Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jurumi i jashtëzakonshëm

Jurumi i jashtëzakonshëm

Jurumi i jashtëzakonshëm

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ARGJENTINË

NË ERRËSIRËN e strehimit të tyre të nëndheshëm, një grup përleshet me tërbim në kundërpërgjigje të një sulmi. Ushtarët mbrojtës vrapojnë me të katra për në zonën e rrezikut, duke mbajtur gati armët, ndonëse ato janë kaq të papërshtatshme, sa të bëjnë për të qeshur. Papritur, një pjesë e madhe e murit mbrojtës shembet dhe copat e saj shtypin shumë banorë. Përmes së çarës të mureve mbrojtës, nën shkëlqimin e një drite verbuese, pushtuesi hyn.

A është ky përshkrimi i një sulmi kundër një qyteti në kohën e Romës? Apo skenë e një filmi me aksion? Aspak! Përkundrazi është përshkrim i sulmit të një jurumi, i parë nga këndvështrimi i një insekti. Megjithatë, për jurumin, ose për mizangrënësin gjigant ky është thjesht një pirg dheu termitesh gjatë rutinës së tij të përditshme.

Takim me jurumin

Megjithëse ka lloje të ndryshme mizangrënësish, do të flasim posaçërisht për mizangrënësin gjigant. Në disa gjuhë njihet edhe si ariu i milingonave. Në të vërtetë, nuk është aspak një ari, por ndoshta ky emër iu dha për shkak të ecjes së rëndë dhe sepse shpesh qëndron mbi këmbët e pasme kur i duhet të mbrohet. Gjithashtu ai e «përqafon» sulmuesin me parakrahët e fuqishëm, siç bën ariu.

Në Argjentinën Verilindore dhe në vendet rreth saj, mizangrënësin gjigant e thërrasin jurumi, sipas emrit të tij në gjuhën guarani, që do të thotë «me gojë të vogël». Ky emër është me vend, pasi goja është një vrimë shumë e vogël, ndonëse nofulla është sa gjithë gjatësia e kokës. Goja e zgjatur në formë tubi është e para nga tiparet që tërheq vëmendjen e vëzhguesit. Gjithashtu, jurumi krenohet edhe me bishtin e gjatë dhe të fryrë, të cilin ndonjëherë e mban pothuajse të ngritur përpjetë. Qimet e gëzofit të trashë zgjaten dhe bëhen të buta në pjesën e bishtit, duke bërë që ky të duket shumë më i bëshëm nga ç’është në të vërtetë. Pavarësisht nga pamja e tij mbresëlënëse, trupi i jurumit është vetëm sa ai i një qeni stani gjerman. Jurumi i rritur plotësisht mund të peshojë deri në 25 kilogramë. Por gjatësia e tij, nga goja deri te maja e bishtit, mund të arrijë deri në 1,8 metra ose më shumë.

Jurumi bën një jetë të vetmuar prej endacaku, kryesisht në savanat moçalore të Amerikës së Jugut. Kur mendoni për këtë kontinent, shpesh mund të imagjinoni pyjet e dendura të shiut dhe bimësinë e harlisur. Por ai ka gjithashtu sipërfaqe të sheshta e të paana savanash me klimë të thatë, ku andej-këtej mund të gjenden edhe korije me palma dhe kodrina bimësh gjembore. Dheu në vende të tilla është i pasur me materialin e kalbur bimor dhe është i shkëlqyer për termitet. Këtu insektet ngrenë grataçelat e tyre të ndërtuara me dhé e pështymë, një kombinim që krijon ndërtime shumë të forta. Këto struktura gjigante mund të arrijnë një lartësi më shumë se 1,8 metra.

Në mes të kësaj shumice insektesh, gjejmë jurumin, i cili është i specializuar për ngrënien e tyre. Kështu emri i tij shkencor Myrmecophaga tridactyla në radhë të parë e tërheq vëmendjen te zakonet e tij të ngrënies (mizangrënës) dhe në radhë të dytë te fakti që tre nga katër gishtat e secilës putër të përparme janë të pajisura me kthetra të frikshme, ngjashëm çengelave. Enciclopedia Salvat de la fauna tregon: «Kthetrat shërbejnë si për gjuajtjen e ushqimit, ashtu edhe për mbrojtje: Kur ndodhet nën sulm, mizangrënësi i përdor ato si thika të vogla të mprehta, duke u ngritur mbi këmbët e pasme me një shkathtësi dhe mjeshtëri të tillë, saqë ato mund të shkaktojnë dëmtime të rënda dhe madje t’i bëjnë jaguarët t’ia mbathin nga frika.»

