A duhet të jenë të varfër të krishterët?
Pikëpamja e Biblës
A duhet të jenë të varfër të krishterët?
NJË herë Jezui i tha një të riu të pasur, që ishte një prej krerëve, se ai duhej të shkonte e të shiste të gjitha zotërimet e tij dhe t’ua jepte të varfërve. Tregimi thotë se ai njeri u trishtua nga fjalët e Jezuit dhe iku i hidhëruar, «sepse kishte shumë zotërime». Pas kësaj, Jezui u tha dishepujve të tij: «Sa e vështirë do të jetë për ata që kanë para të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!» Jezui shtoi: «Është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër një vrimë gjilpëre, sesa një i pasur të futet në mbretërinë e Perëndisë.»—Marku 10:21-23; Mateu 19:24.
Çfarë donte të thoshte Jezui? A janë të papajtueshëm me njëri-tjetrin adhurimi i vërtetë dhe pasuria? A duhet të ndihen fajtorë të krishterët nëse kanë para? A kërkon Perëndia që ata të bëjnë një jetë prej asketi nga ana materiale?
Perëndia mirëpret «njerëz të çdo lloji»
Në kohët e lashta Perëndia nuk kërkoi që izraelitët të jetonin në varfëri. Mendoni për këtë: pasi pushtuan tokën që u ishte caktuar, ata u morën me bujqësi dhe me tregti për të mbajtur ekonomikisht veten dhe njerëzit e dashur. Faktorë të tillë, si kushtet ekonomike, moti, shëndeti ose zotësia në tregti do të ndikonin në suksesin e përpjekjeve të tyre. Ligji i Moisiut i udhëzonte izraelitët që të tregonin dhembshuri në qoftë se dikush vuante ekonomikisht dhe bëhej i varfër. (Levitiku 25:35-40) Nga ana tjetër, disa u bënë të pasur. Boazi, një njeri me besim dhe integritet që u bë paraardhës i Jezu Krishtit, përshkruhet si ‘një njeri i pasur’.—Ruthi 2:1.
Gjendja ishte njësoj edhe në kohën e Jezuit. Duke i folur njeriut të pasur që u përmend në fillim, Jezui nuk kishte si qëllim të inkurajonte një jetë prej asketi. Përkundrazi, po u mësonte diçka të rëndësishme. Nga pikëpamja njerëzore, mund të dukej e pamundur që individë të pasur të tregonin përulësi dhe të pranonin mjetin e shpëtimit që kishte siguruar Perëndia. Megjithatë, Jezui tha: «Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë gjithçka është e mundur.»—Kongregacioni i krishterë i shekullit të parë mirëpriste «njerëz të çdo lloji». (1 Timoteut 2:4) Kjo përfshinte disa që ishin të pasur, disa të tjerë që jetonin në kushte të rehatshme dhe shumë të tjerë që ishin të varfër. Disa prej tyre mund të kishin mbledhur pasuri para se të bëheshin të krishterë. Në raste të tjera, rrethanat e favorshme dhe vendimet e mençura në tregti mund t’u kenë siguruar pasuri pasi u bënë të krishterë.
Po kështu sot vëllazëria e krishterë përfshin njerëz me gjendje ekonomike të ndryshme. Të gjithë ata përpiqen fort të ndjekin drejtimin që Bibla jep për çështjet financiare, pasi materializmi mund të ndikojë mbi këdo. Mësimi që dha Jezui në rastin e të riut të pasur paralajmëron çdo të krishterë që të jetë syçelë ndaj ndikimit të fuqishëm që mund të ushtrojnë paratë dhe zotërimet te një njeri.—Marku 4:19.
Paralajmërim për të pasurit
Ndonëse Bibla nuk dënon pasurinë në vetvete, ajo dënon dashurinë për para. Shkrimtari biblik Pavli tha: «Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme.» Ai vërejti se duke humbur interesat frymore për shkak të dëshirës për t’u pasuruar, «disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje».—1 Timoteut 6:10.
Është interesante se Pavli dha udhëzime enkas për të pasurit. Ai tha: «Atyre që janë të pasur në sistemin e tanishëm jepu urdhër të mos jenë kryelartë e të mos e varin shpresën në pasurinë e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë.» (1 Timoteut 6:17) Nga sa duket, ekziston rreziku që njerëzit e pasur mund të bëhen krenarë dhe të ndihen më lart se të tjerët. Gjithashtu, ata mund të ndihen të tunduar të mendojnë se pasuritë mund t’u sjellin sigurinë e vërtetë, diçka që vetëm Perëndia mund ta japë plotësisht.
Të krishterët e pasur mund të mbrohen nga këto rreziqe duke qenë «të pasur në vepra të shkëlqyera». Në këto vepra përfshihet edhe të jesh «dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët», duke u dhënë ndihmë bujare atyre që janë në nevojë. (1 Timoteut 6:18) Gjithashtu, të krishterët, të pasur a të varfër qofshin, mund t’i përdorin disa nga të mirat materiale për të përhapur lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe kjo gjë është një shqetësim kryesor për të krishterët e vërtetë sot. Kjo frymë bujare nxjerr në pah qëndrimin e duhur ndaj të mirave materiale dhe bën që një njeri të jetë i dashur për Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin, të cilët duan dhënës të gëzuar.—Mateu 24:14; Luka 16:9; 2 Korintasve 9:7.
Gjërat më të rëndësishme
Është e qartë, nga të krishterët nuk kërkohet që të jenë të varfër. As nuk duhet të jenë «të vendosur për të qenë të pasur». (1 Timoteut 6:9) Ata thjesht punojnë me zell për të siguruar kushte të arsyeshme jetese. Në varësi të faktorëve të ndryshëm dhe të sistemit ekonomik ku jetojnë, përpjekjet e tyre do të arrijnë shkallë të ndryshme suksesi.—Predikuesi 11:6.
Sido që të jenë rrethanat e tyre financiare, të krishterët duhet të përpiqen që të ‘sigurohen për gjërat më të rëndësishme’. (Filipianëve 1:10) Duke vënë në radhë të parë gjërat me vlerë frymore, ata po ‘mbledhin për vete si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokin jetën e vërtetë’.—1 Timoteut 6:19.