Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I çliruar nga zinxhirët e urrejtjes

I çliruar nga zinxhirët e urrejtjes

I çliruar nga zinxhirët e urrejtjes

TREGUAR NGA HOSE GOMESI

KAM lindur më 8 shtator të vitit 1964, në Ronjak, një qytet i vogël në jug të Francës. Prindërit dhe gjyshërit e mi ishin romë nga Andaluzia, por që kishin lindur në Algjeri dhe në Marok, në Afrikën Veriore. Siç është e zakonshme në kulturën rome, familja jonë ishte shumë e madhe.

Babai ishte njeri i dhunshëm dhe në kujtimet e mia më të hershme bëjnë pjesë disa skena ku ai keqtrajtonte mamanë. Me kalimin e kohës, mamaja vendosi të divorcohej, kjo është diçka e rrallë te romët. Ajo mori vëllanë, motrën dhe mua në Belgjikë, ku jetuam në paqe për tetë vjet.

Megjithatë, gjërat ndryshuan. Ne fëmijët donim të shihnim babanë, kështu mamaja na mori në Francë dhe u bashkua sërish me babanë. Të jetoja përsëri me babanë ishte një sfidë. Në Belgjikë shkonim gjithandej me mamanë. Por sipas pjesëtarëve të familjes nga babai, burrat duhej të rrinin me burrat. Mentaliteti i tyre mashkullor ishte se burrat kishin të gjitha të drejtat, ndërsa gratë kishin të gjitha detyrimet. Për shembull, një ditë kur doja të ndihmoja nusen e xhaxhait të lante enët pas darkës, xhaxhai më akuzoi se isha homoseksual. Në familjen e tij, larja e enëve ishte rreptësisht punë e grave. Si përfundim, kjo mënyrë të menduari e paekuilibruar ndikoi tek unë.

Jo shumë kohë më vonë, mamaja përsëri u bë viktimë e natyrës së dhunshme të babait. Disa herë, kur përpiqeshim të ndërhynim, unë dhe vëllai duhej të iknim nga dritarja për të shpëtuar nga grushtet e babait. Motra nuk bënte përjashtim. Si pasojë, kaloja sa më shumë kohë që të mundesha larg shtëpisë. Në moshën 15-vjeçare, nuk kisha asnjë drejtim në jetë.

Me kalimin e kohës, u bëra i njohur për temperamentin e dhunshëm. Më pëlqente të isha prepotent. Ndonjëherë i ngacmoja qëllimisht të rinjtë e tjerë, por shumë pak prej tyre guxonin të më kundërshtonin, sidomos ngaqë shpesh mbaja një thikë ose zinxhir. Shpejt fillova të vjedh makina e t’i shes. Në disa raste vetëm sa u vija flakën dhe më pëlqente të shihja zjarrfikësit që shuanin zjarrin. Më vonë fillova të vjedh dyqanet dhe magazinat. U arrestova disa herë dhe çdo herë i lutesha Perëndisë për ndihmë.

Po, besoja te Perëndia. Kur ishim në Belgjikë, kisha qenë në një shkollë fetare. Kështu që e dija se ajo që po bëja ishte diçka e keqe. Prapëseprapë, besimi që kisha te Perëndia nuk kishte ndonjë ndikim në sjelljen time. Mendoja se gjithçka që duhet të bëja ishte t’i kërkoja falje dhe mëkatet do të më faleshin.

Në vitin 1984, u dënova për vjedhje me 11 muaj burg. Më çuan në burgun e Bometit në Marsejë. Atje bëra tatuazhe në pjesë të ndryshme të trupit. Në një tatuazh ishte shkruar: «Urrejtje dhe hakmarrje». Jo vetëm që nuk u riedukova aspak, por i lejova vetes që burgu të ma thellonte urrejtjen për autoritetet dhe për shoqërinë në përgjithësi. U lirova pasi kisha bërë vetëm tre muaj burg. Por më tepër se kurrë isha plot urrejtje. Pastaj një tragjedi ma ndryshoi drejtimin në jetë.

