duke filluar nga pinguini madhështor perandor dhe pinguinët e Adelisë në Antarktidë deri tek pinguini ekuatorial i ishujve Galapagos.

A do t’ju pëlqente të vizitonit një koloni pinguinësh në habitatin e tyre natyral? Atëherë ejani në ishullin Filip që ndodhet vetëm 140 kilometra në juglindje të qytetit modern të Melburnit në Australi. Këtu vijnë vazhdimisht rreth 500.000 vizitorë çdo vit për t’u kënaqur me këto mrekulli në miniaturë. Por, çfarë i bën kaq të këndshëm pinguinët e vegjël të ishullit Filip?

«Të lezetshëm, por edhe plot gjallëri»

Me mbulesën e pendëve, si një kostum bardhë e zi, pinguinët e vegjël i bëjnë shpejt për vete ata që i shikojnë. Me një gjatësi rreth 33 centimetra dhe me një peshë vetëm 1 kilogram, ata janë më i vogli nga të gjithë llojet e pinguinëve në botë. Por mos u gënjeni! Përmasat e tyre të vogla, kompensohen plotësisht nga këmbëngulja dhe rezistenca.

«Pinguinët e vegjël janë të lezetshëm, por edhe plot gjallëri»,​—shpjegon profesori Majk Kallen, i cili për më shumë se 20 vjet i ka studiuar pinguinët e kolonisë së ishullit Filip. Ky lloj i pinguinëve më të vegjël, është edhe më i zhurmshmi. Gjatë natës, kolonia oshtin nga tingujt therës e të përvajshëm, nga klithjet, nga britmat dhe nga çirrmat, ndërsa pinguinët mbrojnë çerdhet tyre nga sulmuesit, teksa përpiqen të bëjnë për vete një partner ose kur kënaqen duke «bërë prova kori» me partnerët e tyre.

Në vitin 1780, kur u përshkruan për herë të parë, pinguinëve të vegjël me të drejtë iu dha emri Eudyptula minor, që në greqisht ka kuptimin «zhytës i aftë i vogël». Me trupin aerodinamik në formë predhe, me një mbulesë pendësh që shkëlqejnë e të papërshkueshme nga uji dhe me krahë si pendë notimi, ata duket sikur fluturojnë përmes ujit.

Një «jelek shpëtimi» i shkëlqyer

Për të gjetur ushqim, këta pinguinë mund të notojnë deri në 100 kilometra në ditë, duke qëndruar në ujë për ditë ose javë të tëra nëse është e nevojshme. Por, si flenë në ujë? Përgjigja gjendet në mbulesën prej puplash të projektuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Pinguinët kanë një shtresë të trashë puplash dhe pendësh të puthitura, tri ose katër herë më të dendur sesa ajo e shpendëve fluturues. Ajri i bllokuar nën këtë shtresë kthehet në një izolues për shpendin dhe bën që uji ta ngrejë atë vetvetiu, ngjashëm një jeleku shpëtimi. Kështu, një pinguin mundet të flejë fare lehtë në det, duke pluskuar si një tapë, me pendët e notimit të shtrira si ekuilibrues dhe me sqepin që prehet i qetë mbi sipërfaqen e ujit.

Por sigurisht, edhe mbulesa e trashë e pinguinëve nuk do t’i mbronte dot ata, nëse do të lagej krejt kur të zhyteshin në ujrat e akullta për të kërkuar ushqimin. Megjithatë, edhe kjo nuk është një problem për pinguinët, pasi një gjëndër e veçantë yndyrore që ndodhet mbi bisht, sekreton dyllë të lëngshëm. Pinguini i lëmon pendët me sqep duke e përhapur këtë dyllë përmes puplave dhe në këtë mënyrë i mban ato të papërshkueshme nga uji, të pastra dhe të shëndetshme. Asnjë zhytës nuk mund të gjente një kostum të modeluar më të mirë se ky për të përballuar jetën në ujë.