Si ha jurumi?

Jurumi nuk ka dhëmbë. Megjithatë kjo gjë nuk është problem, pasi ai zotëron mjete të jashtëzakonshme për të siguruar ushqimin. Së pari, për të gjetur ku ndodhet ushqimi, ai ka nuhatje të hollë, 40 herë më të fortë sesa njerëzit. Pastaj jurumi i përdor putrat e përparme me kthetra që kanë një gjatësi deri në 10 centimetra, për të gërmuar në strehimet e nëndheshme në kërkim të insekteve, larvave ose vezëve. Pasi bën këtë gjë, ai zgjat gjuhën e hollë, të gjatë 45 centimetra brenda galerive të fshehura të insekteve.

Gjëndrat shumë të mëdha të pështymës sekretojnë pështymë ngjitëse për ta mbajtur gjuhën të lagësht dhe ngjitëse. Mizat e dheut ose termitet i ngjiten mbi gjuhë dhe kështu përfundojnë në gojën e tij. Por nuk mjafton vetëm gëlltitja e tyre. Duhet edhe t’i tretë. Është interesante se ai i ka të fortë muskujt e stomakut, të cilët bluajnë insektet.

Çfarë e ardhme e pret jurumin?

Megjithëse janë të shpërndarë në një zonë të gjerë përmes Amerikës Qendrore dhe Jugore, jurumët nuk kanë qenë kurrë të shumtë në numër. Ndoshta ata nuk kanë qenë kurrë shumë pjellorë. Jurumi femër lind vetëm një këlysh pasi e ka mbajtur për një periudhë prej rreth 190 ditësh. Vitin e parë, nëna e lëviz të voglin duke e mbajtur në kurriz. Një natyralist argjentinas përshkruan një aspekt interesant të kësaj gjëje: «U gjenda përballë një nëne me të voglin e saj që ishte vetëm disaditësh. Ishte e vështirë të dalloje krijesën e vockël mbi kurrizin e prindit dhe me kureshtje vura re se ky maskim plotësohej për shkak të vendit të veçantë ku ndodhej këlyshi. Ai mbivendoste shiritin e zi të kurrizit të tij mbi atë të nënës. Në këtë mënyrë, mund t’u binte më pak në sy shpendëve grabitqarë.»

Jurumi ka një ndikim të rëndësishëm në bashkësinë ekologjike ku jeton. Një jurum i vetëm gëlltit dhjetëra mijë miza dheu ose termite në ditë. Nëse nuk do të ekzistonte ndikimi i vazhdueshëm i jurumit mbi popullatën e insekteve, a do të shtoheshin vallë këto insekte në përpjestime shkatërruese? Sido që të jetë, ky ekuilibër natyror po ndryshon. Pse?

Është për të ardhur keq që dalëngadalë jurumi po zhduket për shkak të njerëzve. Disa i gjuajnë ata për sport; të tjerë i vrasin sepse e konsiderojnë jurumin si ogur të keq. Disa të tjerë i kapin për t’ua shitur koleksionistëve të kafshëve të rralla dhe kështu këta mizangrënës përfundojnë në kafazë ose të balsamosur në muzeume. A do të jetë edhe jurumi një ndër krijesat e rralla që janë zhdukur? Koha do ta tregojë. Po bëhen përpjekje për ta mbrojtur këtë xhevahir të shumëllojshmërisë biologjike.

[Figura në faqen 15]

Në kërkim të njërit prej ushqimeve të preferuara, të termiteve

[Figura në faqen 15]

Një «jurumi» i vogël duke qëndruar në kurrizin e nënës

[Figura në faqet 14, 15]

Gjuha mbresëlënëse e «jurumit», e gjatë 45 centimetra

[Burimi]

Kenneth W. Fink/Bruce Coleman Inc.