Hakmarrja bëhet synimi im

Familja ime pati një grindje me një familje tjetër rome. Xhaxhallarët e mi dhe unë vendosëm t’u bënim ballë për të zgjidhur çështjen. Të dyja familjet u armatosën. Në sherrin që pasoi, xhaxha Pjeri dhe një kushëri i babait u vranë. Isha kaq i tronditur, saqë rrija në rrugë me armë në dorë, duke ulëritur plot zemërim. Së fundi, një prej xhaxhallarëve ma hoqi me forcë armën nga duart.

Humbja e xhaxha Pjerit, të cilin e konsideroja si baba, më hidhëroi shumë. Mbajta një periudhë zie sipas zakonit rom. Për shumë ditë nuk u rruajta dhe nuk hëngra fare mish. Nuk pranova të shihja televizor ose të dëgjoja muzikë. U betova se do të hakmerresha për vdekjen e xhaxhait, por të afërmit e mi nuk më lejuan të mbaja armë.

Në gusht të vitit 1984 më thirrën për shërbimin ushtarak. Në moshën 20-vjeçare u anëtarësova në forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban. Të vritja ose të vritesha, ky ishte një rrezik që e pranova. Në atë kohë pija shumë hashash. Përveçse më krijonte një ndjenjë mirëqenieje, droga më bënte të ndihesha sikur asgjë nuk mund të më dëmtonte.

Ishte e lehtë të gjeje armë në Liban, prandaj vendosa të dërgoja armë në Francë nëpërmjet rrugëve detare, që të çoja përpara planin për t’u hakmarrë për xhaxhanë. Bleva dy pistoleta, si dhe municione nga banorët vendës. I zbërtheva armët, i fsheha brenda dy radiove dhe i dërgova në shtëpi.

Vetëm dy javë para se të përfundoja shërbimin ushtarak, tre shokët e mi dhe unë munguam pa leje. Kur u kthyem në kazermë, na vunë në izolim. Ndërsa isha në burg, më hipi tërbimi dhe sulmova një roje. Ishte e pamendueshme për mua të nënvlerësohesha nga një pajo, pra nga dikush që nuk ishte rom. Të nesërmen u zura përsëri në mënyrë të dhunshme, këtë radhë me një oficer. Më çuan në burgun e Montlykut, në Lion, për pjesën e mbetur të shërbimit ushtarak.

Gjej lirinë në burg

Ditën e parë që ndodhesha në burgun e Montlykut, më përshëndeti me ngrohtësi një i ri i këndshëm. Mësova se ishte një Dëshmitar i Jehovait dhe se ai e të tjerë të besimit të tij ishin në burg vetëm sepse nuk merrnin armë. Kjo gjë më habiti. Doja të mësoja më shumë.

Pashë se Dëshmitarët e Jehovait kishin dashuri të vërtetë për Perëndinë dhe normat e tyre të larta morale më bënin përshtypje. Gjithsesi, kisha shumë pyetje. Në veçanti, doja të dija nëse të vdekurit mund të komunikojnë me të gjallët me anë të ëndrrave, diçka që e besojnë shumë romë. Një Dëshmitar i quajtur Zhan-Pol u tregua i gatshëm të studionte Biblën me mua, duke përdorur librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. *

E lexova me etje librin brenda një nate dhe ajo që lexova më preku në zemër. Në burg kisha gjetur lirinë e vërtetë! Kur më në fund u lirova nga burgu, i hipa trenit për në shtëpi, me çantën plot me botime biblike.

Për t’u lidhur me Dëshmitarët në zonën e shtëpisë sime, shkova në Sallën e Mbretërisë në qytetin Martig. Vazhdova të studioja Biblën, këtë radhë me ndihmën e një shërbëtori të plotkohor në moshë të re, të quajtur Erik. Brenda pak ditësh, lashë duhanin dhe nuk i takoja më ish-shokët e mi të krimeve. Isha i vendosur të veproja në harmoni me Fjalët e urta 27:11, ku thuhet: «Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje.» Jehovai ishte bërë për mua një Atë i dashur të cilit doja t’i pëlqeja.

