Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Presioni i bashkëmoshatarëve: A është vërtet kaq i fuqishëm?

Presioni i bashkëmoshatarëve: A është vërtet kaq i fuqishëm?

Të rinjtë pyesin . . .

Presioni i bashkëmoshatarëve: A është vërtet kaq i fuqishëm?

«Nuk mendoj se e ndiej presionin e bashkëmoshatarëve.»​—Pamela, nxënëse në tetëvjeçare.

«Mendoj se presioni i bashkëmoshatarëve nuk ka më një ndikim aq të fuqishëm tek unë. Pjesa më e madhe e presionit më vjen nga vetja.»​—Robi, një i ri.

A JE ndier ndonjëherë kështu? Vërtet mund ta dish që Bibla thotë: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1 Korintasve 15:33) Megjithatë mund të pyesësh veten: ‘Mos vallë, fuqia që ka presioni i bashkëmoshatarëve është mbivlerësuar e ndoshta nuk është kaq e fortë sa thonë prindërit dhe të rriturit e tjerë?’

Nëse herë pas here lufton me këto dyshime, dije se nuk je i riu i parë në një gjendje të tillë. Por të ftojmë të shqyrtosh një mundësi. A mund të jetë presioni i bashkëmoshatarëve më i fuqishëm nga ç’mendon ti? Shumë të rinj janë habitur nga fuqia që mund të ketë presioni i bashkëmoshatarëve. Për shembull, Enxhi pranon, se ajo do që t’i përshtatet shoqërisë, por ndoshta po përpiqet më shumë nga ç’do t’i pëlqente asaj. Ajo vëren: «Ndonjëherë, presioni i bashkëmoshatarëve është kaq i fuqishëm, saqë madje as nuk e kupton se është pikërisht ai. Fillon të besosh që është një presion i brendshëm që të vjen nga vetja.»

Në mënyrë të ngjashme, Robi i përmendur më sipër thotë se presioni më i madh i vjen nga vetja. Gjithsesi e pranon se është e vështirë të jetosh pranë një qyteti të madh. Përse? Për shkak të presionit të bashkëmoshatarëve që vjen nga një ambient materialist. Ai thotë: «Këtu pasuria është kaq e rëndësishme.» Është e qartë se presioni i bashkëmoshatarëve ka një fuqi që duhet mbajtur parasysh. Atëherë, pse kaq shumë të rinj mendojnë se ai nuk ndikon mbi ta?

I fuqishëm, por edhe mashtrues

Presioni i bashkëmoshatarëve mund të jetë mashtrues, në fakt mund të mos e vëmë re fare. Për ta ilustruar: nëse jemi në nivelin e detit, hapësira e madhe me ajër ushtron vazhdimisht mbi ne një trysni prej 1 kilogram për centimetër katror. * Ti jeton nën atë trysni çdo ditë, por vështirë se e vë re. Pse? Sepse je mësuar me të.

Kuptohet që trysnia atmosferike nuk është medoemos e dëmshme. Por kur njerëzit ushtrojnë një presion të padukshëm mbi ne, ata mund të bëjnë që gradualisht të ndryshojmë. Apostulli Pavël e kuptoi fuqinë e këtij presioni. Ai i paralajmëroi të krishterët në Romë: «Mos e lini botën që ju rrethon t’ju shtrydhë në kallëpin e saj.» (Romakëve 12:2, The New Testament in Modern English) Megjithatë, si mund të ndodhë kjo?

Si vepron presioni i bashkëmoshatarëve?

A doni të keni miratimin e të tjerëve dhe të pranoheni prej tyre? Shumica prej nesh do të thoshte po. Por dëshira jonë e natyrshme për të patur këtë miratim mund të jetë si një thikë me dy presa. Deri ku do të arrinim për të fituar atë pranim që e dëshirojmë kaq shumë? Edhe nëse jemi të sigurt se ne vetë nuk do të dorëzohemi para ndikimit negativ të këtij presioni, ç’mund të themi për të tjerët që janë rrotull nesh? A përpiqen edhe ata t’i rezistojnë presionit të bashkëmoshatarëve apo lejojnë që ai t’i modelojë?

