Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Hapi i parë​—Argumenti gojor para Gjykatës së Lartë

Hapi i parë​—Argumenti gojor para Gjykatës së Lartë

Hapi i parë​—Argumenti gojor para Gjykatës së Lartë

ARGUMENTI gojor para kryetarit të trupit gjykues Uilliam Renkuistit dhe para tetë gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës së Lartë ishte caktuar më datën 26 shkurt 2002. Interesat e Dëshmitarëve të Jehovait mbroheshin nga një ekip i përbërë prej katër avokatësh.

Avokati që kryesonte mbrojtjen e Dëshmitarëve e nisi argumentimin me një hyrje që të tërhiqte vëmendjen: «Është e shtunë, ora 11.00. Jemi në fshatin Straton. [Pastaj ai trokiti tri herë në bankë.] ‘Mirëmëngjes. Duke u nisur nga ngjarjet e fundit kam bërë një përpjekje të veçantë për të ardhur në shtëpinë tuaj dhe për të folur me ju për atë që profeti Isaia e quan si diçka më të mirë. Ai është lajmi i mirë për të cilin foli Jezu Krishti, lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë.’»

Ai vazhdoi: «Në fshatin Straton, të shkosh nga dera në derë për të shpërndarë këtë mesazh, pa marrë më parë leje nga autoritetet, përbën një akt kriminal.»

‘A nuk kërkoni ju para?’

Gjyqtari Stiven G. Brajër i drejtoi mbrojtjes së Dëshmitarëve disa pyetje lidhur me çështjen. Ai pyeti: «A është e vërtetë që klientët tuaj nuk kërkojnë para, madje asnjë qindarkë dhe [se] ata nuk shesin Bibla, nuk shesin asgjë, por vetëm thonë: ‘Dua të flas me ju për fenë.’»

Avokati i Dëshmitarëve u përgjigj: «I nderuar gjykatës, faktet nuk lënë vend për dyshime. Në fshatin Straton, Dëshmitarët e Jehovait nuk kërkonin para. Në zona të tjera, faktet përsëri flasin qartë që ndonjëherë ata përmendin se dikush mund të bëjë një kontribut vullnetar. . . . Ne nuk përpiqemi të mbledhim para. Thjesht kërkojmë të flasim me njerëzit për Biblën.»

A nevojitet leje nga autoritetet?

Duke treguar mendjemprehtësi gjyqtari Antonin Skalia pyeti: «A nuk kërkoni ju që të mos jeni të detyruar të shkoni te kryetari e t’i kërkoni leje për të folur me një fqinj për diçka interesante?» Avokati i Dëshmitarëve u përgjigj: «Ne nuk besojmë se kjo gjykatë do të miratojë një rregull të nxjerrë nga një organ qeverisjeje, sipas të cilit kërkohet që një shtetas të marrë leje për të folur me një shtetas tjetër në shtëpinë e këtij të fundit.»

Ndryshim i argumenteve, ndryshim i atmosferës

Tani ishte radha e fshatit Straton të paraqiste argumentet e tij. Avokati që kryesonte mbrojtjen shpjegoi urdhëresën e Stratonit duke thënë: «Stratoni po ushtron pushtetin që i jep ligji, kur kërkon të mbrojë jetën private të banorëve të tij, kur kërkon të parandalojë krimin. Urdhëresa për ndalimin e bërjes së propagandës ose të kërkesave a të ofertave në pronë private, thjesht kërkon një regjistrim paraprak dhe pasjen e një lejeje gjatë aktivitetit nga dera në derë.»

Gjyqtari Skalia menjëherë hyri në thelbin e çështjes kur pyeti: «Me sa dini, a kemi shqyrtuar [Gjykata e Lartë] ndonjë urdhëresë tjetër me një shtrirje të tillë që të ndalojë kërkesat ose ofertat nga dera në derë, kërkesat për para, shitjen e mallrave, madje edhe biseda të tilla, si për shembull: ‘Dëshiroj të flas me ju për Jezu Krishtin’, ose ‘Dëshiroj të flas për mbrojtjen e ambientit.’ A kemi pasur ndonjë rast të tillë?»

Gjyqtari Skalia vazhdoi: «Nuk di të ketë pasur fare raste të tilla në dy shekujt e fundit.» Kryetari i trupit gjykues, Renkuisti, u përgjigj me një batutë: «Ju nuk keni jetuar aq gjatë.» Kjo gjë shkaktoi të qeshura në sallën e gjyqit. Gjyqtari Skalia vazhdoi argumentimin e tij: «Shtrirja e kësaj çështjeje është diçka e re për mua.»

