Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Të folurit e ndyrë është në rritje
Shumë amerikanoveriorë shqetësohen se «po e humbin betejën për të ruajtur sjelljen e mirë»,—thotë një artikull në gazetën The Toronto Star. Kjo është sidomos e dukshme nga «pranimi gjithnjë e më shumë i sharjeve». Sipas P. M. Fornit, kreu i projektit të universitetit «Xhons Hopkins» për sjelljen e mirë, të folurit e ndyrë është kaq i përhapur, sa shumë të rinj nuk mendojnë se është i gabuar dhe shumica e të rriturve nuk duket se e vënë re ose madje nuk duan t’ia dinë për të. Gazeta raporton se sipas profesorit Timothi Xhej, «fëmijët fillojnë të përdorin të folurit e ndyrë edhe në moshën njëvjeçare, kur fitojnë aftësinë për të thithur fjalët që dëgjojnë nga prindërit dhe nga televizori». Shifrat e një studimi zbulojnë se «fjalët e ndyra përbëjnë rreth 10 për qind të fjalorit që përdor një i rritur në punë dhe 13 për qind të atij që përdor në ambientet e kohës së lirë». Një statistikë tjetër e cituar nga gazeta Star zbulon se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, «nga viti 1989 deri në vitin 1999 përdorimi i gjuhës së ndyrë në televizion u rrit më shumë se 500 për qind».
Si e ruajnë dejkat pozicionin e tyre kur flenë?
Dejkat jo vetëm që flenë kur janë duke fluturuar, por edhe arrijnë të qëndrojnë sipër territorit të tyre pa i marrë era. Për ta zbuluar se si e bëjnë këtë, ornitologët Johan Bekman dhe Tomas Alerstam të universitetit suedez në Lund, përdorën radarin për të ndjekur lëvizjet e dejkave natën. Siç raportohet nga revista shkencore gjermane Bild der Wissenschaft, kërkuesit vërejtën një model fluturimi që i mban dejkat në pozicionin e tyre. Zogjtë ngjiten në lartësi të mëdha, deri në 3.000 metra dhe pastaj fluturojnë në mënyrë diagonale ndaj erës, duke i ndryshuar drejtimet rregullisht në çdo pak minuta. Ky model ritmik i bën të lëvizin para e prapa sipër territorit të tyre. Megjithatë, kur shpejtësia e erës ishte e vogël, u vërejt se dejkat e kalonin kohën e gjumit duke ardhur rrotull.
«Sëmundja që nuk duhet ta kemi»
«Osteoporoza është një sëmundje që nuk duhet ta kemi,—pohon gazeta The Sun-Herald e Australisë,—ajo është shumë e parandalueshme. Megjithatë, parashikohet se në vitin 2020, një në tre shtretër nëpër spitale do të zihet nga gratë me thyerje kockash.» Një raport nga organizata Osteoporoza në Australi tregon se kjo sëmundje, e cila i bën kockat poroze dhe të thyeshme, «është më e përhapur se niveli i lartë i kolesterinës, alergjitë ose ftohja e zakonshme. Trajtimi i saj kushton më shumë se diabeti ose astma. Dhe te gratë përqindja e vdekjeve të shkaktuara nga thyerjet e legenit është më e madhe se përqindja e të gjitha rasteve me kancer, të marra së bashku te femrat». Sipas profesorit Filip Sambruk, përllogaritjet tregojnë se në Australi gjysma e grave dhe një e treta e burrave gjatë jetës së tyre do të pësojnë një thyerje kockash nga osteoporoza. Gazeta thotë: «Mbrojtja më e mirë është të formohen kocka sa më të forta gjatë tre dhjetëvjeçarëve të parë të jetës nëpërmjet ushtrimeve dhe marrjes së një sasie të mjaftueshme kalciumi.» Rreziku i vuajtjes nga osteoporoza mund të zvogëlohet ndjeshëm duke shmangur pirjen e duhanit dhe konsumimin e tepërt të alkoolit ose të kafeinës. Zakonet e dobishme përfshijnë bërjen e ushtrimeve të rregullta dhe konsumimin e ushqimeve të pasura me kalcium dhe vitaminë D.
Një «shenjtore» që zgjidh nyjet
«Vitet e fundit kanë qenë të gjithë shumë popullorë, shën Judë Tadeu, përkrahësi i çështjeve të humbura; shën Rita, shpëtimtarja e të dëshpëruarve; shën Hedvika, mbrojtësja e borxhlinjve; dhe shën Ekspediti, përkrahësi i çështjeve urgjente»,—vëren gazeta Veja. Tani «shenjtorja» më e fundit që po fiton popullaritet ndër katolikët brazilianë është «Zonja që zgjidh nyjet». Ky titull i pazakontë vjen nga një pikturë e varur në një faltore në Augsburg të Gjermanisë, e cila paraqet virgjëreshën Maria duke zgjidhur nyjet e një kordeleje. E përkrahur nga personazhet më me zë të medias, «Zonja që zgjidh nyjet» ka tërhequr shumë të devotshëm, të cilët kërkojnë ndihmën e saj për të zgjidhur probleme të ndërlikuara shëndetësore, martesore dhe financiare. Në të njëjtën kohë ka krijuar një treg fitimprurës në shitjen e medaljoneve, rruzareve, shëmbëlltyrave dhe të etiketave që ngjiten te makinat. «Mania për ‘Zonjën që zgjidh’ nuk është diçka e keqe, por ajo nuk do të zgjatë shumë»,—bën një parashikim Darsi Niçoli, administrator i faltores katolike më të madhe në Brazil.