A paraqet mungesa e ujit të ëmbël në det ndonjë vështirësi për këto krijesa që një pjesë të jetës e kalojnë në oqean? Dy gjëndra me ndërtim të veçantë që ndodhen çdonjëra pak sipër secilit sy e shkripëzojnë ujin e detit. Me një tundje të thjeshtë të sqepit, pinguini nxjerr kripën e padëshiruar nëpërmjet vrimave të hundës.

Përveç kësaj, pinguinët kanë sy të projektuar në një mënyrë të veçantë për të parë po aq mirë nën ujë, sa dhe mbi të. Është e qartë se kjo krijesë është e pajisur në mënyrë të përsosur për jetën në ujë. Por për fatin tonë të mirë, pinguinët e vegjël nuk e kalojnë gjithë kohën në ujë.

Lidhja e tyre me tokën

Ishulli Filip dhe kontinenti aty pranë kanë një vijë bregdetare ranore, të thyer e të mbuluar me bar të dendur dhe gjethnajë. Kjo krijon një habitat ideal për koloninë e 26.000 pinguinëve të vegjël. Jeta fillon në një çerdhe që prindërit, duke gërmuar pa u lodhur, e kanë ndërtuar në një dunë bregdetare. Një vezë e re mund të mbetet e ftohtë, e megjithatë të mbijetojë për disa ditë, para se të dy prindërit të kujdesen për të kryer me radhë detyrën e ngrohjes së saj. Shpendët që ngrohin vezët kanë në pjesën e poshtme të barkut një zonë të veçantë të pasur me enë gjaku. Gjatë inkubacionit, kjo pjesë fryhet nga gjaku i ngrohtë dhe në këtë mënyrë vezës i jepet nxehtësia që është e domosdoshme për zhvillimin e saj. Ndërkohë që nuk e ka radhën e ngrohjes së vezës, kjo pjesë e barkut të prindit ulet duke lejuar që puplat të rifillojnë funksionin që i bën të papërshkueshme nga uji, duke bërë të mundur kështu që shpendi i rritur të rikthehet në ujë për t’u ushqyer.

Pasi del nga veza, zogu rritet me një ritëm të jashtëzakonshëm. Vetëm për tetë deri në dhjetë javë, pinguini i vogël arrin masën e një të rrituri dhe është gati për t’u futur në det. «Është diçka e jashtëzakonshme, fakti që pinguinët e vegjël nisen për udhëtime të gjata në det duke pasur me vete vetëm një komplet të mrekullueshëm procesesh fiziologjike . . . dhe një sërë instinktesh me anë të së cilave mund të mbijetojnë»,​—vëren libri Pinguinët e vegjël: Pinguinët xhuxhë në Australi.

Gjatë një deri në tri vitet e ardhshme, të vegjlit mund të enden me mijëra kilometra duke kaluar një pjesë të madhe të kohës në ujë. Zakonisht ata që mbijetojnë kthehen për t’u shumëzuar në koloninë e origjinës, e cila ndodhet jo më larg se 500 metra nga vendi i lindjes. Si e gjejnë rrugën për në shtëpi? Disa thonë se gjatë lundrimit, pinguinët orientohen me anë të diellit, duke përdorur një orë të brendshme biologjike që drejtohet nga ndryshimi i pozicionit të diellit në qiell. Të tjerë mendojnë se pinguinët i mbajnë mend pikat e referimit që janë të njohura për ta. Megjithatë, ajo që i tërheq turmat e njerëzve drejt ishullit Filip është spektakli i këtyre detarëve që kthehen në tokë pas një udhëtimi të gjatë ose pas një dite të lodhshme peshkimi.

Le të fillojë parada!

