Anije të fuqishme gati për të ndihmuar
Anije të fuqishme gati për të ndihmuar
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FINLANDË
PULËBARDHAT ngjiten si shigjeta përmes qiellit pa re. Dielli të djeg. Ajri është i mbushur me aromën e këndshme të kokrrave të kafesë. Më në fund kapakët e hambarit mbyllen plot zhurmë, sirenat oshtijnë dhe një anije mallrash tejet e ngarkuar fillon të shkasë me mundim. Ngarkesa me kokrra kafeje ka filluar udhën drejt Finlandës, një vend ku pëlqehet shumë kafeja. Megjithatë, pak javë më vonë, anija që mbart këta thasë me kokrra kafeje në të ftohtët e hidhur të dimrit do të ngecë në akullin e trashë të detit Baltik. Çfarë mund të bëhet? Nuk ka pse të shqetësoheni, sepse po vjen ndihma. Një anije e fuqishme shfaqet në horizont, anija akullthyese.
Thyerja e akullit
Shumica e ngarkesave në botë transportohen në rrugë detare. Zakonisht kjo nuk përbën një problem. Por, si të hyjnë anijet në port kur deti është i ngrirë? Kjo është veçanërisht e vështirë në detin Baltik plot trafik, i cili për shumë vende është i vetmi korridor për në oqeanin e hapur. Për shembull, gjatë një dimri të ashpër, shumica e porteve të Finlandës janë të bllokuara nga akulli dhe portet e saj më veriore mund të rrethohen nga akulli deri në gjashtë muaj. Kjo ka kushtuar jetë njerëzish.
Në vitin 1867, të korrat në Evropën Veriore dhe Qendrore ishin të pakta. Meqenëse asnjë nga korridoret ujore të Finlandës nuk ishin të lira nga akulli deri në maj, nuk kishte mënyrë për t’i çuar në vend ndihmat derisa të shkrihej akulli. Kapiteni Sepo Laurel në librin Through Ice and Snow (Përmes akullit dhe dëborës) thotë: «Në atë kohë rreth 110.000 njerëz ose më shumë se pesë për qind e popullsisë [së Finlandës], vdiqën nga uria.»
Akulli bllokon lëvizjen e ngarkesave edhe në vende të tjera. Në Amerikën Veriore ky është një problem i zakonshëm në Liqenet e Mëdha, në
lumin Seint Lorëns dhe përgjatë bregut kanadez. Zonat e Arktikut dhe e Antarktikut janë edhe më të vështira për të lundruar gjatë dimrit të akullt. Atje trashësia mesatare e akullit është 2-3 metra.Përpjekjet e hershme për të çarë kanale përmes akullit
Në epokën e anijeve me vela, akulli ishte një pengesë pothuaj e pakapërcyeshme. Pasi u shfaqën anijet e para me avull me trup të çeliktë, gjendja u përmirësua. Nëse anija e mallrave ishte mjaft e fortë, mund të kalonte vetë përmes akullit të hollë. Gjithsesi, këto anije ishin të kufizuara, edhe pse disa prej tyre ishin të përforcuara posaçërisht kundër akullit.
Ndërtimi i anijeve akullthyese doli se ishte një zgjidhje. Akullthyesja e parë në botë thuhet se ka qenë anija City Ice Boat I, e ndërtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1837. Në Evropë anija Eisbrecher (Akullthyesja) u ndërtua në Hamburg të Gjermanisë, më 1871. Përvoja mësoi shpejt se ç’lloj anijesh mund t’i bënin ballë më mirë akullit dhe në fillim të shekullit të 20-të, ishin krijuar disa projekte themelore. *
Gjigantët pluskues prej hekuri
Çfarë ndodh kur një anije ngec në akull? Një marinar thotë: «Anija dridhet sikur të kishte ethe të forta.» Trupi i një anijeje akullthyese duhet t’i rezistojë
një presioni shumë herë më të madh sesa trupi i një anijeje tregtare. «Të çash nëpër një masë akulli duke e thyer atë është njësoj sikur të lundrosh nëpër rërë me një barkë me motor»,—thotë një punonjës në një akullthyese. Pllakat e çelikta te bashi mund të jenë pa frikë më tepër se 30 milimetra të trasha, madje në akullthyeset polare arrijnë deri në 50 milimetra të trasha. Trupi i anijes, përveç brinjëve normale ka edhe brinjë përforcuese të veçanta kundër akullit. Sa të forta janë këto anije? Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur akullthyesja Tarmo u godit nga një bombë, kuverta dhe pjesa më e madhe e kabinave u shkatërruan, por trupit nuk iu bë as edhe një vrimë e vogël.Trajta e trupit është shumë e rëndësishme për një anije akullthyese. Shpesh puna më e vështirë nuk është në fakt thyerja e akullit, por largimi i copave të thyera të akullit. Shumë akullthyese kanë bash paksa të cekët, në trajtë luge. Anija e thyen akullin me masën e saj dhe i shtyn blloqet e akullit anash dhe poshtë. Trajta e trupit projektohet me kujdes për të pakësuar fërkimin midis trupit të anijes dhe akullit. Veç kësaj, trupi është i veshur me çelik që nuk ndryshket ose është i lyer me një bojë epokside shumë të lëmuar e të qëndrueshme.
