«Ari i kuq» i Mesdheut
«Ari i kuq» i Mesdheut
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI
DIKUR studiuesit nuk ishin në një mendje nëse ishte bimë apo mineral. Prej shumë kohësh, ngjyra e tij e ndezur i ka mahnitur admiruesit. Përgjatë shekujve, ai është përdorur si zbukurim, si material për punime artistike, si hajmali, si ilaç dhe madje edhe si monedhë. Sot përdoret kryesisht për punimin e bizhuterive. Çfarë është? Korali i kuq i Mesdheut, që është kaq i çmuar, saqë është quajtur edhe ari i kuq.
Çfarë është me saktësi korali i kuq? Si dhe ku formohet ai? Çfarë metodash janë përdorur për ta mbledhur atë? Si punohej ai në të kaluarën? Dhe si punohet sot?
Kafshë, bimë apo mineral?
Natyralistët e lashtë përshkruan pamjen e koralit të kuq të Mesdheut (Corallium rubrum), si mblidhej dhe për çfarë përdorej ai. Por deri në shekullin e 18-të, në përgjithësi nuk u kuptua që përbëhej nga mbetjet skeletore të një organizmi që i përket mbretërisë së kafshëve, siç formohen faktikisht të gjitha koralet. Ato që duken si lulet e një peme fare të vockël, në të vërtetë janë tentakulat e krijesave të gjalla, e kolonive të polipeve. Degët, që arrijnë një gjatësi 25 deri në 30 centimetra, janë rezerva gëlqerore të ngurta që koloni të tëra të këtyre gjallesave i sekretojnë për t’u vetëmbrojtur. Megjithëse çdo degë ka të njëjtën ngjyrë në të gjithë gjatësinë, mund të dallohen disa nuanca të së kuqes. Korali i kuq mund të rritet në një thellësi 250 metra dhe mbi çdo sipërfaqe të fortë, qoftë shkëmb ose anije e mbytur, e madje edhe mbi një gjyle topi të lashtë. Por, ka nevojë për dete të qeta, të pandotura, me një kripshmëri relativisht të lartë dhe për një temperaturë uji që luhatet nga 10 deri në 29 gradë celsius. Gjendet në ujrat mesdhetare të Algjerisë, Francës, Greqisë, Italisë, ish-Jugosllavisë, Marokut, Spanjës, Shqipërisë, Tunizisë, si dhe në ujrat e Atlantikut pranë Kepit të Gjelbërt dhe Marokut. Është përllogaritur se mesatarja e rritjes së kolonive të reja brenda një viti shkon nga 4 deri në 8 milimetra në gjatësi dhe 1,5 milimetra në diametër.
I çmuar që në kohët e lashta
Dëshmitë arkeologjike tregojnë se koralet janë çmuar, punuar dhe tregtuar që në kohët e lashta. Ka të ngjarë që në fillim, njerëzit vetëm i Fjalët e urta 8:10, 11, BR; Vajtimet 4:7) Gjithashtu edhe keltët e shihnin si diçka shumë të çmuar dhe e përdornin për të zbukuruar armët dhe frerët e kuajve.
mblidhnin degët e koraleve që uji i nxirrte në plazhet e Mesdheut. Pjesë koralesh të kuqe, që ka mundësi të kenë shërbyer si hajmali, janë gjetur në varre të lashta në Zvicër. Korali mbahej si një nga xhevahiret e një hyjnie sumeriane. Egjiptianët e çmonin shumë atë. Judenjtë e lashtë, përsa i përket vlerës, e radhitnin pranë argjendit dhe arit të cilësisë më të mirë. (Natyralisti romak Plini tregon se në shekullin e parë të e.s. korali i kuq mblidhej në Gjirin e Luanëve, përgjatë bregdetit perëndimor të gadishullit italian dhe përreth Sicilisë. Kolonitë shkuleshin me anë të rrjetave ose priteshin me mjete hekuri të mprehta. Në atë kohë, koralet konsideroheshin si mjekim për ethet, gurët në veshka dhe sëmundjet e syve. Gjithashtu, mendohej se njerëzit që mbanin korale ishin të mbrojtur nga tajfunet dhe rrufetë.
Rreth shekullit të dhjetë të e.s., arabët e Afrikës së Veriut shpikën një mjet për të mbledhur korale, një kryq të madh me traversa diagonale të cilat kishin një gjatësi nga 4 deri në 5 metra. Ai bëhej edhe më i rëndë nga një gur i madh dhe kishte grupe rrjetash, disa prej të cilave me gjatësi 8 metra që vareshin në qendrën e në skajet e kryqit. Nga një barkë ky mjet lëshohej brenda në ujë mbi sipërfaqet me korale dhe tërhiqej nëpër to. Degët me korale thyheshin, ngatërroheshin nëpër rrjeta dhe nxirreshin nga uji kur kjo pajisje tërhiqej përsëri në sipërfaqe. Variante të kësaj metode dhe të pajisjes për mbledhjen e koraleve përdoreshin deri pak vite më parë. Por frika se mos ato po dëmtonin fundin e detit dhe faunën detare, bëri që të ndaloheshin dhe në vend të tyre koralet të mblidheshin nga zhytësit. Në teori zhytësit mund të jenë më përzgjedhës e të dëmtojnë më pak, por, në praktikë disa kanë dhënë prova se janë të aftë ta zhveshin plotësisht shtratin e detit nga koralet.
