Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjykata e Lartë vendos në favor të lirisë së shprehjes

Gjykata e Lartë vendos në favor të lirisë së shprehjes

Gjykata e Lartë vendos në favor të lirisë së shprehjes

DITA VENDIMTARE kur Gjykata e Lartë botoi arsyetimin e saj ligjor ishte më 17 qershor 2002. Cili ishte vendimi i saj? Kryeartikuj të gazetave flitnin rreth përfundimit të çështjes. The New York Times njoftonte: «Gjykata shemb pengesat e vëna për vizitat e Dëshmitarëve të Jehovait.» The Columbus Dispatch e Ohajos shkruante: «Gjykata e Lartë shfuqizon kërkesën për leje.» The Plain Dealer e Klivlendit, Ohajo, thoshte me fjalë të thjeshta: «Ata që bëjnë kërkesa ose oferta nga dera në derë nuk kanë nevojë të marrin miratimin e bashkisë.» Në faqen e artikujve të opinioneve të gazetës USA Today deklarohej: «Liria e shprehjes fiton.»

Rezultati i votave 8 pro dhe 1 kundër rrëzoi vendimet e gjykatave më të ulta kundër Dëshmitarëve të Jehovait! Arsyetimi ligjor zyrtar me 18 faqe i Gjykatës së Lartë ishte shkruar nga gjyqtari Xhon Pol Stivens. Vendimi përforconte në mënyrë vendimtare të drejtën e Dëshmitarëve të Jehovait për të kryer shërbimin e tyre publik, të garantuar nga Amendamenti i Parë. Në arsyetimin ligjor, gjykata shpjegonte se Dëshmitarët nuk bënin kërkesë për leje, sepse thoshin se «autoritetin për të predikuar, e marrin nga Shkrimet». Më pas gjykata citonte dëshminë që përmbante paraqitja e tyre e fakteve: «Ne mendojmë se të kërkosh leje nga një organ i pushtetit vendor për të predikuar do të ishte pothuajse një fyerje për Perëndinë.»

Arsyetimi ligjor i Gjykatës thoshte: «Për më shumë se 50 vjet, Gjykata i ka shpallur të pavlefshme kufizimet e vëna për aktivitetin e propagandës dhe të shpërndarjes së broshurave derë më derë. Nuk është thjesht një ngjarje e rastësishme në histori fakti që shumica e këtyre çështjeve të paraqitura nga Dëshmitarët e Jehovait përfshinin të drejtat e mbrojtura në Amendamentin e Parë, sepse feja e tyre kërkon të flasësh me njerëzit nga dera në derë. Siç kemi vërejtur në çështjen Murdok kundër Pensilvanisë, . . . (1943), Dëshmitarët e Jehovait ‘thonë se ndjekin shembullin e Pavlit, duke mësuar «publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi». (Veprat 20:20) Në kuptimin e plotë të fjalës, ata e zbatojnë urdhrin që jepet në Shkrime: «Shkoni në gjithë botën dhe predikojani lajmin e mirë gjithë krijesës.» (Marku 16:15) Ata besojnë se duke bërë kështu po i binden një urdhri të Perëndisë’. »

Më pas, në arsyetim citohej përsëri çështja e vitit 1943: «Sipas Amendamentit të Parë, kjo formë e aktivitetit fetar ka po atë rëndësi të madhe, sikurse edhe adhurimi që bëhet në kisha dhe predikimi nga katedrat. Ka të drejtë të gëzojë të njëjtën mbrojtje si në rastin e praktikimit të feve më të mëdha dhe më tradicionale.» Duke cituar një çështje të vitit 1939, në arsyetim thuhej: «Të kërkosh të censurosh me anë të një lejeje, e cila bën të pamundur shpërndarjen e lirë dhe pa pengesa të broshurave, godet në zemër të së drejtave të garantuara në kushtetutë.»​—Kursivi është i tyre.

Pas kësaj, Gjykata bënte një vërejtje domethënëse: «Çështjet tregojnë se përpjekjet e Dëshmitarëve të Jehovait për të kundërshtuar kufizimin e lirisë së shprehjes nuk kanë qenë një betejë për të mbrojtur vetëm të drejtat e tyre.» Arsyetimi i Gjykatës shpjegonte se Dëshmitarët «nuk janë të vetmit ‘njerëz të thjeshtë’ që gjenden përballë rrezikut për t’i detyruar të heshtin me anë të rregullave si ai i nxjerrë nga autoritetet e fshatit».

