Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dashuria në veprim​—Një punë e vështirë për të siguruar ndihmë

Dashuria në veprim​—Një punë e vështirë për të siguruar ndihmë

Dashuria në veprim​—Një punë e vështirë për të siguruar ndihmë

REDAKTORIT me përvojë të gazetës Houston Chronicle, Riçard Varës, nuk i bëjnë përshtypje lehtë gjërat, por vitin e kaluar ndodhi diçka që i la mbresa. «Nuk kam parë kurrë një gjë të tillë,​—tha ai i entuziazmuar.​—Nuk mund ta besoj.» Të njëjtat ndjenja provoi edhe kryetari i bashkisë së Hjustonit, Teksas, SHBA, Li P. Brauni. Ai tha: «Do të dëshiroja që gjithkush në Hjuston të shihte atë që keni bërë. Më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme.» Cila ishte tema e komenteve të tyre? Redaktori dhe kryetari i bashkisë po komentonin për përpjekjet për të siguruar ndihmë, të bëra nga Dëshmitarët e Jehovait në Hjuston. Çfarë përfshinin këto përpjekje? Përse ishin të nevojshme? Dhe përse lanë kaq shumë mbresa? Për të marrë përgjigjen, le t’ia nisim që nga fillimi.

Një përmbytje e paparë

Në fillim të qershorit të vitit 2001 një stuhi e fortë tropikale, e quajtur Alizon, goditi rrafshinën në juglindje të Teksasit. Përfundimisht, të premten më 8 qershor, për 24 orë, Alizoni bëri që mbi Hjuston, qyteti i katërt i vendit për nga madhësia, shiu të binte si rrëke dhe niveli i tij arriti një metër. * Brenda një kohe të shkurtër, uji, niveli i të cilit ngrihej, vërshoi nëpër dyqane, zyra dhe nëpër dhjetëra mijë shtëpi. Autostradat rreth qytetit u kthyen në lumenj të vrullshëm që mbulonin automjetet që kishin ngecur dhe kamionët e lartë. Madje, niveli i lartë i ujit e bëri të pamundur që zjarrfikëset dhe mjetet e tjera të shpëtimit të kalonin nëpër disa rrugë që ishin përmbytur. Helikopterët dhe automjetet e forta ushtarake u thirrën për të shpëtuar njerëzit.

Më në fund, të hënën më 11 qershor, kur qyteti pa përsëri qiellin pa re, u bë e dukshme se Alizoni kishte shkaktuar dëme të mëdha në njerëz dhe dëme materiale. Njëzet e dy veta humbën jetën, përfshirë edhe dy Dëshmitarë të Jehovait: Xhefri Grini, një plak i krishterë dhe kunata e tij Frida Uillisi. * Përveç kësaj, u dëmtuan afërsisht 70.000 shtëpi, duke bërë që kjo përmbytje të konsiderohej si një nga katastrofat natyrore më shkatërrimtare që kanë goditur ndonjëherë rajonet e mëdha metropolitane. Në fakt, me një dëm material afro 5 miliardë dollarë, Alizoni u bë stuhia tropikale që ka kushtuar më shtrenjtë në historinë e SHBA-së.

Vërshim vullnetarësh

Njerëzit ishin të tronditur. Një vullnetar tha: «Shtretërit e tyre ishin të lagur. Tapetet gjithashtu. Fotografitë e fëmijëve i kishte marrë uji.» Shumë nga Dëshmitarët e Jehovait, që në rajonin e Hjustonit janë më shumë se 16.000 mijë, pësuan humbje. U dëmtuan tetë Salla Mbretërie dhe qindra shtëpi të Dëshmitarëve. Në disa prej këtyre shtëpive niveli i ujit arrinte në disa centimetra, në të tjera ai kishte arritur deri në çati. Gjithsej, më shumë se 80 kongregacione u prekën nga kjo katastrofë. Megjithatë, viktimat nuk u lanë pa ndihmë. Pas pak ditësh pati një vërshim tjetër, por kësaj radhe me vullnetarë që vinin për të ndihmuar. Si ndodhi kjo?

Edhe para se të tërhiqeshin ujërat e përmbytjes, pleqtë e krishterë të kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait në Hjuston u hodhën në veprim. «U telefonuam dhe u bëmë vizita vëllezërve dhe motrave,​—tregoi një plak.​—Pastaj përcaktuam vlerën e dëmit dhe deri të hënën, më 11 qershor, kishim përpiluar një raport të plotë të viktimave, të numrit të shtëpive të dëmtuara dhe të përmasave të dëmit. Këtë raport e dërguam në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork.» Pak ditë më vonë zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në SHBA ngriti një komitet për sigurimin e ndihmës, të përbërë nga tetë pleq të krishterë nga Hjustoni dhe siguroi fondet për ndihmën. Cila ishte detyra e komitetit? Të ndihmonte viktimat të merrnin veten emocionalisht dhe të riparonte më shumë se 700 shtëpitë e dëmtuara të Dëshmitarëve.