Për shembull, sot shumë njerëz i shohin normat e Biblës për moralin si diçka e dalë mode ose jorealiste për botën moderne ku jetojmë. Shumë mendojnë se nuk është kaq e rëndësishme ta adhurojmë Perëndinë në mënyrën që ai na kërkon në Bibël. (Gjoni 4:24) Përse mendojnë kështu? Kjo, pjesërisht, mund të vijë nga presioni i të tjerëve. Në Efesianëve 2:2, Pavli flet për sistemin botëror sikur të kishte një «frymë» ose një qëndrim mbizotërues. Ajo frymë ushtron presion te njerëzit, me qëllim që mënyra e tyre e të menduarit të përshtatet me atë të një bote që nuk e njeh Jehovain. Si mund të ndikohemi ne?

Aktivitetet tona të përditshme, si: shkolla, studimi, detyrimet familjare dhe puna, zakonisht kërkojnë të jemi në kontakt me njerëz që nuk kanë të gjitha parimet e krishtere si ne. Për shembull, në shkollë mund të ketë shumë nga ata që duan të fitojnë me çdo kusht famë, që përfshihen në imoralitet seksual, madje që abuzojnë me drogën dhe alkoolin. Çfarë do të ndodhë, në qoftë se zgjedhim shokë të ngushtë midis atyre që përfshihen në sjellje të tilla ose që i shohin ato si normale, madje të lavdërueshme? Ka mundësi të nisim, ndoshta në fillim ngadalë, të përvetësojmë qëndrime të ngjashme. «Fryma» ose «ajri» i botës do të ushtrojë presion mbi ne njësoj sikur të na shtrydhte në kallëpin e saj.

Është interesante që edhe shkencëtarët modernë të shkencave shoqërore kanë bërë eksperimente, të cilat mbështetin këto parime të Biblës. Shqyrtoni eksperimentin domethënës të Ashit. Një person ftohet për t’u bashkuar me një grup njerëzish që po qëndrojnë së bashku. Dr. Ashi tregon një fletë me një vijë vertikale, pastaj një fletë tjetër që ka tri vija vertikale, gjatësitë e të cilave dallohet që janë të ndryshme. Më pas ai u kërkon pjesëtarëve të grupit të thonë mendimin e tyre se cila nga tri vijat duket se ka gjatësinë e së parës. Përgjigjja është e thjeshtë. Herët e para mendimet e të gjithëve përputhen. Por në provën e tretë diçka ndryshon.

Njësoj si përpara, është e lehtë të thuash se cilat vija kanë gjatësi të njëjta. Por pa dijeninë e personit të cilit do t’i bëhet eksperimenti, pjesëtarët e tjerë të grupit janë paguar që të luajnë rolin e tyre në eksperiment. Ata merren vesh për të dhënë të njëjtën përgjigje të gabuar. Çfarë ndodh? Vetëm 25 për qind e njerëzve të cilëve u bëhet ky eksperiment i përmbahen me vendosmëri asaj që e dinë se është e vërtetë. Të gjithë të tjerët bien në një mendje me grupin, të paktën një herë, edhe pse kjo nënkupton të mohojnë atë që shohin me sytë e tyre!

Është e qartë se njerëzit dëshirojnë kaq shumë të përputhen me ata që i rrethojnë, saqë shumica madje do të mohonin atë që e dinë se është e vërtetë. Shumë të rinj e kanë provuar ndikimin e këtij presioni. Danieli 16-vjeçar pohon: «Presioni i bashkëmoshatarëve mund t’ju ndryshojë. Dhe sa më shumë njerëz të të rrethojnë, aq më shumë rritet ky presion. Madje mund të fillosh të mendosh se ajo që bëjnë ata është e drejtë.»

Enxhi, e përmendur më lart, tregon një shembull tipik të këtij presioni në shkollë: «Kur isha në tetëvjeçare, ishte shumë e rëndësishme se ç’rroba vishje. Duhej të kishe rroba të firmuara. Në të vërtetë, nuk doje të shpenzoje 50 dollarë për një këmishë​—përse do të donte dikush ta bënte këtë?» Siç thotë edhe Enxhi, mund të jetë e vështirë ta vësh re presionin, ndërkohë që ai ndikon mbi ty. Por, a ka mundësi që presioni i bashkëmoshatarëve të ndikojë te ne për gjëra më të rëndësishme?

Pse mund të jetë i rrezikshëm presioni i bashkëmoshatarëve?

