Automobilat, dje dhe sot
Automobilat, dje dhe sot
QË NGA kohët më të hershme, njeriu ka qenë i interesuar për transportin. Në fillim udhëtimi i tij varej nga kafshët. Por nevojiteshin mënyra më të efektshme për të shkuar nga njëri vend në tjetrin. Një element kyç ishte rrota, e cila çoi në përdorimin e karrocave dhe të pajtonëve. Megjithatë, shpikjet e shekullit të 19-të sollën ndryshime të tilla në transport që më parë as që mund të përfytyroheshin.
Përmirësime të motorit
Në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, gjermani Nikolaus August Oto krijoi një motor me benzinë, me katër kohë. Ky motor së fundi zëvendësoi si motorin me avull, ashtu edhe atë me energji elektrike. Karl Benzi dhe Gotlib Dajmleri nga Gjermania ishin pionierë që patën një rol të rëndësishëm në prodhimin e automobilave në Evropë. Më 1885, Benzi vuri në punë një makinë me tri rrota që drejtohej nga një motor dycikëlsh me një cilindër, i cili bënte 250 rrotullime në minutë.
Dajmleri po merrej me ndërtimin e motorëve të palëvizshëm me benzinë që prej vitit 1872. Më shumë se një dhjetëvjeçar më vonë, bashkë me Vilhelm Majbahun prodhuan një motor me djegie të brendshme, me xhiro të shpejta dhe me karburator që bënte të mundur përdorimin e benzinës si karburant.Shpejt Dajmleri dhe Majbahu ndërtuan një motor që arrinte 900 rrotullime në minutë. Më vonë, ndërtuan një motor të dytë, të cilin e montuan në një biçikletë dhe e vunë në përdorim për herë të parë më 10 nëntor 1885. Më 1926, kompanitë Dajmler dhe Benz u bashkuan dhe i shitën prodhimet e tyre me emrin Mercedes-Benz. * Është interesante që këta dy burra nuk u takuan kurrë.
Më 1890, dy francezë, Emil Levasori dhe Rëne Panardi, prodhuan në punishten e tyre një automjet me katër rrota, me një motor të montuar në qendër të shasisë. Vitin pasues, ata e vunë motorin në skajin e përparmë, ku ishte më i mbrojtur nga pluhuri dhe balta e rrugëve të pashtruara.
Automobilat futen në përdorim të gjerë
Automobilat e parë kushtonin shumë, prandaj ishin jashtë mundësive të shumicës së njerëzve. Por situata ndryshoi në vitin 1908, kur Henri Fordi filloi një linjë montimi për prodhimin e makinës * Siç thotë libri Great Cars of the 20th Century (Makinat e famshme të shekullit të 20-të), Modeli T «bëri që Amerika dhe, si përfundim, bota të hipte mbi rrota».
Model T. Kjo makinë solli një ndryshim rrënjësor në industrinë e automobilave. Ajo nuk kushtonte shtrenjtë, kishte shumë përdorime dhe ishte e lehtë për ta mirëmbajtur. Madje edhe ata me të ardhura mesatare mund ta kishin një.Sot, gati një shekull më vonë, shumë veta i shohin automobilat më tepër si një nevojë, sesa si luks. Në fakt, një studim i botuar në gazetën e përditshme të Londrës Independent tregon se ndonjëherë njerëzit i përdorin ato edhe për distanca më të vogla se një kilometër.
Përparimet në teknologji kanë bërë të mundur jo vetëm shpejtësi më të madhe, por edhe siguri më të madhe. Me të vërtetë, vitet e fundit ka patur një ulje në numrin e aksidenteve vdekjeprurëse në disa vende. Për disa, kur duan të blejnë një makinë, siguria ka më shumë vlerë se estetika. Për shembull, në disa makina përmirësimet teknologjike kanë bërë të mundur që pjesa më e madhe e tronditjes në rast përplasjeje të amortizohet nga disa pjesë të veçanta të shasisë që ngjeshen me lehtësi, kurse pjesa më e ngurtë që ndodhet pikërisht përreth shoferit dhe pasagjerëve formon një rrethim të sigurt. Frenat antibllokim bëjnë të mundur një kontroll më të mirë të automjetit në sipërfaqe të rrëshqitshme. Rripat e sigurimit të fiksuara në tri vende sigurojnë si kraharorin, *
ashtu edhe ijët, kurse jastëkët e ajrit (air bag) pengojnë goditjen e kokës te timoni ose te paneli i aparaturave gjatë një përplasjeje.Sigurisht, asgjë nuk i zëvendëson zakonet e mira në ngarjen e makinës. «Nuk sjell asnjë dobi nëse i bëjmë makinat më të sigurta, por nuk i ngasim në mënyrën e duhur; as teknologjia më e përparuar në fushën e sigurisë së makinave nuk është në gjendje të na shpëtojë nëse thyejmë ligje të caktuara fizike»,—vë në dukje El Economista e qytetit të Meksikos.
