Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një takim nga afër me marmotat

Një takim nga afër me marmotat

Një takim nga afër me marmotat

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

A DO t’ju pëlqente të njihnit një krijesë të vogël të ndrojtur që është jo vetëm tërheqëse, por edhe argëtuese? Më lini t’ju tregoja për një takim nga afër që unë dhe gruaja ime patëm me një grup kafshësh të vogla me gëzof që quhen marmota.

Jemi në Italinë Veriore në vargmalin e Dolomiteve, ku shihen dy majat madhështore të maleve Latemar dhe Katinaço. Rruga e pjerrët që kemi zgjedhur të çon në shpatet e Katinaços. Në livadhe rriten lule të shumëllojshme. Ndalemi për të soditur me ëndje tridhëbotën, një lloj zambaku elegant me kurorë si çallmë turku. Na tërheq vëmendjen edhe një orkide e zezë, një lule e vogël me kurorë të përbërë, e cila ka një aromë karakteristike si të vaniljes. Pas orëve të para të mëngjesit dielli tashmë ka ngrohur lëvoret e halorëve, të shpërndarë sa andej-këndej, si pishën e Siberisë, bredhin, dhe larshin, kështu që ajri mbushet me aromën e fortë të rrëshirës.

Pastaj mbërrijmë në një luginë pa pemë. Nga ana e djathtë kemi një shpat të pjerrët me bar. Nga ana e majtë ka veç gurë të mëdhenj. Papritur diçka lëviz me shpejtësi. Kthehem instiktivisht, por gjithçka është e qetë. Kur shikoj me më shumë vëmendje, më zë syri një marmota që ka zënë vend në një cep të shkëmbit. Ndoshta një koloni e tërë marmotash banon nëpër të çarat e shkëmbinjve.

Marmota është pjesëtari më i madh i familjes së brejtësve. Një nga llojet më të njohura të këtij brejtësi buçko është marmota e Amerikës së Veriut. Marmotat që gjenden në Alpet e Evropës quhen marmota alpine. Janë kafshë mjaft të shoqërueshme dhe jetojnë në koloni.

Nuk vazhdojmë më rrugën që ta shohim më mirë. Por, marmota është larguar. Presim, me shpresë se kjo krijesë e ndrojtur do të shfaqet përsëri. Disa çaste më vonë, gruaja ma bën me shenjë e entuziazmuar. Ja, njëri është atje mbrapa atij shkëmbi, duke na vështruar me ngulm! Gëzofi i tij në ngjyrë kafe të errët shkrihet me ngjyrën e shkëmbit, saqë kafsha bëhet gati e padukshme. Duke parë më me vëmendje vë re se një marmotë më e vogël po na shikon vjedhurazi. Pak më tej shikojmë dhe një marmota tjetër​—për të cilin na e merr mendja se është babai. Ndonëse nuk jemi të sigurt, na pëlqen ideja se po shohim një familje marmotash.

«Babai» është rreth 45 centimetra i gjatë dhe është ulur drejt në këmbët e prapme me një qëndrim vigjilent si rojë. Ndërkohë dy marmotat e tjerë po vijnë rreth e rrotull mes shkurreve të rododendrës. Për të kërkuar ushqim, marmotat gërmojnë tokën me këmbët e tyre të para, në të cilat kanë kthetra të forta. Kur gjejnë ca rrënjë që u pëlqejnë, ulen duke mbajtur një pozicion drejt dhe e brejnë duke e çuar në gojë me këmbët e përparme. Marmotat hanë herët në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe aty nga mesi i ditës bëjnë një sy gjumë. Përveç bimëve, hanë karkaleca, brumbuj, krimba dhe vezë zogjsh, por nuk grumbullojnë ushqim në strofkat e tyre.

Skena familjare është zbavitëse. Por, kur përpiqem t’u afrohem për të bërë një fotografi, të tre ngrijnë në vend. Sapo bëj një lëvizje tjetër, në luginë prishet qetësia nga dy klithma të mprehta të «babait» marmot. Sa hap e mbyll sytë, «nëna» dhe «i vogli» turren në dy kalime të ngushta dhe zhduken poshtë gurëve. «Babai» m’i ngul sytë një çast. Pastaj, pasi nxjerr dhe dy klithma të tjera, turret për t’u bashkuar me pjesën tjetër të familjes.