Një ide e shkëlqyer?

Gjyqtari Antoni M. Kenedi pyeti: «Ju mendoni se është ide e shkëlqyer që më duhet të kërkoj një leje nga qeveria para se të shkoj diku në lagjen time, ku nuk i njoh të gjithë njerëzit, [dhe] të them, dëshiroj të flas me ju, sepse jam i shqetësuar për mbledhjen e plehrave ose për deputetin tonë në Kongres a për diçka tjetër të ngjashme. Më duhet të pyes qeverinë para se ta bëj një gjë të tillë?» Ai shtoi: «Kjo është për t’u habitur!»

Më pas, gjyqtarja Sandra Dei O’Konor u bashkua në argumentim dhe pyeti: «Por, ç’mund të themi për fëmijët që në festën e Hallouinit trokasin nëpër dyer dhe kërkojnë të qerasen, përndryshe bëjnë ndonjë prapësi? A duhet që edhe ata të marrin leje?» Që të dy gjyqtarët O’Konor dhe Skalia ndoqën këtë linjë arsyetimi. Gjyqtarja O’Konor parashtroi një argument tjetër: «Po kur i merr hua fqinjit një filxhan sheqer? A duhet të marr leje, që të shkoj t’i marr hua fqinjit tim një filxhan sheqer?»

A janë Dëshmitarët propagandues?

Gjyqtari Dejvid H. Sutër pyeti: «Pse zbatohet kjo urdhëresë edhe për Dëshmitarët e Jehovait? A janë ata propagandues, mbledhës fondesh, njerëz që shesin mallra ose shërbime si shitës ambulantë, shitës që shesin derë më derë ose shitës udhëtues? Ata nuk bëjnë pjesë në asnjërin nga këto grupe, apo jo?» Avokati i Stratonit e citoi urdhëresën në mënyrë shumë të hollësishme dhe shtoi se gjykata krahinore i kishte klasifikuar Dëshmitarët e Jehovait si propagandues. Gjyqtari Sutër iu kundërpërgjigj: «Atëherë, përkufizimi juaj për fjalën propagandues është shumë i gjerë, nëse përfshin edhe Dëshmitarët e Jehovait.»

Gjyqtari Brajër më pas citoi nga fjalori përkufizimin e fjalës propagandues për të treguar që ajo nuk zbatohej në rastin e Dëshmitarëve. Ai shtoi: «Në paraqitjen tuaj të fakteve nuk kam lexuar ndonjë gjë ku të tregohet se për ç’qëllim u kërkohet këtyre njerëzve [Dëshmitarëve të Jehovait] që të shkojnë në bashki për t’u regjistruar, ndërkohë që ata nuk janë të interesuar për të mbledhur para, as për të shitur, madje as për të mbledhur vota. Cili është qëllimi i autoriteteve të qytetit?»

«Privilegji» për të komunikuar

Pastaj avokati i Stratonit argumentoi se «qëllimi i autoriteteve të qytetit është të mos lejojnë që pronarët e shtëpive të bezdisen». Ai sqaroi më tej se kjo bëhej për t’i mbrojtur nga mashtruesit dhe kriminelët. Gjyqtari Skalia citoi urdhëresën për të treguar se kryetari mund të kërkojë më tepër të dhëna në lidhje me atë që do të regjistrohet dhe qëllimin e tij, në mënyrë që «të bëjë një përshkrim të saktë të natyrës së privilegjit që kërkohet». Ai shtoi me vend: «Pra, u quajtka privilegj të shkosh për t’i bindur bashkëqytetarët e tu në lidhje me një gjë ose me një tjetër! Këtë, vërtet s’mund ta kuptoj.»

Gjyqtari Skalia ngulmoi përsëri: «Atëherë, a i duhet kërkuar çdokujt që para se t’i bjerë ziles së një shtëpie të shkojë në bashki që t’i marrin shenjat e gishtërinjve? A është një arsye e mjaftueshme pakësimi i rrezikut për kryerjen e një krimi për t’i kërkuar kujtdo që dëshiron t’i bjerë ziles së një dere që të regjistrohet në bashki? Patjetër që jo.»

Për mbrojtjen e banorëve?