Ndërsa bie muzgu, qindra vizitorë të entuziazmuar zënë vendet, gati për të parë paradën e përnatshme të pinguinëve. Pinguinët kanë kohë që janë mbledhur në grumbuj të mëdhenj ose tufa pak më tutje nga bregu, larg dallgëve që përplasen. Plazhi ndriçohet nga disa prozhektorë. Fryn një fllad i lehtë dhe valët lëpijnë buzën e bregut. Një valë dyshimi përfshiu spektatorët. Ku janë pinguinët? A do të dalin në breg të detit? Pikërisht në atë çast shfaqen pinguinët e parë të vegjël që me nervozizëm i tërheqin këmbët zvarrë në buzën e ujit. Papritur, të frikësuar, ata zhduken nën dallgë. Të vetëdijshëm për rrezikun e shfaqjes haptas para grabitqarëve, si shqiponjat, pinguinët janë shumë vigjilentë. Por shpejt, ata rishfaqen dhe gradualisht fitojnë siguri. Më në fund, një pinguin guximtar del nga uji dhe duke u tundur ecën me shpejtësi përmes plazhit drejt strehës së dunave. Pjesa tjetër e grupit e ndjek me shpejtësi. Pa i përfillur dritat dhe ata që i shohin, ata marshojnë në plazh, duke të krijuar përshtypjen e një parade plot gjallëri.

Pasi kanë arritur te dunat, vend ku ata ndihen të sigurt, pinguinët, që shihet qartë se qetësohen, mblidhen në grupe më të mëdha për të pastruar pendët. Në këtë mënyrë, grupet kalojnë njëri pas tjetrit përmes plazhit, duke ndaluar për të ndenjur ca dhe për të «biseduar» me fqinjët para se të largohen për në shtëpi. Për disa prej tyre, kjo nënkupton një ecje të vështirë, kërcime të shkurtra dhe ngjitjen e mundimshme në një shkëmb të pjerrët me lartësi 50 metra, përpara se të arrijnë në foletë e tyre.

Pinguinë të vegjël: Çështje të mëdha

Si të gjitha krijesat e tjera përreth botës, edhe pinguinët e vegjël hasin sfida të shumta, shumë prej të cilave lidhen me njeriun. Kërcënim për to përbëjnë derdhjet e naftës nga anijet që kalojnë aty, zvogëlimi i habitatit nga veprimtaritë e njerëzve dhe grabitqarët e rinj, siç janë dhelprat dhe kafshët shtëpiake, të sjella nga njeriu.

Përpjekje të lavdërueshme janë bërë lidhur me këto çështje. Vitet e fundit, numri i pinguinëve të vegjël në Rezervatin e Pinguinëve në ishullin e Filipit është bërë i qëndrueshëm. «Po e fitojmë betejën, . . . por ngadalë»,​—thotë profesor Kalleni. Ai shton: «Sfida më e madhe me të cilën përballemi tani është të sigurojmë rezervat ushqimore të pinguinëve të vegjël, . . . dhe kjo lidhet me të ardhmen e oqeaneve dhe të njerëzimit në tërësi.» Pasojat që sjellin ngrohja globale dhe fenomenet klimaterike, si El Ninjo, mbi rezervat ushqimore të oqeanit paraqesin probleme të mëdha që tani po studiohen intensivisht nga ana e shkencëtarëve.

Pa dyshim, rezultatet e këtij studimi do të na e rritin çmueshmërinë për planetin tonë të larmishëm, por edhe të brishtë. Gjithashtu, falë kujdesit të dashur që tashmë është treguar për botën e gjallë në ishullin Filip, një ditë edhe ju mund të keni rastin të jeni mes spektatorëve që pëshpëritin të emocionuar: «Ja tek po vijnë pinguinët e vegjël në paradë!»

[Shënimi]

^ par. 3 Më parë, pinguinët e vegjël njiheshin si pinguinët xhuxhë dhe shpesh quhen edhe pinguinët e vegjël blu.

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ISHULLI FILIP

[Figurat në faqet 16, 17]

Spektatorët, vendet për t’u ulur dhe prozhektorët​—skena është gati për paradën e pinguinëve

[Figurat në faqen 17]

Për dhjetë javë, i vogli kthehet në një shpend të rritur plotësisht

[Burimi i figurave në faqen 15]

Fotot: Photography Scancolor Australia

[Burimi i figurave në faqen 16]

Fotot në faqet 16 dhe 17: Photography Scancolor Australia