Arsyetimi ligjor vazhdonte të thoshte se urdhëresa «e cila kërkon që një qytetar në komunikimin e përditshëm me njerëzit duhet të lajmërojë së pari qeverinë se dëshiron të flasë me fqinjët dhe pastaj të marrë një leje për ta bërë këtë gjë është fyese, jo vetëm për vlerat e mbrojtura nga Amendamenti i Parë, por edhe për vetë konceptin e një shoqërie të lirë. . . . Një ligj që kërkon një leje për një komunikim të tillë përbën një shmangie ekstreme nga trashëgimia jonë kombëtare dhe nga tradita kushtetuese». Vendimi më pas fliste për «ndikimin shumë të dëmshëm të një kërkese të tillë për leje».

Kërcënimi i krimeve

Por, ç’mund të thuhet për pikëpamjen se leja është një masë mbrojtëse kundër vjedhësve dhe kriminelëve të tjerë? Gjykata argumentonte: «Edhe pse e pranojmë se këto shqetësime janë të arsyeshme, rastet e mëparshme tregojnë qartë se duhet të ketë një ekuilibër midis këtyre shqetësimeve dhe ndikimit të kufizimeve për të drejtat e Amendamentit të Parë.»

Arsyetimi i Gjykatës vazhdonte: «Duket e pamundur që mungesa e lejes do t’i pengonte kriminelët që të trokitnin në dyer dhe të futeshin në biseda që nuk parashikohen në urdhëresë. Për shembull, ata mund të pyetnin për rrugën ose të kërkonin leje për të përdorur telefonin, . . . ose mund të regjistroheshin me një emër të rremë pa u ndëshkuar.»

Duke iu referuar vendimeve të viteve 1940, Gjykata shkruante: «Gjuha e përdorur në vendimet e dhëna gjatë periudhës së Luftës II Botërore, të cilat vazhdimisht i kanë shpëtuar bashkëbesimtarët e palës paditëse [Shoqata Watch Tower] nga akuzat e njerëzve mendjengushtë, pasqyronte vlerësimin e Gjykatës për liritë e garantuara në Amendamentin e Parë që përfshihen në këtë rast gjyqësor.»

Cili ishte përfundimi që nxori Gjykata? «Vendimi i Gjykatës së Apelit anulohet dhe çështja i kthehet për shqyrtim të mëtejshëm në përputhje me këtë arsyetim ligjor të Gjykatës së Lartë. Ky është urdhri ynë.»

Kështu përfundimi i çështjes ishte, siç thoshte Chicago Sun-Times, «Gjykata mbështet Dëshmitarët e Jehovait», dhe kjo me një shumicë votash 8 me 1.

Ç’mund të themi për të ardhmen?

Si e shohin këtë fitore në Gjykatën e Lartë Dëshmitarët e Jehovait të kongregacionit të afërt të Uellzvilit? Natyrisht nuk ka arsye për t’u mburrur për këtë, duke i bërë të ndihen në siklet banorët e Stratonit. Dëshmitarët nuk kanë ndonjë inat me njerëzit e mirë të fshatit. Gregori Kuhari, një Dëshmitar vendës, tha: «Kjo çështje gjyqësore nuk ishte diçka që e dëshironim. Urdhëresa në vetvete thjesht ishte e gabuar. Ç’ka bëmë nuk ishte vetëm për ne, por për çdo njeri.»

Faktet tregojnë që Dëshmitarët kanë bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për të mos i acaruar banorët vendës. Xhin Kuntsi, një Dëshmitar tjetër, shpjegoi: «Hera e fundit që predikuam në Straton ishte më 7 mars 1998, pra më shumë se katër vjet më parë.» Ai shtoi: «Mua vetë më kishin thënë se do të më arrestonin. Gjatë viteve kemi patur shumë raste kur Dëshmitarë të tjerë na kanë njoftuar se policia i ka kërcënuar me arrestim. Pastaj, kur kërkuam ta shihnim të shkruar urdhëresën, kurrë nuk morëm përgjigje.»

Kuntsi shtoi: «Ne do të donim të kishim marrëdhënie të mira me fqinjët tanë. Nëse disa nuk duan që t’i vizitojmë, ne e respektojmë këtë vendim. Por ka edhe të tjerë që janë miqësorë dhe e mirëpresin një bashkëbisedim rreth Biblës.»

Gregori Kuhari shpjegoi: «Ne nuk e ndoqëm këtë çështje për t’ju kundërvënë banorëve të Stratonit. Thjesht donim të themelonim ligjërisht lirinë e shprehjes që mbrohet nga Kushtetuta.»

Ai vazhdoi: «Më në fund, shpresojmë të kthehemi në Straton. Do të isha i lumtur të isha i pari që do të trokiste në një derë kur të kthehemi atje. Në përputhje me urdhrin e Krishtit, duhet të kthehemi.»

Përfundimi i çështjes «Shoqata Watchtower kundër fshatit Straton» ka pasur ndikime me shtrirje të gjerë. Pasi mësuan vendimin e Gjykatës së Lartë, disa zyrtarë të bashkive të SHBA-së pranuan se urdhëresat e pushtetit vendor nuk mund të përdoreshin më për të kufizuar veprën ungjillëzuese të Dëshmitarëve të Jehovait. Deri tani, problemet që pengonin predikimin nga dera në derë janë zgjidhur në rreth 90 komunitete të Shteteve të Bashkuara.

