Një takim i pashoq pas 30 vjetësh
Një takim i pashoq pas 30 vjetësh
NË VITIN 1967, dy të rinj u takuan rastësisht. Ishin caktuar të rrinin në të njëjtën dhomë në Universitetin Teknik të Miçiganit, në Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë, Denis Shits, nga Lima e Ohajos, ishte një 18-vjeçar që studionte në vitin e parë për pylltari. Njëzetvjeçari Mark Ruxh vinte nga Bufalo, Nju-Jork. Ai ishte student në vitin e tretë për urbanist.
Në atë kohë, shoqëria e tyre mund të jetë dukur si diçka e shkurtër, kalimtare. Asnjë prej tyre nuk i vazhdoi studimet universitare, secili ndoqi rrugën e vet. Kaluan më shumë se tri dekada. Pastaj një ditë, në Republikën Domenikane, dy burrat u gjendën sërish përballë njëri-tjetrit. Rastësia luajti rolin e saj në këtë takim të papritur. Por, krahas saj, diçka tjetër kishte ndikuar. Çfarë ishte? Për të marrë përgjigjen, le të shohim rrjedhën që mori jeta e secilit.
Denisi shkon në luftë
Denisi u kthye në shtëpi pas vitit të parë të studimeve në kolegj. Më pas, në dhjetor 1967, atë e rekrutuan në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe në qershor të vitit 1968, e dërguan në Vietnam. Atje pa tmerret e luftës. Kur përfundoi periudhën e shërbimit më 1969, ai u kthye në Shtetet e Bashkuara dhe më në fund gjeti punë në një firmë të madhe në Ohajo. Megjithatë nuk ishte i kënaqur.
«Ëndrra ime e djalërisë ishte të shkoja në Alaskë, të ndërtoja një shtëpi dhe të punoja tokën rreth saj»,—shpjegon Denisi. Prandaj më 1971, së bashku me një shok të shkollës së mesme, u nisën për të realizuar atë ëndërr. Por në vend të një shtëpie me fermë, ai bëri disa punë të rastit. Për njëfarë kohe jetoi në një tendë dhe punoi si rojë për të ruajtur pyjet nga zjarri. Mbante mjekër dhe flokë të gjatë e filloi të pinte marihuanë.
Më 1972, Denisi la Ankorixhin, ku kishte jetuar gjatë asaj kohe, për të marrë pjesë në festën që bëhej një ditë përpara kreshmës së madhe në Nju-Orleans, Luiziana. Pas kësaj, ai ndërtoi një shtëpizë të vogël në pyllin e Arkanzasit. Atje punoi për ndërtimin e skeleteve prej druri të shtëpive dhe si suvatues. Në qershor të vitit 1973, Denisi udhëtoi me autostop përreth vendit në kërkim të një qëllimi në jetë.
Marku në lëvizjen kundër luftës
Pas largimit të Denisit, Marku studioi në universitet edhe për pak semestra, por më pas vendosi se nuk dëshironte të bëhej pjesë e sistemit që po mbështeste luftën. Kështu, u kthye në Bufalo, ku për ca kohë punoi si përgjegjës në një fabrikë çeliku. Përsëri, për shkak të pakënaqësisë për përpjekjet në mbështetje të luftës, e la punën, bleu një motoçikletë dhe udhëtoi përmes vendit për të shkuar në San-Francisko, Kaliforni. Megjithëse në atë kohë nuk e dinin, Denisi dhe Marku, për njëfarë kohe kishin qenë në San-Francisko njëkohësisht.
Njëlloj si Denisi, Marku la mjekër dhe flokë të gjatë dhe filloi të pinte marihuanë. Por ai u përfshi shumë në lëvizjen kundër luftës, duke marrë pjesë në protesta dhe marshime. Ai kërkohej nga FBI-ja për shmangie nga shërbimi ushtarak
i detyrueshëm, prandaj për disa vite, për t’i shpëtuar zbulimit, përdori pseudonime. Në San-Francisko, ndoqi një stil jetese si hipitë. Kur ishte atje, në vitin 1970, dy Dëshmitarë të Jehovait trokitën në derën e tij.Marku shpjegon: «Ata duhet ta kenë ndier që unë shfaqa njëfarë interesi, prandaj u kthyen përsëri. Nuk isha në shtëpi, por ata lanë një Bibël me kapak të gjelbër dhe tre libra.» Megjithatë, aktivizimi politik dhe dëshira për t’u zbavitur e kishin përpirë Markun, prandaj ai nuk gjeti kohë për t’i lexuar. Nga ana tjetër, ai ndiqej shumë nga FBI-ja. Kështu, me një pseudonim tjetër ai u transferua në Uashington, D.C. E dashura e tij, Keti Janiskivis, me të cilën ishte njohur në universitet, shkoi atje për t’u bashkuar me të.
