Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjykata e Lartë pranon ta shqyrtojë çështjen

Gjykata e Lartë pranon ta shqyrtojë çështjen

Gjykata e Lartë pranon ta shqyrtojë çështjen

NË VITET E FUNDIT, Gjykata e Lartë ka pranuar të shprehë me shkrim arsyetimin e saj ligjor për rreth 80 deri në 90 raste nga mbi 7.000 kërkesa të bëra çdo vit, pra pak më shumë se 1 për qind!

Në maj të vitit 2001, Dëshmitarët e Jehovait paraqitën kërkesën për të marrë një certiorari (leje për rishikimin e çështjes) nga Gjykata e Lartë, duke parashtruar këtë pyetje: «Sipas kushtetutës, shërbëtorët fetarë, të cilët kryejnë një praktikë qindravjeçare të bazuar në Shkrime për të folur për bindjet e tyre fetare nga shtëpia në shtëpi, a janë njëlloj me shitësit ambulantë, të detyruar t’u përmbahen kufizimeve për marrjen e lejes nga pushteti vendor për të folur rreth Biblës ose për të dhënë literaturë biblike pa para?»

Më 15 tetor 2001, Reparti Ligjor i Shoqatës Watchtower mori njoftimin se Gjykata e Lartë e SHBA-së e kishte pranuar për rishikim çështjen Watchtower Bible and Tract New York, Inc., dhe të tjerë kundër fshatit Straton dhe të tjerë!

Gjykata pranoi ta shqyrtonte çështjen, duke u kufizuar vetëm me shqyrtimin e një aspekti të veçantë të lirisë së shprehjes. Pra, nëse mbrojtja që Amendamenti i Parë i bën lirisë së shprehjes do të përfshinte edhe të drejtën e njerëzve për të folur me të tjerët rreth një teme, pa qenë të detyruar që së pari të paraqiten para një autoriteti qeveritar.

Tani çështja duhej argumentuar gojarisht para nëntë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Dëshmitarët do të përfaqësoheshin nga avokatët e tyre dhe pala kundërshtare, fshati Straton, nga një grup tjetër avokatësh. Si do të përfundonte çështja në këtë gjykatë?

[Kutia në faqen 5]

ÇFARË ËSHTË AMENDAMENTI I PARË?

«AMENDAMENTI I (THEMELIMI I FEVE; LIRIA E FESË, E SHPREHJES, E SHTYPIT, E GRUMBULLIMIT, E PETICIONIT) Kongresi nuk mund të nxjerrë ligje në lidhje me themelimin e feve ose të ndalojë ushtrimin e lirë të tyre; ose të kufizojë lirinë e shprehjes a të shtypit; ose të drejtën e njerëzve për t’u mbledhur në mënyrë paqësore dhe për t’i bërë peticion qeverisë ku të kërkojnë rivendosjen e një të drejte të shkelur.»​—Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara.

«Amendamenti i Parë është baza e procesit demokratik në Shtetet e Bashkuara. Amendamenti i Parë e ndalon Kongresin të miratojë ligje që kufizojnë lirinë e shprehjes, të shtypit, të grumbullimeve paqësore ose të peticionit. Shumë njerëz e konsiderojnë lirinë e shprehjes si lirinë më të rëndësishme dhe bazën për të gjitha liritë e tjera. Përveç kësaj, Amendamenti i Parë e ndalon Kongresin të miratojë ligje për të vendosur një fe zyrtare për shtetin ose të kufizojë lirinë e fesë.» (The World Book Encyclopedia) Në çështjen Kantuell kundër Konektikatit, 310 SHBA 296 (1940), ku përfshiheshin përsëri Dëshmitarët e Jehovait, u mor një vendim që shënoi një pikë kthese. Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi në të që garancitë e përmendura në Amendamentin e Parë pengojnë jo vetëm ‘Kongresin’ (qeverisja federale), por edhe autoritetet vendore (shteti, bashkitë dhe komunat) të nxjerrin ligje që në kundërshtim me kushtetutën do të shkelnin të drejtat e përfshira në Amendamentin e Parë.

[Figurat në faqen 5]

Çështja e përfshirë ndikon në forma të ndryshme të vajtjes nga shtëpia në shtëpi

[Burimi i figurës në faqen 4]

Fotografi nga Franz Jantzen, Collection of the Supreme Court of the United States