[Kutia në faqen 9]

«DËSHMITARËT E JEHOVAIT IA DOLËN MBANË PËRSËRI»

Çarls C. Hajnesi, një studiues i shquar dhe drejtor i programeve të arsimimit në Qendrën e Amendamentit të Parë, shkroi fjalët e mësipërme në vendndodhjen në internet të Microsoft National Broadcasting Corporation, nën titullin «Liria e besimit». Hajnesi vazhdoi: «Javën e kaluar [Dëshmitarët] arritën fitoren e 48-të në Gjykatën e Lartë, një seri e jashtëzakonshme rastesh që i ka zgjeruar në mënyrë domethënëse të drejtat e mbrojtura në Amendamentin e Parë për të gjithë amerikanët.» Ai paralajmëroi: «Mbajeni mend këtë: nëse qeveria mund të kufizojë lirinë e një feje, ajo ka fuqinë për të kufizuar lirinë e çdo feje ose të të gjitha feve. . . . Sigurisht, njerëzit kanë të drejtën të mos dëgjojnë dhe të mbyllin derën. Por qeveria s’duhet të ketë autoritetin për të vendosur se kë do të lejojë të trokasë në derë. Pra, dy brohoritje për Gjykatën e Lartë.»

Hajnesi përfundoi: «Ne të gjithë duhet t’u jemi mirënjohës Dëshmitarëve të Jehovait. Pavarësisht se sa herë i kanë fyer, i kanë përzënë nga qyteti ose edhe i kanë sulmuar fizikisht, ata vazhdojnë të luftojnë për lirinë e tyre të fesë (dhe kështu edhe për tonën). Dhe kur ata fitojnë, të gjithë ne fitojmë.»

[Kutia dhe figurat në faqet 10, 11]

SHTYPI FLET PËR VENDIMIN E GJYKATËS SË LARTË

«Gjykata mbështet Dëshmitarët e Jehovait; për shërbimin nga shtëpia në shtëpi nuk duhet ndonjë leje

Kur trokasin nga dera në derë gjatë aktivitetit të tyre si Dëshmitarë të Jehovait, [Dëshmitarët] gjithmonë kanë besuar se kanë mbështetjen e Perëndisë. Tani kanë edhe mbështetjen e Gjykatës së Lartë të SHBA-së.»​—Chicago Sun-Times, 18 qershor 2002

«Liria e shprehjes triumfon

Herën tjetër që disa Dëshmitarë të Jehovait do t’ju ndërpresin gjatë drekës, mund të mbani parasysh që duhet t’i falënderoni. Ky besim fetar, i cili ndryshon nga fetë tradicionale dhe që ka pothuajse 1 milion anëtarë [në Shtetet e Bashkuara], me përkushtim të guximshëm ndaj parimeve të veta fetare, ndoshta ka bërë më shumë se çdo organizatë tjetër për të mbrojtur lirinë e shprehjes për çdo amerikan. . . .

Për Dëshmitarët është një procedurë e zakonshme që të shkojnë në Gjykatën e Lartë. Në më shumë se njëzetekatër raste gjatë 65 vjetëve, ata kanë luftuar me sukses kundër tiranisë së shumicës.»​—USA TODAY, 18 qershor 2002

«Të bësh kërkesa ose oferta nga derë në derë shpallet e drejtë kushtetuese. Vendimi​—një fitore për Dëshmitarët e Jehovait

Të hënën, Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi se politikanët, grupet fetare, vajzat skaut dhe të tjerë, sipas kushtetutës kanë të drejtë të shkojnë derë më derë për të çuar përpara kauzën e tyre, pa marrë më parë leje nga zyrtarët vendës.»​—San Francisco Chronicle, 18 qershor 2002

«Gjykata e Lartë: Dëshmitarët e Jehovait dhe vajzat skaut nuk mund t’i ndalosh që të trokasin nëpër dyer

UASHINGTON​—Gjykata e Lartë vendosi sot se Kushtetuta mbron të drejtën e misionarëve, të politikanëve dhe të të tjerëve për të trokitur nëpër dyer pa marrë më parë leje nga pushteti vendor. . . .

Me një shumicë votash 8 me 1, gjykata arsyetoi se liria e shprehjes sipas Amendamentit të Parë përfshin edhe të drejtën për t’i dhënë dikujt një mesazh në derë.»​—Star Tribune, e Mineapolisit, 18 qershor 2002

[Figura në faqen 9]

Gjyqtari Stivens

[Burimi]

Stivens: Collection, The Supreme Court Historical Society/Joseph Bailey