«Si do t’ia dalim mbanë kësaj pune kolosale?»,​—pyetën veten anëtarët e Komitetit të Sigurimit të Ndihmës të Dëshmitarëve të Jehovait në Hjuston, i cili sapo ishte formuar në vitin 2001. Ata punonin deri natën vonë për të hartuar një plan fillestar dhe ftuan më shumë se 160 kongregacionet e Dëshmitarëve në rajonin e Hjustonit për të dhënë ndihmën e tyre. «Përgjigjja ishte e jashtëzakonshme,​—tha drejtuesi i komitetit.​—Më shumë se 11.000 Dëshmitarë dolën vullnetarë, për të dhënë falas kohën, punën dhe aftësitë e tyre.»

Lufta kundër mykut

Pak ditë pas përmbytjes vullnetarët shkuan të punonin në shtëpitë e viktimave, duke hequr tapetet e lagura, dyshemetë e dëmtuara, muret e shkatërruara, dollapët e bërë qull, dyert e deformuara dhe çdo gjë tjetër që ishte ndotur nga ujërat e përmbytjes, të përziera me ujërat e zeza. «Ishim në merak që jo vetëm të riparonim shtëpitë e vëllezërve,​—tha një vullnetar,​—por edhe të mbronim shëndetin e tyre.» Meqë myku helmues shpejt do të fillonte të rritej prapa mureve dhe brenda dollapëve, në fillim shtëpitë kishin nevojë të dezinfektoheshin plotësisht.

Për të mësuar si ta bënin punën pa u rrezikuar, disa Dëshmitarë kërkuan stërvitje nga Agjencia Federale e Drejtimit në Situata Urgjente (FEMA), një agjenci qeveritare e specializuar për trajtimin e katastrofave. Pas kësaj, çdo Dëshmitar i stërvitur nga FEMA ftonte dhjetë vullnetarë për të shkuar në një shtëpi të dëmtuar, ku i mësonte si ta dezinfektonin siç duhej. Të nesërmen secili prej këtyre dhjetë vullnetarëve të sapostërvitur merrte me radhë dhjetë vullnetarë të tjerë. «Në pak ditë,​—tregonte një vullnetar,​—numri i atyre që dinin ta bënin këtë punë u rrit deri në disa qindra.» Shpejtësia e përhapjes së mykut thjesht nuk mund t’ia kalonte numrit të vullnetarëve që sa vinte e shtoheshin! Pensionistë, si dhe adoleshentë që kishin pushimet shkollore, punonin gjatë ditës. Natën, vullnetarë të tjerë merrnin turnin dhe vazhdonin punën. Brenda gjashtë javëve të gjitha shtëpitë e Dëshmitarëve që ishin prekur nga myku tani ishin të pastra dhe të sigurta.

Një qendër administrative dhe shtatë qendra rajonale

Ndërkohë, komiteti i sigurimit të ndihmës bleu sasi të mëdha pllakash gjipsi dhe tonelata me materiale të tjera ndërtimi. Po ku mund t’i magazinonin ato? «Kur administratori i një firme mori vesh për nevojat që kishim,​—tregoi zëdhënësi i komitetit,​—na dha të përdornim një magazinë me sipërfaqe 5.000 metra katrorë, dhe e gjithë kjo falas.» Në magazinë jo vetëm që u vendosën materialet, por kishte hapësirë edhe për zyra. Shpejt ajo u bë qendra administrative e punës për të siguruar ndihmë ku 200 deri 300 vullnetarë punonin natë e ditë dhe në fundjavë.

Meqë shtëpitë e dëmtuara ndodheshin anembanë një zone të gjerë, në shtatë Salla Mbretërie u ngritën qendra që shërbenin si nyja lidhëse ose qendra rajonale të ndihmës. Në fundjavë secila nga këto qendra gumëzhinte nga vullnetarët. (Shih kutinë «Në një qendër aktiviteti».) Shumë prej tyre më parë kishin punuar së bashku në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në atë rajon. Gjithashtu, vullnetarë të kualifikuar në ndërtim nga 11 Komitete Rajonale Ndërtimi të Arkanzasit, Luizianës, Oklahomës dhe të Teksasit erdhën për të ndihmuar. * Në secilën qendër, marangozë, bojaxhinj, hidraulikë dhe punëtorë të tjerë që ishin zanatçinj merrnin drejtimin dhe stërvitnin të tjerët.​—Shih kutinë «Programet e stërvitjes».

