Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çështja: Ja si filloi gjithçka

Çështja: Ja si filloi gjithçka

Çështja: Ja si filloi gjithçka

STRATONI I OHAJOS NË SHBA është një vend i vogël që ndodhet pranë lumit Ohajo, i cili ndan Ohajon nga Virxhinia Perëndimore. Është quajtur fshat dhe ka një kryetar. Më 1999, kjo bashkësi e vogël me më pak se 300 banorë u bë papritur qendër polemikash, pasi autoritetet e atjeshme u përpoqën që ndërmjet grupeve të tjera t’i detyronin edhe Dëshmitarët e Jehovait që të merrnin një leje para se të shkonin në shtëpitë e banorëve vendës për të përhapur mesazhin e tyre të bazuar në Bibël.

Pse është e rëndësishme kjo çështje? Ndërkohë që lexoni se si rrodhën ngjarjet, do të kuptoni se kjo lloj urdhërese dhe kontrolli nga organet e qeverisjes, në të vërtetë do të kufizonte lirinë e shprehjes jo vetëm për Dëshmitarët e Jehovait, por edhe për çdokënd që jeton në Shtetet e Bashkuara.

Zhvillimi i konfliktit

Për vite me radhë, pjesëtarë të kongregacionit vendës të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin e Uellzvilit i kishin vizituar banorët e Stratonit. Që nga viti 1979, Dëshmitarët atje kishin patur probleme me disa nëpunës vendës për predikimin nga shtëpia në shtëpi. Në fillim të viteve 90, një oficer vendës policie përzuri nga qyteti një grup Dëshmitarësh duke thënë: «Nuk më bëhet vonë fare për të drejtat tuaja.»

Më 1998 çështja arriti një pikë kritike, kur vetë kryetari i Stratonit iu kundërvu katër Dëshmitareve të Jehovait. Pasi kishin vizituar përsëri banorët e atjeshëm që kishin treguar interes për të bërë biseda rreth Biblës, ato po largoheshin me makinë nga fshati. Sipas njërës prej grave, të cilave kryetari iu kundërvu, ai tha se po të ishin burra do t’i kishte futur në burg.

Shkaku i konfliktit më të fundit qe një urdhëresë e organeve të pushtetit vendor në fshat «Për rregullimin e shitjes ambulante dhe bërjes së kërkesave ose të ofertave nga dera në derë në pronë private». Sipas këtij urdhri, çdokush që dëshironte të kryente një aktivitet nga dera në derë duhej të merrte pa pagesë një leje nga kryetari. Dëshmitarët e Jehovait e konsideruan këtë urdhëresë si shkelje të lirisë së shprehjes, të ushtrimit të lirë të fesë dhe të lirisë së shtypit. Prandaj ata e çuan çështjen në gjykatën federale, sepse autoritetet e fshatit nuk pranuan ta modifikonin këtë urdhëresë.

Më 27 korrik 1999, një seancë u mbajt para një gjyqtari në një gjykatë krahinore të SHBA-së për krahinën jugore të Ohajos. Në vendimin e tij ai u shpreh se urdhri për leje që kishin nxjerrë autoritetet e fshatit ishte në përputhje me kushtetutën. Pas kësaj, më 20 shkurt 2001, edhe Gjykata e Apelit e Shteteve të Bashkuara për Qarkun e Gjashtë vendosi po kështu.

Për zgjidhjen e çështjes, Watchtower Bible and Tract Society of New York bashkë me kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait të Uellzvilit kërkuan që ajo të rishikohej në Gjykatën e Lartë të SHBA-së.

[Harta dhe figura në faqen 3]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Los Anxhelos

Nju-Jork

OHAJO

Straton