Më në fund, më 1971, ai u kap nga FBI-ja. Dy agjentë të FBI-së e shoqëruan atë gjatë një fluturimi nga Uashington D.C. për në Nju-Jork dhe më pas u siguruan që ai të vazhdonte më tej në Toronto, Kanada. Me sa duket, FBI-ja nuk e konsideronte atë si një kërcënim për rendin publik, por thjesht donin që ai të mos qëndronte brenda vendit. Në vitin që pasoi, ai dhe Keti u martuan dhe shkuan në ishullin Gabriola, në Kolumbinë Britanike, Kanada. Ata donin të iknin larg shoqërisë, por megjithatë e ndienin se jeta duhej të kishte më shumë kuptim.
Bëhen Dëshmitarë
Denisi, që patjetër ju kujtohet, po udhëtonte me autostop përreth vendit, në kërkim të një qëllimi në jetë. Udhëtimi e çoi atë në Montana ku gjeti një punë jashtë Shinukut, si ndihmës i një fermeri gjatë korrjes së grurit. Gruaja dhe vajza e fermerit ishin Dëshmitare të Jehovait. Ato i dhanë Denisit për të lexuar një revistë Zgjohuni. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai u bind se Dëshmitarët praktikonin fenë e vërtetë.
Me një Bibël me vete, Denisi e la fermën dhe shkoi në qytetin Kalispel, në Montana. Atje, ndoqi për herë të parë një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Po atë mbledhje kërkoi një studim biblik. Nuk kaloi shumë kohë dhe preu flokët dhe hoqi mjekrën. Më janar 1974, doli për herë të parë në veprën e predikimit dhe më 3 mars 1974 u pagëzua në një koritë me ujë në Polson, Montana.
Ndërkohë, Marku dhe Keti, që jetonin në ishullin Gabriola, vendosën të përpiqeshin të shqyrtonin Biblën meqë kishin kohë. Filluan të lexonin përkthimin King James Version, por e kishin disi të vështirë të kuptonin anglishten e vjetër. Atëherë, Markut iu kujtua që e kishte ende Biblën dhe librat që Dëshmitarët i kishin dhënë vite më parë. Ata lexuan Biblën bashkë me librat E vërteta që të çon në jetën e përhershme dhe A është Bibla vërtet fjala e Perëndisë? Markut dhe Ketit i bënë përshtypje të thellë ato që mësuan.
Marku shpjegon: «Më preku sidomos fakti që libri E vërteta flet për një grup të krishterësh, të cilët në çfarëdolloj rrethane nuk do të shkonin në luftë. E kuptova se këta të krishterë po praktikonin krishterimin e vërtetë.» Pak kohë pas kësaj, Marku dhe Keti u kthyen në Houton, Miçigan për të takuar familjen e Ketit, pavarësisht nga rreziku i arrestimit. Atje, ndërsa ngjanin ende si hipi, ndoqën një mbledhje të Dëshmitarëve. Pranuan një studim biblik dhe e bënë atë edhe gjatë muajit që qëndruan në Miçigan.
Pasi u kthyen në ishullin Gabriola, takuan një Dëshmitare në rrugë, në qytetin Nanaimo, të Kolumbisë Britanike dhe i thanë se donin një studim biblik. Po atë ditë, një automobil me Dëshmitarë mbërriti me traget për t’i takuar dhe kështu u fillua një studim biblik. Tre muaj më vonë, Marku dhe Keti filluan të merrnin pjesë në predikim. Tre muaj pas kësaj, më 10 mars 1974, që të dy u pagëzuan. Kjo ndodhi një javë pas pagëzimit të Denisit.
Denisi në shërbimin e plotkohor
Denisi u bë një pionier ose një shërbëtor në kohë të plotë, në shtator 1974. Ai thotë: «Isha i lumtur që shërbeja si pionier, por doja ta zgjeroja shërbimin tim; kështu në korrik 1975, bëra një kërkesë për të shërbyer në qendrën botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Më ftuan atje në dhjetor të atij viti.»