Një plan dhe një bazë të dhënash

Vullnetarët ndoqën një plan ndërtimi me shtatë faza. Katër ngarkesa me materiale ndërtimi u shpërndanë nëpër shtëpi dhe puna e riparimit për çdo shtëpi ishte programuar të kryhej në tri fundjavë. Në këtë mënyrë, e gjithë puna do të përfundonte për rreth gjashtë muaj.

Që ky plan të funksiononte, komitetet ngritën 22 reparte ku futeshin: reparti i organizimit, i blerjeve, i strehimit dhe i transportit. Informacioni që gjendej në një bazë të gjerë të dhënash kompjuterike (data base) që ishte programuar nga vullnetarët ndihmonte të gjitha repartet. Para se të fillonte puna e riparimit, vullnetarët kaluan dhjetë ditë për të regjistruar informacionin. «Ishte një proces kolosal i regjistrimit të të dhënave»,​—vërejti një gazetë. Megjithatë, në fund të atij procesi ishin në dispozicion një sërë të dhënash të vlefshme. Me një klikim të mausit, baza e të dhënave tregonte se kur do të ishin në dispozicion të 11.000 vullnetarët, çfarë zanatesh kishin dhe si mund të lidheshim me ta. Me një klikim tjetër tregoheshin në ç’gjendje ishte puna e riparimeve, lejet e nevojshme të ndërtimit dhe hollësi të tjera për shtëpitë e dëmtuara. Kjo bazë të dhënash u bë e njohur si «zemra e punës për sigurimin e ndihmës».

Të prekur thellë dhe mirënjohës

Vullnetarët e kualifikuar në ndërtim vizitonin shtëpitë e thata dhe të pastruara nga myku për të vendosur se çfarë nevojitej për të riparuar dëmet. «Këta vullnetarë do të llogaritnin materialet, deri edhe numrin e gozhdëve që nevojiteshin,​—tha zëdhënësi.​—Nuk donim që të shkonte kot asnjë fond ose material që na kishin dhuruar.» Në të njëjtën kohë, vullnetarë të tjerë morën lejet e ndërtimit nga zyrtarët e qytetit.

Më pas familjet e dëmtuara i ftuan në magazinë për të zgjedhur mes një numri të kufizuar tapetesh, dollapësh, materialesh për shtrimin e dyshemesë me vinil, si dhe artikuj të tjerë për të zëvendësuar ato që kishin humbur. Viktimat e përmbytjes ishin të prekura thellë dhe shumë herë qanë kur panë gjithë ato gjëra që ishin siguruar për ta. Gjithashtu ata morën udhëzime nga vullnetarë ekspertë në çështjet e sigurimeve dhe në politikat qeveritare. Pastaj shtëpitë planifikoheshin për t’u riparuar dhe pikërisht ditën që skuadrave të riparimit u nevojiteshin materialet e ndërtimit, shoferët vullnetarë i shpërndanin ato. Një burrë që nuk ishte Dëshmitar, shtëpia e të cilit po riparohej i tha gruas së tij Dëshmitare: «Vëllezërit e tu janë të mrekullueshëm. Një skuadër largohet dhe një tjetër vjen me nxitim. Punojnë si milingonat!»

Për riparimin kryesor të çdo shtëpie u deshën rreth tri fundjavë. «Megjithatë, në disa raste, u deshën pesë ose edhe tetë javë»,​—tha drejtuesi i komitetit. Kur u hoqën muret në shtëpitë që ishin më të vjetra, shpesh vullnetarët vinin re dëmtime të mëparshme dhe nuk donin të bënin mure të reja pa ndrequr më parë këto probleme të vjetra. Një vullnetar zanatçi tha: «Në disa raste pamë që binarët ishin mbushur me termite, prandaj u siguruam që termitet të zhdukeshin. Shpesh punuam për të ndrequr trarët mbajtës. I lamë shtëpitë në gjendje të mirë.» Një nga viktimat e përmbytjes shprehu ndjenjat e shumë pronarëve të shtëpive kur i tha një vizitori: «Shtëpia është më e mirë nga ç’ishte kur e bleva!»