Sfida për të ndryshuar

Nuk e kisha të lehtë të zbatoja parimet e krishtere. Për shembull, fillova të merrja përsëri drogë, kjo gjë zgjati disa javë. Por sfida më e vështirë ishte të hiqja qafe dëshirën për hakmarrje. Pa dijeninë e Erikut, mbaja gjithmonë një armë dhe ende bëja plane për t’u hakmarrë kundër atyre që më vranë xhaxhanë. Kaloja netë të tëra duke i kërkuar.

Kur i fola për këtë Erikut, ai më shpjegoi qartë se nuk mund të vendosja një marrëdhënie të mirë me Perëndinë ndërkohë që mbaja armë dhe përpiqesha të hakmerresha. Duhej të zgjidhja. Meditova thellë për këshillën e apostullit Pavël te Romakëve 12:19, ku thuhet: «Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë.» Kjo gjë bashkë me lutjet e zjarrta më ndihmuan të kontrolloja ndjenjat. (Psalmi 55:22) Së fundi, i hoqa qafe armët. Më 26 dhjetor të vitit 1986, pasi po studioja Biblën që prej një viti, simbolizova kushtimin ndaj Perëndisë Jehova me anë të pagëzimit në ujë.

Familja ime përgjigjet pozitivisht

Ndryshimet që kisha bërë në sjellje i inkurajuan prindërit e mi të studionin Biblën. Ata u rimartuan dhe mamaja u pagëzua në korrik të vitit 1989. Me kalimin e kohës, disa pjesëtarë të tjerë të familjes iu përgjigjën mesazhit të Biblës dhe u bënë Dëshmitarë të Jehovait.

Në gusht të vitit 1988 vendosa të bëhesha një shërbëtor në kohë të plotë. Pastaj, rashë në dashuri me një motër të re në moshë, që ishte në kongregacionin tim, të quajtur Katja. U martuam më 10 qershor të vitit 1989. Viti i parë i martesës nuk ishte i lehtë, sepse duhej të bëja ende disa përmirësime në qëndrimin ndaj grave. E kisha të vështirë të zbatoja fjalët e 1 Pjetrit 3:7, i cili i inkurajon burrat t’i japin nderim gruas së tyre. M’u desh të lutesha vazhdimisht që të kisha forcë për të gëlltitur krenarinë dhe për të ndryshuar mënyrën e të menduarit. Dora-dorës gjërat u përmirësuan.

Vdekja e xhaxhait më shkakton ende shumë dhembje dhe ndonjëherë kur mendoj për të nuk mund t’i mbaj lotët. Luftoj kundër emocioneve të forta që më ngjallen nga kujtimet e vrasjes së tij. Për vite me radhë, edhe pas pagëzimit, kisha frikë se mos takohesha rastësisht me pjesëtarë të familjes me të cilën më parë ishim në hasmëri. Çfarë do të bëja sikur të më sulmonin? Si do të reagoja? A do të sundonte personaliteti i vjetër?

Një ditë mbajta një fjalim publik në një kongregacion aty pranë. Atje pashë Pepan, një e afërme e burrave që kishin vrarë xhaxhanë tim. Duhet ta pranoj se kur e pashë u vu në provë deri në thellësi personaliteti im i krishterë. Por i lashë mënjanë ndjenjat. Më vonë, ditën e pagëzimit të Pepës e përqafova dhe e përgëzova për vendimin për t’i shërbyer Jehovait. Pavarësisht nga gjithçka që kishte ndodhur, e pranova si motrën time frymore.

Çdo ditë e falënderoj Jehovain që më ndihmoi të thyej zinxhirët e urrejtjes. Ku do të isha sot po të mos kisha pasur mëshirën e Jehovait? Falë tij, gëzoj një jetë të lumtur familjare. Gjithashtu, kam një shpresë për të ardhmen: shpresën e një bote të re pa urrejtje dhe pa dhunë. Po, kam siguri të plotë se premtimi i Perëndisë do të përmbushet: «Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më, sepse goja e Zotit [Jehovait, BR] të ushtrive foli.»​—Mikea 4:4.

[Shënimi]

^ par. 18 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 19]

Me forcat paqeruajtëse të OKB-së në Liban, më 1985

[Figura në faqen 20]

Me Katjën dhe djemtë e mi, Timeon dhe Pjerin