Pas përfundimit të 20 minutave të caktuara për të, avokati që kryesonte mbrojtjen e fshatit ia kaloi radhën për të argumentuar prokurorit të përgjithshëm të shtetit të Ohajos. Ai tha se urdhëresa për ndalimin e kërkesave ose të ofertave nga dera në derë i mbronte banorët nga vizitat e të huajve, «natyrisht të një njeriu të paftuar, [i cili] hyn në pronën time . . . dhe mendoj se autoritetet e fshatit kanë të drejtën të thonë: ‘Kjo lloj veprimtarie na shqetëson.’ »

Më pas gjyqtari Skalia tha: «Me këtë autoritetet e fshatit thonë se edhe sikur ata njerëz që i mirëpresin Dëshmitarët e Jehovait të ishin duke qëndruar vetëm dhe të dëshironin të flitnin me dikë për çfarëdolloj gjëje, përsëri këta individë [Dëshmitarët e Jehovait] duhet të shkojnë të regjistrohen te kryetari për të marrë privilegjin për t’i rënë ziles së derës.»

«Një kufizim shumë i arsyeshëm»

Gjatë marrjes në pyetje gjyqtari Skalia dha një argument me peshë kur tha: «Të gjithë e pranojmë se shoqëritë më të sigurta në botë janë diktaturat totalitare. Kanë shumë pak krime. Ky është një fenomen i njohur dhe, deri në njëfarë mase, një nga çmimet e lirisë është rreziku më i madh i veprave të paligjshme. Në këtë rast, çështja është nëse kjo urdhëresë do të ishte aq e efektshme për të pakësuar krimet, sa t’ia vlente që të merrja leje për të pasur privilegjin për t’i rënë ziles së derës së dikujt.» Pas kësaj, prokurori i përgjithshëm u përgjigj se «ky është një kufizim shumë i arsyeshëm». Gjyqtari Skalia iu kundërpërgjigj se urdhëresa ishte kaq e arsyeshme, saqë «nuk mund të gjejmë qoftë edhe një rast të vetëm që na tregon për ndonjë komunë që të ketë nxjerrë ndonjëherë një urdhëresë të këtij lloji. Nuk mendoj se kjo është diçka e arsyeshme».

Në fund, nën presionin e pyetjeve të njërit prej gjyqtarëve, prokurorit të përgjithshëm iu desh të pranonte: «Do të ngurroja të thosha se mund të ndalosh dikë në mënyrë kategorike që t’i bjerë ziles ose të trokasë në ndonjë derë.» Me këto fjalë, argumentimi i tij përfundoi.

Duke iu kundërpërgjigjur akuzës, avokati i Dëshmitarëve nxori në pah se në urdhëresë nuk parashikohej ndonjë mënyrë për verifikimin e deklaratave që bënte personi. «Unë mund të shkoj në zyrat e administratës së fshatit dhe të them: ‘Jam [filan fistëku]’, të marr një leje dhe të shkoj nga dera në derë.» Gjithashtu, ai vuri në dukje se kryetari ka autoritetin të refuzojë t’i japë leje dikujt që nuk është anëtar i ndonjë organizate. «Ne mendojmë se kjo është një shfaqje e hapur e ushtrimit të autoritetit për të gjykuar»,​—tha ai. Pastaj shtoi: «Me respekt dua të përmend se aktiviteti ynë [i Dëshmitarëve të Jehovait] lidhet vërtet me thelbin e Amendamentit të Parë.»

Menjëherë pas kësaj, kryetari i jurisë, Renkuisti, e mbylli argumentin gojor, duke thënë: «Çështja i kalon për shqyrtim [Gjykatës së Lartë].» I gjithë procesi zgjati pak më shumë se një orë. Se sa e rëndësishme ishte ajo orë, kjo do të shihej në vendimin që do të njoftohej në qershor.

[Figurat në faqen 6]

Kryetari i trupit gjykues, Renkuisti

Gjyqtari Brajër

Gjyqtari Skalia

[Burimet]

Renkuist: Collection, The Supreme Court Historical Society/Dane Penland; Brajër: Collection, The Supreme Court Historical Society/Richard Strauss; Skalia: Collection, The Supreme Court Historical Society/Joseph Lavenburg

[Figurat në faqen 7]

Gjyqtari Kenedi

Gjyqtarja O’Konor

Gjyqtari Sutër

[Burimet]

Kenedi: Collection, The Supreme Court Historical Society/Robin Reid; O’Konor: Collection, The Supreme Court Historical Society/Richard Strauss; Sutër: Collection, The Supreme Court Historical Society/Joseph Bailey

[Figura në faqen 8]

Salla e gjyqit nga brenda

[Burimi]

Fotografi nga Franz Jantzen, Collection of the Supreme Court of the United States