Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mençuri për jetën në një botë të ndërlikuar

Mençuri për jetën në një botë të ndërlikuar

Mençuri për jetën në një botë të ndërlikuar

«Perëndia i jep njeriut që i pëlqen dituri [mençuri, BR], njohje dhe gëzim.»​—PREDIKUESI 2:26.

NUK është një sfidë e lehtë të marrësh vendime të mençura e të drejta nga ana etike, në një botë ku mjekësia e teknologjia po bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara. Shqyrtoni disa zhvillime të fundit që kanë nxitur debate. Sot, gratë mund t’i japin fund një shtatzënie të padëshiruar thjesht duke pirë një pilulë që quhet «pilula e mëngjesit pasues». Shkencëtarët e kanë kapërcyer barrierën e gjeneve, duke bërë që ato «të modifikojnë» bimë dhe kafshë. Laboratorët po përpiqen shumë që të gjejnë embrione njerëzore për t’u marrë qelizat e çmuara burimore dhe shumë njerëz shpresojnë se përdorimi i tyre do të sjellë një revolucion në mjekësi.

Përpjekje të tilla për të manipuluar natyrën bëjnë që shumë njerëz të ndihen të shqetësuar dhe të frikësuar, pa përmendur pështjellimin moral ose etik që u shkaktohet. Këto pasoja na sjellin ndër mend fjalët e Biblës: «Rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Po, ashtu si fëmijët kanë nevojë për drejtim nga prindërit, të gjithë njerëzit kanë nevojë për ndihmën e Atit tonë qiellor që të ecin me mençuri.​—Fjalët e urta 1:33.

Mençuri nga dëgjimi i Perëndisë

Ne e dëgjojmë Perëndinë duke lexuar dhe zbatuar Fjalën e tij të shkruar. Vërtet Bibla nuk flet në mënyrë të veçantë për të gjitha çështjet e ndërlikuara mjekësore dhe shkencore që ndeshim sot. Megjithatë parimet e saj, të cilat mbeten përgjithmonë, mund të na ndihmojnë për të arritur në përfundime të drejta.​—1 Pjetrit 1:25.

Për shembull, le të marrim në shqyrtim debatin për qelizat burimore embrionale të njeriut. Siç kemi parë, përftimi i tyre paguhet me jetën e një embrioni të gjallë. Lidhur me konfliktin etik që krijon kjo gjë, Frensis Kolinsi, drejtor i Institutit Kombëtar të Kërkimeve për Gjenomin e Njeriut në Shtetet e Bashkuara, tha: «Është një shembull tipik i përplasjes midis dy parimeve shumë të rëndësishme. Nga njëra anë, qëndron parimi i shenjtërisë së jetës njerëzore dhe, nga ana tjetër, detyra e madhe që kemi si qenie njerëzore të lehtësojmë vuajtjet dhe të kurojmë sëmundjet e tmerrshme . . . Shumë njerëz mendojnë, dhe sipas meje kanë arsye të vlefshme, që ky lloj kërkimi, duke manipuluar qelizat që përftohen nga një embrion njerëzor, po dhunon konceptin e shenjtërisë së jetës njerëzore.»

Bibla na ndihmon për këtë çështje të ndërlikuar, duke na zbuluar pikëpamjen e Perëndisë për fëmijën e palindur ende. Në Izraelin e lashtë, në qoftë se dikush dëmtonte një grua shtatzënë dhe për pasojë ose ajo, ose fëmija i palindur vdiste, Perëndia e quante vrasës personin përgjegjës. Ai duhet të paguante «jetë për jetë». * (Eksodi 21:22, 23) Nga kjo mund të arrijmë në përfundimin, se për Krijuesin çdo jetë njerëzore është e shenjtë, përfshirë edhe jetën e fëmijës së palindur. Në fakt, Perëndia fillon të interesohet për ne, kur ende jemi në barkun e nënës, siç na zbulon edhe psalmisti: «Sytë e tu panë madje edhe embrionin tim dhe në librin tënd ishin të shkruara të gjitha pjesët e tij.»​—Psalmi 139:16, BR

Pavarësisht nga progresi i madh teknik që kanë arritur njerëzit, Bibla na ndihmon të kemi një qëndrim të ekuilibruar e realist ndaj njerëzve dhe arritjeve të tyre. Ajo thotë: «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë. Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.» (Psalmi 146:3, 4) Për disa, ky mendim mund të tingëllojë si pesimist. Por, a është vërtet kështu? A nuk është ai thjesht një pranim me ndershmëri i fakteve? Në të vërtetë po, sepse edhe njeriu më i aftë nuk mund të pengojë që ai vetë të plaket, të sëmuret dhe më në fund të vdesë, për të mos folur pastaj të ndalojë që të tjerëve t’u ndodhin këto gjëra.

Megjithatë Krijuesi nuk ka asnjë nga kufizimet tona. Përveç kësaj, ai ka si fuqinë që «të shpëtojë», ashtu edhe dëshirën për ta bërë këtë. Jezui tha: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Për të na dhënë një bazë që të ‘ushtrojmë besim’, kur ishte në tokë, Jezui shëroi të gjithë të sëmurët dhe sakatët që erdhën tek ai. Ai madje ngriti dhe të vdekurit!​—Luka 7:21, 22.

Veprat e Jezuit dhanë një pamje paraprake të programit të madh të shërimit që do të bëjë Perëndia, i cili do të fillojë kur Mbretëria e tij ta ketë nën kontroll të plotë tokën. Këtë Mbretëri kërkojnë njerëzit kur thonë atë që zakonisht quhet lutja ‘Ati ynë’. Po, vetëm me anë të Mbretërisë së Perëndisë, qeverisë së tij qiellore në duart e Jezu Krishtit, vullneti i Perëndisë do të bëhet këtu mbi tokë.​—Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10.

A nuk ju mbushin me shpresë këto premtime të Biblës? Dhe, a dëshironi të bëni çdo gjë që keni mundësi për t’i pëlqyer Perëndisë tani, duke njohur pikëpamjen e tij për shumë çështje të vështira me të cilat përballemi? Nëse është kështu, atëherë ju inkurajojmë të dëgjoni dhe t’i vini veshin Fjalës së Perëndisë. Ajo vërtet na jep mençuri për jetën, po, për jetën e pafundme.​—Gjoni 17:3; 2 Timoteut 3:16.

[Shënimi]

^ par. 8 Disa kanë argumentuar se ky ligj i drejtohet vetëm dhunës së shkaktuar ndaj nënës. Megjithatë teksti origjinal në hebraisht flet ndryshe. Studiuesit e respektuar të Biblës K. F. Kail dhe F. Delitsh thonë se mënyra e të shprehurit në tekstin hebraik «nga sa duket, e bën të pamundur që fjalët t’i drejtohen vetëm dëmit të shkaktuar gruas».​—Shih Kullën e Rojës të 1 gushtit 1977, faqja 478, anglisht.

[Figurat në faqen 10]

Bibla na siguron udhëheqje për të sotmen dhe një shpresë të sigurt për një shëndet të përsosur në të ardhmen