Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mrekulli në mjekësi, zonë e minuar në etikë

Mrekulli në mjekësi, zonë e minuar në etikë

Mrekulli në mjekësi, zonë e minuar në etikë

«Debati për qelizat burimore ka bërë që si shkencëtarët, ashtu edhe ata që nuk janë shkencëtarë të meditojnë për çështje të thella, si për shembull, kush jemi dhe çfarë na bën qenie njerëzore.»​—AKADEMIA KOMBËTARE E SHKENCAVE, SHBA.

KARENI vuan nga diabeti i tipit 1. Pankreasi i saj i sëmurë nuk prodhon më insulinë. Përfytyroni tani, sikur Kareni të shkonte te një mjek dhe në trupin e saj të transplantoheshin qeliza të reja, të kultivuara posaçërisht në një laborator, për të zëvendësuar qelizat e dëmtuara të pankreasit. Ndërkohë që këto qeliza fillojnë të kryejnë funksionin e tyre, Kareni gradualisht mund ta ndërpresë terapinë me insulinë dhe të gëzojë sërish një shëndet të mirë.

Deri para pak kohësh, kura të tilla mund të tingëllonin si diçka fantastiko-shkencore, por sot, disa kërkues besojnë se ato janë të mundura. Pse mendojnë kështu? Sepse më 1998 shkencëtarët gjetën një mënyrë për të kultivuar një numër të madh qelizash që quhen qeliza burimore njerëzore. Këto qeliza burimore mund të rriten dhe të japin çdonjërën e më shumë se dyqind llojeve të ndryshme të qelizave që gjenden në trupin e njeriut, përfshirë edhe qelizat e pankreasit. *

Sipas një raporti të përgatitur nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në Shtetet e Bashkuara, «qelizat burimore mund të jenë zgjidhja për zëvendësimin e qelizave që humbim nga shumë sëmundje shkatërruese». Këtu përfshihen «sëmundja e Parkinsonit, diabeti, sëmundjet kronike të zemrës, sëmundjet e veshkave në fazë të avancuar, pamjaftueshmëria e punës së mëlçisë dhe kanceri», për të përmendur vetëm disa. Thuhet se qelizat burimore mund të prodhojnë edhe qelizat e gjakut dhe madje mund të bëjnë që qendrat e konservimit të tij të jenë diçka e vjetëruar. Në fakt për shumë vjet, mjekët i kanë përdorur qelizat burimore për të trajtuar disa çrregullime të gjakut. Këto trajtime, zakonisht, kanë përfshirë transplantim të palcës së kockave, e cila është e pasur me qeliza burimore që prodhojnë qeliza të gjakut. Por, sot mjekët preferojnë të përftojnë qeliza burimore që merren nga gjaku në qarkullim. Meqë terapitë me qeliza burimore premtojnë për mirë për ripërtëritjen e indeve të reja të shëndetshme, ato klasifikohen me emërtimin e përgjithshëm «mjekësia ripërtëritëse».

Megjithatë, disa aspekte të kësaj shkence të re kanë ngjallur shumë debate. Shumë njerëz, përfshirë edhe një numër shkencëtarësh, mendojnë se përdorimi i qelizave burimore të njeriut, sidomos ato që vijnë nga embrionet ose fetuset, tregon një mungesë respekti ndaj shenjtërisë së jetës njerëzore. Në të vërtetë, kjo çështje ka shkaktuar kaq shumë polemika, saqë është krahasuar me një ‘zonë të minuar në politikë dhe në etikë’.

Meqenëse përkrahësit e përdorimit të qelizave burimore parashikojnë kura të mrekullueshme për një mori çrregullimesh, artikujt në vijim paraqesin një vështrim më nga afër të llojeve të qelizave burimore, si përftohen ato dhe përse kjo çështje ka sjellë kaq shumë debate.

[Shënimi]

^ par. 4 Në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, laboratorë të Shteteve të Bashkuara kanë kultivuar dy lloj qelizash burimore​—qeliza burimore embrionale njerëzore dhe qeliza seksuale embrionale njerëzore.