Kur gabimet e vogla kthehen në katastrofa
Kur gabimet e vogla kthehen në katastrofa
MË 6 korrik 1988, punëtorët që punonin larg bregut, në kullën e shpimit Paiper Alfa, në Detin e Veriut, punuan për riparimin e një pompe me gaz të kondensuar, por nuk e çuan punën deri në fund. Meqë punëtorët e turnit tjetër nuk u vunë në dijeni për këtë gjë, ata e ndezën pompën. Shpërtheu zjarri. Duke qenë se ndodheshin shumë lart mbi det dhe pa asnjë rrugëdalje, 167 persona humbën jetën.
Dymbëdhjetë vjet më vonë, më 25 korrik 2000, një avion Konkord supersonik e rriti shpejtësinë përgjatë pistës së aeroportit «Sharl dë Gol» në Paris, Francë. Ndërkohë që avioni e rriste shpejtësinë, një mbeturinë e vogël titani që ndodhej në pistë shkaktoi një shpërthim në njërën nga gomat, i cili solli si pasojë çarjen e një rezervuari karburanti në krahun e avionit. Karburanti rrodhi brenda në motorët e anës së majtë duke i fikur dhe duke shkaktuar një gjuhë flake me gjatësi 60 metra. Pas nja dy minutash, avioni u përplas me një hotel dhe si pasojë vdiqën të gjithë ata që ishin në bord, si dhe disa njerëz në tokë.
Duke reflektuar për aksidente të tilla, Xhejms Çajllsi shkruan në librin e tij Inviting Disaster—Lessons From the Edge of Technology (Duke ftuar katastrofat—Mësime nga majat e teknologjisë): «Në botën tonë moderne, të rrethuar nga mekanizma që ndonjëherë na dalin jashtë kontrollit, kemi nevojë të njohim dëmin e jashtëzakonshëm që mund të shkaktojnë tani gabimet e rëndomta.» Gjatë një shqyrtimi që i bën librit të Çajllsit, revista Science shkruan: «Përparimi i jashtëzakonshëm e gjithnjë në rritje i shkencës dhe i teknologjisë gjatë pak shekujve të kaluar ka qenë dehës. Ai na bën të ndihemi sikur nuk ekziston pothuajse asnjë kufi për mundësinë që kemi për të kuptuar dhe për ta vënë në shërbimin tonë botën fizike. [Por] nuk ka arsye për të menduar që tani mund të gabojmë më pak se më parë.»
Në lidhje me teknologjitë më të rrezikshme, Science thotë: «Edhe një rrezik fare i vogël [për të gabuar] kushton tepër shtrenjtë. Në këto teknologji, duhet të këmbëngulim drejt arritjes së përsosmërisë.» Por, a tregon ajo çfarë ka arritur në të kaluarën njerëzimi që përsosmëria mund të arrihet? Patjetër që jo! Kështu pa dyshim, katastrofat që lidhen me gabime nga më të ndryshmet do të vazhdojnë.
Por ato nuk do të vazhdojnë përgjithmonë. Njerëzit me frikë Perëndie mund të shpresojnë në një të ardhme, në të cilën jeta nuk do të ndërpritet tragjikisht për shkak të gabimeve ose aftësive të kufizuara të njeriut. Përse? Sepse Perëndia, me anë të qeverisë së Mbretërisë së tij qiellore do të eliminojë të gjitha shkaqet e vdekjes, të brengave dhe të dhembjeve.—Mateu 6:9, 10; Zbulesa 21:3, 4.
[Burimi i figurës në faqen 31]
AP Foto/Toshihiko Sato