Ungjilli në hapësirë
Ndërkohë që shkencëtarët po debatojnë ende për mundësinë e jetës në hapësirën kozmike, priftërinjtë në observatorin e Vatikanit kanë arritur në përfundimin se «banorët e tokës nuk janë krijesat e vetme të Perëndisë në univers, Perëndia krijoi edhe jashtëtokësorët»,—raporton gazeta Berliner Morgenpost. Xhorxh Koini, drejtor i observatorit, shpjegon: «Universi thjesht është tejet i madh për të qenë vetëm ne në të.» Për t’u çuar këtyre jashtëtokësorëve Ungjillin, disa manastire kanë dërguar në hapësirë Dhiatën e Re në formën e një mesazhi të koduar. Gazeta thotë se ajo që do të dëshironte të dinte më pas Vatikani, është «nëse Jezu Krishti është shfaqur edhe në planetë të tjerë» dhe, siç shton Koini, «nëse Jezu Krishti i ka shpëtuar edhe banorët» e atyre planetëve.
Rregullojnë «Orën e Fundit të Botës»
Drejtuesit e The Bulletin of the Atomic Scientists (Buletini i shkencëtarëve bërthamorë) i kanë çuar përpara akrepat e Orës së famshme të Fundit të Botës «nga nëntë në shtatë minuta para mesnate», raporton gazeta e përditshme e Parisit International Herald Tribune. Këtë ndryshim e motivuan «shqetësimet për vonesat e përpjekjeve për çarmatim, siguria e rezervave ekzistuese bërthamore dhe terrorizmi». Ora, pra simboli i asaj se sa afër është bota nga asgjësimi bërthamor, është rregulluar 17 herë që nga përurimi i saj më 1947. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, më 1991, akrepat u çuan prapa 17 minuta para mesnate, por gjatë viteve akrepat kanë lëvizur gradualisht më pranë mesnatës. Për herë të fundit ora ishte çuar përpara më 1998, nga 14 në 9 minuta para mesnate. Që nga ajo kohë, janë çmontuar vetëm 3.000 armë bërthamore, duke lënë më tepër se 31.000 të tjera në duart e vendeve që zotërojnë armë bërthamore.
Zvicra vendos të bëjë pjesë në OKB
«Me një diferencë të vogël votash, Zvicra asnjanëse vendosi me anë të një votimi të përgjithshëm . . . të lërë pas dhjetëvjeçarët e politikës së izolimit kombëtar dhe të bëhet një anëtare e Kombeve të Bashkuara»,—raporton gazeta The New York Times. Kërkohet vetëm paraqitja e një kërkese formale në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta bërë Zvicrën anëtaren e 190-të të organizatës. Kur për herë të fundit zvicerianët votuan për anëtarësinë, më 1986, propozimi u hodh poshtë nga shumica dërrmuese, «nisur nga frika se do të komprometohej asnjanësia tradicionale e kombit». Çfarë çoi në këtë ndryshim? «Ndonëse kombi strehon selinë evropiane të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë dhe vepron në një sërë agjencish të saj, qeveria kishte frikë se një ngurrim i vazhdueshëm për t’u bërë një vend anëtar do ta dobësonte Zvicrën politikisht dhe ekonomikisht, si dhe do të dobësonte përpjekjet e saj ndërmjetësuese në konfliktet e largëta»,—thotë gazeta Times. Gjithashtu, Zvicra mund ta ketë parë të nevojshme të përmirësojë imazhin e saj pas zbulimeve të kohëve të fundit se bankat zviceriane i kishin mbajtur të fshehura llogaritë e viktimave të Holokaustit dhe se Zvicra kishte përzënë nga kufijtë e saj shumë refugjatë që po përpiqeshin të largoheshin nga Gjermania naziste.
Steroidet vdekjeprurëse
Është llogaritur se në Poloni «rreth 60 për qind e atyre që praktikojnë bodybuilding përdorin steroide»,—raporton revista e përjavshme polake Wprost. Adoleshentët e moshave 17 dhe 18-vjeçare fillojnë t’i përdorin ato në fillim të vitit «kështu që në qershor të ekspozojnë muskujt në pishinat e hapura». Megjithëse steroidet «mund të blihen pothuaj në çdo palestër për bodybuilding», ato janë të rrezikshme për trupin. «Steroidet dëmtojnë jo vetëm mëlçinë, por edhe muskujt»,—thotë Janush Naumani, profesor në Universitetin e Mjekësisë në Varshavë. Efektet e tjera anësore përfshijnë probleme të lëkurës e të flokëve, hiperaktivitet, sjellje agresive dhe çrregullime emocionale shqetësuese. Disa efekte anësore nga përdorimi i steroideve zhvillohen vetëm pasi kanë kaluar shumë vite. Për shembull, në rastin e «atletëve nga [ish] Gjermania Lindore, ku drogat merreshin në sasi të mëdha duke filluar nga vitet 50 të shekullit të 20-të, pasojat ndaj shëndetit u vërejtën në vitet 70 dhe 80»,—thotë Naumani. Po ashtu, e përjavshmja Wprost shton se përdorimi i steroideve «rrit mundësinë për të përdorur rregullisht heroinën dhe drogat e tjera».