‘I bindemi Perëndisë në vend të njerëzve’
‘I bindemi Perëndisë në vend të njerëzve’
Kur ishte 17 vjeç, Adami ishte një ndër tre fituesit e një konkursi, të financuar nga Muzeu Përkujtimor i Holokaustit, në SHBA. Ata që u paraqitën në konkurs, gjithsej afro 500 veta, përdorën artin ose shkrimin për të përshkruar guximin nën shtypjen naziste. Adami është Dëshmitar i Jehovait dhe vendosi të bënte një stendë ku do të paraqiste mundimet që kaluan anëtarët e fesë së tij gjatë regjimit nazist. Adami thotë se arti nuk pasqyronte dështim ose mëri, por gëzim sepse Dëshmitarët e Jehovait ngadhënjyen gjatë sulmit të egër të atij shtypësi mizor. Shfaqet edhe një fëmijë. Pse? «Për të nxjerrë në pah që edhe fëmijët qëndruan të fortë ndaj përndjekjes naziste»,—thotë Adami.
Dihet mirë që gjatë epokës naziste Dëshmitarët e Jehovait nuk pranuan të bënin përshëndetjen hitleriane ose të mbështetnin partinë e Hitlerit. Qëndrimi i tyre bëhet i qartë nga këndi i sipërm në anën e djathtë të stendës që bëri Adami. Aty citohet një letër që i ishte dërguar qeverisë gjermane më 7 tetor 1934 nga të gjitha kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Pjesërisht letra pohonte: «Ligji juaj bie ndesh në mënyrë të drejtpërdrejtë me ligjin e Perëndisë dhe, duke ndjekur shembullin e apostujve besnikë, ‘ne duhet t’i bindemi Perëndisë në vend të njerëzve’, dhe kështu do të bëjmë. (Veprat 5:29). . . Meqë qeveria juaj dhe zyrtarët e saj vazhdojnë me përpjekjet për të na shtrënguar që të mos i bindemi ligjit më të lartë të universit, detyrohemi tani t’ju bëjmë të ditur se ne do t’i bindemi, me ndihmën e tij, Perëndisë Jehova dhe do të kemi besim të plotë tek Ai se do të na çlirojë nga e gjithë shtypja dhe të gjithë shtypësit.»
Adami është krenar për trashëgiminë e tij frymore. «Dëshmitarët e Jehovait me vendosmëri besonin se nuk duhej të dëmtonin njerëzit e tjerë dhe nuk duhej të adhuronin askënd tjetër veç Perëndisë, edhe kur kjo nënkuptonte vdekjen»,—thotë ai. Qëndrimi i palëkundur i Dëshmitarëve të Jehovait pasqyrohet në titullin që Adami i dha stendës: «Ne do t’i bindemi Perëndisë në vend të njerëzve!»