Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Globalizimi Më pëlqeu seria e artikujve «Globalizimi: Mallkim apo shërim?» (22 maj 2002, anglisht) Kam ndjekur një sërë leksionesh në lidhje me globalizimin dhe m’u duk që e paraqitnin me anshmëri e paragjykime. Oratorët ose u përpoqën të përkrahnin globalizimin duke përmendur dobitë e tij, ose e kritikuan atë pa dhënë ndonjë zgjidhje tjetër. Megjithatë, siç vinin në dukje artikujt tuaj, Mbretëria e Perëndisë do të sjellë një globalizim nga i cili do të ketë dobi çdonjëri prej nesh. Sa me padurim i pres të vijnë këto ndryshime dobiprurëse!
E. F., Filipine
Përsëri keni shkruar një artikull vërtet të shkëlqyer, që do t’ju sjellë përgëzime nga të gjitha anët. Siç theksohet në përfundimin tuaj, e vetmja zgjidhje për njerëzimin është sundimi i Mbretërisë së Perëndisë në një tokë parajsore. Dëshiroj vetëm t’ju shpreh çmueshmërinë time për punën tuaj të shkëlqyer, që botoni artikuj kaq të rëndësishëm për ditët e rrezikshme në të cilat jetojmë.
G. B., Irlandë
Doja t’ju falënderoja për veprën tuaj të ungjillëzimit që meriton të lavdërohet. Lexova serinë e artikujve «Globalizimi: Mallkim apo shërim?» dhe m’u dukën tepër të saktë. Kjo seri na ndihmon të bëhemi të vetëdijshëm për kufizimet tona si njerëz. Gjithashtu, na ndihmon të kuptojmë se po nuk jetuam në përputhje me ligjet e Jehovait, nuk mund t’ia dalim mbanë.
Zh. D., Belgjikë
Dëshiroj të shpreh admirimin tim për artikujt në lidhje me globalizimin. Ishin të shkruara dhe të ilustruara shumë mirë. Para se të lexoja këta artikuj, nuk e kisha fare idenë se ç’kuptim kishte ky term, por tani mendoj se jam i informuar siç duhet. Kënaqem gjithnjë kur lexoj revistën Zgjohuni!
E. K., Peru
Dëgjimi Shumë faleminderit për artikullin «Mbroni dëgjimin!» (22 maj 2002, anglisht) Jam në vitin e parë duke u stërvitur si specialiste që ndihmon për problemet e dëgjimit, prandaj i shoh pasojat e zhurmave çdo ditë. Është e rëndësishme që në veçanti të rinjtë të bëhen të vetëdijshëm për zhurmat e përditshme, ndaj të cilave e ekspozojnë veten.
K. K., Gjermani
Të rinjtë pyesin M’u duk shumë informativ artikulli «Të rinjtë pyesin. . . Si mund të gjej një shoqe dhome të mirë?» (22 maj 2002, anglisht) Nuk jam e re, por kohët e fundit u divorcova. Isha e tronditur kur pashë se, për shkak të kostos së lartë të jetesës, nuk mund t’ia dilja dot e vetme. E vetmja zgjidhje për mua ishte të gjeja një shoqe dhome. Mendova se për shkak të moshës sime, kjo do të ishte vërtet problem. Edhe një motër e re në moshë, që sapo kishte ardhur në kongregacionin tonë, kishte nevojë për një shoqe dhome. Shkuam të banonim së bashku. Kjo gjë ishte me të vërtetë një bekim. Pas ca kohësh e pamë veten në një udhëkryq nga ana financiare dhe një motër tjetër erdhi të banonte me ne. Duhet të them se vetëm në organizatën e Jehovait një gjyshe 60-vjeçare dhe dy gra të reja me formime të ndryshme mund të gjejnë kaq shumë qetësi dhe dashuri duke jetuar së bashku. Jemi bërë një familje e vogël dhe, në shumë mënyra, kjo ka mbushur një boshllëk në jetën tonë.
L. G., Shtetet e Bashkuara
Një vështrim rreth botës Faleminderit për pjesën «Të kuptojmë sëmundjet mendore» te rubrika: «Një vështrim rreth botës.» (22 maj 2002, anglisht) Kam pasur çrregullim bipolar për 18 vjet. Me gjithë këtë sëmundje, kam bërë një jetë të pasur. Kam rritur tre djem dhe kam qenë një grua e mirë për tim shoq. Gjithashtu, kam ndihmuar disa individë të marrin njohuri për Biblën. Kam një familje të dashur, si edhe miq të dashur në kongregacion. Faleminderit për revistën Zgjohuni! Ajo na ngre të gjithëve në të njëjtën shkallë arsimimi.
H. B., Afrika e Jugut
[Burimi i figurës në faqen 30]
Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.