Disa nga automjetet e sotme ngjajnë si shtëpi me rrota. Disa janë të pajisura me një kompakt disk, televizor, telefon e me aparatura të veçanta përpara dhe prapa për kontrollin e zhurmave e të temperaturës. Ka edhe makina që lidhen me një sistem satelitor, i cili përcakton vendndodhjen në glob dhe u bën të mundur shoferëve të gjejnë rrugën më të favorshme për të shkuar në vendmbërritjen e tyre. Disa sisteme japin një informacion të përditësuar për problemet e rrugës. Natyrisht pasja e pajisjeve dhe e modeleve më të fundit është bërë një tregues i pozitës ose i pasurisë për shumë njerëz, një prirje që prodhuesit dhe reklamuesit e kanë shfrytëzuar.
Siç e kemi parë, automobilat kanë bërë një rrugë të gjatë që kur u shfaqën për herë të parë më shumë se një shekull më parë. Në rast se përdoren me përgjegjësi dhe me kujdes, ata mund të jenë një mjet shumë i dobishëm për punë ose për të udhëtuar për kënaqësi.
[Shënimet]
^ par. 5 Emil Jelineku, një nga investuesit kryesorë të Dajmlerit, sugjeroi që kjo linjë e re të mbante emrin e vajzës së tij, Mercedesit. Ai kishte frikë se duke mbajtur një emër që kishte një tingëllim gjerman, Dajmler, shitja e këtyre automobilave nuk do të kishte sukses në Francë.
^ par. 8 Në fillim, çmimi i një makine Model T ishte 850 dollarë, por rreth vitit 1924, një makinë e re e markës Ford mund të blihej vetëm 260 dollarë. Prodhimi i Modelit T vazhdoi për 19 vjet, kohë gjatë së cilës u prodhuan më shumë se 15 milionë makina.
^ par. 10 Jastëkët e ajrit mund të jenë të rrezikshëm, nëse përdoren si mjeti i vetëm mbrojtës, sidomos për fëmijët dhe të rriturit me trup të vogël.
[Tabela dhe figurat në faqen 22]
Vitet e treguara janë periudhat e prodhimit
1885 Automobili Benz
Automobili i parë praktik në botë.
1907-1925 Rolls-Royce, i quajtur Fantazma e argjendtë i shpejtë
i fuqishëm, i qetë, luksoz dhe i sigurt
1908-1927 Ford Model T
nxiti prodhimin me shumicë; u shitën më shumë se 15.000.000 makina
1930-1937 Cadillac V16 7.4-L
Prodhimi i parë dhe më i suksesshëm me një motor me 16 cilindra
1939-sot Volkswagen me nofkën Brumbull
Janë prodhuar më shumë se 20.000.000. Brumbulli i ri (poshtë majtas) doli në shitje më 1998
1941-sot Jeep
Mund të jetë automjeti më i njohur në botë
1948-1965 Porsche 356
Bazuar në modelin e «Brumbullit» Volkswagen; nisi suksesin e makinave të tipit Porsche
1955-1968 Citroën DS 19
Në të u përdor fuqia hidraulike, kishte frena, 4 marshe dhe amortizatorë vetënivelues
1959-sot Mini
Kjo makinë e re dhe e kërkuar nga njerëzit ishte gjithashtu shumë e suksesshme në garat e makinave
1952-1957 Mercedes-Benz 300SL
Me nofkën Krahu i pulëbardhës, ishte një makinë novatore me shasi të përbërë nga aliazhe alumini të ndërthurura me pjesë bashkuese të derdhura dhe motor me injeksion
1962-1964 Ferrari 250 GTO
Një V-12 me 300 kuaj fuqi, shumë i aftë në garat me makina
1970-sot Range Rover
Mbahet si automobili me 4 rrota më praktik në botë
1984-sot Chrysler Minivan
Ndihmoi në fillimin e modës së makinave shumë të vogla
1970-1973 Datsun 240Z
Makinë sportive e sigurt dhe jo e shtrenjtë
Thrust SSC
Më 15 tetor 1997 duke përshkuar shkretëtirën Black Rock në Nevada, SHBA, vendosi zyrtarisht një shpejtësi rekord me 1.228 km në orë
[Burimet]
Në sfond: Një linjë prodhimi e automobilave Ford
Automobili Benz: DaimlerChrysler Classic; sfondi: Vëllezërit Braun; Model T: Me mirësjelljen e VIP Classics; Rolls-Royce: Fotografi me mirësjelljen e Rolls-Royce & Bentley Motor Cars
Jeep: Me mirësjelljen e DaimlerChrysler Corporation; Brumbulli i zi: Me mirësjelljen e Vintage Motors of Sarasota; Brumbulli i verdhë: VW Volkswagen AG
Citroën: © CITROËN COMMUNICATION; Mercedes Benz: PRNewsFoto
Chrysler Minivan: Me mirësjelljen e DaimlerChrysler Corporation; Datsun: Nissan North America; Thrust SSC: AP Photo/Dusan Vranic