Diku, më poshtë në luginë, gjej një shkëmb që duket se është një vend ideal për të vëzhguar. Qëndroj i shtrirë mbi të në pritje. S’kalon shumë dhe dy marmota të tjerë guxojnë të dalin fare hapur. Njëri mezi ngjitet në një gur të madh dhe shtrihet barkas sa gjatë e gjerë. Tjetri ngjitet në të njëjtin gur, por nga ana tjetër. Kur takohen të dy marmotat, duket sikur shkëmbejnë të puthura.

Vazhdoj t’i shikoj marmotat i magjepsur nga lëvizjet e tyre të vogla e të shpejta që ndërpriten nga pauza të gjata. I bën si të ngrirë çdo lëvizje e lehtë që mund të bëj dhe i ngrenë kokat duke mbajtur një qëndrim vigjilent. Më pas marrin një sy gjumë sikur nuk duan t’ia dinë fare për praninë time.

Shikoj se qilimi i blertë është plot me gropa që dallohen me lehtësi për shkak të pirgjeve të dheut me ngjyrë të çelët. Këto janë strofkat e marmotave, ku ato struken nëse ndiejnë ndonjë rrezik gjatë udhëtimeve të shkurtra për të gjetur ushqim. Strofkat e nëndheshme kanë një dhomë qendrore të lidhur me disa tunele anësore. Tunelet mund të jenë secili 1 deri në 6 metra të gjatë. Marmotat orientohen nëpër këto labirinte me ndihmën e mustaqeve të zeza që gjenden rreth turirit.

Gjatë dimrit therës, grupe me dhjetë deri pesëmbëdhjetë marmota tërhiqen brenda disa dhomëzave për të dimëruar. Marmotat e reja dhe të moshuara, nga strofka të ndryshme verore, bashkohen në këto dhoma që janë mbushur më parë me bar të thatë. Dhe kështu kruspull, ngjitur e ngjitur me njëri-tjetrin, fillojnë një gjumë të gjatë. Temperatura e trupit zbret në më pak se 8 gradë celsius; rrahjet e zemrës bien në tre deri në pesë të rrahura në minutë dhe marrin frymë vetëm dy ose tri herë në minutë. Për marmotat ky është vetë kufiri i mbijetesës. Gati një herë në muaj zgjohen dhe shkojnë në një pjesë tjetër të strofkës në gropa të gërmuara posaçërisht për të nxjerrë jashtëqitjet. Këto gropa janë të izoluara me një material të papërshkueshëm nga ajri. Dhomat e ndryshme të strofkave që përdoren për të dimëruar janë të ndara nga njëra-tjetra, por ndarjet nuk janë hermetike. Në këtë mënyrë në strofka mund të qarkullojë një sasi fare e vogël e ajrit.

Për një kohë të gjatë, shkencëtarët janë përpjekur të kuptojnë se si mbijetojnë marmotat në dimër. Kohët e fundit është përcaktuar se gjumi dimëror bëhet i mundur nga disa gjëndra endokrine, veçanërisht nga gjëndrat tiroide. Në të vërtetë, kur kafshëve u injektohen ekstrakte hormonale ata nuk dimërojnë. Por interesant është fakti se kur kafshët ekspozohen në një ambient shumë të ftohtë gjatë verës, ata reagojnë duke rritur veprimin e gjëndrave tiroide dhe ritmin e metabolizmit. Kështu ruajnë temperaturën normale të trupit. Me sa duket instiktivisht e dinë se nuk ka ardhur ende koha për gjumin letargjik.

Marmotat janë kaq të këndshme, sa nuk e vëmë re orën. Është tashmë pasdite dhe na duhet t’i lëmë ato dhe të kthehemi poshtë në luginë. Mbërrijmë atje në muzg. Sot kemi parë shumë mrekulli të natyrës, por ndoshta më e bukura ishte takimi nga afër me marmotat.

[Figura në faqen 16]

Marmotat përshëndetin njëri-tjetrin

[Figurat në faqen 17]

Lule alpine

Lulekëmbanë me mustaqe

Zambak si çallmë turku

Ylli i Alpeve

[Burimi i figurës në faqen 15]

Marmotat: Gerken/Naturfoto-Online.de

[Burimi i figurës në faqen 16]

Marmotat: Gerken/Naturfoto-Online.de