Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Të jesh nënë Faleminderit për serinë e artikujve «Të jesh nënë: A kërkon aftësi mbinjerëzore?» (Prill 2002) Sot shumë njerëz mendojnë se nënat që nuk punojnë jashtë shtëpisë nuk janë aq të ngarkuara sa nënat që shkojnë në punë. Artikulli juaj i ndihmon lexuesit e kësaj reviste të kuptojnë se të gjitha nënat janë në punë!
T. M., Shtetet e Bashkuara
Gjëja e parë ku më mbetën sytë ishte figura në faqen 2 që paraqiste një nënë me aftësi mbinjerëzore. Dëshiroja ta lexoja menjëherë artikullin. Si një nënë me dy fëmijë të vegjël mund të them se këta artikuj e kishin përshkruar në mënyrë realiste rutinën e përditshme të një nëne.
K. L., Gjermani
Jam një vajzë 12-vjeçare dhe kur e mora këtë revistë e lexova menjëherë. Tani e kuptoj atë që bën mami për mua dhe babin. Tani e çmoj dhe e ndihmoj më shumë atë.
A. L., Shtetet e Bashkuara
Dy vjet më parë linda një djalë. Deri në atë kohë isha një predikuese në kohë të plotë dhe kisha një punë me orar të kufizuar. Meqë isha e përmalluar për mënyrën e mëparshme të jetesës, mendoja se isha e padenjë për rolin tim si nënë. Kisha shumë nevojë që dikush të më qetësonte dhe pikërisht këtë gjë ndjeva kur lexova këta artikuj.
S. T., Itali
Këshilla juaj që të lëmë kohë për të pushuar nxjerr në pah diçka që sapo kam filluar ta kuptoj. Kisha filluar ta bëja këtë gjë para se të lexoja këta artikuj, por ndihesha fajtore. Faleminderit që më ndihmuat të kuptoja se nuk kam pse ndihem fajtore për sa kohë që çdo gjë bëhet në mënyrë të ekuilibruar.
S. K., Shtetet e Bashkuara
Disa nëna mendojnë se nuk vlerësohen sa duhet për punën e vështirë që bëjnë. Këta artikuj u dhanë atyre vlerësimin që meritojnë. Meqenëse kam katër fëmijë, e di se sa e vështirë është të fitosh ekuilibrin midis detyrave si amvisë dhe punës jashtë shtëpisë. Fakti që Jehovai e nxiti Solomonin të shkruante mendime vlerësuese për nënat që punojnë shumë më jep forcë dhe më inkurajon të bëj më të mirën.
E. Sh., Gjermani
Kam një vajzë trevjeçare dhe ndihem fajtore për shkak se jam shumë e lodhur gjithë kohën. Këta artikuj më ndihmuan të kuptoja se nuk jam vetëm unë që ndihem kështu dhe më dhanë sugjerime shumë të mira se si mund ta përmirësoj gjendjen time.
K. Xh., Shtetet e Bashkuara
Në kopertinën e revistës paraqitej një nënë që mbante në krahë fëmijën e saj të vogël. Duket se fëmija po ha një hot-dog. Së bashku me gruan time sapo përfunduam një kurs për ndihmën e parë që mund t’u jepet foshnjave dhe fëmijëve në rast ndalimi të zemrës. Instruktorja tha se ngrënia e hot-dogëve është shkaku kryesor i mbytjes për foshnjat dhe fëmijët. Ajo këshilloi me vendosmëri se nuk duhet t’i lëmë fëmijët të hanë hot-dogë.
G. E., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Jemi të një mendjeje se ngrënia e hot-dogëve mund të shkaktojë mbytjen te foshnjat dhe te fëmijët e vegjël. Në të vërtetë, fëmija në kopertinën e revistës sonë po thith një karrotë, ndërkohë që rri në krahët e nënës.
Gjuha e kafshëve Faleminderit shumë për artikullin «Gjuha e kafshëve: Të fshehtat e komunikimit midis tyre.» (Prill 2002). Më bëri për të qeshur kur lexova rreth mënyrës së çuditshme që antilopat përdorin për të pështjelluar armikun. Nga ana tjetër, komenti i Xhojsi Pulit, e cila kishte vëzhguar se si një elefant femër «vajtonte» mbi të voglin që kishte lindur i ngordhur, më preku aq shumë, sa u përlota. Artikuj kaq të gjallë dhe tërheqës të bëjnë të mendosh dhe na ndihmojnë të kuptojmë se «komunikimi i kafshëve» i sjell «lavdi atij që e krijoi atë, Perëndisë Jehova». Vazhdoni të shkruani artikuj të tillë!
E. G., Poloni