Një mjeshtëri e traditës italiane
Zejtarët e lashtë romakë bënin hajmali, rruaza për varëse e skulptura që paraqitnin subjekte nga mitologjia dhe natyra. Rreth shekullit të 12-të, ndërmjet Gjenovës dhe Kostandinopojës e porteve të ndryshme të Mesdheut lulëzonte tregtia e rruazave, e kopsave dhe e objekteve të tjera. Në kohën e Marko Polos (shekulli i 13-të), koralet mesdhetare kërkoheshin shumë në Indi e Indokinë dhe tregtarët arabë shkonin deri në Kinë për t’i siguruar ato.
Trapani, Napoli dhe Gjenova, si dhe qytete të tjera prodhonin sasi të mëdha zbukurimesh me sipërfaqe të lëmuar. Në të ashtuquajturat periudha të stilit barok dhe manierist (nga shekulli i 16-të deri në shekullin e 18-të) spikatnin punimet e Trapanit. Në këtë vend, gdhendje të vogla koralesh, të fiksuara mbi sipërfaqe të drunjta ose sipërfaqe metali të praruara zbukuronin të gjitha llojet e objekteve—kutitë e bizhuterive, tabakatë, kornizat e pikturave, pasqyrat dhe zbukurimet e kishave. Skulptura që paraqitnin skena nga lindja e Jezuit ishin punuar me korale dhe mijëra rruaza koralesh të vockla qepeshin mbi rroba të shtrenjta dhe mbi objektet që vareshin në altare. Sidomos gjatë shekullit të 19-të, një numër i madh zbukurimesh personale u prodhuan në të gjitha stilet dhe format. Këtu futeshin kompletet e bizhuterive, kurorat, vathët, zbukurimet që varen, varëset, kameot, karficat e zbukurimit dhe byzylykët, të gjitha këto të gdhendura në formën e luleve, gjetheve, kafshëve, si edhe punimet artistike të stilit klasik.
Qyteti Torre-del-Greko, në Gjirin e Napolit, Itali, është i specializuar në përpunimin e koralit të kuq. Në fakt është llogaritur se qyteti përpunon afërsisht 90 për qind të të gjithë koraleve të kuqe të mbledhura në gjithë botën. Këtu mjeshtrat e aftë përdorin sharrat disk për t’i prerë koralet në segmente. Disa punohen në makineri për t’u kthyer në rruaza sferike. Të tjera punohen me frezë dore për t’u dhënë forma dhe madhësi të caktuara, lëmohen dhe ngjiten në unaza, vathë dhe sende të tjera. Gjysma deri treçereku i materialit të papunuar humbet ose mbetet si mbeturinë gjatë procesit të punimit, dhe kjo është një nga arsyet pse çmimi për gram te bizhuteritë me korale të punuara është më i lartë se i atyre me flori.
Kjo industri ka patur momente lavdie dhe ka grumbulluar pasuri të mëdha. Mjerisht, siç thotë edhe libri Il Corallo Rosso (Korali i kuq), ajo ka tërhequr edhe individë «të pushtuar nga dëshira për përfitime të shpejta dhe pa u lodhur», që janë në gjendje t’i shfrytëzojnë ishujt me korale deri «në pikën e shkatërrimit». Shqetësimi për të ardhmen e këtyre koraleve dhe të industrisë që varet prej tyre ka nxitur persona të interesuar që të rekomandojnë një administrim të arsyeshëm të pasurive natyrore me korale. Megjithëse nuk konsiderohet si një lloj që rrezikohet për t’u zhdukur, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’i gjetur degët me gjatësi të mjaftueshme për t’u përdorur nga argjendarët. Sot, materiali i papërpunuar për bizhuteritë italiane me korale merret edhe nga Oqeani Paqësor. Lloje të ndryshme mblidhen rreth Japonisë dhe Tajvanit, në një thellësi rreth 320 metra, duke përdorur madje mininëndetëse dhe robotë që kontrollohen me telekomandë. Dymijë kilometra larg Havait, në thellësinë 1.500 metra rriten korale të çmuara.
Bizhuteritë mahnitëse dhe skulpturat me korale dëshmojnë për zotësinë e mjeshtrave që kanë ndihmuar në zhvillimin e kësaj tradite mbresëlënëse. Dhe për ata njerëz që e admirojnë veprën e duarve të Krijuesit tonë, «ari i kuq» i Mesdheut është vetëm një shembull i dhuratave të panumërta që ai ka bërë për kënaqësinë e njeriut.—Psalmi 135:3, 6.
[Figura në faqen 16]
Varëse e shekullit të 19-të që përbëhet nga 75.000 rruaza koralesh
[Burimi]
Per gentile concessione del Museo Liverino, Torre del Greco
[Figura në faqen 17]
Koral i gjallë
[Figurat në faqen 18]
Kurorë
Kupë e shekullit të 17-të
Komplet bizhuterish
[Burimi]
Të gjitha fotot: Per gentile concessione del Museo Liverino, Torre del Greco
[Burimi i figurës në faqen 17]
Per gentile concessione del Museo Liverino, Torre del Greco