Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
«Ëndrrat për pasuri»
Reklamat e shumta, të cilat ndikojnë fuqishëm, kanë mashtruar shumë të varfër duke i bërë të besojnë se mund t’i shpëtojnë varfërisë duke luajtur bixhoz, megjithëse realisht, mundësitë për të fituar ndonjë shumë të konsiderueshme parash janë shumë të vogla, siç raporton Times of Zambia. Artikulli thotë se «reklamat e llotarive nxitin ëndrrat për pasuri, luks dhe një jetë, problemet e së cilës marrin fund menjëherë», ndërkohë që «mundësitë fare të vogla për të fituar përmenden rrallë». «Pavarësisht nga arsyet që mund të japë dikush, bixhozi është kokë e këmbë një vjedhës dhe duhet nxjerrë jashtë ligjit në çdo shoqëri të moralshme e të ndershme»,—përfundon gazeta.
Frika nga errësira
«Tani, fëmijët kanë më shumë frikë nga errësira, sesa kanë pasur prindërit e tyre kur ishin të vegjël. Kjo, sepse ekspozimi gjithnjë e më i madh ndaj ndriçimit artificial, bën që ata të jenë rrallë në errësirë të plotë», sipas një raporti në The Times e Londrës. Psikologu dhe shkrimtari Arik Sigman bëri një analizë të studimit dhe tha se gati dy të tretat e fëmijëve nën moshën dhjetë vjeç kërkojnë medoemos të flenë me dritë nate. Ai thotë se imagjinata e fëmijëve po ndrydhet për shkak të mungesës së ekspozimit ndaj errësirës, madje edhe natën kur janë në shtrat. «Imagjinatës së fëmijëve duhet t’i lihet hapësirë për t’u zhvilluar,—vëren raporti.—Mund të jetë shumë interesante për ta të luajnë dhe të argëtohen në errësirë, sepse të gjitha figurat imagjinare që do të krijojnë do të jenë të veçanta.» Por sot, «figurat imagjinare të gatshme që nguliten në mendjen e fëmijëve nëpërmjet televizorit, kinemasë dhe lojërave në kompjuter» i trembin ata. Dr. Sigmani komenton: «Këshilla për të lexuar më shumë dhe për të parë televizor më pak tingëllon si diçka e dalë jashtë mode, por megjithatë duhet përsëritur.»
Akullnaja e Antarktikut copëtohet
Gjatë një periudhe prej vetëm 35-ditësh, duke nisur nga fundi i janarit 2002, një pjesë 3.250 kilometra katrorë e akullnajës Larsen B në anën lindore të Gadishullit Antarktik u copëtua në mijëra ajsbergë pluskues, raporton Qendra Kombëtare e të Dhënave për Borën dhe Akullin në Universitetin e Kolorados. Një pjesë e madhe e Antarktidës rrethohet nga shtresa të trasha akulli që ushqejnë akullnajat, por këto shtresa janë pakësuar si pasojë e një prirjeje të ngrohjes së klimës atje që nga fundi i viteve 40. Meqenëse akullnaja pluskon mbi ujë, ky copëtim nuk do ta rritë në mënyrë të ndjeshme nivelin e detit. Megjithatë, «akullnajat shërbejnë si mure mbajtës ose si një sistem frenimi për masat më të vogla të akullit,—thotë raporti.—Sapo akullnajat zhvendosen, këto masa akulli fillojnë të lëshojnë në oqean më shumë akull sesa mbledhin me anë të borës.» Shkaqet e ngrohjes nuk janë ende të qarta dhe të dhënat mund të jenë pështjelluese. Përtej gadishullit, «pjesa tjetër e Antarktidës nuk shfaq shenja të përhapjes së ngrohtësisë», siç vëren The New York Times. Në fakt, disa kërkime tregojnë se gjatë 35 viteve të kaluara, në tërësi kontinenti mund të jetë bërë më i ftohtë.
Programi kinez për hapësirën
Më 1 prill 2002, anija kozmike kineze pa ekuipazh Shonjo III bëri me sukses uljen e saj në Mongolinë e Brendshme pas një misioni njëjavor, raportojnë lajmet e BBC-së. Në anije ndodhej një «njeri artificial», një manekin i pajisur me aparate për të kontrolluar nivelin e oksigjenit dhe të temperaturës. Ai shërbeu si një provë për sistemet që sigurojnë kushte të përshtatshme për jetën, sisteme që mund të përdoren gjatë një fluturimi të ardhshëm me ekuipazh. Zyrtarë kinezë për çështjet e hapësirës, kanë njoftuar për planet që synojnë ta çojnë njeriun në hapësirë jo më vonë sesa viti 2005. «Synimi afatgjatë që i ka vënë vetes agjencia kineze e hapësirës është ta çojë njeriun në hënë rreth vitit 2010»,—thotë raporti.
Për papagallin trupvogël, ngjyra e ndezur është e bukur
Si e zgjedhin partnerin papagajt e vegjël Melopsittacus undulatus? Kjo mund të varet se sa i ndezur është shkëlqimi i pendëve. Pendët e tyre përmbajnë një lëndë kimike që thith rrezet ultraviolet dhe i emeton ato përsëri, por kësaj radhe me një gjatësi më të madhe vale, duke bërë që pendët të shkëlqejnë me një ngjyrë fluoreshente të verdhë në të kuqe. Dr. Xhastin Marshalli në Universitetin e Kuinslandit, Australi, së bashku me kolegët e tij i lyen me krem kundër diellit pendët e këtyre papagajve të egër, me qëllim që t’ia zbehnin këtë efekt fluoreshent. «Zogjtë me shkëlqim të zbehtë ishin shumë më pak tërheqës për ata të seksit tjetër»,—raporton The Sydney Morning Herald. Marshalli tha se një shkëlqim i ndezur ka mundësi të tregojë që një zog është i një cilësie të lartë. Megjithëse trupat e disa krijesave të tjera mund të përmbajnë lëndë kimike fluoreshente, Marshalli tha se ky është «përdorimi i parë i provuar i fluoreshencës në mbretërinë e kafshëve», siç thotë Herald.