Vakte të përgatitura me shpejtësi

Për të përgatitur ushqim për numrin e madh të vullnetarëve, një grup Dëshmitarësh e kthyen një magazinë prapa Sallës së Mbretërisë në qendër për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit. Dëshmitarë nga i gjithë vendi dhuruan frigoriferë, ngrirës, makina për larjen e pjatave, soba dhe pajisje të tjera kuzhine. Çdo të shtunë e të diel 11 kuzhinierë dhe rreth 200 vullnetarë përgatitnin me mijëra racione në këtë qendër. Vullnetari që mbikëqyri këtë kuzhinë tha: «Kemi 19 vjet që përgatitim për të ngrënë gjatë projekteve për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, por ky projekt ishte më i madh nga ç’kishim imagjinuar ndonjëherë.»

Racionet mbushnin plot 120 kontejnerë të mëdhenj. Këto ngarkoheshin në 60 automjete që pritnin për t’i shpërndarë racionet në të gjitha qendrat rajonale dhe në qendrën administrative. Ndërkohë, skuadrat që punonin në çdo shtëpi dërgonin nga një vullnetar në qendrën ku ishin caktuar, për të marrë racionet për gjithë skuadrën. Vullnetarët hanin ushqimin në shtëpitë ku punonin dhe ktheheshin menjëherë në punë.

Mision i përfunduar

Më në fund, në prill të vitit 2002, 11.700 vullnetarët arritën në vijën e finishit të njërës prej fushatave më të mëdha të dhënies së ndihmës, të ndërmarra nga Dëshmitarët e Jehovait. Vullnetarët harxhuan 1.000.000 orë dhe rindërtuan gjithsej 723 shtëpi. Një nga viktimat e përmbytjes, me sytë e përlotur nga mirënjohja, tha në emër të shumë të tjerëve: «E falënderoj Jehovain dhe vullnetarët për gjithë ndihmën që na dhanë. Është diçka shumë ngushëlluese të jesh pjesë e një vëllazërie të dashur!»

[Shënimet]

^ par. 4 Qytetet e Nju-Jorkut, Los Anxhelosit dhe Çikagos kanë popullsi më të madhe. Zona metropolitane e Hjustonit ka afro 3.500.000 banorë dhe është më e madhe se shteti i Libanit në Lindjen e Mesme.

^ par. 5 Në funeral morën pjesë 1.300 miq të Xhefrit dhe të Fridës. Për Abigailën, gruan e Xhefrit dhe motrën e Fridës, mbështetja që i dhanë miqtë qe një ngushëllim i madh.

^ par. 15 Zakonisht Komitetet Rajonale të Ndërtimit merren me ndërtimin e vendeve të mbledhjeve të Dëshmitarëve të Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 21]

NJË QENDËR AKTIVITETI

Jemi në qendrën rajonale numër 4 në verilindje të Hjustonit. Është e shtunë, ora 7.00 e mëngjesit. Duke biseduar, duke qeshur, duke rrufitur kafenë dhe duke ngrënë petulla të ëmbla, vullnetarët mblidhen në Sallën e Mbretërisë. Disa kanë udhëtuar me qindra kilometra nga vendi i tyre për të mbërritur aty. Por në orën 7.30, bisedat e gjalla fashiten dhe mbikëqyrësi i qendrës drejton një diskutim të bazuar mbi një pjesë nga Bibla. Gjithashtu, ai lajmëron se të dielën në orën 7.30, para se vullnetarët të nisen për në vendet e tyre të punës do të mbahet studimi i Kullës së Rojës dhe i inkurajon të gjithë që të marrin pjesë, duke komentuar ose në anglisht, ose në spanjisht. Ai u njofton përshëndetjet e qendrës botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, të cilat priten me një shpërthim duartrokitjesh.

Mbikëqyrësi i qendrës u thotë se në ç’pikë ka arritur puna dhe i falënderon me ngrohtësi vullnetarët për frymën e gatishmërisë. Ai pyet: «A ka ndonjëri pyetje për punën ose vendin ku do të punojë sot?» Nuk ngrihet asnjë dorë. «Sa racione ushqimi na nevojiten?» Të gjitha duart ngrihen lart dhe shpërthejnë të qeshura. Në fund bëhet një lutje dhe të 250 vullnetarët​—burra, gra, të rinj e të moshuar shkojnë në caktimet e tyre, gati për të nisur një ditë tjetër të gjatë pune të lodhshme.

I njëjti program ndiqet edhe në gjashtë qendrat e tjera, si edhe në magazinë. Ndërkohë, vullnetarë të tjerë që punojnë në një kuzhinë të qendrës janë tashmë të zënë duke përzier ushqimin në enët e gatimit. Sot rreth mesditës, mbi 2.000 vullnetarë të uritur që punojnë kudo në Hjuston do të jenë gati për të ngrënë një gjellë të ngrohtë.