Caktimi i parë i Denisit ishte të ndihmonte që ndërtesa e hotelit të mëparshëm Towers të kthehej në banesë për personelin që punonte në qendrën botërore. Atje punoi për disa vjet si mbikëqyrës i skuadrës që merrej me veshjen dhe shtrimin me pllaka. Më vonë, me dëshirën për t’u martuar,
shkoi në Kaliforni. Më 1984, ndërkohë që shërbente si plak në kongregacionin e Katedral-Sitit, u martua me një pioniere që quhej Keti Ens.Denisi dhe Keti ishin të vendosur të bënin një jetë të thjeshtë, me qëllim që të ndiqnin interesat e Mbretërisë së Perëndisë. Kështu, Denisi shpesh refuzoi mundësitë për të fituar shumë para në biznesin fitimprurës të ndërtimeve në Kaliforninë e Jugut. Më 1988, së bashku me Ketin bënë një kërkesë për të ndihmuar në veprën ndërkombëtare të ndërtimit që bëjnë Dëshmitarët e Jehovait. Në dhjetor të atij viti, ata morën një caktim për të punuar në projektin për ndërtimin e degës në Buenos-Ajres, Argjentinë.
Më 1989, Denisi dhe Keti morën një ftesë për të shërbyer në mënyrë më të vazhdueshme në projektet e ndërtimit të Dëshmitarëve të Jehovait. Në këtë formë të veçantë të shërbimit të plotkohor, ata kanë shërbyer dy herë në Surinam dhe në Kolumbi. Gjithashtu kanë punuar për ndërtimin e degës në Ekuador dhe në Meksikë, si dhe në një projekt të ngjashëm në Republikën Domenikane.
Marku në shërbimin e plotkohor
Në vitin 1976, Markut dhe mijëra të rinjve të tjerë amerikanë, të cilët ishin larguar për në Kanada për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak iu dha amnistia nga qeveria amerikane. Edhe ai me gruan e tij, Ketin, dëshironin të bënin një jetë të thjeshtë për t’i kushtuar më shumë kohë shërbimit. Kështu Marku bëri një punë me orar të shkurtuar si topograf dhe dalëngadalë, së bashku me Ketin i shlyen të gjitha borxhet që iu ishin grumbulluar para pagëzimit.
Më 1978, kur Dëshmitarët në Kanada po planifikonin të ndërtonin një kompleks të ri për degën afër Torontos, Ontario, Marku dhe Keti ishin në gjendje për të vënë në dispozicion shërbimin e tyre. Meqë Marku kishte përvojë në rilevim, ata i ftuan të merrnin pjesë për ndërtimin e asaj dege. Punuan për projektin në Xhorxhtaun deri në përfundimin e tij në qershor 1981. Pas kësaj, u kthyen në Kolumbinë Britanike dhe atje gjatë katër viteve që pasuan ndihmuan për ndërtimin e një Salle Asamblesh të Dëshmitarëve të Jehovait. Kur ajo përfundoi, ata u ftuan të ktheheshin për të punuar në Kanada për zgjerimin e ndërtesave të degës.
Në vitin 1986, pas pak muajsh që kishin kaluar në Xhorxhtaun, Markut dhe Ketit iu bë një ftesë për të qëndruar si pjesëtarë të përhershëm të personelit të degës në Kanada. Që nga ajo kohë, kanë shërbyer si pjesëtarë të degës atje dhe gjithashtu, kanë pasur shumë mundësi për të marrë pjesë në veprën e ndërtimit në shumë vende të tjera. Falë përvojës së Markut në rilevim, ai filloi të merrej me rilevimin e ndërtesave të degëve dhe Sallave të Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Amerikën Qendrore dhe Jugore dhe në ishujt Karaibe.
Gjatë viteve, ai dhe Keti shërbyen në Venezuelë, Nikaragua, Haiti, Guajana, Barbados, Bahama, Dominika, Shtetet e Bashkuara (Florida) dhe në Republikën Domenikane. Kjo formë e veçantë e shërbimit të plotkohor bëri që udha e jetës së Markut të kryqëzohej përsëri me atë të Denisit.