Imagjino sikur po noton në det. Ndërkohë që je i zënë duke notuar dhe valët të marrin me vete, ndoshta forca të tjera të fuqishme po veprojnë pa u ndier. Dallgët të shtyjnë drejt bregut, por mund të ekzistojë edhe një rrymë e nënujshme. Ngadalë ajo të shtyn anash. Në fund kur hedh sytë nga bregu, nuk mund t’i shohësh më familjarët ose shokët. Për asnjë çast nuk e vure re sa larg të kishte shtyrë rryma! Ngjashëm, kur merremi me punët e përditshme, mendimet dhe ndjenjat tona janë nën ndikim të vazhdueshëm. Përpara se ta kuptojmë, këto ndikime mund të na shtyjnë larg nga normat, për të cilat gjithmonë mendonim se do t’i mbanim fort.

Për shembull, apostulli Pjetër ishte një burrë i guximshëm. Ai pa u trembur vringëlloi një shpatë përpara një turme armiqësore natën e arrestimit të Jezuit. (Marku 14:43-47; Gjoni 18:10) Megjithatë, disa vjet më vonë, presioni i të tjerëve bëri që ai të tregonte një anshmëri të qartë. Ai i shmangu të krishterët johebrenj, edhe pse më parë kishte pasur një vegim nga Krishti, i cili e porositi të mos i shihte johebrenjtë si të papastër. (Veprat 10:10-15, 28, 29) Për Pjetrin ndoshta ishte më e vështirë të përballonte përçmimin e të tjerëve, sesa tehun e shpatës! (Galatasve 2:11, 12) Po, presioni i bashkëmoshatarëve mund të jetë i rrezikshëm.

Është jetësore të njohim fuqinë e këtij presioni

Shembulli i Pjetrit mund të na japë një mësim jetësor. Fakti që je i fortë në disa drejtime nuk do të thotë që je i fortë në gjithçka. Pjetri kishte pika të dobëta, ashtu si të gjithë ne. Pavarësisht se cilët jemi, kemi nevojë të bëhemi të vetëdijshëm për pikat tona të dobëta. Me ndershmëri mund ta pyesim veten: ‘Cila është pika ime e dobët? A dëshiroj fort një mënyrë jetese të pasur? A ka filluar të ndikojë tek unë krenaria e tepruar për pamjen ose arritjet? Çfarë do të isha gati të bëja për të fituar lavdi, pozitë ose famë?’

Ndoshta, nuk do të ekspozoheshim kurrë qëllimisht ndaj ndikimeve të dëmshme, duke zgjedhur të shoqëroheshim me përdoruesit e pamoralshëm të drogës ose me ata që bëjnë një jetë të shthurur seksuale. Por megjithatë, ç’mund të themi për dobësitë tona që nuk dallohen aq lehtë? Nëse zgjedhim të kemi shoqëri të ngushtë me njerëzit që mund të ndikojnë aty ku kemi një dobësi, atëherë po e lëmë vetë veten të modelohet nga ndikimi i presionit të bashkëmoshatarëve, dhe ndoshta kjo mund të jetë në dëmin tonë të përhershëm.

Megjithatë, lajmi i mirë është që ndikimi i bashkëmoshatarëve mund të mos jetë gjithmonë i dëmshëm. Nëse gjen siguri te Jehovai, nëse kërkon drejtim nga të krishterë të pjekur dhe nëse e zgjedh me mençuri shoqërinë, mund t’i bësh ballë presionit të bashkëmoshatarëve. Në fakt, ti mund të bëhesh pjesë e presionit pozitiv te miqtë e tu dhe t’i ndihmosh ata që të qëndrojnë bashkë me ty në rrugën e jetës.

[Shënimi]

^ par. 9 Një eksperiment i thjeshtë ilustron ekzistencën e trysnisë së ajrit. Në qoftë se merr një shishe plastike bosh në majën e malit, e lë të mbushet me ajër dhe e mbyll hermetikisht, ç’do të ndodhë me të ndërkohë që zbritni nga mali? Ajo do të shtypet. Trysnia e ajrit që është jashtë është shumë më e madhe në krahasim me ajrin e rrallë brenda shishes.

[Figura në faqet 12, 13]

Një ambient materialist mund të krijojë një presion të fortë nga ana e bashkëmoshatarëve