[Kutia dhe figura në faqen 22]

PROGRAMET E STËRVITJES

Gjatë punës së vështirë për të siguruar ndihmë, zanatçinjtë vullnetarë dhanë disa orë mësimi për të stërvitur vullnetarët e papërvojë për të kryer punë të veçanta. Disa u stërvitën për të dezinfektuar shtëpitë. Të tjerë mësuan si të bënin mure dhe të montonin dollapë. Disa të tjerë mësuan të suvatonin dhe të lyenin. Këto seminare nga punëtorë të kualifikuar u regjistruan në video dhe më pas këto kaseta përdoreshin në qendrat rajonale për të stërvitur vullnetarë të tjerë. «Me anë të këtyre seminareve,​—tha një anëtar i komitetit për dhënien e ndihmës,​—u siguruam që puna e riparimit të kryhej me cilësi të lartë.»

[Figura]

Zanatçinj që stërvitin vullnetarët

[Kutia në faqen 24]

«VEPRA E VËRTETË E PERËNDISË»

«Shoqëritë e sigurimit i quajnë katastrofat natyrore vepra të Perëndisë»,​—tha një anëtar i komitetit të sigurimit të ndihmës. «Por,​—shtoi ai,​—vullnetarët që punuan këtu gjatë gjithë atyre muajve janë vepra e vërtetë e Perëndisë. Vëllazëria jonë është një mrekulli!» Gjatë kësaj pune të vështirë, 2.500 a më shumë vullnetarë erdhën për të punuar gjatë fundjavëve. Drejtuesi i komitetit tha: «Këta vullnetarë pa pagesë anuluan pushimet që kishin planifikuar, bënë rregullime në programin e tyre familjar dhe i shtynë për më vonë punët e tjera personale, për të marrë pjesë në njërën nga veprat më të mëdha të dhënies së ndihmës të ndërmarrë nga Dëshmitarët e Jehovait.»

Kjo fushatë e gjatë ndihme kërkonte sakrifica. Një vullnetar që ndihmoi në këtë fushatë nga fillimi deri në fund punonte 50 orë në javë në një punë shekullare. Megjithatë, ai kaloi 40 orë çdo javë për të ndihmuar. «Forcën ma dha Jehovai,​—tha ai.​—Të njohurit e mi më pyesin: ‘Paguhesh për këtë që po bën?’ Unë u them atyre: ‘Askush nuk mund të më jepte aq para sa ta bëja këtë gjë.’ » Në fundjavë, pas një jave të mbushur me punën shekullare, një familje nga shteti i Luizianës bënte një udhëtim 800 kilometra vajtje-ardhje me makinë për të dhënë ndihmën e tyre. Shumë persona e fillonin punën kur lindte dielli dhe ktheheshin në shtëpi pasi ai perëndonte. Një grup me 30 vullnetarë zanatçinj, që bënin me makinë shtatë deri në tetë orë për një rrugë, tha: «Me të vërtetë ia vlen.» Një vullnetare e linte punën në orën 3.30 pasdite dhe pastaj shkonte për të ndihmuar në qendrën administrative deri në orën 10.00 të mbrëmjes. Gjithashtu, ajo ndihmonte edhe gjatë fundjavëve. «Është diçka që të sjell kënaqësi»,​—tha ajo.

Vërtet, këta dhe vullnetarë të tjerë qenë të gatshëm për të ndihmuar, sepse kanë dashuri vëllazërore, shenja dalluese e të krishterëve të vërtetë. (Gjoni 13:35) Pasi vizitoi qendrën administrative për sigurimin e ndihmës, kryetari i bashkisë së Hjustonit u nxit për t’i thënë një grupi Dëshmitarësh: «Ju besoni në atë që Perëndia thotë të bëjmë. Po e zbatoni në praktikë atë që besoni.»

[Figura në faqet 20, 21]

Ujërat e përmbytjes vërshojnë mbi Hjustonin, 9 qershor 2001

[Burimi]

© Houston Chronicle

[Figura në faqen 21]

Autostradat u kthyen në lumenj

[Figura në faqen 21]

Uji vërshoi brenda shtëpive

[Figurat në faqen 23]

Disa nga mijëra Dëshmitarët që shërbyen si vullnetarë

[Figura në faqen 24]

Skuadra e kuzhinës përgatiste më shumë se një çerek milioni racione ushqimi!

[Burimi i figurës në faqen 19]

NOAA