Luanë në rrezik
«Së shpejti në zona të mëdha të Afrikës, luanët mund të zhduken»,—thotë revista New Scientist. Nevojitet një koloni me 500 deri në 1.000 luanë për të pasur rreth 100 çifte për t’u shumuar, numër ky i mjaftueshëm për të shmangur kryqëzimin brenda familjes. Sipas Bashkimit Botëror për Ruajtjen e Natyrës, popullatat e luanëve në Afrikën perëndimore dhe qendrore janë shumë më të vogla se këto. «Është një situatë serioze,—thotë Hans Baueri në Universitetin e Lajdenit në Hollandë.—Atje nuk ka asnjë popullatë, për të cilin mund të jemi të sigurt që do të vazhdojë të ekzistojë.» Shkaku kryesor për këtë pakësim është se njeriu ka uzurpuar habitatin e kafshëve. Luanët kanë nevojë për zona të gjera gjuetie, gati 200 kilometra katrorë për një mashkull të vetëm. «Luani luan një rol kyç për llojet e tjera,—paralajmëron Baueri.—Fakti që luanët janë në rrezik tani është një paralajmërim që do të thotë se lloje të tjera mund të rrezikohen brenda një kohe prej 20 deri në 30 vjetësh.»
Rreziqet e nxirjes me rreze artificiale
«Rreziku i zhvillimit të kancerit të lëkurës te përdoruesit e rrezeve artificiale është më shumë se dy herë më i madh dhe në mënyrë të veçantë rrezikohen të rinjtë»,—thotë The Guardian e Londrës. Profesoresha Margaret Karagasi në Shkollën Mjekësore të Dartmëthit, Nju-Hempshajer, SHBA, intervistoi 1.500 persona të moshave 25 deri 74-vjeçare, më shumë se gjysma e të cilëve ishin diagnostikuar së fundi me kancer në lëkurë. Rreziku i kancerit të lëkurës u rrit «deri në 20 për qind për çdo dhjetëvjeçar të përdorimit të rrezeve artificiale para moshës 50-vjeçare», siç thotë The Times e Londrës. Profesoresha Karagasi thotë: «Llambat që përdoren për nxirje imitojnë dritën e diellit, por duke pasur një dozë të fuqishme e të përqendruar rrezatimi ultraviolet.» Tani në krahasim me vitet 60 të shekullit të kaluar, numri i vdekjeve nga kanceri i lëkurës në Britani është gati tri herë më i madh, kurse në Skoci katër herë më i madh. Për këto vdekje, ekspertët ia vënë fajin shtimit të ekspozimit ndaj rrezatimit ultraviolet me anë të banjave të diellit dhe përdorimit të llambave për t’u nxirë. «Nuk ekziston një nxirje e padëmshme,—thotë një zëdhënës i Kërkimeve për Kancerin në Britaninë e Madhe.—Në të vërtetë, një nxirje është reagimi i trupit ndaj dëmtimit të ADN-së.»
«Rezervuarët e ujit» në rrezik
Gjysma e popullsisë së botës varet nga ekosistemet e vargmaleve për të siguruar ujin e pijshëm, sipas The Toronto Star e Kanadasë. Këto vargmale, të quajtur «rezervuarët botërorë të ujit» në një raport të Kombeve të Bashkuara të bërë me rastin e vitit kushtuar maleve, të organizuar nga Kombet e Bashkuara, gjenden nën një kërcënim serioz. Siç thotë Star, dëmi është shkaktuar nga«ndryshimi i klimës, ndotja, konfliktet e armatosura, rritja e popullsisë, shpyllëzimi dhe shfrytëzimi nga ana e industrive të agrikulturës, minierave dhe të turizmit». Sipas gazetës, raporti paralajmëron se «ky dëmtim do të çojë në më shumë përmbytje, rrëshqitje të tokës dhe kriza ushqimi».
Varësia nga alkooli
Sipas raportit të The Independent e Londrës, tani në Britani një në çdo tre persona është nën varësinë e alkoolit. Kjo bën që varësia ndaj alkoolit të jetë «gati dy herë më e madhe se varësia ndaj drogave të ndaluara ose të dhëna me recetë». Nga viti 1994 deri më 1999, numri i vdekjeve që kanë ardhur drejtpërdrejt për shkak të abuzimit me alkoolin, ku përfshihen vdekjet nga sëmundjet e zemrës, ceroza e mëlçisë dhe helmimi nga alkooli, u rrit pothuajse 43 për qind. Për shkak të drejtimit të makinës në gjendje të dehur, aksidentet u shtuan nga 10.000 më 1998 deri në 11.780 më 2000 dhe ishin shkaku i 1 në çdo 7 vdekjeve në rrugë. Gjithashtu, 60 për qind e punëdhënësve kanë probleme me punonjësit që pinë tepër dhe 40 për qind e atyre që kryejnë krime të dhunshme e bëjnë këtë nën ndikimin e alkoolit. Erik Epëllbai, drejtor i shoqatës bamirëse britanike për Problemet me Alkoolin tha: «Ndërlikimi i kësaj çështjeje dhe përhapja shumë e madhe e problemeve lidhur me ndikimin në shëndetin e njerëzve, marrëdhëniet me të tjerët dhe shpenzimet, pa përmendur këtu ndikimin në shërbimet publike, . . . përforcon nevojën për një ndërhyrje urgjente dhe me forca të bashkuara.»