Takim në Republikën Domenikane
Pa e ditur, Marku dhe Denisi punonin në projekte të ngjashme në Republikën Domenikane. Një ditë ndodhi që u gjendën pranë njëri-tjetrit në ndërtesat e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Santo-Domingo. Siç mund ta imagjinoni, ata ishin të gëzuar që u takuan sërish. Në fund të
fundit ishin që të dy 33 vjet më të rritur dhe kishin shumë për të treguar. Me një habi gjithnjë e më të madhe, ata treguan gjëra, shumicën e të cilave i lexuat më sipër. Por ajo që i çudit më shumë si ata, ashtu edhe gjithë të tjerët, të cilët i kanë dëgjuar përvojat e tyre, ishin ngjashmëritë e shumta të jetës së tyre.Që të dy kishin bërë një jetë prej hipish dhe ishin larguar drejt zonave të largëta për të ikur nga jeta moderne materialiste dhe nga gjithë ankthet e saj. Denisi u martua me një vajzë që quhej Keti; Marku u martua me një vajzë që quhej Keti. Që të dy pranuan një studim biblik kur ndoqën mbledhjen e parë të Dëshmitarëve të Jehovait. Të dy u pagëzuan në mars 1974. Që të dy u bënë pjesëtarë të familjeve të degëve të Dëshmitarëve të Jehovait, Denisi në Shtetet e Bashkuara dhe Marku në Kanada. Të dy kishin bërë përpjekje të bënin një jetë të thjeshtë me qëllim që të jepeshin pas synimeve frymore. (Mateu 6:22) Të dy u përfshinë në veprën ndërkombëtare të ndërtimit dhe kanë marrë caktime në shumë vende. Deri në takimin e tyre të rastësishëm në Republikën Domenikane, asnjëri nuk kishte takuar ndonjë shok të vjetër që kishte pranuar të vërtetën biblike.
A ia japin meritën fatit Marku dhe Denisi për këto rastësi të habitshme? Aspak. Ata e dinë që, siç thotë Bibla, «të gjithëve gjërat u ndodhin sipas kohës dhe rastësisë», dhe kjo ndonjëherë në një mënyrë shumë interesante. (Predikuesi 9:11) Megjithatë, ata gjithashtu, e dinë se diçka tjetër luajti rol në takimin e tyre: përpjekjet e secilit për të kërkuar një qëllim në jetë dhe dashuria për Perëndinë Jehova.
Gjithashtu, historia e Markut dhe e Denisit nxjerr në pah disa gjëra që janë të përbashkëta për të gjithë ata me zemër të sinqertë, të cilët mësojnë të vërtetën biblike. Denisi thotë: «Ajo që kemi provuar unë dhe Marku tregon se Jehovai është në dijeni të rrethanave në të cilat ndodhet jeta e njerëzve dhe kur zemra e tyre bëhet e prirur siç duhet, Ai i tërheq ata drejt vetes.»—2 Kronikave 16:9; Gjoni 6:44; Veprat 13:48.
Marku shton: «Përvoja jonë, gjithashtu, na ka mësuar të kuptojmë se kur dikush përshtatet me normat e Jehovait, i kushton jetën atij dhe e vë veten në dispozicion, Jehovai mund t’i përdorë talentet dhe aftësitë e këtij personi për të çuar përpara adhurimin e vërtetë për dobi të popullit të tij.»—Efesianëve 4:28.
Gjithashtu, përvoja e tyre tregon se Perëndia Jehova e bekon shërbimin me gjithë shpirt të popullit të tij. Patjetër, Denisi dhe Marku ndihen të bekuar. Denisi thotë: «Është një privilegj t’u shërbesh interesave të Mbretërisë në shërbimin e veçantë të plotkohor. Ai na ka dhënë mundësi të gëzojmë një shkëmbim inkurajimi kur punojmë me vëllezër dhe motra të krishterë nga e gjithë bota.»
Marku shton: «Jehovai, patjetër, i bekon ata që vënë në radhë të parë Mbretërinë e tij. E konsideroj një bekim të veçantë të shërbej si një anëtar i familjes në degën e Kanadasë dhe të marr pjesë në veprën ndërkombëtare të ndërtimit.»
Një takim i veçantë? Po, sepse siç thotë Marku: «Arsyeja e vërtetë, për të cilën takimi ynë ishte kaq emocionues është se ne që të dy kemi arritur të njohim, të duam dhe t’i shërbejmë Perëndisë së vetëm, Jehovait.»
[Figura në faqen 21]
Denisi, 1966
[Figura në faqen 21]
Marku, 1964
[Figura në faqen 23]
Denisi në Dakotën e Jugut, 1974
[Figura në faqen 23]
Marku në Ontario, 1971
[Figura në faqen 24]
Denisi dhe Marku, bashkë me gratë e tyre, pak kohë pas takimit të tyre të rastësishëm, 2001