Me çfarë punojnë këta gjigantë hekuri? Kanë kaluar kohët kur njerëzit e djersitur duhej të hidhnin me lopata qymyr për kaldajën e motorit. Akullthyeset e sotme janë dizel-elektrike dhe fuqia e tyre shtytëse është sa ajo e një anijeje cisternë me madhësi mesatare. Disa akullthyese që të veprojnë në zonat polare pa pasur frikë se mos mbeten pa karburant, vihen në lëvizje nga reaktorët bërthamorë.
Karakteristika unike
Nëse një barkë e thjeshtë ngec në baltë, vozitësi mund ta nxjerrë barkën duke e tundur sa nga njëra anë në tjetrën. I njëjti parim zbatohet edhe për akullthyeset. Por në rastin e tyre, anija nuk do të luante edhe sikur i gjithë ekuipazhi prej 30 burrash të vraponte nga njëra anë në tjetrën. Lëkundja shkaktohet nga një sistem i veçantë animi: uji lëvizet para e prapa nga njëri serbator i stërmadh me ujë në njërën anë të trupit të anijes, në serbatorin në anën tjetër. Në mënyrë të habitshme, në disa raste ky anim kryhet në më pak se 15 sekonda. Vetëm mendimi i një lëkundjeje të tillë do të mjaftonte që një njeri i pamësuar me detin të zverdhej nga ndjenja e të vjellës. Natyrisht, marinarët janë kategori më vete.
Nga fundi i shekullit të 19-të, dikush kishte menduar të vendoste një helikë te bashi. Lëvizja e helikës krijonte një rrymë uji e cila e pakësonte fërkimin dhe e largonte akullin pjesërisht të tretur. Disa akullthyese të sotme kanë dy helika në kiç dhe një ose dy në bash. Sidoqoftë, në shumë akullthyese, helika e dalë e bashit është zëvendësuar nga një sistem që lëshon flluska ajri. Hundëzat e nënujshme përgjatë trupit të anijes çlirojnë sasi të mëdha ajri të kompresuar në ujin poshtë akullit, duke shkaktuar flluska të fuqishme në ujë, të cilat e zvogëlojnë fërkimin.
Një vështrim në horizont
Dielli i ngrohtë i pranverës bën atë që të nëntë akullthyeset e fuqishme të Finlandës nuk arrijnë ta bëjnë, thyen rrethimin e akullt përqark porteve, edhe në viset më veriore të vendit. Akullthyeset kthehen në portin e tyre dhe kjo nënkupton një verë të rehatshme për ekuipazhin. Anijet e veçanta të shtrenjta do të rrinë pa u përdorur për disa muaj, sepse mënyra e veçantë se si janë ndërtuar nuk i bën shumë të përshtatshme për një lundrim të rregullt në sipërfaqet e hapura ujore.
Megjithatë, ekziston një brez i ri anijesh. Këto akullthyese të shumanshme, veprojnë si akullthyese të zakonshme në dimër, por gjatë stinës pa akull, ato mund të përdoren për gjëra të tilla si: shtrirja e kabllove, operacionet kërkimore dhe mirëmbajtja e kullave të shpimit të naftës pranë bregut. Një anije e tillë, Botnica, e cila u ndërtua më 1998 për t’u përdorur nga Administrata Detare Finlandeze, ka dy sisteme shtytëse në një seksion me transmisione të motorit, të cilat rrotullohen 360 gradë dhe në këtë mënyrë shërbejnë jo vetëm si helika, por edhe si timonë. Këto sisteme e bëjnë anijen jashtëzakonisht të manovrueshme. Ky projekt është zbatuar edhe te anijet e reja për pasagjerë.
Si pasojë e teknikave të përparuara për thyerjen e akullit, ka lindur ideja për një lloj të ri anije mallrash. Kur të lëvizë përpara, anija e re do të çajë dallgët si zakonisht. Por, kiçi do të përdoret për të thyer akullin. Kjo «anije cisternë me veprim të dyfishtë» do të ishte e dobishme sidomos në zonat polare, ku akullthyeset nuk arrijnë të vijnë në ndihmë. Anija mund të çajë një kanal përmes akullit duke lëvizur mbrapsht.
Ndërkohë, Finlanda ka nevojë urgjentisht të pijë kafe. Akullthyesja për të cilën kemi folur në paragrafin hyrës të këtij artikulli ka thyer akullin që kishte bllokuar anijen e kafesë dhe tani po e tërheq atë. Kapiteni i akullthyeses mbështetet qetësisht mbi parmakun e anijes. Pastaj drejtohet nga ura e anijes. Është koha për një filxhan kafe të nxehtë.
[Shënimi]
^ par. 10 Akullthyeset ndryshojnë nga njëra-tjetra nga masa dhe nga mënyra si janë ndërtuar, në varësi të asaj se ku veprojnë: në porte, në det të hapur ose në zona polare. Ky artikull përqendrohet kryesisht te akullthyeset që përdoren në det të hapur.
[Figura në faqen 25]
Akullthyesja «Otso» duke hapur një korridor
[Burimi]
Administrata Detare Finlandeze
[Figura në faqen 25]
Anije dimërore me avull e ngecur në akull, rreth vitit 1890
[Burimi]
Museovirasto
[Figura në faqen 26]
Akullthyesja «Tajmir» që punon me energji bërthamore
[Burimi]
Kværner Masa-Yards
[Figura në faqen 26]
Akullthyeset e shumanshme mund të përdoren edhe për shtrirjen e kabllove dhe të tubave
[Burimi]
Administrata Detare Finlandeze
[Figura në faqen 26]
«Botnica»
[Burimi]
Administrata Detare Finlandeze